Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Politike - 94 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi / Denis Dedej
Komisioni Kuvendor i Ligjeve ka miratuar dje ndryshimet në Kodin Rrugor duke vendosur dyfishimin e të gjitha gjobave ekzistuese. Drafti i dërguar në parlament nga qeveria parashikonte katërfishimin e gjobave duke përcaktuar edhe vlera marramendëse prej 400 mijë lekësh të vjetra, por këto masa u përgjysmuan. Masat ishin propozuar nga opozita, ekspertët e sigurisë rrugore e shoqëria civile dhe dje gjetën edhe konsensusin e mazhorancës.
Socialistët paraqitën dje në Komisionin e Parlamentar të Ligjeve një draft propozimesh të cilat u pranuan pjesërisht nga demokratët. Drafti u lexua nga deputetja socialiste Ermonela Felaj ndërkohë që pas debateve midis anëtarëve të ligjeve u arrit që të gjendet konsensusi për ndryshimet në Kodin Rrugor duke i hapur rrugë miratimit të tij në seancë plenare muajin e ardhshëm. Edhe pse gjobat për shkelësit e normave të qarkullimit rrugor do të jenë më të buta se ato të propozuara nga drafti fillestar i qeverisë, dyfishimi i tyre pritet që të frenojë shkelësit. Drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë më shumë kujdes në zbatimin e rregullave që lidhen me përdorimin e rripit të sigurimit, drejtimit të automjetit nën efektet alkoolit mbi nivelet e përcaktuara si dhe nga drejtimi i makinës pa patentë.
Uljen e masës së dënimit e kërkuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kundërshtuan me forcë katërfishimin e masave ndëshkuese. Gjatë seancave dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e shoqërisë civile deklaruan se rritja e diapazonit ndërmjet gjobave minimale dhe maksimale, rrezikon që të rrisë korrupsionin në forcat e policisë. “Ndryshimi që ne propozojmë është dyfishimi dhe jo katërfishimi i gjobave nisur nga gjendja social ekonomike, edukata e përdoruesve të rrugës si dhe gjykimi që jo thjesht ashpërsimi i gjobave do të çojë në parandalimin e aksidenteve, por edhe faktorë të tjerë që lidhen me sigurinë rrugore, me përgatitjen më të mirë të shërbimeve të policisë rrugore”, mësohet të jetë shprehur deputetja socialiste Ermonela Felaj.
Dy ndryshime të tjera kanë të bëjnë me përdorimin e fondit të gjobave të vjela. Këto do të kalojnë në fondin e sigurisë rrugore, dhe 10 perqind do ti marrin policët që kanë vendosur gjobën. Në rastet kur mjeti i gjobitur është i pasiguruar, paratë do i marrë Byroja e Sigurimeve. Sipas socialistëve, në këtë mënyrë i vihet në ndihmë gjithë të lënduarve nga aksidentet të cilët kanë nevojë të dëmshpërblehen për aksidentet automobilistike të ndodhura në dëm të tyre. Pas debateve në Komisionin e Ligjeve, u pranua një tjetër propozim i PS lidhur me mos parashkrimin e gjobave. Gjobat do t’i nënshtrohen afatit të parashkrimit që përmban ligji për kundërvajtjet administrative, që do të thotë se askujt nuk mund t’i ngarkohet si barrë një gjobë përjetësisht. “Vetë gjoba ka qoftë efektin ndëshkimor, por edhe atë parandalues e edukativ njëkohësisht. Në momentin që koha brenda secilës duhet të ndodhte ky efekt ka mbaruar, atëherë gjoba nuk ka kuptim”, kanë argumentuar përfaqësuesit e PS në qëndrimin e tyre brenda Komisionit të Ligjeve me dyer të mbyllura.
Gjobat e reja
Sipas draftit të qeverisë, cilido, që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ishte parashikuar të dënohej me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Komisioni miratoi rritjen e gjobës nga një deri në katër mijë lekë.
Për cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkimi ishte me masë administrative, me gjobë nga katër mijë deri në gjashtëmbëdhjetë mijë lekë. Drafti i ri i miratuar nga Komisioni i Ligjeve përcakton që gjobat do të jenë dy mijë deri në tetë mijë leke.
Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje, merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga një deri në tre muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti, që e zotëron lejedrejtimin prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit bëhet për 3 (tre) deri në 6 (gjashtë) muaj. Komisioni i Ligjeve vendosi që dënimi me gjobë për ata që tejkalojnë shpejtësinë me mbi 20 km/orë, do të jetë nga pesë mijë lekë deri në njëzet mijë lekë.
Për cilido, që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim, si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkimi ishte me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Me rishikimin e draftit, gjobat do të jenë nga dhjetë mijë në katër mijë lekë.
Cilido, që kalon në mënyrë ilegale barrierat e trenit nuk do të ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë, por nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Cilido, që kryen një parakalim të gabuar ishte parashikuar rritja e gjobave në masën nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Komisioni i Ligjeve vendosi përfundimisht që ato të jenë nga një mijë në katër mijë lekë.
Cilido, që shkel largësinë e detyruar nga një mjet tek tjetri ndëshkohet me masë administrative, përcaktohet që dënimi të ishte me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Ndërsa me pranimin e propozimeve të socialistëve, masa administrative do të jetë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Cilido, që ndryshon korsinë ose kryen manovra të tjera të ndaluara në rrugë nuk do të ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë, por nga një mijë deri në tetë mijë lekë.
Cilido, që ndalon makinën në vendpushime të ndaluar nuk do të ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë, por nga një mijë në katër mijë.
Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 (dymbëdhjetë) vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga 500 lekë deri në dy mijë lekë, dhe jo me gjobë nga një mijë deri në një katër mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.
Cilido, që drejton makinën me syze të errëta ose kapet duke folur me telefon ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga 500 lekë deri në dy mijë lekë, dhe jo më nga një mijë në katër mijë.
Cilido, që drejton mjetin pas përdorimit të pijeve alkoolike, në rastet kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga pesë mijë e deri në njëzet mijë lekë, dhe jo nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë siç ishte parashikuar. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative plotësuese me pezullim të lejedrejtimit për 6 muaj deri në 12 muaj, ose 1 deri në 2 vjet, kur subjekti e përsërit shkeljen brenda një viti.
Ndaj përdoruesve të lëndëve narkotike droguese ose psikotrope zbatohen të njëjtat masa ndëshkimore si ndaj atyre që kanë konsumuar alkool.
Cilido, që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim, si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë, dhe jo nga dy mijë deri në tetë mirë si në draftin e qeverisë.
Cilido që drejton autovetura që transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë, dhe jo me gjobë nga katër mijë deri në gjashtëmbëdhjetë mijë lekë.
Cilido, që drejton mjete ose trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat, që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të madhe se vlerat maksimale të treguara në lejeqarkullimet, si dhe që transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Drafti fillestar parashikonte gjoba nga katër mijë deri në gjashtëmbëdhjetë mijë lekë.
Përdoruesi i rrugës, në rast aksidenti, që në njëfarë mënyre lidhet me sjelljen e tij, është i detyruar të ndalojë dhe t’u japë ndihmën e nevojshme njerëzve të dëmtuar, duke përdorur kutinë e ndihmës së shpejtë. Cilindo që nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative, me gjobë, nga dy mijë deri në tetë mijë lekë, dhe me pezullimin e lejedrejtimit, nga 6 (gjashtë) deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj. Qeveria kishte propozuar katërfishimin e gjobave duke I çuar ato me gjobë nga katër mijë deri në gjashtëmbëdhjetë mijë lekë.
Ndëshkimet më të rrepta për shoferët e rinj
Ndryshimet në Kodin Rrugor kanë bërë një ndarje sipas llojit të patentave. Tre vitet e para pas marrjes së patentës do të jenë më të vështirat për drejtuesit e mjeteve pasi gjobat për ta do të jenë më të larta. Ndryshimi i parë ka të bëjë me motorët. Ata që kanë patentë të grupit A, për tre vitet e para pas marrjes së lejedrejtimit dhe gjithashtu përpara mbushjes së moshës 21 vjeç, nuk u lejohet drejtimi i motomjeteve me cilindrat të madhe. Në rast se një shofer “i vjetër” kapet tej normave të shpejtësisë ndëshkohet me gjobë, por për shoferët e rinj është shtuar edhe pezullimi i patentës nga dy deri në tetë muaj.
Një ndarje tjetër që ka të bëjë me patentat është edhe ajo e alkoolit. Kodi i ri ka një tolerancë më të madhe ndaj shoferëve të vjetër dhe bëhet tepër i rreptë me shoferët e rinj dhe ata të transportit. Kufizimet më të mëdha janë për drejtuesit e mjeteve nën moshën njëzet e një vjeç dhe për drejtuesit e mjeteve në tre vitet e para të marrjes së lejes së drejtimit të grupit “B” dhe për drejtuesit e mjeteve që ushtrojnë aktivitet të transportit të personave.
Udhëzimi, ndryshojnë patentat për grupet C, D, E
Të gjithë personat që do të kërkojnë patentë për të drejtuar mjete të tonazhit të rëndë me rimorkio duhet të pajisen edhe me certifikatë të aftësimit profesional. Me këtë certifikatë nuk do të pajisen personat që drejtojnë automjete 4+1 (patentat e klasit B). Përmes një udhëzimi, i cili do të hyjë në fuqi pas dy javësh, Ministria e Transportit ka vendosur që të gjithë personat mbi 20 vjeç dhe që kanë një patentë, do të duhet të pajisen me një certifikatë shtesë me përjashtim të atyre që kanë të drejtë t’i japin një makine apo automjeti me tetë vend, duke përjashtuar shoferin. Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, përdoruesve të mjeteve rrugore që drejtohen me leje drejtimi të kategorive C, CE, D dhe DE, do t’iu kërkohet të pajisen me një vërtetim aftësimi profesional. Përjashtim në këto kategori do të përbëjnë mbajtësit e lejes së drejtimit të kategorisë D kur janë duke kryer shërbimin taksi.
Kandidatët që do të kërkojnë të pajisen me këtë dokument shtesë do të duhet të realizojnë një kurs kualifikimi dhe trajnimi periodike, i cili do të jetë i detyrueshëm dhe do të bazohet në programet mësimore të miratuara nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë leje drejtimi të kategorive C dhe CE, D dhe DE ose leje drejtimi të njohura si të barasvlershme, para datës së hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, do të pajisen me certifikatë kualifikimi pa iu nënshtruar kualifikimit dhe pa testim, mbi bazën e modaliteteve të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Pas përfundimit të vlefshmërisë së këtyre lejeve, atëherë këto kategori do t’i nënshtrohen kualifikimit, trajnimit periodik dhe testimeve përkatëse. Për sa i përket kualifikimit dhe trajnimit periodik, ato do të realizohen nëpërmjet një programi mësimor, që do të aplikohet në kurset e trajnimit përkatës dhe që përbëhet nga 60 orë mësimi teorik, të cilat do të kryhen në jo më pak se 15 ditë dhe 10 orë të praktikës mësimore, të cilat do të zhvillohen në jo më pak se 5 ditë. Të gjithë kandidatët që kanë vijuar rregullisht kurset e kualifikimit do t’i nënshtrohen një testimi teorik dhe praktik pranë drejtorisë rajonale, ndërsa kandidatët që kanë vijuar rregullisht kurset e trajnimit periodik i nënshtrohen vetëm testimit teorik.
Çdo kandidat ka në dispozicion pesë mundësi teorike dhe pesë mundësi praktike brenda vlefshmërisë së autorizimit, për t’u shpallur fitues i CAP të kërkuar prej tij. Nëse janë konsumuar të gjitha mundësitë e kalimit të testeve apo të afatit të vlefshmërisë së autorizimit kandidati duhet të kërkojë një regjistrim të ri. Testi teorik do të përbëhet nga pyetje, që nga ndërtimi do të kërkojnë zgjidhje konkrete të situatave apo procedurave që lidhen me transportin rrugor të mallrave apo udhëtarëve dhe pyetje që kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejtë me ose jo. Ndërsa testi praktik do të përbëhet nga testi i vlerësimit të situatave apo ngjarjeve aktuale që lidhen me zbatimin rigoroz të rregullave të sigurisë në lëvizje dhe qarkullimit në rrugë. Gjithashtu ky testim do lidhet me aftësinë e drejtuesit në lidhje me ngarkimin e automjetit me kujdesin e duhur, sigurimin e vendosjes së pasagjerëve në përshtatje me komoditetin e kërkuar në udhëtim, parandalimin e kriminalitetit dhe trafikun e emigrantëve të paligjshëm, parandalimin e rreziqeve të mundshme, rëndësinë e aftësisë mendore dhe fizike në qarkullim, vlerësimin e situatave të urgjencës etj,.
Llojet e certifikatave që do të shpërndahen për shoferët
a) Tipi KC, për drejtuesit e automjeteve teke me peshë maksimale të autorizuar mbi 3.5
ton, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë C;
b) Tipi KC+E, për drejtuesit e automjeteve të artikuluar dhe gjysmërimorkiatorëve, dhe
tërheqjen e rimorkiove, nëse përdoruesi i tyre është i pajisur me leje drejtimi të kategorisë CE;
c) Tipi KD, për drejtuesit e autobusëve dhe automjeteve të tjera të destinuara për
transportin e pasagjerëve, që kanë më shumë se 8 ndenjëse, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë
D;
d) Tipi KD+E për drejtuesit e automjeteve të artikuluara, gjysmërimorkiove për transportin
e udhëtarëve, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë DE.
Kush përjashtohet nga detyrimi i pajisjes me certifikatë
Përjashtohen nga detyrimi për pajisjen me CAP, drejtuesit e automjeteve:
a) shpejtësia maksimale e autorizuar e të cilave nuk i kalon 45 km/orë;
b) të përdorura nga, ose nën kontrollin e Forcave të Armatosura, mbrojtjes civile,
shërbimeve kundër zjarrit dhe forcave përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik;
c) që kalojnë testet rrugore për qëllime të zhvillimit teknik, riparimit ose mirëmbajtjes, ose
të mjeteve të reja apo të rindërtuara të cilat akoma nuk janë futur në shërbim;
d) të përdorura në rastet e emergjencës ose të caktuara për misionet e shpëtimit;
e) të përdorura në kursin e mësimit të drejtimit të mjetit për çdo person që ka dëshirë të
marrë një leje drejtimi ose një CAP;
f) të përdorura për transportin jotregtar të pasagjerëve ose mallrave, për përdorim personal;
g) që mbartin materiale ose pajisje për t’u përdorur nga drejtuesi i mjetit gjatë punës së tij
apo saj, duke siguruar që drejtimi i mjetit nuk është aktiviteti kryesor i drejtuesit të mjetit.
Mosha që duhet të ketë drejtuesi për të përfituar kategoritë
Për t’u regjistruar në kursin e pajisjes me certifikatë profesionale, kandidatët që do të kërkojnë të përdorin një mjet që mund të drejtohet me leje drejtimi të kategorive C, CE, D dhe DE, duhet të kenë mbushur
respektivisht moshën:
a) 20 vjeç për kategorinë C për CAP të kategorisë KC;
b) 21 vjeç për kategorinë CE për CAP të kategorisë KC+E;
c) 23 vjeç për kategorinë D për CAP të kategorisë KD;
d) 24 vjeç për kategorinë DE për CAP të kategorisë KD+E.
Dokumentacioni që duhet për t’u regjistruar si kandidat
Për tu t’u regjistruar kandidati nëpërmjet autoshkollës duhet të paraqesë në zyrën e pranimit të DRSHTRR-së, një kërkesë me shkrim sipas formularit të përcaktuar nga DPSHTRR-ja, si dhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) fotokopje të kartës së identitetit;
b) vërtetim banimi;
c) fotokopje e lejes së drejtimit;
d) fotokopjen e CAP, përfituar më parë;s
e) fotokopje të dëftesës së përfundimit të arsimit të detyruar;
f) certifikatën mjekësore;
g) dy copë fotografi format 4×6.
Procedurat e regjistrimit, provimit, riprovimit, lëshimit të certifikatave të aftësimit
profesional dhe rinovimi i tyre përcaktohen nga DPSHTRR-ja.