Karburantet, 5 leke per liter me shtrenjte. Ligji hyn ne fuqi
Publikuar me : 23.08.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 76 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Sistemi i ri i taksave për automjetet pritet të rrisë në mënyrë të ndjeshme çmimin e karburanteve. Heqja e doganës së makinave u shoqërua me rritje të taksave për karburantet, të cilat zyrtarisht do të fillojnë të aplikohen që prej ditës së nesërme, gjë që do rrisë edhe më tepër koston e mbajtjes së një automjeti në Shqipëri. Në thelb, shqiptarët do të paguajnë dy lloj taksash për automjetet. E para është taksa vjetore, e cila do të përllogaritet bazuar mbi vitin e prodhimit të makinës dhe karburantit, e cila paguhet një herë në vit, ndërsa tjetra, do të jetë taksa e qarkullimit mbi karburantet, e cila paguhet në mënyrë të vazhdueshme sa herë vendos këmbën në pedalin e gazit të makinës, pra për çdo litër karburant të harxhuar.
Më konkretisht, nga dita e nesërme pritet të hyjë regjimi i ri i taksave për karburantet, i cili parashikon një rritje të tyre me të paktën 5 lekë për litër. Taksa e re do të vilet në momentin e futjes së karburantit në vend, kur bëhet fjalë për import apo kur ai hidhet në treg në rastin e prodhimit vendas. “Taksa e re e qarkullimit do të jetë një takse fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin”, – citohet në ndryshimet e bëra në ligjin për Taksat Kombëtare.
Në këto kushte, nafta apo benzina do t’i vijë qytetarit nëpër pikat e karburanteve e taksuar dhe sigurisht me çmim më të shtrenjtë nga sa ishte deri më tani. Taksa e re mbi karburantet, cilësohet si: Taksa e qarkullimit dhe do të jetë e barabartë si për naftën ashtu edhe për benzinën. Madje, në ligj parashikohet një rritje tjetër e kësaj takse për vitin 2012. Duke filluar nga janari 2012, taksa e qarkullimit mbi naftën dhe benzinën do nuk do të jetë më 5 lekë për litër por, 7 lekë për litër. Taksa me 5 lekë për litër si për benzinën ashtu edhe për naftën do të fillojë të vilet nga nesër deri në fund të dhjetorit. Më pas, do të hyjë në fuqi niveli tjetër i taksës së qarkullimit prej 7 lekë për litër, e cila sigurisht që do të shkaktojë një rritje të mëtejshme të karburanteve në të gjithë vendin. Mbetet e pandryshuar taksa e karbonit, për naftën 3 lekë për litër dhe për benzinën 1.5 lekë për litër. Madje, në ligj është parashikuar vjelja e taksës së karbonit edhe për qymyrin, solarin dhe mazutin në masën e 3 lekëve për litër.
Një përllogaritje e thjeshtë e kostos vjetore të mbajtjes së një makine me sistemin e ri të taksave, përfshirë edhe taksat e reja të karburanteve të nxjerr në përfundimin se mbajtja e një makine nga dita e nesërme e në vijim do të na kushtojë më tepër nga sa na kushtonte deri më tani me sistemi e vjetër të taksave. Krahas kësaj, rritja e çmimeve të karburanteve nuk mund të kalojë pa rritje fillimisht të kostos së transportit në Shqipëri. Duke marrë parasysh këtë, një rritje e kostos së transportit do të ndikonte në shtrenjtimin e shërbimeve apo të mallrave të konsumit të përditshëm në vend.
Nga nesër, makinat pa doganë
Ligji hyn në fuqi sonte në orën 24.00. Hiqet dogana për makinat, por mbetet TVSH-ja. Fillon sistemi i ri i taksave, si do të bëhet taksimi i ri i mjeteve, sa duhet të paguajë secili për makinën.
Hyn nesër në fuqi ligji i ri i taksave të makinave. Ligji parashikon heqjen e doganës për të gjithë automjetet që futën në territorin e vendit nga dita e nesërme, duke përcaktuar njëkohësisht edhe një sistem të ri taksash vjetore. Tashmë, të gjithë ata që do të fusin një makinë në vend, nuk do të duhet të paguajnë doganën. Por, kjo nuk do të thotë që makina s’do të paguajë asnjë detyrim tjetër. Tatimi mbi vlerën e Shtuar është një detyrim që nuk ka të bëjë me doganën dhe do të vijojë të paguhet për makinat që futën edhe pas këtyre ndryshimeve ligjore.
Heqja e doganës është shoqëruar me ristrukturimin e taksave të tjera të makinës, e cila do të përllogaritet duke u bazuar mbi cilindratën e makinës, llojin e karburantit si dhe vitin e prodhimit. Për këtë të fundit, në shërbim të formulës është tabela e posaçme me koeficientet fiks për çdo vit. Sa më i largët viti i prodhimit, aq më i madh koeficienti dhe rrjedhimisht aq më shumë taksë do të paguajë pronari i makinës. Për sa i përket karburanteve, është vendosur një koeficient fiks, i cili është 20 për benzinën dhe 25 për naftën. Në këtë mënyrë formula e përllogaritjes do të jetë: Cilindratë X Taksa fikse e karburantit 20 X Koeficienti fiks për vitin e prodhimit.
Sipas ligjit, makinat e reja deri në tre vjet nuk do të paguajnë taksën vjetore, por nuk do të mund t’i shmangen taksës së qarkullimi, e cilat vilet nëpërmjet karburantit. Më pas, taksimi rritet në mënyrë progresive në raport kalimin e viteve. Kështu përshembull, nëse makina është prodhuar në vitin 2008, ajo nuk paguan asnjë taksë në momentin e hyrjes në vend, taksimi fillon pas një viti me koeficient minimal, 0.18. Në vitin e mëpasshëm, i cili përllogaritet si viti i pestë, taksa e makinës përllogaritet sipas koeficientit 0.19 e kështu me radhë. Sipas kësaj logjike, taksa rritet në mënyrë progresive.
Emirjon Senja