Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Kronike - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Një shtetas italian i akuzuar se ka pastruar paratë përmes vendit tonë ka tentuar të marrë mbrapsht rreth gjysmë milionë euro, të cilat i ishin sekuestruar nga shteti shqiptar me vendim të prokurorisë. Ky vendim, ishte apeluar në Gjykatë, e cila ka vendosur që parat e bllokuara t;i kthehen të dyshuarit dhe pse hetimet për atë po vazhdojnë për akuzën e pastrimit të parave. Por, ky vendim, nuk është zbatuar nga prokuroria, pasi sërish këto para janë vendosur në bllokim me ndihmën e ligjit të “Antimafias”. Italianit që tentoi të marr paratë quhet Pietro Grandoni, 57 vjeç.
Sipas vendimit të gjykatës, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal për Grandonin në që vitin 2010. Materiali në ngarkim të tij i është dërguar prokurorisë nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar, e cila ka raportuar se shtetasi italian Alessandro Locatelli në datë katër maj të vitit 2010 ka kryer dy transferta parash drejt Shqipërisë nga Sllovenia, gjithsej 500 000 euro. Sipas deklarimit të këtij personi në bankë, rezulton se kjo shumë parash vinte nga shitja e një zinxhiri dyqanesh ushqimore në Gjermani. Përfituesi i këtyre transfertave në bankën në Shqipëri ishte shoqëria “F. LLI Cassavecchia Spa”, me përfaqësues ligjor shtetasin italian Renato Casavecchia dhe pronarë vëllezërit Casavecchia.
Kapitali i nënshkruar nga shoqëria mëmë në Itali është 500 000 euro. Në datë 12 mars të vitit 2010 ka transferuar brenda bankës 490 000 euro në drejtim të shoqërisë me përfaqësues shtetasin italian Pietro Grandoni. Por nga data 19 deri në 29 mars nga kjo llogari janë tërhequr tre tërheqje parash CASH. Kjo ka vënë në alarm autoritetet shqiptare, të cilat kanë nisur ta mbajnë llogarinë nën mbikëqyrje. Në datë 9 prill është konstatuar se Grandoni ka tentuar ta transferojë shumën e mbetur prej 427 000 në një nga llogaritë e shoqërisë së tij, apo në llogaritë e një shoqërie tjetër italiane. Më datë 14 prill, zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë njoftuar policinë, e cila ka bërë bllokimin e parave që kishin mbetur në llogari.
Policia shqiptare i ka kërkuar homologëve italianë të dhëna dhe përgjigjja ishte se Alessandro Locatelli ishte person i dënuar dhe i denoncuar për vepra penale. Ndërsa Grandoni ishte person nën hetim. “Duke u nisur nga origjina e dyshimte e kësaj shume të ardhur nëpërmjet transfertave të dyshimta, si dhe duke u bazuar në të kaluarën kriminale të personave të përfshirë në këtë transaksion bankar, oficeri i policisë gjyqësore që ka hartuar informacionin për prokurorinë kërkon nga ky organ regjistrimin e procedimit penal dhe sekuestron e llogarisë bankare të Pietro Grandonit”,- thuhet në vendimin e gjykatës.
Pas sekuestrimit të parave, prokuroria ka nisur verifikimin e shitjes së deklaruar në burimin e të ardhurave, ndërsa vetë i dëmtuari ka paraqitur dokumente se ai nuk është person i dënuar në Itali. Por që nga ajo kohë prokuroria nuk ka kryer ndonjë veprim konkret mbi Grandonin, madje as e ka marrë të pandehur. Por prokuroria ka pretenduar se ka të dhëna në lidhje me elementet e pastrimit të parave, pasi ekziston dyshimi mbi origjinën e shumës 500 000 euro të transferuara fillimisht nga Alessandro Locatelli nga Sllovenia në Shqipëri. Sekuestrimin prokuroria e ka justifikuar duke thënë se ekzistonte rreziku që paratë të zhdukeshin pasi po tentohej transferimi i tyre në banka të tjera.
Pasi ka dëgjuar të dy palët, gjykata ka vendosur ti japë të drejtë shtetasit italian Pietro Grandoni dhe ti kthejë mbrapsht paratë e sekuestruara. “Fakti që po hiqet sekuestroja nuk tregon se nuk ka vepër penale, por aktualisht nuk ka dyshime të bazuara në prova për ekzistencën e ndonjë vepre penale”,- thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Prokuroria: Grandoni tentoi të transferojë paratë me telefon
Prokuroria pretendon në materialet e saj se kur Pietro Grandonit i është refuzuar transferua e parave, ai është regjistruar si person fizik në QKR në dt. 07.04.2010, me veprimtari tregtim me pakice veshje. Si i tillë ai ka hapur një llogari në bankën *** dhe ka kërkuar sërish nga banka e parë që të transferonte fondet në llogarinë e re. Transferta e parave është tentuar që të kryhet përmes telefonit dhe në këto kushte banka ka refuzuar sërish duke i kërkuar Grandonit që të paraqiste dokumente për prejardhjen e parave. Një javë më pas ai i ka dërguar bankës disa dokumente me faks për të vërtetuar burimin e fondeve që kërkonte të transferonte. “Ai ka pretenduar se këto dokumente janë dërguar me faks nga Italia, por në dokumente është bërë i padukshëm numri i faksit nga i cili janë dërguar. Personat e përfshirë në transaksione, Alessandro Locatelli, Pietro Grandoni, Gianpiero e Renato Cassavecchia, njihen si persona me precedentë penalë dhe aktivitet kriminal”,- thuhet në materialet e prokurorisë. Organi i akuzës pretendon se justifikimet e Grandonit dhe dokumentet e paraqitura prej tij në disa raste nuk korrespondojnë me situatën dhe në raste të tjera janë të falsifikuara. “Nuk ka logjikë që Pietro Grandoni të nënshkruajë një kontratë me veten e tij, duke qenë përfaqësues i Shoqërise Agar Srl. Vihet re se i gjithë dokumentacioni nuk është hartuar pranë një noteri, por janë deklarata midis palëve”,- thuhet në dosjen e prokurorisë.
Arsyetimi i gjyqtarit Çomo
“Nuk ka të dhëna që tregojnë ekzistencën e një mekanizmi që ka për synim pastrimin e produktit të ndonjë vepre penale, në shumën 500 000 euro. Prokuroria ka vetëm dyshime në lidhje me logjikën joekonomike dhe kohën e shkurtër të kryerjes se transaksioneve, gjë e pamjaftueshme për të sekuestruar një shumë prej 427 000 euro. Gjithashtu nuk është arsye për sekuestrim fakti se Pietro Grandoni ka qenë i hetuar, ndërsa Alessandro Locatelli ka qenë i denoncuar në disa raste dhe i dënuar një herë. Dyshimet pa asnjë prove nuk konsiderohen nga gjykata të mjaftueshme për të mbajtur ende të sekuestruar shumën prej 427 000 euro. Fakti që po hiqet sekuestroja nuk tregon se nuk ka vepër penale, por aktualisht nuk ka dyshime të bazuara në prova për ekzistencën e ndonjë vepre penale”.
Avokati mbrojtës: Prokuroria nuk ka prova
Avokati mbrojtës i Grandonit, Ferdinand Doja ka kundërshtuar vendimin e prokurorisë duke thënë se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale. “Pas kalimit të më shumë se një viti, prokuroria ende vazhdon të jetë në fazën e dyshimeve. Prokuroria nuk ka pasur dhe nuk ka siguruar të dhëna të cilat të tregojnë, qoftë dhe dyshimin më të vogël, në lidhje me origjinën kriminale të parave të transferuara nga shtetasi Alessandro Locatelli. Nuk ka të dhëna edhe në lidhje me verifikimin e deklarimeve të këtij shtetasi italian për burimin e parave. Organi i prokurorisë përdor vetëm faktin se Alessandro Locatelli ka qenë i hetuar në shtetin italian për vepra penale në fushën ekonomike”,- ka thënë avokati në sallën e gjyqit. Sipas tij, Alessandro Locatelli nuk është person nën hetim apo i pandehur në këtë çështje.