Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 79 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Tenderët vijojnë të karakterizohen nga një serë shkeljesh ligjore, të cilat dëmtojnë edhe fondet e buxhetit të shtetit. Prokurimet Publike kanë njohur zhvillime pozitive gjatë viteve të fundit në drejtim të përmirësimit të procedurave dhe parandalimit të abuzimeve, megjithatë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hasur në një “mal” me shkelje ligjore në tenderët e organizuara nga institucionet e qeverisjes qendrore gjatë vitit që sapo mbyllëm.
Departamenti i Kontrollit të Buxhetit Qendror në Kontrollin e Lartë të Shtetit zhvilloi dje analizën vjetore ku për herë të parë ishin të pranishme edhe mediat duke publikuar edhe rezultatet e kontrolleve të ushtruara gjatë vitit të shkuar. Mësohet se nga 689 procedura prokurimi të kontrolluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në 497 prej tyre janë kapur shkelje në drejtime të ndryshme, të cilat fillojnë nga llogaritja e vlerës së kontratës gabim, mosrespektimi i kufijve monetar, përgatitja gabim e dokumenteve, etj.
Numri më i madh i shkeljeve është hasur në drejtim të përgatitjes së dokumenteve të tenderit, plot 387 të tilla, të cilat përbëjnë edhe rreth 78 për qind të numrit total. Një numër i konsiderueshëm shkeljesh janë kapur në përllogaritjen gabim të kontratës, 97 raste të tilla.
Përllogaritja e vlerës limit të kontratës është një nga të dhënat bazë për fillimin e procedurave të një tenderi, në të cilën do të mbështetet edhe pala e interesuar për dhënien e ofertës. Përllogaritja gabim mund të sjellë probleme serioze në përmbushjen e kontratës apo dhe cilësinë e kryerjes së punimeve.
Gjatë vitit të shkuar janë realizuar në total 850 procedura prokurimi me një vlerë prej 28.3 miliardë lekë. Referuar të dhënave të ofruara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit del se numri i procedurave të prokurimit është i madh në raport me totalin e tenderëve të zhvilluar duke paraqitur kështu një panoramë të plotë të asaj ç’ka është duke ngjarë me prokurimet.
Leskaj: Të hiqet dorë nga dëmi i supozuar
Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi dje zhvillimin e analizave vjetore të katër departamenteve të tij. Gjatë analizës së Departamentit të Kontrollit të Buxhetit Qendror ishte i pranishëm edhe kreu i ri i KLSH-së, Bujar Leskaj, i cili ndër të tjera theksoi domosdoshmërinë e reformimit të praktikave të kontrolleve duke përmendur specifikisht abuzimet hipotetike.
“KLSH duhet të heqë dorë nga abuzimet hipotetike. Angazhimi me to mbulon korrupsionin e vërtetë. Në vend që të themi që nëse një fabrikë do të ishte në punë do të gjeneronte kaq apo aq miliardë lekë të ardhura, duhet të themi që një koncesionar përshembull nuk ka përmbushur detyrimet ligjore sipas kontratës”, – tha Leskaj. Analiza vjetore u zhvillua e hapur, në prani edhe të mediave.