Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Politike - 32 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Këshilli i jashtëm i Bashkimit Europian ka mirëpritur dialogun e nisur mes qeverisë dhe opozitës shqiptare për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për procedurat parlamentare.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar mbrëmë në Bruksel, në vlerësimet për Shqipërinë, KE i ka cilësuar zhvillimet e fundit si pozitive, duke theksuar se bashkëpunimi i nisur duhet të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit politik.
“Këto hapa pozitivë duhet ti shërbejnë tejkalimit të ngërçit që ka karakterizuar dhe dominuar skenën politike. Zgjedhjet lokale të Majit u vlerësuan në përgjithësi si konkurruese dhe transparente. Ende, procesi zgjedhor u karakterizua nga probleme të cilat duhet të adresohen mbi bazën ligjore në procesin e reformës zgjedhore. Në tërësi, Shqipëria ka bërë një progres të limituar në përmbushjen e kriterit politik të anëtarësimit dhe 12 prioritetet që konsiderohen kyç për hapjen e negociatave të pranimit”, thuhet në raportin e publikuar nga KE-ja.
Gjithashtu, në raport inkurajohet bashkëpunimi edhe në fusha të tjera si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit etj. “Përpjekje të mëtejshme kërkohen veçanërisht në fushat që përfshijnë gjyqësorin, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ashtu sikurse mbrojtjen e minoriteteve dhe të drejtave të pronës”.
Bashkëpunimi i qeverisë dhe opozitës me shoqërinë civile është një tjetër pikë me rëndësi në raportin e KE-së. ku bashkëpunim sugjerohet në mënyrë që reforma zgjedhore të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme dhe të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të bëra që nga viti 2007.
“Sapo këto kërkesa të përmbushen, Shqipëria do të jetë e gatshme të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian në përputhje me konkluzionet e dhjetorit 2010”, përfundon raporti.