Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Politike - 84 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka rënë dakord për të ndryshuar skemën e financimit të partive politike nga buxheti i shtetit. Këto ndryshime do të kryhen në Kodin Zgjedhor dhe përcaktojnë se financimi do të bazohet jo më sipas mandateve në Kuvend, por sipas numrit të përgjithshëm të votave që partitë do të marrin në rang kombëtar në zgjedhjet e radhës. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, eksperti i komisionit, Bledi Çuçi sqaron se palët kanë përfunduar pjesën e financimit të partive politike, ndryshime të cilat, sipas tij, do të favorizojnë partitë e vogla që nuk arrijnë të marrin një mandat në Kuvend. Por, jo çdo parti do të përfitojë. Sërish partitë e vogla do të duhet të arrijnë një prag minimal në rang vendi, ndonëse ky mandat mund të mos ju sigurojë përfaqësim në parlament. Risi tjetër që pritet të miratohet këto ditë nga Komisioni për Reformën Zgjedhore është rritja e dënimit për partitë që nuk do të respektojnë kuotën gjinore në listën e kandidatëve. Për sa i përket debatit nëse listat do të jenë të hapura ose të mbyllura, siç janë në Kodin ekzistues, eksperti Çuçi lë të kuptohet se Kodi i ri do të parashikojë sërish regjistrimin e kandidatëve në bazë të listave të mbyllura. Të premten komisioni i reformës Zgjedhore do të votojë tre kapitujt e parë të kodit.
Zoti Çuçi, në parlament është ngritur shqetësimi se puna për reformën zgjedhore po ecën shumë ngadalë duke rrezikuar që të mos respektohen as afatet. Një shqetësim i tillë është ngritur edhe në Kuvend. Si po shkon ecuria për përfundimin e reformës zgjedhore?
Mendoj se procesi për reformën zgjedhore po ecën relativisht mirë. Puna në Komisionin e Reformës Zgjedhore është përqendruar në këtë periudhë në hartimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme si regjistrimi i kandidatëve, fushata zgjedhore, media dhe financimi i fushatës. Këtë javë u caktuan edhe ekspertët e ODIHR, kështu që mendoj se edhe mozaiku i Komisionit është plotësuar tashmë dhe shumë shpejt do të fillojnë mbledhjet e Komisionit për të miratuar të gjitha çështjet sipas planit të punës.
Me cilin sistem shqiptarët do të shkojnë drejt zgjedhjeve të 2013?
Në radhë të parë, dua të shpreh fare qartë qëndrimin e PS-së për këtë çështje, qëndrim i artikuluar si nga kryetari i partisë z. Rama, ashtu edhe nga sekretari për çështjet zgjedhore në PS z. Gjiknuri. PS është e hapur për të diskutuar rishikimin e sistemit zgjedhor brenda kornizës kushtetuese ekzistuese në një debat të hapur në Komision dhe jashtë tij, por gjithsesi, nuk e kushtëzon reformën me këtë çështje. Për sistemet zgjedhore nuk ka rekomandime specifike, pasi ato mbeten një çështje e zgjedhjes së vetë shteteve në bazë të traditës politike dhe kompromiseve të partive. Por mundësia e rishikimit të sistemit zgjedhor ka kohë që është hedhur në debatin politik, së pari nga vetë kryeministri Sali Berisha. Në mënyrë të vazhdueshme, ai ka përsëritur se është i hapur për ta riparë sistemin zgjedhor, pasi sistemi aktual u ka rënë në qafë partive të vogla. Së fundmi, ka ndryshuar mendje, por padrejtësia e sistemit vazhdon të qëndrojë. Pasi vota e shqiptarëve është e barabartë dhe subjektet që kandidojnë, parimisht duhet të trajtohen njëlloj ose afërsisht njëlloj. Me sistemin që ne kemi kjo nuk ndodh, duke krijuar anomali në shpërndarje mandatesh dhe ku në realitet PD është përfituesja më e madhe në krahasim me votat që ka marrë, gati 9 mandate më shumë seç i takojnë në proporcion me votat. Kjo anomali mund të korrigjohet me ndonjë metodë të mundshme korrigjimi, e cila do të mundë t’u japë hakën çdo partie politike në bazë të votave, por edhe do të krijonte larmishmëri politike. Prandaj, çështja e rishikimit të sistemit zgjedhor do t’i bënte vetëm mirë shoqërisë shqiptare në përgjithësi, gjithmonë brenda kornizës kushtetuese duke ruajtur sistemin proporcional rajonal, por duke parë mundësi korrigjimi që adresojnë pabarazinë e dukshme në votë. Siç e thashë, PS është e hapur dhe për këtë kërkon një proces të gjerë konsultimi në komision dhe jashtë tij, me qëllim gjetjen e një konsensusi nga të gjitha palët. E vetme nuk mund ta çojë përpara këtë proces, por edhe nuk mund të bllokojë reformën për standardet zgjedhore vetëm për këtë shkak. Ndërkohë, disa nga partitë e vogla në koalicionin qeveritar duhet që përpara se të drejtohen apo të akuzojnë PS-në, të ushtrojnë trysninë e duhur brenda koalicionit qeverisës për të arritur korrektimin e dëshiruar. Thënë ndryshe, mekanizmin për ta shtyrë përpara këtë proces nuk e ka as PS e as opozita në përgjithësi, por LSI dhe PR të cilat dhe e dëshirojnë aq shumë.
Si është zgjidhur çështja e financimit të partive politike për fushatën?
Mënyra e përcaktuar aktualisht në Kodin Zgjedhor për financimin e partive politike në zgjedhje nga fondet publike, është kritikuar nga të gjitha raportet ndërkombëtare që prej vitit 2009. Edhe raportet e ODIHR-it 2009, 2011, edhe opinioni i përbashkët i Komisionit të Venecias/OSBE kanë rekomanduar që dispozitat ligjore për financimin publik të fushatave zgjedhore të mos i japin avantazh disproporcional dhe të padrejtë partive parlamentare. Për këtë arsye ne kemi ndryshuar parimin e financimit, nga financim në bazë të mandateve në Kuvend, në financim në bazë të numrit të përgjithshëm të votave që partitë do të marrin në rang kombëtar në zgjedhjet e radhës. Konkretisht, çdo parti do të përfitojë si fonde publike shumën që del nga numri i votave që do të marrë në zgjedhjet e radhës, shumëzuar me një koefiçent që përcaktohet në varësi të parave që buxheti i shtetit vë në dispozicion për këtë qëllim. Në këtë mënyrë,(dhe ky është një lajm i mirë për partitë e vogla), nuk do të diskriminohen por do të përfitojnë nga fondet publike edhe partitë e vogla që nuk mund të marrin mandate në Kuvend por që luajnë një rol të rëndësishëm në skenën politike shqiptare. Unë jam i bindur se me skemën e propozuar ne i përmbushim plotësisht edhe rekomandimet e ODIHR/OSCE për këtë çështje.
Regjistrimi i kandidateve është një tjetër problematike. Do jenë lista të hapura apo sërish të mbyllura?
Momenti më i rëndësishëm për sa i përket regjistrimit të kandidatëve ka të bëjë me çështjen e kuotave gjinore. Dispozitat e Kodit Zgjedhor që përcaktojnë kuotat gjinore për listat e kandidatëve, janë rishikuar në mënyrë që jo vetëm të plotësohet standardi prej 30 perqind i kërkuar në ligjin për “Barazinë gjinore në shoqëri”, por edhe për të mbyllur hapësirat që i lejojnë partitë t’i shmangen qëllimit të vetë ligjit. Gjithashtu, kemi parashikuar një rritje rreth 70 perqind të gjobës për partitë që nuk plotësojnë kuotat në zgjedhjet vendore, si dhe kemi vënë detyrimin që, partive politike që nuk paguajnë gjobën për mosplotësim të kuotave gjinore në listat e kandidatëve, ti mbahet kjo shumë drejtpërdrejtë nga financimi që i bëhet këtyre partive nga fondet publike. Mendoj se me këtë sistem jo vetëm kënaqim në masë të madhe kërkesat e legjislacionit shqiptar por i japim përgjigje edhe shqetësimeve edhe të shoqërisë civile për këtë çështje si dhe, përmbushim rekomandimet e ODIHR/OSCE në këtë fushë.
Mendoj se çështja e listave të hapura apo të mbyllura është ezauruar pasi për këtë problem nuk ka as debat politik dhe as rekomandime specifike nga ndërkombëtarët.
Sistemi elektoral, partitë e vogla ankohen tek ODIHR
Një ditë pas mbërritjes në Shqipëri, ekspertët e ODIHR kanë filluar takimet intensive me krerët e subjekteve politike dhe me kryetaren e Kuvendit Topalli. Në tryezën e organizuar nga ODIHR, kryetarët e partive të vogla joparlamentare i kërkuan këtij institucioni që të mbrojë interesat e tyre në komisionin e reformës zgjedhore dhe të mos lejojë diskriminimin si në zgjedhjet e 2009-s, ku mbetën jashtë përfaqësimit në parlament. “Në qoftë se herët e tjera kanë ardhur e kanë shkuar pa ndikuar tek dy partitë e mëdha për të bërë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhorë, këtë herë duhet të qëndrojmë fort pasi në rast se dhe këtë herë do të dështojnë në misionin e tyre për të bindur dy partitë e mëdha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ecë me tutje me mendësinë e së kaluarës dhe me ligje që në letër mund të jenë të mira, por kur vjen në praktikë ato nuk zbatohet, atëherë është e kotë që vijnë”,- tha kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Ndonëse në koalicion me demokratët, shqetësime për sistemin paraqiti edhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli, i cili kërkoi ndryshim të sistemit. “Diskutuam mbi parimin bazë të vlerësimit të votës, që vota të jetë e barabartë për të gjithë në mënyrë që çdo votë që jepet të përkthehet në numër deputetësh apo në numër këshilltarësh, kur është fjala për pushtetin vendorë”,- tha Xhuveli.