Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Islami Ç’duhet bere me ata qe thyejne vendimet e PS-se

Publikuar me : 22.12.2011 Ne : Politike - 79 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Prof.Dr.Kastriot Islami (atëherë Dr.Islami) është shfaqur vërtet radikal me ata që thyejnë vendimet e Partisë Socialiste. Dje Shekulli botoi intervistën me mjekun Sali Rexhepi, një nga deputetët fitues të PSsë në zgjedhjet e majit ’96. Rexhepi dëshmoi se si Islami ishte marrë personalisht me të, duke e ndjekur me këmbëngulje përjashtimin e tij nga PS, madje duke shkuar edhe në Librazhd për të vendosur veton, në kushtet kur dega socialiste e atjeshme ngurronte të bënte përjashtimin dhe ç’regjistrimin e Rexhepit.

Dr.Islami nuk është mjaftuar me kaq. Në shtypin e ditës, konkretisht në gazetën Koha Jonë të gushtit 1996, në të paktën dy artikuj, Islami merret gjerë e gjatë me Sali Rexhepin, “fenomenin “rexhepi” dhe “logjikën rexhepiste” siç i quan ai, duke kërkuar me forcë që PS-ja të ishte shumë e rreptë me ata që si Rexhepi “thyejnë vendimet e Partisë Socialiste dhe favorizojnë kështu Sali Berishën”. Madje z.Islami i cili sot shfaqet si një kundërshtar i madh i bojkotit të PS-së, ka qenë jo vetëm një partizan i flaktë i bojkotit, por edhe një radikal i vërtetë në qëndrimet se “bojkoti nuk mjafton” dhe se “sali rexhepët” (pra ata që thyejnë vendimet e PS-së), duhen “paralizuar juridikisht” sipas tij, madje është bërë gabim i madh që “janë futur në listat për deputetë”. Po botojmë sot pjesë nga dy artikuj të datave 4 dhe 11 gusht, botuar në gazetën Koha Jonë me autor z.Islami.

 

 

Titulli origjinal: A mund të përsëritet në PS “fenomeni Rexhepi”?!

Kastriot Islami

Sali Berisha ka deklaruar: “Jam i sigurt që deputetët socialist pas gjashtë muajsh do vijnë në parlament”. A është e vërtetë se mund të realizohet kjo thotë Berisha? Drejtuesit e PS tashmë janë përgjigjur politikisht se “nuk i njohin zgjedhjet e 26 majit dhe parlamentin e dal prej tij. Por në mesazhin e fundit Nano pyet: “A e di Prof. Pëllumbi se kush e ka siguruar Berishën që do të hyjë në parlament pas gjashtë muajsh?” Pyetja shtrohet se çfarë masash ka marrë PS që të mos përsëritët “Fenomeni Rexhepi” dhe çfarë garancie ka për këtë problem? Përgjigja më frekuente është: Sali Rexhepër gjithmonë gjenden dhe nuk besojnë që të ketë të tjerë. Pra asgjë më shumë se një deklaratë që nuk garanton. Gjithë kjo situatë më duket në rastin më të mirë Naivitet politik, për të mos thënë që nga apatia e veprimit politik, dikujt i jepet mundësia të “flirtojë në mënyrë të detyruar” siç shprehet Nano në mesazhin e tij. Naivitet apo flirt? Për vërtetimin e kësaj teze duhen natyrisht fakte dhe askush nuk mund të konkludojmë apriori e aq më tepër të stigmatizoj ndokënd. Por në rastin se rezultati politik do të ishte i njëjtë atëherë shtrohet pyetja si mund t’i pritej rruga përsëritjes se “Fenomenit Rexhepi”? Po analizoj pa asnjë ngarkesë apo pa dashur të paragjykoj askënd.

 

“Fenomeni Rexhepi” nuk duhet lejuar që të përsëritet

Ndonëse nuk i duhet dhënë ndonjë rëndësi e veçantë “fenomeni Rexhepi” duhet pranuar se ai është tashmë një realitet. Ai mund të mbetet rast unik, por edhe mund të pasohet. Në rast se ai mbetet unik natyrisht që kjo flet se përzgjedhja e kandidatëve është bërë e përsosur me gabim rreth 1 perqind dhe kjo flet që i gjithë ekipi i PS ka bërë një punë të lavdërueshme në këtë drejtim. Por për mos përsëritjen e tij çfarë duhet bërë?

Më 26 maj, në orën 18, PS u largua nga zgjedhjet përmes një vendimi politik të mençur duke pretenduar me të drejtë njëkohësisht që ky vendim kishte edhe fuqi ligjore. PD asnjëherë nuk pranoi që ky vendim ishte edhe juridik duke interpretuar bile edhe përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese se tërheqja e opozitës nuk ishte ligjore. Kjo do të thotë që Berisha jo vetëm njeh rezultatin prej 10 deputetësh nga PS, por ndërkohë i bën thirrje atyre që të shkojnë në parlament. Në këto kushte kërkohet të reflektohet nga ana e PS në planin juridik sepse justifikimi që “ne jemi tërhequr dhe në bazë të ligjit elektoral asnjë deputet nuk mund të shkojë si deputet i PS “ është i pamjaftueshëm në kuadrin e interpretimit ligjor të bërë nga Gjykata Kushtetuese. E thënë më shkoqur , kjo do të thotë se Berisha shkon deri atje saqë të dhjetë deputetëve të “emëruar prej tij” ai i ka vendosur emrin në borderonë e Kuvendit Popullor duke mos i dhënë asnjë mundësi tjetër për punësim. Ky insistim juridik mesa duket sipas vetë fjalëve të Berishës pritet të japë rezultatin politik. Kjo është hipotezë por për të cilën Berisha punon për ta bërë ne alitet e nga këndvështrimi i tij kjo është normale.

Cfarë duhet bërë në këtë rast?

Nga dhjetë deputet që janë emëruar nga Berisha, pesë janë nga kryesia e PS dhe ata janë të shprehur publikisht se nuk shkojnë në parlament, kjo aktualisht është e besueshme. Por asnjëri prej tyre nuk ka bërë asnjë veprim juridik që të abandonojë vendin e tij të rezervuar në parlament. Sigurisht kjo është një akuzë dhe do të ishte pa asnjë bazë që apriori të vihej në dyshim devotshmëria politike apo partishmëria e drejtuesve më të lartë të PS apo e cilitdo tjetër?

Unë di gjithashtu edhe përgjigjen e tyre. Në këtë rast ne bëjmë tërheqjen juridike atëherë në bazë të ligjit elektoral radha për tu futur në parlament do tu vinte pesë të tjerëve. Dhe më tej vjen gjykimi i tyre. Më mirë ta mbajmë situatën të ngrirë kështu sepse ne jemi besuar dhe të vendosur që nuk shkojmë në parlament se sa duke hapur rrugën të tjerëve nuk i dihet se çfarë mund të ndodh me “fenomenin Rexhepi” e ndoshta ndonjëri shkon.

Unë tani mbështes analizën mbi këtë dyshim të tyre. Pra nga ky gjykim i tyre rezulton se 5 nga drejtuesit më të lartë të PS anëtarë të Kryesisë nuk kanë siguri që pas dorëheqjes së tyre , nuk do të ketë “Rexhepër” të tjerë që do shkojnë në parlament. Pyes: A është e vërtetë kjo pasiguri? Në rast se nuk ka asnjë pasiguri atëherë përse këta 5 drejtues nuk japin shembullin e largimit juridik nga parlamenti? Në rast se pasiguria ekziston atëherë përse ky problem nuk analizohet, nuk nxirret përgjegjësia dhe nuk gjendet zgjidhja për ti dalë përpara mbushjes së dhjetë vendeve me 10 Sali Rexhepër? Kur është marrë vendimi politik i PS, ditën e diel më 26 maj kam bërë vërejtjen që secili kandidat të bëj deklaratë personale të shkruar që nuk pranon të shkoj në parlament. Kjo kërkesë e cila atë ditë u quajt ofendim ende edhe sot nuk është realizuar. Nuk kuptoj përse kjo zvarritet dhe përse duhet të quhet ofendim që secili militant i PS do ti thoshte JO parlamentit jo legjitim. Qofsha unë i gabuar!

Një analist i paanshëm duke parë zhvillimet e brendshme në PS më shtroi pyetjen: A do të ndryshonte vendimi i ndonjërit prej 5 drejtuesve të lartë të PS apo ndonjë tjetër pas Kongresit në varësi edhe të faktit që do të zgjidhej përsëri udhëheqës apo jo? Kjo është vetëm pyetje dhe aspak akuzë.

Cili do të ishte veprimi politiko-juridik ndaj fenomenit Rexhepi?

Në radhë të parë dua të shpreh faktin që nuk dëshiroj të ofendoj asnjë ish kandidatë për deputet dhe bile pa asnjë paragjykim vlerësoj sakrificat e të gjithëve pa përjashtim në fushatën elektorale të 26 majit.

Por kërkesa dhe parashikimi i Berishës për futjen e socialistëve në parlament kërkon që të zhvlerësonte përfundimisht krahas deklaratave publike e politike, veprim juridik. Në ligjin elektoral thuhet se se “Mandati i deputetit të Kuvendit Popullor merr fund kur deputeti refuzon të bëjë hetimin e parashikuar në rregulloren e Kuvendit Popullorë. Pra mjafton që secili prej të 115 ish kandidatëve të paraqesë pranë Kuvendit Popullor një deklaratë fare të shkurtër ku pohon se nuk pranon të bëjë betimin në parlamentin jolegjitim.

Kaq i thjeshtë është aksioni politik që duhet të ndërmarrë sot PS. Kjo për mua është një detyrë politike e PS-së, sidomos e Kryesisë së PS-së dhe KPD, që duhet zgjidhur para kryerjes së Kongresit. Ngul këmbë para Kongresit sepse pas tij mund të lidin teori nga më të ndryshmet që askush sot nuk mund t’i parashikojë. Përgjegjësia morale kryesore aktualisht bie mbi 5 anëtarët e Kryesisë të emëruar nga Berisha. Ata duhet të jenë në ballë të këtij aksioni politik, i cili po qe se do të dështonte do të përbënte fitoren politike më të madhe të Berishës. Në rast se do të heshtej për këtë problem, që duket i vogël sot, unë pyes: Është naivitetit apo…? Nesër do të ishte shumë vonë. Nuk është aspak akuzë për ndonjë, por thjesht sensibilizim për socialistët e thjeshtë që u rrahën dhe nuk durojnë të zhgënjehen nga ata që u shkuan pas me besimin dhe shpresën e të thjeshtit. “Fenomeni Rexhepi”, kujtoj, është tashmë realitet dhe askush nuk ka guximin të thotë se ai mund të përsëritet, por edhe askush nuk merr përsipër të sigurojë se ai mund të përsëritet. Kujdes! Berisha mund të mos gabojë në këtë rast. Ky është një nga shqetësimet politike të Nanos të shprehur në ftesën e tij për reflektim. Ky shqetësim kërkon veprim politik dhe jo shkëmbim deklaratash sepse kjo nuk është akuzë për askënd, por ajo mund të kthehet e tillë në rast se: “heshtja do të konsiderohej flori edhe në këtë rast” dhe nuk do t’i ndërpritej juridikisht rruga “fenomenit Rexhepi”. “Heshtja do të krijonte ndoshta edhe opozitën” në parlament dhe kjo do të ishte fatale.

 

 

Logjika “rexhepiste” dhe psikologjia e të humburve

Sali Rexhepi vajti në parlament pasi ishte bërë deklarata politike e PS-së dhe e të gjithë subjekteve të opozitës. Pra, ai nuk e përfilli deklaratën politike, ndërkohë që juridikisht ishte i lirë të shkonte në parlament dhe bëri pikërisht këtë të fundit. Në të tilla raste sigurisht që gjenden arsyet duke filluar nga ato politike deri tek ato personale. Bëhet pyetja: Çfarë masash kishte marrë PS-ja para 26 majit që ky fenomen të mos ndodhte? Kush e mban përgjegjësinë për mos seleksionimin e saktë të kandidaturave? Çfarë masash juridike ndërmori PS fill pas deklarimit politik të 26 majit që presionet e bëra nga pushteti mbi 115 kandidatët e saj të zhvlerësoheshin? Përse heshti PS pas deklaratës së Berishës, që “pas gjashtë muajsh deputetë socialistë do të vijnë në parlament”. Në këtë rast e kam fjalën për mosveprim juridik që do t’i ndërpriste rrugën edhe vetë Sali Rexhepit. E thënë ndryshe, përse Sali Rexhepi nuk u paralizua juridikisht nga PS por u la si viktimë në duart e pushtetit. Për më tepër ai akoma mbetet anëtar i PS-së dhe në mënyrë të paskrupullt vetëdeklarohet në parlament si deputet i PS. Duke qenë kështu, potencialisht, një ftesë publike për cilindo që sot ose nesër do të bëhet variant i logjikës “rexhepiste”.

Çfarë mund të ndodhë nesër?

Ky fenomen mund të mos përsëritet dhe përmes një veprimi politiko-juridik t’i mbyllet rruga përfundimisht në rrugë juridike vajtjes në parlament. Me këtë rast kur të gjithë kandidatët e PS-së nuk pranojnë të shkojnë juridikisht në parlament ai parlament nuk realizon praktikisht numrin e 140 deputetëve dhe për rrjedhojë menjëherë do të shtrohej domosdoshmëria e përsëritjes së zgjedhjeve. Berisha do të ndodhej përballë një krize të re politike. Ky fenomen mund të përsëritet deri në numrin maksimal 10, dhe kjo do të konsiderohej si një farë opozite e majtë. Kështu që logjika “rexhepiste” mund të bëhej bazë për krijimin e një “Laço-grupi” të ri parlamentar. Natyrisht në planin politik një opozitë e tillë nuk do të ishte e besueshme as brenda dhe as jashtë vendit. Por, Berisha mundet që për një farë kohë ta shfrytëzojë me efiçencë atë.

Cili është interesi i PS-së?

Nëpër biseda diskutohen rreth mendimeve të tilla: Të ruhet kjo kartë si kartë presioni ndaj Berishës me idenë që ne mund të futemi në parlament po qe se realizohet kjo apo ajo kërkesë e opozitës. Kjo, jo vetëm naive, por edhe absurde, sepse e vetmja kërkesë që ka opozita është përsëritja e zgjedhjeve të 26 majit dhe nuk mund të ndodhë që Berisha të thotë: “futuni në parlament dhe unë siguroj se do të përsëris zgjedhjet”. Kjo është mbi të gjitha qesharake. Thuhet gjithashtu se kjo kartë përdoret si kartë presioni për t’u zgjedhur në forumet drejtuese të PS-së në Kongres, përndryshe ne do të futemi në parlament me idenë që nuk mund të bashkëjetoni me konservatorët. Kjo përsëri do të ishte vetëvrasje politike, ndërkohë që do të kishte mbështetjen e plotë të pushtetit dhe nga pikëpamja personale do të jepej mundësia për t’u zgjedhur nga nënkryetar parlamenti deri për të realizuar kërkesa të vogla meskine. Thuhet gjithashtu se pas një kohe të gjatë, të themi pas 6 muajsh, mund të ndryshojnë kushtet dhe klima e dialogut mund të pranojë dhe vajtjen në parlament. Kjo mund të thuhet se tavolina e rrumbullakët po funksionon për bukuri dhe është më e arsyeshme të jemi në parlament se sa jashtë tij. Kështu luftojmë edhe atje brenda për ato probleme që diskutojmë në tavolinën e rrumbullakët. Ky realitet politiko-juridik do ta kthente strategjinë e opozitës në nivelin zero dhe do të ulte besueshmërinë e saj politike për të ardhmen. Ky veprim do të shkatërronte menjëherë tavolinën e rrumbullakët që do të transferohej në parlament dhe do të mbyllte njëherë e përgjithmonë gojën e opozitës për përsëritjen e zgjedhjeve. Ky do të ishte fatalitet, por po të pyesësh masën e gjerë të elektoratit opozitar, të tilla versione do të ishin të pakuptimta dhe ata do t’i përgjigjeshin pa asnjë farë hezitimi se nuk duhet shkuar në parlament. Por kjo dëshirë e mbarë elektoratit opozitar, e mishëruar në deklaratën politike të pasdites së 26 majit dhe që është përsëritur me mijëra herë ende nuk e ka garantuar plotësisht atë me Sali Rexhepin në parlament. Politikisht askush nuk ka tani për tani guximin të thotë se edhe mund të shkohet në parlament për ndonjë situatë speciale apo për ndonjë shkak, por vetëm kaq dhe asgjë më shumë. Asnjë veprim juridik nuk është ndërmarrë në mënyrë që lëvizja politike e 26 majit të vendoset mbi bazat ligjore. Biles, çuditërisht dhes me naivitet ngritja e këtij problemi është konsideruar version provaktiv, gjë që nuk pranon aspak logjikën “rexhepiste” në drejtuesinë e PS-së.

A mund ta mbajë pezull PS-ja “fenomenin rexhepi”?

Të nëntë deputetët e emëruar të PS-së në parlamentin jolegjitim me sa duket mendojnë se ata përbëjnë bazën e garancisë për të mos lejuar “fenomenin rexhepi” të përsëritet. Por kjo s’është aspak e vërtetë. Po ashtu do të ishte ironi çdo heroizëm buxhetor i pretenduar prej tyre. Me të vërtetë për këtë gjendje pezull të mungesës në parlament, duke mos pasur emrin në bordero dhe tabelën elektronike të tij, e ka në dorë kryesia e Kuvendit popullor, ose për të qenë më saktë, zoti Pejtër Arbnori, me Komisionin e Verifikimit të Mandateve. Do të mjaftonte vetëm një thirrje protokollare, ku nëntëshes së parë do t’i dërgohej shkresa-kërkesë me përmbajtjen e tillë: “Ju lutem paraqituni për të bërë betimin e deputetit dhe për të marrë mandatin përkatës. Mosparaqitja juaj do të konsiderohej refuzim për bërjen e betimit dhe kështu në bazë të ligjit humbni të drejtën për të qenë anëtarë i parlamentit”. Më tej do t’i drejtohej nëntëshes së dytë dhe kështu me radhë derisa të gjendeshin sipas llogarisë së tyre nëntë “rexhepër” të tjerë. Në këtë plan, mosveprimi juridik nga ana e PS-së, iniciativa politike i mbetet partisë në pushtet. Kështu heshtja aktuale është pak më shumë se logjika e diversionit provokativ.

Zgjidhja e thjeshtë, por e “ndërlikuar”

Shtrohet pyetja: Kush do t’i zbulojë (nëse ka) “Sali Rexhpët” PD apo PS? Sigurisht që këtë mund ta zgjidhë heshtja e tejzgjatur e PS-së apo ndonjë deklaratë e papërgjegjshme. Në rast se PS do të vazhdojë të qëndrojë në pozicionin e fiksuar se mjaftohemi me bojkotimin politik, atëherë askush nuk mund të garantojë që “fenomeni rexhepi” nuk do të përsëritet. Madje, heshtja e të garantuarve është justifikuar me ekzistencën e të paragarantuarve “rexhepistë”. Kjo në radhë të parë hedh një akuzë të pamerituar mbi ata dhjetëra kandidatë të ndershëm dhe militantë që ndonëse u goditën nga dhuna shtetërore, kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për fitoren reale të PS-së. E gjithë kjo, siç mbart përgjegjësitë përkatëse kërkon edhe ndërmarrjen e veprimeve të shpejta efektive me qëllim që vendimi politik i padiskutueshëm më 26 maj për denoncimin e “puçit” elektoral t’i bashkëngjitet edhe akti juridik i domosdoshëm. Ky është një akt i thjeshtë shkresor individual i drejtuar Kryesisë së Kuvendit Popullor dhe Komisionit të Imunitetit dhe Mandateve, ku deklarohet në bazë të ligjit elektoral se nuk pranoj të bëj betimin në parlamentin ilegjitim aktual. Kjo shkresë drejtuar Kuvendit jolegjitim nuk do të thotë aspak njohje juridike apo politike e tij, por përkundrazi, një përforcim i mosnjohjes së tyre në aspektin më të plotë politiko-juridik. Ndonëse është individual akti i mësipërm kërkon një angazhim serioz politik të strukturave drejtuese të PS-së, aq më tepër në këtë fazë kur një nga objektivat e lëvizjes reformuese brenda PS-së është gjetja e rrugëve për zgjedhjen e krizës në vend. Në të kundërt logjika “rexhepiste” nuk do të kthehet në një psikologji të humburish. PS “nën zë” do të pranojë humbjen dhe jo vetëm kaq.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

KE Konsolidoni dialogun politik, mbyllni reformen zgjedhore

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 34 here.
KE  Konsolidoni dialogun politik, mbyllni reformen zgjedhoreStefan Fule / Foto arkiv Komisioni Evropian ka bërë thirrje për konsolidimin e dialogut politik në Shqipëri, që arrihet duke konkretizuar paktin e nëntorit të 2011-s për reforma konsensuale. Një zëdhënës i KE-së është shprehur se Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule nuk vendosi kusht për përfundimin e reformave brenda 24 majit, por kjo ishte një datë e vendosur nga lidershipi shqiptar. “E kemi theksuar shumë  herë se marrëveshja politike e nëntorit duhet zbatuar...Lexo te gjithe artikullin »


» Berisha Pengese per numerimin elektronik, temperatura dhe energjia elektrike
» Deshton Reforma Zgjedhore, skadon dhe afati i BE-se
» Berisha Numerimi elektronik, pengese temperatura dhe energjia elektrike
» Berisha Numerimi elektronik mund te deshtoje per shkak te temperatures dhe energjise elektrike
» Uollfarth Drafti i Kodit Zgjedhor, nje pune e shkelqyer qe duhet finalizuar
» Zgjedhja e presidentit, raundi i pare ne 30 maj
» Shqiperia heq vizat per kater shtete
» Ruci Po votoni kunder statusit. Patozi Ju kane kapur ethet presidenciale
» 1 muaj pa drita, banoret e Babrruse bllokojne rrugen
» Uollfarth, takim me Ramen ne seline roze

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit