Publikuar me : 27.06.2011 Ne :
Sport - 116 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Po vjen fundi i limitit të përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet tashmë duhet të plotësojnë dokumentacionin e plotë për transformimin e statusit të tyre juridik, për kthimin në shoqëri aksionare, ose me kapital privat, ose me kapital shtetëror. Sipas disa kryetarëve të Bashkive që kanë marrë mandatin në zgjedhjet e fundit, por që prej kohësh merren edhe me futbollin kjo gjë nuk është bërë deri tani, si pasojë e mosfunksionimit ende të pushtetit vendor, apo thënë më ndryshe e moskonsituimit të këshillave bashkiakë. Parë në këtë pikë, edhe Federata Shqiptare e futbollit me të gjitha gjasat mund të shtyjë edhe afatin e paracaktuar në lidhje me këtë limit kohe, pasi të gjitha klubet mund të justifikohen, edhe me të drejtë që duhet vendim i menjëhershëm i Këshillit Bashkiak. Deri tani ekziston modeli Apolonia klub që prej shtatë vitesh rezulton shoqëri aksionare me 75 perqind kapital të Koço Kokëdhimës dhe 25 perqind kapital të Bashkisë. Kjo shoqëri aksionare funksionon prej shtatë vjetësh dhe sipas kryebashkiakut Zeqo është si një model në këtë proçes të kthimit të klubeve në shoqëri aksionare.
Sekretari Prodani: “Të shtyhet afati? Sinjali për JO është shumë i fortë”
“Ka një vendim komiteti për këtë limit të afatit. Përsa i përket marrjes së informacionit askush nuk mund të pretendojë se nuk ka dijeni, pasi vetë personalisht të gjitha klubet të rregjistruara dhe të parregjistruara i kam kontaktuar vetë personalisht shumë herë duke i bërë të qartë këtë vendim. “Dead-line” është nisur edhe në FIFA për këtë transformim të klubeve, kështu që vështirë se ndryshon, edhe pse vendos Komiteti për këtë. Nga federata, ajo që duhet të ritheksoj është se klubeve u është nisur paketa e plotë, me të gjitha shkresat, formularët që duhet të plotësojnë dhe e gjithë praktika që duhet të ndiqet për të bërë këtë transformim. Janë nisur shkresa pa fund në të gjitha klubet, paketa po ashtu, tashëm ka mbetur në duart e tyre, për të bërë këtë ndryshim të statusit që u kërkohet”.
Ndërkaq, kështu thekson Prodani, teksa federata ka bërë disa rregjistrime për edicionin e ri, pasi ka edhe klube që e kanë kryer këtë direktivë. Kështu, nuk janë pak klube që figurojnë si sh.a., të ndërtuara të ngritura, por edhe disa klube që kanë statusin e shoqatës dhe që janë tashmë rregjistruar. Skënderbeu funksionon si shoqatë, po kështu edhe për Dinamon, Vllazninë e Teutën që nuk kanë status sh.a.-je, por thjesht status shoqate. Tabela e mëposhtme jep edhe pasqyrën e plotë të skuadrave të cilat tashmë janë të rregjistruar në FSHF, për edicionin e ardhshëm, dhe që kanë shndërruar statusin e tyre:
14
klube futbolli janë kthyer në shoqëri aksionere
8
klube futbolli janë kthyer në shoqata futbolli
24
klube futbolli presin vendimet e Këshillave Bashkiakë
8
klube kanë marrë “Ok” e Këshillit Bashkiak
Endi Tufa