Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Juraj Herz Ne ceket nuk jemi engjejt qe pretendojme

Publikuar me : 02.09.2011 Ne : Kulture - 91 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Filmi “Habermann” i Juraj Herz, Gjermani/ Çeki/Austri, 2010 me sloganin “Lufta ka mbaruar; hakmarrja ka filluar” tregon një pjesë nga historia e panjohur e përzënies së disa milionë gjermanëve në vende të ndryshme të Evropës pas Luftës së Dytë botërore.

Habermann është mbiemri i  një gjermani të mirë, pronar i një fabrike mielli që përpiqet të ruajë dinjitetin njerëzor të familjes dhe punëtorëve të tij çekë gjatë pushtimit shtatëvjeçar të Sudetenlandit nga nazistët. August Haberman i mbron në heshtje nga nazistët çekët e tij dhe me mbarimin e luftës, ai ndëshkohet si bashkëpunëtor, i torturuar kafshërisht në rrotën e mullirit që i kishte ushqyer gjermanë e çekë të asaj zone, prej mëse 110-vjetësh.

Regjisori çek Herz është bazuar në romanin “Mulliri i Habermanit” nga Josef Urban. Filmi është konkurrent në kategorinë Vizione bashkëkohore në edicionin e katërt të Festivalit të Durrësit i cili mbyllet sot. Ai është i ftuar në Festival.

Juraj Herz (1934) është veteran i kinemasë çeke, i formuar në Shkollën e Filmit të Pragës. Në takimin me median ai tha se i kishte parasysh si sot studentët shqiptarë në Pragën e asaj kohe, të drojtur e të tërhequr, shenja të njerëzve që do të izoloheshin përfundimisht në Shqipëri, duke u larguar nga qendra çeke edhe me plagë nga dashuritë e ndërprera papritur.

Prej vitit 1965 Herz ka realizuar filma, nga të cilët, “Krematori” konsiderohet një klasik i kinemasë së Evropës Lindore.

 

Zoti Herz, në çfarë kushtesh është realizuar “Habermann”-i juaj që na çon në vitet tridhjetë?  

Ishte film shumë i vështirë, puna për skenarin ka zgjatur për gjashtë vjet. Unë nuk pata mundësi që të ngre financa për këtë film në Republikën Çeke sepse ishte hera e parë që tregoja se ne çekët nuk jemi ëngjëjt që pretendojmë po edhe djaj. Dhe akoma më shumë për distancën midis brezit të ri dhe të vjetër. U ndesha me dy perspektiva: të vjetrit që thonë nuk ka ndodhur kështu dhe brezi ri i që thotë, po, kështu ka ndodhur. Filmi është bazuar në histori reale. Unë kam thënë të vërtetën. Për shumicën e kohës e vërteta është shumë e vështirë për t’u përballuar dhe për të shkuar te njerëzit.

 

Jeni bazuar në dëshmi të familjarëve Haberman?

Jo, familjes Haberman nuk i ka mbetur asnjë pasardhës, por historia e Habermanit vazhdon të tregohet në zonën rreth e rrotull dhe ato rrëfime unë i kam marrë për bazë, por ky nuk është film dokumentar.

 

Zonja Haberman në film i shpëton kampit të përqendrimit bashkë me të bijën por me t’u kthyer në shtëpi e dëbojnë në ekzil bashkë me gjermanë të tjerë, në trena që të kujtojnë transportimin e hebrenjve për në kampet e përqendrimit. I jeni përmbajtur linjës historike?

Nuk ishte fakt historik kthimi i gjallë i zonjës Haberman nga kampi i përqendrimit. Ama ishte e vërtetë ripërsëritja e historisë me ato skena trenash, si në rastin e çifutëve ashtu dhe në rastin e gjermanëve. Dua të shtoj se filmi ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Izraelit.

 

Personazhi i Mashekut, i lindur nga një marrëdhënie jashtë martesore provokon gjithë konfliktet dhe gjithmonë tradhton. Dhe vdes si tradhtar, i varur. Ky karakter nga e ka frymëzimin?

Masheku është çeku tipik, si Shvejku, që ju besoj e njihni. Aktori që e luan personazhin është aktor i mrekullueshëm dhe unë e zgjodha për të luajtur esencën e njeriut çek. Duke qenë se punoj në teatër e kam mundësinë që të zgjedh aktorë edhe nga teatri. Kam individë që kanë luajtur Hamletin dhe që kanë ardhur për një rol episodik në filmin tim dhe nuk më kanë thënë jo. Kur ftova aktorin që luan SS gjerman, producenti im më tha të mos e merrja se është aktor shumë i vështirë. Në fakt kur u ndamë nga sheshi i xhirimit, ishim bërë aq miq sa unë isha lagur nga lotët e tij.

 

Si është pritur filmi në Çeki?

Një pjesë e kanë parë si film kundër çekëve, dhe pjesa më e madhe më kanë përshëndetur pse për herë të parë flitet për këtë pjesë të historisë, të historisë gjermane të Çekisë.

 

Ky lloj i ashpër kërkimi i të vërtetës fillon që herët në filmat tuaj?

Filmat e mi janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kur kam bërë rrugëtim me njërin preferoj që rrugëtimi me tjetrin të më çojë diku tjetër. Në vitin 1969 realizova “Krematori” që ishte ekspresionist dhe më 1969 u mora me Mopasanin, një film impresionist. Meqenëse dëshira për të prodhuar filma propagandë ishte shumë e madhe në vendin tim siç ka qenë dhe në vendin tuaj, unë provova ç’është e mundur që t’i iki këtyre kthetrave dhe kam bërë filma për fëmijë vetëm që mos bija poshtë prej këtij presioni.

Megjithatë edhe nga këta filma për fëmijë që kam prodhuar.  audienca dilte duke qarë sikur t’i çuar për të parë ndonjë film horror. Zakonisht në karrierën time ka korresponduar që kam bërë herë një projekt filmik e herë një projekt teatri.

Për momentin jam duke punuar në Teatrin Kombëtar të Pragës që edhe pse është përrallë ka elementet e horrorit. Dhe projekti i ri filmik është thriller.

Dhe duhet të nxitoj, duhet ta bëj përpara se të takohem me vdekjen.

 

Finalja e fundit e lë portën hapur për dhunën e diktaturave komuniste në Evropë, si ndodhi në Shqipëri.

Ishte e njëjta gjë te ne. Sikundër edhe ju, edhe ne vuajtëm në Çeki. Kemi patur vetëm një vit liri dhe në at vit kam bërë filmin “Krematori”. Ndërkohë, për katër projektet e mia pas këtij filmi, unë asnjëherë nuk e mora lejen nga qeveria që t’i realizoja. Durova, bëra një film të tretë, të katërt, jo ato që unë doja, dhe si përfundim vendosa të iki nga vendi im dhe shkova në Gjermani. Vendimi im më i mirë ishte që pas 12 vjetësh të kthehem në vendin tim.

 

Me sa buxhet është realizuar filmi?

Ia kam dalë të xhiroj për 39 ditë dhe ka kushtuar 30 milionë euro.

 

Si ju duket kinemaja çeke këto kohë?

Në periudhën kur jam larguar nga Çekia, nuk kam pasur shans të shoh zërat e rinj. Nga 30 filma që prodhohen sot, 25-29 nuk ia vlejnë. Ndërkohë për valën e re të kinemasë çeke, përpara Pranverës së Pragës, në vitet gjashtëdhjetë, Jiri Menzel, Milosh Forman, e ndër të tjerë edhe unë, filluam të ndërtojmë atë që ishte kinemaja moderne çeke. Gjysma e tyre kanë vdekur.

 

Ju përmendët në takimin me Coppolan, influencën e kineasë italiane në historinë e kinemasë. Çfarë i ka influencuar fillimet tuaja?

“Vjedhësi i biçikletave” i Vittorio de Sica-s ishte pikërisht filmi që më ka frymëzuar për t’u bërë regjisor. Por nga çfarë kam lexuar nga retrospektivat e shumë regjisorëve të tjerë, vë re që shumë prej tyre kanë patur si pikë referimi pikërisht “Vjedhësin e biçikletave”. Sikundër ju në Shqipëri, edhe ne nuk kemi pasur mundësi të shihnim kinema amerikane, por kemi patur mundësi të shohim kinemanë italiane dhe janë pikërisht Rossellini, Fellini, Germi, Visconti, Pasolini, ata mjeshtër që kanë bërë që të jem regjisori që jam sot. Ata janë perëndia ime.

 

Haberman versus Shindler

I pyetur për analogjinë e “Habermanit” me “Listën e Shindlerit” të Stiven Spielberg, Juraj Herz tha: “Unë nuk e pëlqej “Listën e Shindlerit”. Dhjetë vjet përpara se unë të shihja këtë film, kisha realizuar, një film mbi kampet e përqendrimit, “The night comes over me”. Spielberg ka në filmin e tij një sekuencë të tërë të vajzave që janë duke bërë dush, është plan për plan si prodhimi im. Unë e di shumë mirë se Spielberg-u e ka parë filmin tim dhe dua të takoj atë një ditë. Bisedova me një avokat amerikan sepse doja ta shtyja më tej këtë situatë me Spielberg-un. I nisa sekuencat nga filmi “Lista e Shindlerit” dhe nga filmi im. Përgjigja ishte: Më ke sjellë të njëjtën gjë. Kaq të afërta janë dy sekuencat. Ama ai më kërkoi t’i çoj 250 mijë dollarë për të filluar procesin. Dhe aty mbaroi mundësia që unë të hidhja në gjyq Spileberg-un.”

 

Dita e fundit

Teatri “Aleksandër Moisiu”

12.30 Adami dhe djallit, Baris Pirhasan, Turqi, 2007, 100’

16.00 Të jesh italian me zonjën Enrika, Ali Ilhan, Turqi, 2011, 110’

18.00 Pa baballarë, Marie Kreutzer, Austri, 2011, 104’

Amfiteatri Romak

20.30 Ceremonia e ndarjes se Çmimeve

22.00 Shfaqje Gala – Filmi “Otto e Mezzo” nga Federico Fellini (Prezanton Claudia Cardinale)

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit