Publikuar me : 02.02.2012 Ne :
Politike - 91 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
TIRANË- Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu do të akuzohet nga parlamenti se ka shkelur Kushtetutën dhe ka shpërdoruar fondet shtetërore në favor të Aleancës KuqeZi. Edhe pse vetëm në mbledhjen e dytë, komisioni hetimor i ngritur nga mazhoranca ka bërë akuzat konkrete ndaj Spahiut duke mos pritur mbërritjen e dokumenteve apo provave të tjera. Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj prezantoi planin e veprimit për hetimin dhe provat që faktojnë shkeljet mbi të cilat do të bazohet raporti përfundimtar i këtij komisioni, i cili do t’i paraqitet parlamentit.
Ndonëse nuk ka kaluar as një javë nga ngritja e komisionit, demokratët kanë hedhur piketat e para të raportet të cilin zyrtarisht do e lexojnë më 15 shkurt pasi të kenë kryer hetimet. Pesë anëtarët e djathtë të komisionit hetimor deklaruan se nënkryetari i KLD-së, Spahiu ka udhëtuar jashtë shtetit dhe ka zhvilluar takime duke përdorur paratë e shtetit për tubimet e tij politike edhe në kontinente të tjera. Sipas planit, auditi financiar parlamentar do të bëhet publik në 9 shkurt. “Do të mbahet procesverbali përkatës për ekspertizat apo dhe dëshmitë e marra, në këtë rast do të jetë një ekspertizë e karakterit financiar në lidhje me drejtimin e menaxhimin e burimeve financiare të KLD-së. Jo vetëm mbledhje të materialeve shkresore por ndoshta edhe një proces të mbikëqyrjes në vend të dokumentacionit. Dokumentet shkresore, pamjet filmike, përmbledhja e medias së shkruar do të merren pranë burimeve të drejtpërdrejta”,- tha kryetari i Komisionit, Enkeled Alibeaj.
Gjatë mbledhjes së dytë, Alibeaj hodhi poshtë pretendimet e Spahiut se parlamenti nuk ka fuqi për shkarkimin e tij. Për deputetin e PD, organi që e ka emëruar, ka dhe të drejtën e ndërprerjes së mandatit duke sqaruar se ndërprerja e mandatit mund të kryhet me akt normativ nga Kuvendi. “Përfundimisht mandate i të zgjedhurve në KLD është qartësisht një mandat përfaqësues, që i nënshtrohet vlerësimit dhe testimit të ditëpërditshëm të trupës që i ka zgjedhur. Pavarësia dhe paanësia e vetë KLD-së si organ kolegjial, arrihet nëpërmjet dialektikës së brendshme të tre rrymave apo flukseve të interesave që përfaqësojnë, ekzekutivi , legjislativi dhe gjyqësori, nën moderimin e Presidentit. Është deformim dhe keq lexim i kushtetutës, gjetja e pavarësisë institucionale të KLD, tek “pavarësia” individuale e secilit anëtar”, tha Alibeaj duke përdorur parimin “invers” që do të thotë, ai që të emëron është ai që edhe të shkarkon.
Opozita bojkotoi sërish mbledhjen e Komisionit Hetimor. Për opozitën, kërkesa e 33 deputetëve demokratë, është tregues i frikës që ka pushtuar kryeministrin Berisha për të ardhmen politike të presidentit Bamir Topi dhe të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Socialistët kanë deklaruar se procedura e ndjekur nga demokratët për ndërprerjen e mandatit është antikushtetuese, pasi sipas tyre ligji themeltar nuk e parashikon një gjë të tillë.
Opozita jep konsensusin për kalendarin e ligjeve
Konferenca e Kryetarëve miratoi me konsensus të plotë kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit. Midis projektligjeve, bie në sy ai për ngritjen e Gjykatës Administrative. Mazhoranca tentoi në 20 tetor të vitit që kaloi për të miratuar ligjin, por nuk arriti që të merrte votat e socialistëve. Përfshirja e ligjit për Gjykatën Administrative, u paralajmëruar edhe nga kryetarja e Kuvendit. Gjatë takimit me kongresmenin amerikan Steve Chabot, i shoqëruar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Topalli kërkoi votimin për Gjykatën administrative. Sipas saj ky ligjin është tepër i rëndësishëm për bizneset. Ndër të tjera, kalendari përmban shqyrtimin brenda këtij harku kohor në komisione dhe seancë plenare të projektligjeve me 3/5 si ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin Civil. Votimi i këtyre ligjeve do t’i jepte fund listës së projektligjeve që prej vitesh qëndrojnë pezull në Kuvend. Dhënia e votës pro nga ana e opozitës është parë si një shenjë e përmirësimit të marrëdhënieve pas “ngricës” që shoqëroi ditët e para të këtij viti.
PD sulmon Ina Ramën: Pjesë e klanit të PS
Partia Demokratike sulmoi sërish dje kryeprokuroren Ina Rama duke e cilësuar pjesë të klanit të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër mazhoranca është shprehur me superlativa për gardistët e akuzuar për vrasje me dashje duke i cilësuar ata si trima, burra, heronj. “Partia Demokratike thekson edhe njëherë se, pretenca publike televizive prej 90 minutash e Prokurores së Përgjithshme e paprecedent në historinë e një vendi të lire, akuzat e saj për vrasje me dashje ndaj oficerëve të Gardës, që me trimëri, burrëri dhe heroizmin e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe hodhën në lanë mandatet e ëndërruara të puçistëve, dëshmojnë thjesht urrejtjen por panikun që ka mbërthyer klanin e atyre që, tek përmbysja me dhunë e pushtetit legjitim, kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre”, u shpreh zëdhënësja e PD, Albana Mustafaraj. Duke paralajmëruar një hetim të dytë kur të largohet kryeprokurorja Ina Rama, PD u shpreh se këtë herë do të hetohen organizatorët e protestës. “Ky hetim nuk do mund të pengohet as nga pretencat tuaja të përbashkëta televizive me Prokuroren e Përgjithshme, nga etiketimet që ju u bëni punonjësve që mbrojtën rendin kushtetues të vendit si vrasës me dashje dhe që së shpejti do t’i shpallni vrasës me pagesë, as nga prishja e provave dhe zhdukja e dëshmive që faktojnë gjithçka rreth skenarit të 21 Janarit 2011”, tha zëdhënësja e PD, Albana Mustafaraj.
Raporti i Kuvendit, pro heqjes së imunitetit tre deputetëve
Këshilli për Rregulloren dhe Mandatin kanë gati relacionet për tre deputetët, të cilëve do tu hiqet imuniteti nga parlamenti. Sipas relacionit të hartuar nga deputeti Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri, heqja e mbrojtjes ligjore për tre deputetët socialistë, vjen pas kërkesës së Prokurorisë lidhur me ngjarjet e 21 janarit. “Raport i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm “Për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetëve Tom Doshi, Taulant Balla, Besnik Baraj”, thuhet në rendin e ditës së seancës plenare. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mandateve dhe të Imunitetit, tre deputetët socialistë Taulant Balla, Besnik Baraj dhe Tom Doshi i dërguan një letër, në të cilën shprehen se janë dakord me heqjen e imunitetit të tyre dhe kërkojnë që sqarimet në lidhje me këtë t’i japin në seancën e radhës në Kuvend. Tre deputetët do të japin qëndrimin e tyre lidhur me veprimet në 21 janar2011 dhe për akuzat që organi i akuzës ka ngritur ndaj tyre. Opozita ka kërkuar hetimin nga prokuroria të kryeministrin Berisha dhe të ish ministrit të Brendshëm Lulzim Basah si urdhëruesit e vrasjes së katër demostruesve të opozitës në bulevard.