Publikuar me : 05.01.2012 Ne :
Politike - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Luis Tanushi
Në daljen e parë publike për vitin 2012 kryeministri Sali Berisha iu rikthye debatit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës duke insistuar se ai do të zgjidhet nga Partia Demokratike dhe nuk do të jetë konsensual. Ai e argumentoi këtë duke thënë se presidenti do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, në të cilën është sanksionuar se pas raundit të tretë, Presidenti mund të zgjidhet edhe me një shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
“Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për ti imponuar Shqipërisë, për ti kushtëzuar asaj, dëshira suplementare, në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Politika e pengut zgjati, por dështoi. Një vend i lirë nuk mund të merret peng kurrë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë tha se presidenti i ri do të jetë në lartësinë e kushtetutës dhe me integritet. “Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për ti dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve te vendit, me integritet të plotë”, u shpreh kreu i mazhorancës.
Prej kohësh opozita ka kërkuar një proces gjithëpërfshirës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës duke u fokusuar tek standardet që duhet të plotësojë figura e Presidentit dhe jo tek emrat konkretë. “Ne na duhet të shkojmë tek një president mbi palët, i cili të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice të kufizuar numrash. Kushtetuta kërkon një president thellësisht të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim i interesit kombëtar dhe kushtetutës.
Të gjejmë dakordësinë për një figurë që sjell rregull për të mirën e vendit dhe në interes të kombit, e cila është mbi palët dhe jashtë palëve. Ajo që na intereson është interesi kombëtar i Shqipërisë europiane dhe jo interesi partiak”, është shprehur për këtë çështje Edi Rama. Por në disa deklarata të njëpasnjëshme, Berisha e ka mohuar këtë gjë. Ai insiston se votat e mazhorancës mjaftojnë për të zgjedhur Presidentin, i cili do të dalë nga Partia Demokratike.
“Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”,- thuhet në Kushtetutë dhe Berisha duket do të djegë tre votimet e para dhe më pas do të përdorë raundin e katërt për të zgjedhur Presidentin me 71 vota.
Emri më i përfolur deri tani është ai i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila mësohet se ka filluar që të lobojë për të qenë ajo kandidatja e mazhorancës. Vetë lideri i demokratëve ende nuk ka artikuluar ende ndonjë emër konkret, por është mjaftuar duke thënë se do të dalë nga strukturat drejtuese të PD-së.
“Do bashkëpunojmë për reformat e tjera”
Pasi mbylli kapitullin e zgjedhjes së Presidentit nga mazhoranca, Berisha iu kthye bashkëpunimit me opozitën për reformat. “Ne qëndrojmë të vendosur dhe të hapur për një bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë, sikundër qëndrojmë të vendosur për zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe të Kushtetutës së këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen, me tre të pestat, siç është marrëveshja”, u shpreh Berisha. Por bashkëpunimi nuk pritet që të jetë shumë i lehtë ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Në Komisionin e Reformës Zgjedhore janë diskutuar disa pika elementare dhe ende nuk është hyrë me detaje në pikat më të vështira siç janë administrimi i zgjedhjeve, çështja e KQZ-së apo e Kolegjit Zgjedhor dhe detaje të tjera për të cilat mazhoranca duket se nuk do të lëshojë pe.
Edi Rama, kryetar i PS-së
“Qeveria u propozon shqiptarëve të jenë të lumtur sepse s’ka krizë ekonomike, as papunësi as padrejtësi po veç arritje të mëdha botërore. Ne propozojmë një rilindje shqiptare për të lënë pas avazin e vjetër të gënjeshtrave e rimëkëmbur së bashku ekonominë, shoqërinë, shtetin”.
Braçe: Rrezikojmë të kthehemi në republikë partiake
Deklarata e kryeministrit Berisha për të zgjedhur Presidentin me 71 vota është komentuar nga nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, si një përpjekje për të mënjanuar opozitën nga procesi. “Sali Berisha insistoi sot (dje): Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Kush e dëgjoi edhe sot ka thënë: Idioti! Harron që këtë e tha dhe natën e fundit të vitit që shkoi! Nuk është idiot! Thjesht po synon të votojë një President pa një proces që zgjedh një President. Po kërkon të mbajë larg dhe të përjashtojë opozitën nga “procesi i zgjedhjes së Presidentit”.
Ka një qëllim: Një president të partisë, jo të popullit”,- u shpreh Erjon Braçe. Ai e cilësoi vitin që sapo ka nisur si vitin më të vështirë për Shqipërinë ku i gjithë pushteti mund të përqendrohet në duart e një partie të vetme duke e kthyer vendin në një republikë partiake. “Shqipëria është në vitin e saj më të vështirë: Rrezikon të kthehet në një republikës formale partiake! Pushteti buron nga partia (partitë LSI, PR dhe PDIU) dhe i takon Partisë! Populli s’i duhet kujt!”,- u shpreh Erjon Braçe