Publikuar me : 19.02.2012 Ne :
Kuriozitete - 78 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Adrian Thano / Kryeredaktor i Shekullit
Ambasada e Kosovës ka reaguar dje lidhur me mungesën e ftesave për kreun e shtetit dhe liderin e opozitës në disa nga ceremonitë e 4-vjetorit të Pavarësisë organizuar një ditë më parë në Tiranë.
Por fjalët dhe rrethanat e paraqitura në deklaratën për shtyp të kësaj Ambasade, mbeten për fat të keq të dyshimta, pasi përgënjeshtrohen nga deklarimet e dy institucioneve në fjalë, Presidencës dhe Partisë Socialiste.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë sqaron se ceremonitë me rastin e 4-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Përurimi i Selisë së Ambasadës dhe Pritja me rastin e 4-vjetorit të Pavarësisë janë organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, ndërsa Ceremonia e përurimit të Rrugës “Ibrahim Rugova”, ka qenë kompetencë e Bashkisë së Tiranës. Ambasada e Republikës së Kosovës në ceremonitë e organizuara prej saj, ka ftuar të marrin pjesë të gjitha autoritetet me të larta të shtetit shqiptar…” – thuhet në këtë deklaratë.
Pra, Ambasada me fjalë të tjera thotë se është organizatore e dy ceremonive, asaj në selinë e re të Ambasadës dhe asaj në hotel “Sheraton” në mbrëmje. Mirëpo, si Presidenca, si Selia e PS-së, kanë mohuar zyrtarisht për “Shekulli”-n të kenë marrë ftesa për ceremoninë në Selinë e re të Ambasadës. Kreu i Shtetit, Presidenti Topi, dhe lideri i opozitës, Edi Rama, kanë pasur ftesa vetëm për pjesën përmbyllëse të ceremonive (organizuar në mbrëmje në hotel “Sheraton”), në të cilën Rama ka shkuar, kurse presidenti Topi ka lajmëruar se ka qenë në gjendje jo të përshtatshme shëndetësore.
“Shekulli” ka telefonuar mbrëmë zëdhënësin e kësaj Ambasade për të sqaruar këto mospërputhje në deklaratën e tyre reaguese. Pyetjes së drejtpërdrejtë, nëse “z. Topi dhe z. Rama kanë pasur ftesa në ceremoninë e organizuar në Selinë e Re të Ambasadës”, -zëdhënësi z. Qorri i është përgjigjur fillimisht se z. Topi ka pasur ftesë, kurse z. Rama nuk ka pasur ftesë, sepse niveli i të ftuarve ishte i fokusuar, sipas tij, te krerët shtetërorë.
Versioni, për fat të keq, është sërish me probleme, sepse pas telefonatës me z. Qorri, “Shekulli” ka rikërkuar prononcimin e Presidencës lidhur me këtë, dhe Presidenca ka rikonfirmuar atë që ka thënë dy net më parë: Që kreu i shtetit nuk është ftuar në ceremoninë e 4-vjetorit në selinë e re të Ambasadës së Kosovës. Ai është ftuar vetëm në ceremoninë përmbyllëse në hotel “Sheraton”, por nuk ka shkuar për shkak të gjendjes shëndetësore.
Edhe përligjja që zëdhënësi jep për ftesën që nuk ka shkuar në selinë e partisë më të madhe opozitare në vend, prapë nuk qëndron. Në atë ceremoni nuk kanë qenë të ftuar vetëm krerë të lartë “ngushtësisht shtetërorë”, por aty ka pasur edhe kryetarë bashkish e komunash, diplomatë, gazetarë etj.
Nuk e besojmë se Ambasada në fjalë ka vepruar me logjikën e një dege partie në Tiranë dhe jo si përfaqësuese e Kosovës. Kurrsesi jo. Por “Shekulli” beson dhe përsërit që është për të ardhur keq që përfaqësues apo organizatorë (të cilitdo nivel qofshin në Tiranë e në Prishtinë) nuk arrijnë dot nivelin e shtetarit dhe institucionit, por mbeten në kornizat e ngushta të klaneve dhe oborreve politike, që sado me inate emrash të mbarsen, nuk përfaqësojnë dot as gjithë Kosovën, as gjithë Shqipërinë, ashtu siç do t’i kishte hije festimeve të një përvjetori kaq të çmuar.