Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kulture - 47 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
…deti ruan sekrete, dhimbje dhe histori që vetëm teatri mund t’i tregojë…
Mediat lokale të Brindizit njoftojnë se tragjedia e shqiptarëve të mbytur më 28 mars 1997 po bëhet teatër. Realizimi bëhet publik në të njëjtën datë të marsit 2012. Laboratori i shkrimit dhe rrëfimit të historisë që punën e nis sot, është marrë përsipër nga Francesco Niccolini, Fabrizio Pugliese e Luigi D’Elia.
Puna bazohet te kjo kronikë: Shtatë e mbrëmjes së 28 marsit 1997, e premte e mirë. Në Shqipëri shteti po bie dhe njerëzit përpiqen të largohen, të kalojnë në anën tjetër të Kanalit të Otrantos. Paranoja në Itali po rritet dhe emigrantët duhen kthyer mbrapsht me çdo kusht. Ora 18.57, Katër i Radës, një motobarkë patrullimi e tejmbushur me 120 refugjatë që në Vlorë, mbytet nga përplasja me “Sibilën” anije e Marinës Ushtarake Italiane: 57 të vdekur, kryesisht gra dhe fëmijë, 24 të zhdukur dhe 34 të mbijetuar. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë qendra teatrale Cetacei di Maccabeteatro e Thalassia në Rajonin e Puljas po ndalet te e Premtja e Mirë më e zeza në historinë e Italisë.
Në faqen e teatrit thuhet se shfaqja do të jetë një rrëfim polifonik, ku përdoren mjete të larmishme gjuhësore që tregojnë si më 28 mars 1997 ushtarët italianë iu bënë shqiptarëve atë që ushtarët francezë dhe/ose amerikanët iu bënë italianëve më 27 qershor 1980:
sempre in mare
ma non aereo contro aereo
questa volta nave contro nave
e poi di come i militari hanno negato, cancellato e si sono sottratti alla colpa
di come la verità processuale non coincida con la verità storica
di come si può aver capito e non ci si possa difendere
di come la giustizia non è mai uguale per tutti
di come il mare conservi in silenzio sekreti e dolori e storie che solo il teatro riesce a raccontare
è prematuro, ma viene in mente un SE, tanti SE
Se la Sibilla non si fokse avvicinata così tanto.
Se non avessero provato a gettare quel cavo.
Se non si fosse alzato il moto ondoso.
Se non fosse arrivato l’ordine di harassement.
Se la Kater i Rades non si fosse messa per mare.
Se non fosse scoppiata la guerra civile del mare.
Se.
Se.
Se.
Është një copëz nga teksti i “Katër i Radës” shkruar nga dramaturgu dhe skenaristi Francesco Niccolini, i cili udhëheq fazën e parë të punës në laborator. Niccolini prej vitesh punon me Marco Paolini-n dhe ka shkruar tekste për Sandro Lombardin, Arnoldo Foàn, Anna Bonaiuton. Bashkë me Luigi D’Elia-n ai ai ka realizuar spektaklin “Non abbiate paura. Grand Hotel Albania”, sërish në qytetin e Brindizit, prodhim i Thalassias. Pjesa i kushtohej 90 mijë qytetarëve të Brindizit dhe më se njëzet mijë shqiptarëve që zbarkuan aty në eksodin e parë të madh. Përshkrimi i kronikave të atyre ditëve rimerren në teatër me gjithë indinjatën, mllefin dhe njerëzillëk (atëherë kur kishte njerëzillëk) për
njëzet mijë pika uji që bien në një çast në të njëjtin vend, për ata që vinin nga deti, sepse
deti ruan sekrete, dhimbje dhe histori që vetëm teatri mund t’i tregojë… Për të sjellë një përfytyrim mbi tekstin “Katër i Radës”, ja dhe një copëz nga gjuha që Francesco Niccolini përdor te “Non abbiate paura. Grand Hotel Albania” dhe mesazhet nëpërmjet saj:
“Ma vi siete mai domandati cosa accade quando la diga crolla?
No. La domanda giusta è: cosa accade se la diga crolla qui.
Non domani. Oggi.
Non altrove. Qui, davanti.
Sotto i tuoi occhi.
No in televisione.
Non dentro un telegiornale che parla di mondi lontani.
Questo mondo.
Questa città.
Questo porto.
Qui.”
Faza e dytë e punës me “Katër i Radës” është inskenimi, i cili i është besuar Fabrizio Pugliese-s, aktor, regjisor, një zë i njohur i teatrit puljez. Faza e tretë dhe e fundit që e çon veprën drejt finales, kryhet nga Luigi D’Elia, artist, që prej vitesh punon në Torre Guaceto në kërkim të vazhdueshëm të arteve vizive me narracionin.
Projekti është pjesë e programit Teatri abitati, financuar nga FESR me mbështetjen Rajonit Puglia-Assessorato për Mesdheun, Kulturën, Turizmin dhe Teatrin Publik Puljez. Ai ka trajtën e një laboratori total, të hapur, jo vetëm për shkrimtarët dhe aktorët po edhe për gazetarët, historianët, studiuesit që kanë dëshirë të marrin pjesë në një kërkim në kohë dhe hapësirë që ndërthur në një skenar kompleks shkencën dhe të vërtetën që nga aktet e gjykatave te intervistat me dëshmitarët, nga protestat e familjarëve të viktimave dhe qytetarët te artistët që kanë krijuar dhe krijojnë ende mbi këtë temë.
Pse Katër i Radës është një çast vendimtar
E shpjegon Alessandro Leogrande në librin “Il naufragio” – i botuar në vjeshtë 2011 nga Feltrinelli – kushtuar ngjarjes së Otrantos dhe hetimeve të mëvonshme. Autori italian arrin të ndërtojë historitë e viktimave dhe të mbijetuarve e përpiqet të ndriçojë paqartësitë që dalin nga hetimi i çështjes. Për shembull nisur nga regjistrimi i komunikimit të kapitenit të “Sibilës” (për ironi ky emër – i një profeteje të mitologjisë greke – i anijes që shkaktoi tragjedinë) me atë që drejtonte operacionet nga toka në dyzetë minutat e fundit që përcaktuan tragjedinë. Pa harruar një kontekst politik që e çoi ish-kryetaren e Dhomës së Deputetëve Irene Pivetti të thoshte “buttiamoli a mare” (t’i hedhim në det!) dhe kthehet te fjalët e pohuara në gjyq nga komandanti i ekipit të “Sibilës”: “Pamë gra dhe fëmijë, por menduam që pas tyre kishte burra të armatosur.”
“Por gjëja më e ndërkryer thotë autori në prezantimet e tij në tetor, është që një ditë pas fatkeqësisë, e pyetur përsëri, Pivetti thotë: “Nuk ndërroj mendim, duhen përdorur megjithatë format e refuzimit”. Më habit fakti që autoritetet shqiptare heshtën për këtë.”
Leogrande e quan fatkeqësinë e Katër i Radës një çast vendimtar për brezin e tij, sepse për këtë ngjarje po flitet, në ndryshim nga fatkeqësitë e atyre që nisen nga Libia dhe përfundojnë në terr qoftë për mungesë lidhjesh me shoqërinë civile vendase qoftë për shkak të raporteve të këtij vendi me Italinë që nuk e bëjnë të mundur rindërtimin e historive të të mbijetuarve, që menjëherë iu kthehen autoriteteve të Libisë. “Ndërsa me Katër, ndodhi e kundërta, u krijua një “komunitet vlonjat” që e përballon i bashkuar fatkeqësinë”.
Regjisori Gianni Amelio që u nis në Shqipëri për të xhiruar “Amerikën” dhe u kthye me një familje, i pranishëm në një nga prezantimet e librit thotë: “Kam një djalë shqiptar, kam familje shqiptare. Ajo që më ka goditur nga libri është saktësia e Alessandros…” Ai merr me radhë emër e mbiemër të tetëdhjetë e një të vdekurit duke mbajtur parasysh dallimet geg e tosk, edhe pse për shumë nga gratë e mbytura ishte më e vështirë për shkak të ndryshimit të emrit në martesë. Por vështirësia e vërtetë ka qenë gjetja e emrave të përgjegjësve të goditjes.
Amelio sjell ndër mend Giorgio Agamben, nga filozofët më të rëndësishëm në Itali, i cili disa ditë pas ngjarjes shkruan në një artikull akuzën më të rëndë që mund të bëhet: ai kërkonte në dy lista emrat e atyre që kishin përfunduar në det dhe të atyre që kishin dhënë urdhër për “
t’u afruar deri për t’i prekur”
Regjisori kujton që sipas vëzhgimit të Fortress Europe janë 17 mijë të vdekurit në dhjetë vitet e fundit në kufijtë e Evropës, që janë vrarë në përpjekje për të kapërcyer kufirin ose të fituar të drejtën e azilit dhe të pritjes që “ne vetë e kemi hedhur poshtë. 17 mijë janë edhe të vdekurit nga lufta e Kroacisë më 1991, kështu ia vlen të thuhet se historia që ka rindërtuar Alessandro është fillimi i një lufte të drejtë e të vërtetë.”
Monumenti
Gjatë vitit të shkuar është folur për veprën e artit që do të realizohet nga një pjesë e Katër i Radës. Vepra është proces dhe do të vendoset në hyrje të Portit të Otrantos, pranë plazhit, përballë brigjeve shqiptare. Është projekt i administratës komunale të Otrantos dhe Institutit të Kulturës Mesdhetare të Leçes që kërkuan mbajtjen e reliktit të Katërit të Radës, në mënyrë që me të të krijohet një vepër arti, një monument në nder të shqiptarëve të mbytur. Realizimi i është besuar artistit grek Costas Varotsos i cili po punon vetëm me pjesën e sipërme të anijes, ndërsa pjesa tjetër është shkrirë.
Monumenti inaugurohet më 29 janar. Arben Beqiraj një artist shqiptar që bashkë me Arta Ngucaj ka ndjekur nga afër projektin për kthimin në monument të anijes Katër i Radës, do të sjellë në Vlorë 2 objekte origjinale të anijes, busullën dhe radio-transmetuesin. “Për ne ishte shumë e rëndësishme të sillnim në Vlorë diçka që i përkiste anijes. Deri më sot, asnjë nga komuniteti shqiptar që gjendet në Itali nuk ishte dakord me atë që ndodhi me anije”, thotë Beqiraj. Ai ka parasysh familjarët e viktimave të cilët kanë kërkuar gjithnjë që anija të kthehet në Shqipëri duke kundërshtuar ngritjen e monumentit në Itali.
Ngjarja
Katër i Radës, një anije e vogël e patrullës ushtarake 35-vjeçare, rreth orës 17.30, “merret përsipër” nga një anije e madhe italiane “Sibilla”, që i afrohet kërcënueshëm anijes shqiptare.
Ora 18.45 tragjedia: harku i anijes “Sibila” godet Katërin. Shumë njerëz bien në ujë. Një goditje tjetër e “Sibilës” derisa shkaktohet zhytja më 19.03. Vetëm pak burra mundën të notojnë në errësirë, në ujin e ftohtë, drejt “Sibilës”. Në fund mungonin 108 vetë.
Një vit më vonë dalin në gjyq drejtuesit e anijeve Namik Xhaferi dhe italiani Fabrizio Laudadio.
Anija u gjet pas 6 muaj kërkimesh në thellësi të detit dhe u dërgua në Brindisi. Qeveria shqiptare dhe ajo italiane nuk e gjetën gjuhën për mirëmbajtjen e saj. Qeveria shqiptare kërkonte kthimin në Shqipëri me shpenzimet e qeverisë italiane, që sigurisht kjo e fundit e refuzoi.