Ish-Miss Venezuela vdes nga kanceri i gjirit. Nje liber per betejen qe mund ta kishte fituar
Publikuar me : 20.12.2011 Ne :
Sociale - 63 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ish-mbretëresha e bukurisë venezueliane është ndarë nga jeta në moshën 28-vjeçare nga kanceri i gjirit. Eva Ekvall, nënë e një vajze 2 vjeçe, mbylli sytë përgjithmonë në një spital në Teksas pas dy vjetësh beteje me sëmundjen e rëndë.
E njohur për bukurinë e saj, Eva Kevall kishte fituar kurorën e më të bukurës së Venezuelës në vitin 2000. Më pas, ajo kishte studiuar për gazetari, e më vonë u bë një nga mbështetëset më të fuqishme në vendin e saj për mbledhjen e fondeve për kancerin e gjirit.
Gjatë dy vjetëve të kurimit, Eva e ka kthyer në libër historinë e saj, duke u kthyer në një nxitje të fuqishme të femrave venezueliane për t’u ekzaminuar herë pas here.
Eva kishte vënë re një gjëndër në gjoksin e saj, por nuk i kishte kushtuar rëndësi, pasi ishte shtatzënë dhe mendonte se kjo mund të ishte një nga ndryshimet që përjeton trupi në këtë fazë.
“Isha shumë e inatosur me veten. Duhet ta kisha menduar këtë gjë. Tezja ime ishte prekur dy herë nga kanceri, gjyshja ime ka vdekur prej kësaj sëmundjeje. Ndërsa unë lashë që të kalonte shumë kohë”, shprehet ajo në libër.
Libri i saj “Fuera de foco” (Jashtë fokusit) është cilësuar si një ndër mënyrat më efektive të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në Venezuelë.

Libri i Eva Ekvall
Gjatë periudhës të kemioterapisë, pasi u shkëput nga televizioni, në një intervistë për The Guardian, mbretëresha e bukurisë venezueliane u shpreh:
“Është e dhimbshme kur sheh veten në pasqyrë. Nuk ke më asnjë fije floku në kokë, nuk ke vetulla apo qerpikë. Shndërrohesh në një farë kafshe të egër. Nuk njeh më veten. Është e frikshme, aq më tepër kur puna jote ka pasur gjithmonë lidhje me të dukurit bukur”.
Eva ishte martuar me John Faboi Bermudez, një producent radioje, me të cilin kishte sjellë në jetë vajzën 2-vjeçare Miranda.
Një ditë pas vdekjes së saj, i shoqi postoi një foto në Tëitter, në të cilën ai i mbante dorën në minutat e fundit të jetës, shoqëruar me fjalët: Gjithmonë bashkë, të dua e dashur.

Foto e postuar në Twitter nga i shoqi
Eva mbylli sytë përgjithmonë të shtunën e kaluar, pasi tregoi një qetësi dhe kurajo të jashtëzakonshme në betejën me kancerin. Një betejë të cilën e humbi, por la pas një mirënjohje të madhe tek organizatat dhe institucionet shëndetësore që punojnë për ndërgjegjësimin e femrave mbi rrezikun e bishës që mund të flejë brenda çdo femre e mund të zgjohet atëherë kur është shumë vonë.
Përgatiti: Gazmira Ndoja