Publikuar me : 03.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 68 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Rushit Hatija*
I nderuar z. Kryeredaktor!
Jam një djalë 35 vjeç, lindur në Lushnjë, banues në Tiranë. Aktualisht ndodhem në burgun 313 në Tiranë. I dënuar padrejtësisht. Vendosa të shkruaj këtë letër për ju, për Presidentin, Kryeministrin dhe Avokatin e Popullit duke pritur me shpresë që dikush të më ndihmojë. Ishte një ditë me shi dhe u ngrita në mëngjes në orën 6 si zakonisht. Piva një kafe e një raki, dola nga shtëpia dhe shkova te tregu i “Medresesë” për t’u furnizuar me disa ora dore, të cilat i shisja nëpër rrugët dhe lokalet e Tiranës. Nga aty deri te “Stacioni i Trenit” shita 2 ora nga 10 mijë lekë të vjetra. U ula në një lokal të “Stacioni i Trenit”, sepse filloi shiu dhe mora një kafe dhe një raki. Meqenëse shiu vazhdonte, porosita edhe një dopio tjetër raki.
Kur isha duke e mbaruar dhe dopjon e dytë më afrohet një i panjohur pranë tavolinës dhe më kërkoi një cigare. Në pamje të parë mu duk si një endacak dhe ia dhashë një cigare. Për çudinë time pa më pyetur e më marr leje m’u ul në tavolinë. E vështrova gjithë habi. Pas një çasti, ai më pyeti: A mund të qëndroj në tavolinën tënde? Më erdhi keq dhe e lejova. E pyeta çfarë donte të pinte dhe më kërkoi të njëjtën gjë që kisha marrë dhe unë. Porosita kamarieren t’i sillte një kafe dhe një raki, ndërkohë që porosita dhe një dopjo tjetër për vete. Kur i solli kamarierja bëra pagesën për të gjitha. Orët që shisja i kisha vendosur mbi tavolinë në një karton. Personi në fjalë u fiksua pas një ore dhe më pyeti sa kushtonte dhe i thashë: 10 mijë lekë të vjetra. Pasi diskutuam për çmimin i bëra dhe ulje e ramë dakord që ta blinte. Por ai nuk kishte lekë me vete dhe më sugjeroi të shkoja me të në shtëpinë e tij. Por unë i thashë që të shkonte ti merrte vetë ai lekët e unë ta prisja aty në lokal.
Por ai këmbnguli të shkoja me të sepse ai nuk donte që të kthehej sërish në lokal. Kur shkuam tek shtëpia e tij, unë mendova ta prisja në rrugë, por ai m’u lut të futesha brenda, madje më tërhoqi për krahu dhe më futi në oborrin e shtëpisë duke më thënë: hajde se kam një raki të mirë shtëpie e të pimë nga një gotë. U futëm brenda dhe u ulëm në verande ku ishte një tavolinë. Ai solli aty një shishe me raki dhe dy gota, si dhe na bëri një kafe. Kështu filluam të pinim gotë pas gote duke biseduar gjëra të ndryshme derisa mbaroi shishja e parë. Ai solli edhe një shishe tjetër përsëri 2 litroshe. Vazhdonim të pinim aq sa po humbnim kontrollin. Me ra celulari dhe ishte nëna ime, e cila më kërkoi që të shkoja në shtëpi se ndihej keq e donte që ta çoja në spital.
Ja thashë këtë personit dhe doja të ikja, por ai u acarua dhe filloi të më fyente rëndë dhe nuk më lejoi të largohesha. Kështu vazhduam të pinim sërish. Ai më kërkonte që t’i ktheja gotat me fund po unë nuk mbaja më dhe nuk pranova. Ju luta sërish të ikja. Mora orët dhe u ngrita (lekët e orës që bleu nuk desha t’ia merrja pasi më qerasi me raki) dhe u nisa. Ai u ngrit dhe filloi të më godiste me grushte. Unë mbeta i shtangur. Thashë me vete çfarë pati ky? U ula sërish duke u munduar t’i mbush mendjen që të largohesha se e kisha nënën sëmurë. U ngrita që të ikja përsëri, por ai mori karrigen e më goditi. Unë për t’u mbrojtur ngrita krahun dhe karrigia më goditi në parakrah. Ja tërhoqa karrigen dhe e hodha tutje dhe atij i dhashë një grusht. Ai ra në tokë. Theksoj ishte i vetmi grusht që e godita. Theksoj gjithashtu se ishim të dy në gjendje tepër të dehur. Nuk desha ta godisja më atë dhe nervat i shkarkova duke thyer sendet e shtëpisë. Aty mora disa sende nga shtëpia dhe u nisa të ikja.
Kur po dilja pata frikë se mos ai ishte i armatosur e mund të më qëllonte, por e pashë shtrirë në krevatin e tij. I thashë mos më ndiq nga pas. Por po ashtu si unë nga ai, edhe ai pati frikë nga unë dhe nuk u ngrit nga krevati. Ika për në shtëpi. Nuk e di sesi kam mbërritur në shtëpi e kam fjetur deri të nesërmen. Kur u zgjova isha i dërrmuar nga stomaku, pasi kisha konsumuar shumë alkool një ditë më parë. Nuk mbaja mend asgjë. Dhe kështu nisa punën dhe jetën normale si ditët e tjera. Kur më arrestoi policia dhe më akuzuan për vrasje nuk u besova veshëve që po dëgjoja një akuzë të tillë. Nisa të rikujtoj në detaje ditën e ngjarjes. Dhe nuk m’u kujtua asgjë tjetër përveç këtyre që kam radhitur në këtë letër. Unë jam i bindur që ai njeri nuk ka vdekur nga grushti që unë e kam goditur. Mirëpo, Gjykata e Rrethit Tiranë më quajti fajtor dhe më dënoi me burgim të përjetshëm.
Gjykatësi e ndërtoi ngjarjen sipas hipotez-ave, sikur-eve dhe ndoshta-ve të tij. Dua të rrëfej edhe diçka. Unë kisha më pak se një vit që kisha dalë nga burgu ku vuajta dënimin për një faj që e kisha bërë. Mos vallë kjo e nxiti gjyqtarin që të më quante fajtor për një gjë që nuk e kam bërë?! Burgu më bëri një njeri më të pjekur dhe kur dola që andej fillova një jetë të re dhe të ndershme. Doja dhe unë që të ndërtoja jetën duke ndërtuar familjen time. Por kjo ngjarje më preu ëndrrën në mes, madje më shkatërroi jetën me një dënim të padrejtë. Unë jam një njeri i varfër ekonomikisht.
Gjykata më vendosi një avokate pa pagesë, e cila nuk e bëri detyrën e saj për të më mbrojtur sipas ligjit, me pretendimin se e kishin kërcënuar familjarët e viktimës. Madje, ajo e la çështjen pa mbërritur unë në gjyq. Kam kërkuar që ta çoj çështjen në gjykatën e apelit. Por duke parë gjykimin e Gjykatës së Rrethit kam frikë edhe nga Gjykata e Apelit. Prandaj kërkoj nga instancat më të larta të shtetit, nga ju dhe nga Avokati i popullit që të më ndihmoni. Jam në pritje, me shpresë se dikush do të më ndihmojë.
Me respekt: Rushit Hatija
*Autori i kësaj letre është i dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi është dhënë në 22 nëntor të këtij viti. Nesër në Shekulli do botojmë arsyetimin e gjykatësve që kanë dhënë dënimin