Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Kulture - 90 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Prof. dr. Shaban Sinani
“Midis Drinit dhe Vjosës” (Zëischen Drin und Vojusa: Märchen aus Albanien, Leipzig 1922) është një libër që, duke iu referuar
ad litteram titullit, duket sikur do të përmbajë shenjimet e ndonjë udhëpërshkruesi. Për më tepër që autori i tij ishte austriak dhe pjesë e interesimit kulturor austro-hungarez, që ishte përqendruar kryesisht në Shqipërinë e Veriut, ose më saktë në Shqipërinë katolike dhe vazhdonte të kryente detyrat e saj në përputhje me capitulazione-t e hershme ndërperandorake, që i kishin njohur të drejtën e
Cultus Protectorati-t. Por në çdo rast, këto interesime nuk zbritnin poshtë Vjosës (një l
imitus ulter quam non edhe për interesimet shkencore të M. Šufflay-t, K. Jireček-ut dhe L. Thałoczy-t).
Dhe me të vërtetë, autori i librit, Maximilian Lambertz-i, e ka përshkuar Shqipërinë gati një shekull më parë, gjatë kohës që në Ballkan e në Europë zhvillohej Lufta e Parë Botërore. Por jo si ndonjë romantik i vonuar, që, i tronditur prej prishjes së traditës në vendin e vet, kërkonte botë të tjera pa cene. Para se të prekte “vendin e shqipeve” (M. Lambertz-i është një prej albanologëve ngulmues për shpjegimin e etnonimit “shqiptar” prej totemit “shqype”, “shqipe”), ai kishte bërë kërkime tek arvanitasit e Greqisë dhe tek arbëreshët e Italisë. Kurse në vitet që qëndroi në Shqipërinë e Veriut udhëtoi nga Shkodra, Gruda, Lezha, Kruja, Tirana, Durrësi, në malësitë e Shoshit dhe Shalës, midis rrjedhës së Drinit dhe Valbonës, si dhe nëpër Mirditë.
Pa dyshim, Maximilian Lambertz-i është i vetmi ndër albanologët e huaj që iu kushtua jo vetëm gjuhës shqipe, arkeologjisë, historisë, etnologjisë, por dhe njërës prej dijeve më të vona të saj, folkloristikës. U mor thuajse me të gjitha format e shfaqjes së traditës gojore: në poezi e në prozë, me përrallën, këngën rituale, eposin heroik legjendar (të cilit i kushtoi studimin “Epika popullore e shqiptarëve” (Die Volksepik der Albaner, Halle 1958), një prej monografive më të rëndësishme të traditës së studimeve për ciklin e kreshnikëve, përkthyer për nevojat e studiuesve prej gjuhëtarit E. Çabej në vitet 1970 dhe mbetur në arkivat e instituteve të trashëgimisë deri në fundin e shekullit të kaluar).
“Midis Drinit dhe Vjosës” përmban një prej koleksioneve që Lambertz-i mblodhi e përzgjodhi prej botimeve shqiptare të shekullit të romantizmit e në vijim, të cilat duket qartë se i njihte tërësisht; nga shtypi letrar dhe ai politik i fillimeve të periudhës shtetërore; si dhe nga bartësit jo të pakët që takoi vetë gjatë qëndrimit në Shqipëri. Janë poezi e përralla të botuara gjermanisht dhe të krahasuara me motive të ngjashme të popujve të Europës dhe të kulturave e qytetërimeve të tjera.
Kriteri mbi bazën e të cilit ai ka bërë zgjedhjen e lëndës është, para së gjithash, ai i primitivitetit, irracionalitetit dhe arkaizmit, si shenja të sigurta të lashtësisë së një kulture. E njëjta zgjedhje vërehet si për poezinë, ashtu dhe për prozën. Nuk ka epikë historike, as legjendare; por nuk ka as lirikë të ritualeve themelorë të jetës së njeriut: lindjes, rishtarisë, martesës, vdekjes. Lambertz-in e intereson më shumë ajo pjesë e traditës gojore që mund të quhej para-poezi dhe që shpesh herë s’ka një kuptim të shpërfaqur, s’ka rrjedhshmëri, s’ka personazhe, s’ka fabul. Këto janë kryesisht vjersha-lodra, që shoqërojnë dhe rregullojnë argëtimet e fëmijëve; në të shumtën e rasteve rrojkezime asemantike dhe agramatikore, me përzierje fjalësh pa lidhje prej shqipes dhe prej gjuhësh të ndryshme (siç gjenden dhe në koleksionistë të tjerë), që ushtrojnë kujtesën dhe edukojnë një shije formale të poezisë tek ata (“ini mini, donomini”; “eshtem beshtem”).
Ka pastaj një lloj tjetër vjershash, të cilat mund të quhen dhe ushtrime logjike, si gjedhja e vjershave për numrat, të cilat i këndojnë të rriturit për t’i mbajtur mend të vegjlit. Një lloj i tretë i poezisë së zgjedhur nga Lambertz-i janë ato që vënë në provë logjikën e pjesëmarrësit në lojë, duke krijuar varg pas vargu, nga një për çdo pjesëmarrës, ciklin e plotë të një veprimi zinxhir, pa lidhje poetike dhe as ndonjë shkak përmbajtësor, mjafton që vargu të fqinjësojë me vargun, të ketë lidhje me një prej fjalëve të atij paraprirës.
Të gjitha këto janë këngë popullore zakonisht të quajtura banale, në shumicën e rasteve mbetur të pambledhura, përveçse prej mbledhësve të hershëm të folklorit. Ato qëndrojnë më përpara në raport me një qerthull këngësh tradicionale të fëmijëve, si ato të ciklit të kullanave, rrushajeve, rusicave, kalimereve, llazoreve; si këngët e të kremteve fetare dhe kalendarike; këngët e lëvdimit të natyrës dhe të marrjes së saj me të mirë; të cilat kanë një përmbajtje të shtjelluar, fabul të rregullt, kuptim të qartë dhe funksion të dukshëm.
Nëse do të bëhej një renditje duke iu referuar shkallës më të lartë të përjashtësisë (objektivitetit) në poezinë popullore tradicionale, atëherë do të nisnim prej epikës politike, epikës historike, epikës legjendare, lirikës së dasmës, lirikës së dashurisë, lirikës rituale të lindjes, ninullave, vajtimeve, lirikës rituale fetare, lirikës rituale “të shërkruome” – sakrale-mitologjike, dhe vetëm së fundmi do të mbërrinim tek vjershat-lodra, vjershat ushtrime logjike e fantazie që ka mbledhur e botuar në librin e tij Lambertz-i.
Këto ngjajnë si këngët popullore më të kodifikuara, por, në të vërtetë, ato paraqiten kështu kryesisht për shkak të arkaizmit të gjedhes krijuese, jo për ndonjë fshehje magjike të kumtit. Ato janë të tilla sepse nuk janë krijuar për të pasur qëllim etik apo didaktik, nuk përcjellin kurrfarë porosie morale, thjesht ndikojnë për të marrë pjesë në një formë kolektive argëtimi duke treguar kujtesë (për fjalët dhe shprehjet agramatikore që janë me shumicë), një shkallë minimale arsyetimi (të ndjekësh rendin sipas parimit të shoqërimit të idesë), si dhe të verifikosh disa njohuri shumë të thjeshta (vjershat që u japin një kuptim konkret numrave, sidomos numrave simpatikë: njëshi – Perëndia Atë; dyshi – Hyji sundues në tokë e në qiell; treshi – trinia ose tre patriarkët: Abrahami, Isaaku dhe Jakobi; katra – katër ungjilltarët; pesa – pesë porositë e kishës; gjashta – nuk e dimë, ndoshta numër antipatik; shtata – shtatë “shukërmendet”, gjithnjë sipas shprehjes së Buzukut; teta – tetë mëkatet; nënta – nëntë ikona shenjtorësh; dhjeta – dhjetë ndalimet – duhet thënë se në versionet shqip këto shenjime janë laicizuar dhe kanë marrë barazime të tjera).
Pikërisht kjo është një arsye pse koleksioni i M. Lambertz-it, i riardhur në shqip prej përkthimit nga gjermanishtja, me një përpjekje për t’iu afruar gjuhës lokale të burimit, por jo duke shkuar tek burimi vetë, i shërben pasurimit prapavajtës të traditës së vjershërisë popullore shqiptare, e cila, si të gjitha traditat gojore popullore, shpesh ka qenë e çliruar prej çfarëdo qëllimi përmbajtësor dhe funksioni social.
Kjo mënyrë të lodruari me gjuhën njëherësh u shërben fëmijëve dhe për të provuar një prej përbërëseve bazë të poezisë, rimën, qoftë dhe krejt formale dhe pa asnjë prirje kërkimi apo talenti:
“Po erdhi shkopushi, që godet qenushin: zjarrushi, që djeg shkopushin; ujushi, që shuan zjarrushin; kaushi, që piu ujushin”; dhe së fundi, sigurisht,
“kasapi, që theri kaun”.
Koleksioni i përrallave është më i plotë. Në të vërtetë, më shumë se përralla, në kuptimin terminologjik që ka marrë kjo fjalë në folkloristikën shqiptare, ato janë rrëfime në formën e shëmbëlltyrave, të cilat tregohen jo në mjedise familjare, siç është skema bazë e komunikimit të përrallës, por në mjedise më të gjera: në dasma dhe ngjarje të tjera publike të jetës së njeriut; në kuvende, në oda burrash, në takime rastësore të individëve. Qëllimi i këtyre shembëlltyrave është që rrëfimtari të dëshmojë dijen dhe përvojën e tij, t’i japë kënaqësi mendore dhe estetike bashkëbiseduesit, të krijojë një gjendje të ngritur emocionale e intelektuale, të provokojë një diskutim të mëtejshëm, por dhe të vërë në provë urtësinë e të tjerëve.
Këto shembëlltyra, në formën e përrallës së shkurtër, por larg së magjishmes së përrallës së vërtetë, shpesh ngjajnë si paratekste që e çojnë mendjen njerëzore drejt një sinteze mendimi të shprehur në formën e një fjale të urtë apo të një përfundimi sintetik.
Karakterin e parabolës apo të shembëlltyrës e theksojnë prania e ngjarjeve me mite paganë (orët, të jashtëmëzet, fatijet, miret, zarazitet e drekëzitet), shenjtorë dhe me klerikë, me Shën Kollin, Shën Mhillin dhe Shën Gjonin; me priftin, dervishin dhe hoxhën; me mbretin, sulltanin dhe Nastradin efendiun. Rrëfimi me shembëlltyra vjen prej ligjërimit ungjillor dhe ishte shumë i zhvilluar në Shqipërinë e vjetër. Pikërisht karakteri i shembëlltyrës u jep mundësi “përrallave” të zgjedhura nga Lambertz-i të jenë të hapura për ngjarje e njerëz historikë, që kanë jetuar ose janë shenja të kohërave historike, megjithëse, sikurse dihet, përralla e vërtetë qëndron larg realiteteve, të afërta e të largëta në kohë, është e mbyllur për kohën e njeriut tokësor. Sikurse argumenton me të drejtë Lambertz-i, shumë prej këtyre fabulave, a “përrallave shqiptare”, siç i quan ai, janë ndryshore të ndonjë matriceje të mirënjohur në shkallë botërore, të identifikuara në motivet themelore të përrallës së njerëzimit të vëllezërve Grim; të motiveve me përhapje në popujt e Lindjes (Hirushja) ose në popujt e Perëndimit (zonja Pjeretë).
Krahasimi me motivet e popujve të tjerë në të vërtetë ka pasur për qëllim që të provojë se prozës popullore shqiptare jo vetëm s’i mungon asgjë krahasimisht me të tjerat, por shpesh forma e të ruajturit dhe të shprehurit të saj është gjenuine.
Botimi shqip i koleksionit të përrallave të mbledhura nga Lambertz-i rikthen në prozën popullore shqiptare atë pjesë të saj që për një kohë të gjatë mbeti e përjashtuar prej botimeve, pjesën që lidhet me besimin, me vetëdijen fetare mitologjike, me kulte të lashta të mendësisë njerëzore (lidhja gjenetike e krijuar prej njeriut vetë dhe jo prej trashëgimisë përmes kumbarisë e vëllamërisë, me qëllim nxitjen e martesave ekzogame dhe sa më larg bashkësisë, ruajtjen e puritanizmit moral në fshat, krahinë a flamur etj.).
Meritojnë vlerësime të posaçme përkthyesi Sokol Mici dhe redaktori i botimit prof. Tefë Topalli, të cilët janë kujdesur dhe ia kanë arritur qëllimit, që tekstet t’i ngjajnë lexuesit si të vendit dhe gjuhës së tij, por njëherësh dhe të shihet e të ndjehet qartë ndërmjetësia e një studiuesi pasionant për botën shqiptare si M.Lambertz-i dhe e gjermanishtes së tij amtare.
Të rejat nga Lambertz
Tri vepra të albanologut austriak Maximilian Lambertz (1882-1963) vijnë në shqip të përkthyera nga Qendra e Studimeve Albanologjike e të botuara prej saj në bashkëpunim me “Botart”. “Midis Drinit dhe Vjosës. Përralla nga Shqipëria”, “Periudha hipotetike në gjuhën shqipe” dhe “Posta e Shqypniës” u hodhën në qarkullim në ditët e Panaitit të Librit “Tirana 2011” dhe prezantohen së shpejti nga QSA.
Lambertz është nga albanologët kryesorë të shekullit XX. Botimi i tij i parë albanologjik me bashkautor Gjergj Pekmezin ishte një doracak dhe libër leximi i gjuhës shqipe i botuar në Vjenë 1913. Në këtë kohë udhëtoi në Italinë e Jugut për të mësuar të folmet arbëreshe. Në maj-qershor 1916, udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike. U rikthye dhe qëndroi në Shkodër ku bashkëpunoi më Gjergj Fishtën. Disa prej veprave më të rëndësishme të Lambertz-it në dijet albanologjike janë: “Këngë shqiptare dhe tekste nga folklori shqiptar” (Vjenë 1922); “Gjergj Fishta dhe epopeja e madhe shqiptare ‘Lahuta e Malcís’” (Lajpcig 1949). Ai shkroi një studim për këngët popullore shqiptare (1952); dhe një tjetër për letërsinë shqipe (1956). Gjithashtu përktheu pjesë nga“Lahutën e Malcís” dhe e studioi në mënyrë të krahasuar me eposin e kreshnikëve. Më 1945, pasi u bë anëtar i partisë komuniste, u emërua drejtor i Shkollës së Lajpcigut për Gjuhë të Huaja dhe, në tetor 1946, u bë profesor i gjuhësisë krahasimtare dhe, deri në vitin 1949 dekan i Fakultetit të Pedagogjisë së Universitetit Karl Marks të Lajpcigut. U bë gjithashtu drejtor i Institutit të Studimeve Indoevropiane deri në vitin 1957 kur doli në pension. Lamberci e vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në 1957 dhe, edhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe Paktit të Varshavës, ai refuzoi të shkëpuste lidhjet me Shqipërinë dhe mori pjesë në disa pritje të ambasadës shqiptare në Berlinin lindor.
Megjithëse Maks Lamberci nga shkollimi ishte specialist për gjuhën latine dhe greke, dhe më vonë teolog, pasioni i tij kryesor ishte dhe mbeti gjuha shqipe. I pabotuar mbeti dorëshkrimi i tij prej 187 faqesh Das Drama im albanischen Theater von heute (Drama në teatrin shqiptar të sotëm), shkruar në vitin 1963.