Publikuar me : 20.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 26 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Partia Socialiste pritet të diskutojë sot në Komisionin e Ekonomisë ndryshimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Siç është bërë e ditur dhe më parë propozimi i PS-së lidhet me heqjen e kësaj takse për produktet bazë ushqimore.
Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që një pjesë të ushqimeve kjo taksë të ulet në nivelin zero, duke krijuar kështu më shumë mundësi për familjet me të ardhura të pakta.
Ja cilat janë ndryshimet që PS kërkon të bëhen në ligjin për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” të bëhen këto ndryshime:
Pas nenit 24/1 të shtohet neni 24/2 me këtë përmbajtje :
“Furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0 perqind TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10 perqind, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.
Pas nenit 24/2 të shtohet neni 24/3 me këtë përmbajtje :
“Furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.
Pika 2 e nenit 30 të hiqet
Kuptimi i neneve të propozuara është që furnizimet me mallrat bazë të shportës konsumatore: miell, bukë, qumësht, vezë, dhe ilaçe, janë shërbime të tatuara në masën 0 perqind TVSH, ndërsa furnizimet me vaj, sheqer dhe oriz janë furnizime të tatueshme në masën 10 perqind të TVSH-së.