Publikuar me : 18.10.2011 Ne :
Politike - 85 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nuk mund të thuhet që studentët e Topallit, ruajnë të gjithë kujtime të mira për gruan nervoze që drejton Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë rrëfim, një ish-studente e Topallit, Brunilda Dibra, flet për Profesoreshë Topallin dhe mënyrat e profesoreshës në Shkodër. Më poshtë, artikulli i ish-studentes, sot gazetare lokale e televizionit Alsat nga Shkodra.
Brunilda Dibra, ish-studente e Jozefina Topallit
Si një ish studente e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, kam qënë pjesë e auditorëve ku zonja Jozefina Topalli jepte “Të Drejtën Publike”. Prezantimi i parë me Profesoreshën Topallin, që në atë kohë ishte N/Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë ka qënë i çuditshëm për ne studentët e auditoreve, por jo për atë. Pyetja për secilin ishte Djali/Vajza i kujt je dhe ku banon?
Brenda pak minutash Jozefina Topalli pati një panoramë të qartë të perberjes gjeografike të atij kursi. Po në atë prezantim Profesoresha Topalli kuptoi me sa duket kush ishin fëmijët e komunistëve, demokratëve, ballistëve, zogistëve e kështu me radhë. Dhe ai prezantim shërbeu deri në fund në raportin student-pedagog me zonjën Topalli..
Në tentativën ndoshta për të qënë në avangardë, leksionet “E të Drejtës Publike” të Jozefina Topallit në 97-tën, ishin një perkthim i çale i programit studimor të Universitetit të Bolonjës, ku nuk ekzistonte asnjë nga shenjat e pikësimit. Mund të duket një detaj i parëndësishëm, por në jurisprudencë një presje, apo pikë ka shpëtuar koka njerëzish. Topalli në leksionet e saj, nuk mendonte për këtë, ose nuk kuptonte që për një jurist, FJALA është një shkencë ekzakte. Jo vetëm matematika, aq e dashur për të.
Një tjetër kujtim i imi me zonjën Topalli në rrobën e pedagoges, ishte mungesa e pedagogjisë në komunikim. Në diskutimet e lira me studentet, të gjithë ishim të kujdesshem teksa bëheshim pjesë e debatit, sepse një liri e tepërt mendimi nga ana jonë, veçanërisht nëse anonte “majtas”, – do thoshte humbje e vitit shkollor. Kështu i ndodhi një studenteje një vit më të madhe se ne, e cila “Të Drejtën Publike” nuk e mori deri ne vitin e diplomës.
Kohë më vonë në punën time si gazetare, – pasi juriste s’mund të behesha si një vajze e një ish-komunisti në Shkodër, – vëreja që për disa “gazetarë të qendrës”, Jozefina Topalli ishte si ato ikonat që shohim në kishë. Rrethohej nga një aureole pafajësie dhe tolerance që kurrë nuk e ka pasur dhe që ne shkodranët e njihnim shumë mirë. Përkundrazi, si viktimë e luftës së klasave në kohën e monizmit, Topalli krijoi një tjetër luftë klasash, por në rolin e persekutores që në auditorët e universitetit të Shkodrës.
Ajo e nxori fare mirë këtë anë të saj kur ju dha një pushtet: Arbitrimi i Kuvendit të Shqipërisë. Zonja Topalli është intolerante në natyrën e saj dhe këtë e dinë fare mirë edhe PD-istët e Shkodrës, ato rrogëtarë të mjerë të teatrit, të qendrave kulturore, mësues, pedagogë që dolën këto ditë për të mbrojtur një shtrembërim të turpshëm të kryetares së parlamentit, ndaj deklaratës së kreut të shtetit Bamir Topi.
Ata e dinë edhe që kjo “luftë” ndaj Topit ka një shpjegim të dukshëm, që s’ka të bëjë me dialektet e gjuhës.
Në përfundimin e mandatit të presidentit, Bamir Topi është rival i fortë brenda së djathtës. Qëllimi justifikon mjetin, qoftë dhe përmes ndarjes krahinore, fetare, kulturore, dialektike që Jozefina e ka më shumë qejf. Këtë gjë ka bërë në Shkodër, ku kartën fetare e luan sa herë dëshiron dhe në kandidimet për deputete apo kryetare bashkie nga PD-ja. Pas kaq vitesh, mendoj që Topalli duhej të kishte dhënë “Të Drejtën Romake”, meqë në karrierën e saj politike ka ndjekur vetëm një parim: Përça dhe Sundo!
Rrëfimi i Bazes: Biseda me Berishën në Vilën 4 për Jozefina Topallin
Pjesa e mëposhtme është marrë nga kapitulli “Prill 1996 – PD-ja jopolitike e 26 majit” i librit “1997” të gazetarit të njohur Mero Baze. Pjesa rrëfen një bisedë të Bazes, dikur këshilltari më i ngushtë i S.Berishës, me këtë të fundit në prag të hartimit të listave për zgjedhjet 26 majit. Aty shfaqet edhe emri i J.Topallit. Më poshtë, pjesa e plotë e shkëputur nga libri i Bazes:
“… Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t’i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën.
Prej ikjes së Neritan Cekës në vitin 1991 e më pas Pashkos, Zogajt, Imamit, Kalakulës, Baletës dhe kulmimit të rrjedhjeve me kryetarin karizmatik të partisë, Eduard Selamin, Sali Berisha dukej se po mendonte për një parti pa politikanë. Lista e gjatë që shkruante dhe rishkruante vetë, nxirrej nga lista pedagogësh, artistësh dhe intelektualësh të njohur të vendit, shumica e të cilëve as që kishin ndonjë ide se po hynin në politikë. Me siguri që ka qenë afër fundit kur, një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara.
-Do t’i lexoj një herë emrat, – tha. – Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet!
Poi dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë.
- Si të duken? – më tha.
Ishte një pyetje që donte përgjigjen që duhej ta dëgjonte ai. Qoftë dhe për rutinë.
- Janë shumë, – i thashë, – s’di të them për të gjithë. Disa emra janë shumë të njohur dhe ndoshta bëjnë punë. A ke folur me ta?
- Me cilët? – tha.
- Për shembull, me Ndriçim Xhepën, Xhevdet Ferrin apo këta pedagogët.
- S’ka problem për ata, flasim.Posi të duket lista?
Donte doemos një përgjigje entuziaste.
- E mirë më duket, – i thashë. – Do të kesh pak problem me këta të partisë.
- Partisë… hë, ç’probleme do të kem? Ua kam thanë: “Më të shquarit, te zonat më të vështira.” Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë… se këta të Jugut ke merak ti…
Nuk i bëra asnjë koment.Popërpiqesha t’i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te “Zëri i Amerikës”.
- Mirë e paske Jugun, – i thashë instinktivisht. – Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë?
- Nuk e njeh Boden… i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, – tha. – Do një figurë të fortë, s’bëhet pa një figurë të fortë.
Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën.
- E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio?
- Jooo! – tha. – Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s’di ku ta çoj…
- Në Shkodër, ku tjetër? – i thashë.
- S’e di. Fola me Aliun… ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin.
-Kushështë kjo?
- Është një pedagoge… për matematikë më duket, nuk e di… ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun.
Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë.
- Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet… Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj…. – Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. – Ah, po, e gjeta, – tha. – Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun.
Foli sërish me Ali Spahinë: “Paska qenë mësues atje, në Mirditë? E po, shumë mirë atëherë… aty po e çoj. Shumë mirë, u mbyll kjo punë. E shkëlqyer! Mos fol me njeri.”
- U mbyll, – m’u kthye mua. – Në Mirditë. Aliu thotë se paska qenë dikur mësues aty… ose i internuar, ose mësues, nuk e dinte mirë, por më tha që ka lidhje atje.
Përfytyrova Kolecin, një burrë i matur, i urtë dhe flegmatik, që kishte drejtuar me durim dhe përkushtim administratën e Presidencës për katër vjet. Nuk e njihja nga afër, por me siguri që ishte i çliruar nga ideja se po ikte nga ajo ndërtesë.
I vetmi kuriozitet që kisha për kandidaturat e Shkodrës ishte Azem Hajdari. Berisha nuk po ma përmendte emrin e tij, ndërsa Azemi kishte dy ditë që më kërkonte ta zhbiroja se ku kishte ndërmend ta çonte. “Më duhet një fije informacion, shqipe, – tha Azemi, – pastaj di vetë unë se ç’bëj.”
-PoAzemin? – i thashë papritur.
- Azemin? Hëm, atij ia kam gjet vendin. Ai, kudo që ta çosh, fiton. Kemi një zonë shumë të vështirë, që bashkon Çermenikën e Librazhdit, Martaneshin dhe Tërnovën e Dibrës. Aty e kam çue. Vetëm ai mund ta fitojë këtë.
- Mos nuk e pranon, – i thashë me gjysmë zëri.
- Jo, mo, e pranon, – tha, – mos ki merak. Shiko, kam ndjekur një parim: figurat politike në zonat më të vështira, intelektualët në qytete të sigurta, se ata më duhen në Kuvend mue, s’mund t’i hedh në mes të detit menjëherë.
Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar.
Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në Rogner. Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte.
-Ponë Shkodër, – tha, – kush është?
- Ka futur një grua, – i thashë. – Jozefina Topalli quhej, më duket se ishte kunata e Kolecit.
- Të ka mashtruar, – tha. – Koleci s’ka kunatë pedagoge..
- Nuk më tha “kunatë”, por e mora me mend nga mbiemri… diçka e kishte burrin e saj.
- E di unë kush është, – tha Azemi. – Lene se e rregulloj vetë tani.Poe ftoj për një drekë në Vahinë, ta shikoj njëherë se ç’është. Nejse, shqipe, ti mos thuaj gjë për këtë muhabet, se di unë si e zgjidh.
Në mbledhje, Berisha foli gjatë për qeverisjen katërvjeçare dhe për parimet mbi të cilat kishte ndërtuar listën. Përsëriti pak a shumë faktin që politikanët do të shkonin në zona të vështira dhe intelektualët në zona të sigurta. Shtoi se, si risi, Kuvendi do të kishte një “boom” për gratë. Lexoi edhe emrin e Azemit në zonën përkatëse. Pati reaksion. Azemi u ngrit nga vendi dhe kërkoi të sqarohej më qartë: për se ishte sajuar një zonë për të?…”
Bamir Topi
Bamir Topi (51 vjeç), i diplomuar për biologji në Institutin e Studimeve Veterinare në Tiranë në vitin 1984. I laureuar për doktoraturë në Itali, drejtoi institutin në vitet (1992-1996). Deputet prej vitit 1996, ministër bujqësie deri në mars 1997. Ishte nën kryetar i PD-së, dy herë si anëtar i parlamentit dhe shërbeu si kryetar i grupit parlamentar të partisë.
U zgjodh president në vend të Alfred Moisiut më 24 korrik 2007. Si gjithe te tjeret qe ka tentuar pavaresi institucionale, sot është përfundimisht armik i PD-së. Pas masakrës së 21 janarit mbi protestuesit antiqeveritare u shpall pjesëtar i “puçit” kundër qeverisë së Berishës.
Jozefina Topalli
Jozefina Topalli (48 vjeçe), e diplomuar për matematikë. Në 1996 zgjidhet për herë të parë deputete e PD-së, ndërsa punonte si pedagoge në Shkodër. Në 1997 zgjidhet Nënkryetare e PD-së. Në dy legjislatura (1997-2001, 2001-2005) ishte nënkryetare e Kuvendit, ndërsa në shtator 2005 u zgjodh Kryetare e Kuvendit, për ta përsëritur mandatin katër vjeçar në shtator 2009. Konsiderohet një prej figurave më me influencë në PD dhe në politikë, edhe pse ardhja e të rinjve e ka eklipsuar në parti. Prej 6 vitesh ka patur përlasje të ashpra me opozitën e majtë, e cila tre herë ka tentuar pa sukses ta shkarkojë nga posti i spikeres së Kuvendit.
Sali Berisha
Sali Berisha (67 vjeç), me profesion kardiolog. Wshtw pranuar komunist dhe wshtw anëtarësuar në ish-PPSH qw në 1968. Gjatë rregjimit komunist ishte ish-sekretar partie, asistent/profesor mjekësie në universitetin e Tiranës dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm. Në 1978 dërgohet nga rregjimi për trajnim nëParis. Në 1989 merr titullin Profesor në Universitetin e Tiranës. Në 9 dhjetor 1990 dërgohet nga Alia për të ndërmjetësuar me studentët e Tiranës. U bë pas kësaj drejtuesi i partisë së parë opozitare dhe zyrtarisht ishte kryetar i saj në shkurt 1991. U rrëzua nga protestat popullore të pranverës 1997 pas rrënimit të shtetit
Përplasja e së shtunës: Replikat Topi-Topalli
1
Në përgjigje të pyetjes për një koment lidhur me deklaratën e Topallit që e njësoi atë me Ramën, Topi tha:
Gjatë një deklarate lidhur me mosdekretimin e ligjit të plehrave, Topi u pyet në Shkodër lidhur me deklaratat e Topallit sipas të cilës ka një celulë antievropiane ku bën pjesë dhe Topi. Përgjigja:
“…Së pari, këto zonja apo zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar, të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, sepse komunikojnë publikisht me Institucionin e Presidentit të Republikës. Së dyti, në rast se do të dalim në një plan tjetër, ju e dini që, për definicion, spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do u thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte…”
2
Pa kaluar shumë, brenda së njëjtës mbrëmje, faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë përdoret si profil personal Facebooku. Në të shfaqet një baner i çuditshëm ku shkruhej në formë parrulle:
“Topalli flet me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!”
3
Pas shfaqjse së kësaj deklarate në sajtin e Kuvendit, zyra e shtypit e Presidencës dërgon në redaksi një kundër-reagim:
“..Presidenti vlerësoi sonte të gjitha familjet e njohura e me tradita qytetarie, kulture e sportdashëse që i kanë dhënë emër Shkodrës, por edhe krenari gjithë Shqipërisë.
Nisur nga deklarata e zyrës së shtypit të Kuvendit, zyra e shtypit e Presidentit shpreh bindjen se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë..”.
Zëdhënësja e Kuvendit , shpërndan edhe “reagimet e shoqatave kundër Topit” (?!)
Më datë 15 tetor, nga adresa e Blerina Tosllukut, punonjëse e zyrës së shtypit e Kuvendit, u shpërnda për mediat reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kundrejt fjalëve të Presidentit të vendit, Bamir Topi. Në këtë njoftim të dërguar prej Tosllukut, siç edhe dihet, thuhet se “”Jozefina Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi! Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!!!”
Më datë 16 tetor, për mediat u shpërnda një deklaratë për shtyp e Shoqatës Kulturore të Shkodrës “Pjetër Gaci” lidhur me deklaratat e Presidentit. Në këtë reagim, Presidenti i Republikës cilësohet si “Presidenti i Bulevardit” dhe në të thuhet se “mbështetjen, votën dhe besimin e Shkodrës anti-komuniste dhe të qindra mijëra demokratëve e shpërdorove paturpësisht për katër vjet, dhe e hodhe me dorën tënde kundër tyre me 8 maj”. E habitshme është se edhe kjo deklaratë është dërguar po nga adresa e Blerina Tosllukut, punonjësja e zyrës e Kuvendit të Shqipërisë (!)