Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Jeta e mevetshme e objektit

Publikuar me : 21.07.2011 Ne : Kulture - 105 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

 

Nga Ardian Klosi

Piramida e Tiranës ka ardhur në jetë si kurrë herë tjetër më parë në historinë e saj 23-vjeçare.

Mu në periudhën e braktisjes dhe degradimit të saj më të madh, e rrjepur nga mermeri i bardhë që dikur i vezullonte faqet, e ndyer dhe e zhgarravitur deri në majë, Piramida papritur ka marrë shpirt. Mu në kohën kur drejtuesit e shtetit kanë shpallur dënimin e saj me vdekje, të mbështetur dhe me ligj prej Kuvendit, Piramida është shkundur, ka klithur dhe ka kujtuar veç vlerave të saj të panumërta, se është qenie e gjallë.

Është një fenomen që ndodhka me ngrehinat-simbol siç ndodh me njerëzit, ndaj them se edhe godinat që kthehen në emblema fillojnë në një pikë të caktuar jetën e tyre të gjallë. Sa herë pushtetet kanë kërkuar të burgosin, të torturojnë, të vrasin një njeri, ai është ngritur në sytë e të gjithëve me vlera që i kishte, por që shumica s’ia kishin vënë re, ndoshta edhe me vlera që nuk i kishte vërtet, por që ia krijoi dhuna e pushtetit, pikërisht kur e dënoi me burgim dhe me vdekje. Po kështu edhe ndërtimet që kanë qëlluar të bëhen pjesë organike e qyteteve për arsye të ndryshme: arkitektonike, historike e sidomos kulturore.

Gjithë këto vlera në rastin e Piramidës së Tiranës, janë shenjuar në dhjetë muajt qysh kur u shpall vjet në vjeshtë ideja e mbrapshtë e pushtetit për ta fshirë nga faqja e dheut e për ta bërë të harruar në kujtesën e shqiptarëve. Por arrita t’i shoh ato të plota e të përmbledhura, tek përgatisja së bashku me Artan Lamen botimin “Piramida e Tiranës: e hijshme, e braktisur, e rrezikuar“, libër i përbërë nga 42 shkrimet më të mira nga 40 prej autorëve që janë shprehur në kundërshtim të projektit shkatërrues. Nga Enver Faja te Artan Shkreli, nga Maks Velo te Fatos Lubonja, nga Rexhep Qosja te Artan Lame, nga Andrea Stefani te Fatos Baxhaku, Gjergj Erebara, Ermal Hasimja etj. etj. ose Këshilli i Ministrave.org (një nga faqet satirike me të holla të kombit), arkitektët, publicistët, shkrimtarët e kritikët shqiptarë kanë shkruar me dufin e tyre më të hapur, me ironinë më të hollë, me argumentet më të kthjellëta që mund të t’i japë vetëm një situatë e tillë: kur pushteti arrogant, vetëm pse ka para, polici dhe fadroma kërcëllin dhëmbët se ka vendosur të zhdukë një nga godinat emblemë të Tiranës.

I mblodhi Piramida. Si rrallëherë në historinë e Shqipërisë, njerëzit e mendjes e njerëzit që krijojnë në këtë vend janë bashkuar – me pak përjashtime 2-3 shkruesish që ngrohen dukshëm nën pëndët e pushtetit – për të mbrojtur një çështje. Absurditeti i deklaratave që nxjerrin kryeministri ynë dhe kryetarja e tij e Kuvendit janë, siç e dimë, bukë e përditshme për emisione të tilla si Fiks fare ose Portokalli ose për faqen Këshilli i Ministrave.org, këtu s’ka asgjë të çuditshme, ato na janë kthyer në shfaqje të rëndomta që ka rrezik të na bëjnë krejt në imunë ndaj teatrit absurd të qeverisjes shqiptare. Mirëpo këtë herë absurditeti është tejet i rrezikshëm, sepse del përtej demagogjisë për ekrane dhe kanos me shkatërrim vlerash qindra milionësh dhe zhdukje të kujtesës. Argumenti i fasadës, i fundit që po tentohet është: kjo godinë duhet zhdukur sepse lidhet me emrin e Enver Hoxhës dhe ne komunizmin do ta çrrënjosim me themel. Keqkuptimi i fundit, ai më i dobëti rreth Piramidës.

Në të vërtetë Piramida e Tiranës ka ecur qysh në ngritjen e vet midis keqkuptimeve. Që në formë. Arkitektët deshën t’i jepnin trajtat e shqiponjës krahëhapur dhe këtë ta kujton vërtet kur e sheh nga lart poshtë. Po kush ka mundësi ta shikojë nga lart poshtë? Tiranasit sapo e panë nga përballë, thanë: Piramida.

Keqkuptimi i dytë: që ajo po strehoka një muze për të përjetësuar Enver Hoxhën. Këtë gjë mund ta kenë menduar po, e veja dhe udhëheqës të rrjedhur të PPSH; mirëpo ishte fundi i viteve 80, perdja e hekurt që ndante Europën kishte marrë krisje të forta, perestrojka me glasnostin, rrokullima e komunizmit në vitin ‘88 dukeshin të pandalshme. Grupi i arkitektëve që e projektoi ka punuar dukshëm në frymën e kohës, jo kohës enveriane por asaj europiane. E shpreh saktë këtë prof. Enver Faja, arkitekt i vjetër, në prononcimin e tij në tetor të vitit të shkuar: „në kushtet e socializmit shqiptar, kemi arritur të mbajmë parasysh dhe të vëmë në jetë edhe disa parime të “biblës” sonë, parimet e Arkitekturës Moderne; parime të cilat zbatoheshin vetëm në vendet e Europës Perëndimore, e vetëm tek e rrallë në ndonjë “Demokraci Popullore”. Unë jam i bindur, se ne nga fundvitet ’60 e më pas në fillimet e viteve ’70, natyrisht me një ecuri sinuisoidale, kemi patur edhe raste të zbatimit të shkollës së Bauhausit, të parimeve të Arkitekturës Moderne, me justifikimin se arkitektura moderne nuk qe “reaksionare”, se arkitektura moderne nuk qe “imperialisto-revizioniste”, e se arkitektura moderne ishte për demokracinë dhe thjeshtësinë, ishte për masat e gjera, për racionalizmin dhe progresin… Kjo prirje mbeti e paligjëruar me termin e saj “Arkitekturë Moderne”, porse u zbatua në mënyrë të heshtur, dhe ashtu në “silence” ajo eci përpara duke mundësuar realizimin e disa veprave të mira të cilat mund t’i krahasojmë dhe me motra të tjera në botë.“ Prof. Faja që e nis fjalën e tij në asamblenë e përgjithshme të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë më 10 nëntor 2010 me fjalët „kam zgjedhur rrugën që të mos hesht! Heshtja për një intelektual do të thotë se ai nuk ekziston!“ ishte këshilltar i kryeministrit dhe pikërisht qëndrimi i tij për mbrojtjen e Piramidës, bëri që të largohej nga ky funksion.

Kështu ndodhi që, kur shpërtheu revolta dhe rrëmuja në vitet 1990-1991, mbi Piramidën nuk u zbraz kurrfarë zemërimi. Thjesht u largua monumenti i diktatorit, fotografitë dhe sendet e tij personale, duke ia lënë gjithë atë hapësirë plot dritë, gjithë atë ndriçim që rridhte nga shandanët dhe spotet e shtrenjtë, gjithë ato vetrata, balkonada, beton e mermer, atij që në të vërtetë piramidën e kishte paguar shtrenjtë: popullit. E shpreh bukur Maks Veloja në tekstin e tij që do ta gjeni në po këtë libër: “Prona publike nuk mund të prishet në emër të Enver Hoxhës. Për këtë pronë kam punuar edhe unë në Spaç duke nxjerrë vagona, ashtu si ka punuar i gjithë populli.”

Një tjetër keqkuptim ishte që Piramida qe Qendër Ndërkombëtare e Kulturës. Administrata shtetërore në tërësinë e saj aty punoi keq, sikurse punon keq në përgjithësi administrata jonë shtetërore, sepse ndryshe s’kishte pse degradonte në asnjë pikë ajo ndërtesë solide e ngritur me materialet më të shtrenjta të Europës. As kombëtare nuk arriti të bëhej, pale ndërkombëtare. Porse aty brenda funksionuan mirë iniciativat kulturore të privatëve dhe organizmave funksionues si Fondacioni Soros, British Library etj., të individëve si Piro Misha ose Edi Muka që e bënë herë pas here Piramidën të vetmen qendër publike të kulturës në kryeqytet. Pa harruar disa panaire të mira, sidomos Panairet e Librit. Dhe pastaj iniciativat tërësisht private, ku vendin e parë e zë Top Channel, që pikërisht në këtë strehë u ngrit dhe u rrit duke u bërë stacioni më i ndjekur i shqiptarëve.

Kurse keqkuptimi i fundit është krejt shtetëror, është tërësisht fatura e paaftësisë dhe e korrupsionit të administratës dhe qeverisë shqiptare. Projekte për Bibliotekë Kombëtare, projekt për Teatër e Galeri Kombëtare, shpallje të bujshme, inaugurime, punime, miliona euro të gëlltitura në xhepa jashtë Piramidës por jo nga barku i saj. Megallomania e përzier me korrupsionin, kur mund ta kishin lënë Piramidën të qetë, ta ruanin të paktën së jashtmi, t’i zëvendësonin xhamat e thyer, ta pastronin së brendshmi. Se kultura hynte vetiu tek ajo ngrehinë e bukur, me aq dritë që i vinte gjithmonë nga sipër. Hynte pak nga pak e viti nga vit. Shteti s’kishte pse të bënte më shumë nga mirëmbajtja.

Tani jemi në pikën që u mblodhën shumë vetë për të nxjerrë gurin që hodhi dikush në lumë. Do ta gjejmë dhe do ta nxjerrim gurin, sepse fundja edhe ai që e hodhi nuk ka ndonjë interes të ngrejë kundër vetes, veç të tjerëve edhe njerëzit e kulturës së këtij vendi. Po përse, përse kaq shumë energji të shpenzuara për të penguar shkatërrimin? Kur mund të jepte secili në fushën e vet.

Me sa duket në emër të një gjëje të mirë. Që të themi se s’jemi të përçarë, por që bashkohemi në fund të fundit në një pikë të rëndësishme: në mbrojtje të kulturës dhe kujtesës sonë.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit