Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
KiE e con ‘Tiranen’ ne Komisionin e Venecias

Publikuar me : 10.07.2011 Ne : Politike - 153 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Deputetë dhe juristë të PS-së duke dalë nga Kolegji Zgjedhor


Partia Socialiste i ka dërguar një letër Komisionit të Venecia në të cilët shtron katër pyetje për procesin zgjedhor të zhvilluar në Shqipëri. Pyetjet që shtrohen lidhen pikërisht me procesin më të debatuar atë të rivlerësimit të fletëve të votimit që ndryshoi edhe në tavolinë fituesin e dalë prej zgjedhjeve të 8 majit. Pyetjet e socialistëve për Komisionin e Venecias marrin shkas prej vendimit 709 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përfundim të rivlerësimit të 117 kutive që i dhanë avantazhin kandidatit demokrat duke i rrëmbyer fitoren Ramës. Nga ky proces, që për socialistët është i papranueshëm, kandidati demokrat fitoi 174 vota, ndërsa ai socialist 83, duke e çuar diferencën midis tyre në 91 vota.

Kjo ka qenë edhe arsyeja e maratonës së ankimimeve në KQZ dhe në Kolegj, ku opozita ka dashur të përfitojë sa më shumë kohë. Për shkak të pamundësisë ligjore që një subjekt të vërë në lëvizje Komisionin e Venecias, juristët e PS ia kanë nisur kërkesën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës. Kërkesa e socialistëve mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçit. Pyetjet e socialistëve mbi zgjedhjet e 8 majit i janë bashkangjitur kështu atyre të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës Torbjon Jagland. “Si duhet të trajtoheshin nga KQZ fletët e gjetura në kutitë e gabuara?

A mundej KQZ që pas përfundimit të procesit së numërimit me 14 Maj të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re duke ndryshuar rezultatin? A jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme pasi nga tabela e rezultatit të KQZ dalin më shumë fletë të gjetura në kuti se sa numri votuesve? A ishin zgjedhjet e 8 Majit të lira dhe të ndershme sipas standardeve?”, janë katër pyetjet për të cilat PS kërkon sqarime nga Komisioni i Venecias.

 

Rruga ligjore

PS nuk mund t’ia dërgonte drejtpërdrejt një kërkesë të tillë Komisionit të Venecias. Një hap i tillë nuk u ndoq as në zgjedhjet e 28 qershorit, kur opozita kërkoi me forcë vënien në lëvizje të Komisionit të Venecias nga Presidenti apo edhe nga Kuvendi. Sipas procedurave, Komisioni i Venecias vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të institucioneve të caktuara. Kjo shpjegon dhe rrugën që ka ndjekur kësaj radhe PS, e cila i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së.

Siç sqarohet në statutin e Komisionit të Venecias, pikërisht në nenin 3 pika 2: “Komisioni mund të ofrojë, brenda mandatit të tij, opinione  për kërkesa të paraqitur nga Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, Sekretari i Përgjithshëm, ose nga një organizatë shtetërore ose ndërkombëtare, ose organe që marrin pjesë në punët e Komisionit”, theksohet në statutin e Komisionit të Venecias. Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit ose siç njihet Komisioni i Venecias është një organ i pavarur konsultativ i cili bashkëpunon me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe me shtetet jo-anëtare të interesuara dhe organizatat e interesuara ndërkombëtare.

Qëllimi i këtij institucioni është forcimi i të kuptuarit të sistemeve ligjore të shteteve pjesëmarrëse si dhe promovimi i sundimit të ligjit dhe demokracisë. Më parë në Venecia ka shkuar edhe kërkesa për opinion i Avokatit të Popullit për një projektligj nëntë vite më parë ndërsa në rastin e fundit Gjykata Kushtetuese kërkoi mendimin dhe këshillat e Komisionit të Venecias, në lidhje me ligjin e miratuar në Kuvend për pastërtinë e figurave. Ky ligj i cili kishte të bënte për dosjet e ish bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit u tërhoq nga Kuvendi, për t’u përshtatur rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias.

 

Basha do të marrë edhe detyrën me procedurë

Mënyra tradicionale e marrjes së një mandati si kryetar i një bashkie është ajo që njohin të gjithë në botën e qytetëruar, shpallesh fitues me shumicë votash, këshilli bashkiak konstituohet dhe miraton mandatin e kryebashkiakut të ri. Por për Lulzim Bashën asnjë nga këto hapa tradicionalë dhe ligjorë nuk do të jetë e mundur të ndiqet. Nuk u shpall fitues ditën që mbaroi numërimi i votave, por vetëm dy muaj më pas nga KQZ-ja e Kolegji dhe mandatin e kryebashkiakut do ta marrë jo në rrugën ligjore të përdorur në këto raste, por me anë të një procedure tjetër.

Konstituimi i Këshillit Bashkiak do të jetë gati i pamundur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak të ndarjes së anëtarëve të tij 4 me 3, ndërsa për këtë gjë kërkohet një shumicë prej 5 votash. Tre përfaqësuesit e opozitës në KQZ kanë shprehur rezerva për mënyrën se si do të konstituohet ky këshill dhe për rezultatin e votave pasi u përdoren dy standarde të ndryshme në numërim. Votat e hedhura gabim nuk janë njohur në rastin e Këshillit ashtu siç ndodhi në rastin e kryetarit të bashkisë, procedurë që nxori Bashën fitues.

Duke mos marrë dot një vendim për konstituimin e këshillit që, sipas rezultateve paraprake, është fituar me një anëtar më shumë nga aleanca qeverisëse, çështja kalon në Kolegj duke zvarritur në kohë konstituimin. Konkretisht kjo aleancë ka 28 këshilltarë, ndërsa opozita ka 27 këshilltarë. Por demokratët e kanë menduar një procedurë më të shpejtë, me anë të së cilës do të kurorëzojnë kryebashkiakun e tyre pas 10 vitesh që këtë bashki e kishte në drejtim kryesocialisti Edi Rama.

Do të jetë prefekti Keltis Kruja që do t’i japë formalisht mandatin Bashës në një ceremoni të përgatitur për këtë rast. Një nga deputetët e PD-së, që ka qenë dhe në ekipin e juristëve që ndoqi çështjen në Kolegjin Zgjedhor, Dashnor Sula, shprehet se “është KQZ, i cili lëshon certifikatën e fituesit dhe kjo certifikatë dhe materiale të tjera, të cilat çon KQZ, paraqiten në Gjykatën e Shkallës së Parë. Bëhet një kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë nga ana e kryetarit të ri të bashkisë dhe është Gjykata e Shkallës së Parë, e cila hedh shortin dhe pastaj kemi një gjyq nga ku merret vendimi gjyqësor, i cili i vihet në dispozicion prefekturës së Tiranës dhe më pas fillon ceremonia për kryetarin e bashkisë së Tiranës në ditën që cakton prefektura”, – tha Sula.
PYETJET


1-Si duhet të trajtoheshin nga KQZ fletët e gjetura në kutitë e gabuara?

Juristët socialistë mendojnë se procedura e numërimit dhe vlerësimit të votave është e rregulluar qartësisht nga nenet 116, 117 e 118 të Kodit Zgjedhor; dispozita të cilat parashikojnë shprehimisht se votat pasi nxirren nga kutia e votimit që i është nënshtruar procesit të numërimit vlerësohen për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e tyre dhe në përfundim të këtij procesi, në zbatim të përcaktimeve të nenit 119 ato përfshihen në rezultatin e zgjedhjeve për QV-në. Sipas tyre fletët e hedhura në kutitë e gabuara nuk duhet të prodhonin rezultat për kandidatët pasi ato nuk përmbajnë të njëjtat kritere që përmbajnë fletët e tjera të gjetura në po atë kuti.  Si provë PS ka pasur edhe spotet  e KQZ-së para procesit të votimit në të cilën sqaroheshin zgjedhësit që të tregonin kujdes  ku do hidhnin votën pasi në rast të kundërt vota e tyre do të ishte e pavlefshme.
2-A mundej KQZ që pas përfundimit të procesit së numërimit me 14 Maj të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re duke ndryshuar rezultatin?

PS që në fillim u shpreh kundër rivlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Sipas tyre vlerësimi i votave nga KZAZ-të, ndërkohë që nuk janë kundërshtuar dhe as përfshirë në proces ankimimi, bën që KQZ-ja të mos jetë kompetente për të realizuar këtë veprim dhe as për të marrë këtë lloj vendimi.  Arsyetimi i KQZ për të cilësuar si të panumëruara e të pavlerësuara këto fletë votimi që ka rivlerësuar si dhe interpretimi i fletëve të kontestuara si të panumëruara e të pavlerësuara është në kundërshtim flagrant me ligjin. Përfaqësuesit ligjorë të selisë rozë pretendojnë se  detyra e vetme e KQZ-së në rolin e një KZAZ-je të madhe ishte vetëm llogaritja aritmetike e tabelave të dala nga grupet e numërimit të cilat ishin të mbyllura. Sipas tyre është jashtë logjike që të tabulohen tabelat e firmosura edhe nga komisionerët e djathtë.
3-A jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme pasi nga tabela e rezultatit të KQZ dalin më shumë fletë të gjetura në kuti se sa numri votuesve?

Duke qenë se letra për në Venecia është dërguar menjëherë pas rivlerësimit të parë të 117 kutive, mospërputhja ka qenë vetëm 357 fletë. Pra ka pasur më shumë vota se sa zgjedhës duke ngritur dyshime se nga kanë hyrë këto fletë.  Juristët e PS janë shprehur se asnjë prej 117 kutive të hetuara  nga KQZ-ja që kanë sjellë rivlerësimin e votave dhe pastaj ndryshimin e tabelave të grupit të numërimit dhe të tabelave përmbledhëse të rezultatit të pasqyruara fillimisht prej KZAZ-ve të cilat e kishin mbyllur procesin, pra rezultati paraprak, nuk përputh vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar me fletët e votimit të vlerësuara. Edhe më e rëndë është situate kur në përfundim të procesit të plotë ( pasi janë dërguar pyetjet), mospërputhja midis zgjedhësve dhe votave ka shkuar 626. Nga tabelat e rezultateve vërehet se numri i fletëve të votimit të gjendura në kuti është 257 377 dhe shuma e votave të vlefshme me votat e pavlefshme është 256 751 (251 389 vota të vlefshme + 5 362 vota të pavlefshme).

 

 

4-A ishin zgjedhjet e 8 Majit të lira dhe të ndershme sipas standardeve?

Opozita i cilëson zgjedhjet e 8 majit si jashtë standarteve. Dy ditë më parë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama reagoi për vendimin e Kolegjit, duke e cilësuar si grabitje të fitores në tavolinë. Rama shtoi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor tregon kapitullimin e drejtësisë, pasi shpalli humbësin fitues. Ndërsa ndërkombëtarët duke përfshirë edhe OSBE kanë listuar sërish një listë të gjatë problemesh duke filluar nga procedura e votimit, tek mënyra e gabuar e vendosjes së qendrave të votimit, tek zhvendosja e personave nga një zonë në tjetrën e deri tek votimi familjar. Sipas OSBE/ODIHR, votuesit janë kërcënuar ose ndikuar në zgjedhjen e tyre në 6 perqind të rasteve të vëzhguara, ndërsa në më shumë se 20 perqind të rasteve është vënë re votim familjar. Të gjitha këtyre probleme iu shtua edhe i numërimit që eci me ritme tejet të ngadalta dhe shpesh herë u bllokua qëllimisht nga forcat politike.

 



 

Luis Tanushi

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Volfart Miratoni reforme zgjedhore, drafti eshte i shkelqyer

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 79 here.
Volfart  Miratoni reforme zgjedhore, drafti eshte i shkelqyerambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart, ka zhvilluar sot një takim me liderin e opozitës, Edi Rama. Në përfundim të takim të zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, ambasadori i OSBE-së u shpreh se drafti i reformës zgjedhore “është i shkëlqyer” dhe tani nevojitet “hapi politik”. “Në bisedën time me kryetarin e Partisë Socialiste, unë e përgëzova për punën e mirë të bërë nga bashkëkryetari Socialist...Lexo te gjithe artikullin »


» DASH Ligji “nuk ka fuqi” ndaj zyrtareve te larte
» DASH Ndaj zyrtareve te larte, ligji “nuk ka fuqi”
» DASH Ndaj zyrtareve te larte nuk zbatohet ligji
» Raporti i DASH Zyrtaret e larte nuk jane ndeshkuar per korrupsion
» Berisha takon Sekretarin e Pergjithshem te KE-se
» Pr/ligji per akcizen, Tahiri Votimi, nul ligjor
» Grate dhe vajzat, me urdher ne takimin e LGI
» KE Konsolidoni dialogun politik, mbyllni reformen zgjedhore
» Berisha Pengese per numerimin elektronik, temperatura dhe energjia elektrike
» Deshton Reforma Zgjedhore, skadon dhe afati i BE-se

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit