Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 99 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Institucionet shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 70 milionë dollarë gjatë aktivitetit të tyre. Ky është përfundimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pas 131 kontrolleve të kryer në institucione qendrore dhe lokale përgjatë periudhës janar-shtator të këtij viti. Dëmi i kapur i përket disa sektorëve të ndryshëm, siç janë tatim-taksat, doganat, dhënia e pagave dhe shpërblimeve, shitja dhe dhënia me qira e pasurive shtetërore, etj., dhe vlen vetëm për institucionet e kontrolluara dhe jo të gjithë administratën.
Në raport bie në sy dëmi prej rreth 36 milionë dollarë që kompania “ARMO sh.a” ka për t’i shlyer kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Dëmi është shkaktuar nga fatura të papaguara për naftën, gazin dhe holluesit që kompania shtetërore i ka furnizuar ARMO-s deri në fund të vitit 2010. Kjo shumë përbën më shumë se gjysmën e dëmit total të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raport për tre mujorin e tretë të këtij viti. KLSH gjithashtu raporton një dëm prej rreth 149 milionë lekë të shkaktuar nga disa bashki në vend për dhënie të pagave dhe shpërblimeve në shkelje të ligjit. Njësitë e qeverisjes vendore të kapura me këto shkelje janë: minibashkitë 2, 3, 6 dhe 10 në Tiranë si dhe bashkia e Fushë-Krujës, Divjakës dhe Ballshit. Ndër institucionet shtetërore ndërkohë renditet edhe Ministria e Bujqësisë.
Mos vjelja e taksës së urbanistikës gjithashtu edhe një problem i përgjithshëm i pushtetit vendor, i cili për bashkitë dhe komunat e kontrolluara në këtë periudhë përkthehet në një dëm prej 58 milionë lekësh.
Prokurimet ndërkohë i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 175 milionë lekë. në vend të parë për nga shkeljet renditet bashkia e Tiranës me 30 milionë lekë, më pas vjen bashkia e Durrësit me 22 milionë lekë, Ministria e Kulturës me 15 milionë lekë, minibashkia nr. 6 në Tiranë me 13 milionë lekë, etj. në raportin e tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi zhdëmtimin e kësaj shume në masën 100 perqind.