Publikuar me : 16.10.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 79 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Emirjon Senja
Vendi rrezikon të përballet me një valë të re ndërtimesh pa kriter për shkak të ndryshimeve që pritet të ndërmarrë qeveria në procedurat për kategorizimin e tokës. Ndërhyrja pritet të vijë në kuadër të decentralizimit duke ia kaluar qeverisjes vendore të drejtën për të përcaktuar kategorinë e tokës, nëse ajo është tokë bujqësore, pyll, kullotë apo truall ndërtimi. Aktualisht, këtë të drejtën e gëzon Ministria e Bujqësisë, për hapësira deri në 1 hektarë, ndërkohë që është ekskluzivitet i Këshillit të Ministrave në rastet kur sipërfaqja është më e madhe. E gjithë procedura kalon nëpër disa institucione zinxhir duke rritur kontrollin dhe shmangien e abuzimeve. Ndërkohë, nëse kjo e drejtë i jepet ekskluzivisht bashkive dhe komunave, është më i madh rreziku që tokat bujqësore, kullotat dhe pyjet të kthehen në troje, sidomos në zonat bregdetare.
Paralajmërimi për këtë ndryshim erdhi nga Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, i cili deklaroi se administrimi i tokës, pyjeve, kullotave, etj., nuk do të jetë me në dorë të qverisë, por në atë të pushtetit lokal. Një gjë e tillë është aplikuar deri më tani në një pjesë të bashkive dhe komunave të vendit, por ajo që ka më shumë rendësi ka të bëjë me të drejtën që ato do të kenë në kategorizimin e tokës.
Momentalisht, nëse dikush kërkon të ndryshojë kategorinë e një toke nga kullotë në tokë bujqësore apo anasjelltas, pronari duhet të paraqesë një kërkesë më shkrim pranë bashkisë apo komunës nën juridiksionin e të cilës është ajo. Krahas gjeneraliteteve, vërtetimit që prona është në emrin e tij dhe planimetrinë e sipërfaqes, kërkuesi duhet të sqaroje me detaje arsyet se përse këtë sipërfaqe kërkon t’a heqë nga fondi i tokave bujqësore dhe ta kthejë në pyll apo kullotë. Po ashtu duhet përshkruar veprimtaria që do të ushtrojë në sipërfaqen e kërkuar për kalim dhe efektet ekonomiko-financiare të këtij kalimi. Për këtë duhet marrë edhe miratimi nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor. Krahas kësaj, duhet marrë edhe mendimi i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë si dhe një vërtetim nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës për kategorinë e tokës sipas prodhimit. Brenda 30 ditëve nga kërkesa, këshilli i komunës ose bashkisë duhet të marrë një vendim në parim. Nëse vendimi është pozitiv, ai kalon për shqyrtim në Këshillin e Qarkut, i cili më pas i bën propozim Ministrisë së Bujqësisë. Kjo ministri, bashkë me Ministrinë e Mjedisit lëshojnë lejen për kalimin e kësaj sipërfaqe nga tokë bujqësore në pyll apo kullotë për sipërfaqe më pak se 1 hektarë. Nëse bëhet fjalë për sipërfaqe më të mëdha, e drejta e vendim marrjes i kalon Këshillit të Ministrave përsëri me propozim të ministrive të linjës.
Pra, është një procedurë e gjatë dhe e mbikëqyrur nga shumë institucione njëkohësisht. Kjo për faktin se tokat bujqësore cilësohen si më të mbrojturat, ku edhe vendimi nuk lejon ndryshimin e kategorisë nëse ato janë cilësuar të prodhueshmërisë së lartë siç janë kategoria I-rë deri tek e IV-a. Sipas vendimit më të fundit të qeverisë në këtë drejtim, të miratuar në 28 Korrik të vitit të shkuar, këto toka bujqësore nuk lejohet të kategorizohen si pyje apo kullota.
Këtu qëndron edhe frika, pasi një proces kaq delikat, nga i cili vendoset nëse një tokë do të përdoret për truall apo si tokë bujqësore do të kalojë nga këshillat e bashkive apo të komunave, ku ndërhyrja nga palët e interesuara në vendimet e tyre është një fenomen që njihet rëndom në vend. Aq më tepër kur vendi ka sipërfaqe të kufizuara të tokës bujqësore, të cilat tkurren dita ditës nga ndërtimet. Nëse ndryshimet ligjore miratohen sipas asaj ç’ka paralajmëroi Kryeministri, rrezikohet të shtohen sëtepërmi ndërtimet në pjesë të ndryshme të vendit, të cilat janë ndaluar disi nga sanksionet që parashikon ligji për tokat. Përmendim këtu zonat bregdetare ku një pjesë e mirë e tyre janë pyje, kullota ose ullishte.