Komisioni i Integrimit, plan te ri veprimi per permbushjen e 12 prioriteteve te KE-se
Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Politike - 45 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Majlinda Bregu
Komisioni i Integrimit ka miratuar në unison hartimin e një plani të ri veprimi për përmbushjen e 12 kushteve të Komisionit Evropian për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë raportimit para komisionit parlamentar ka nënvizuar se në janar do të publikohet një axhendë e re veprimi për plotësimin e 12 prioriteteve.
Gjatë fjalës së saj para komisionit, Bregu më në fund ka folur hapur mbi realizimin e 12 prioriteteve të Shqipërisë përcaktuar nga progres-raporti i Komisionit Evropian.
Bregu, e cila deri tani ka hedhur të gjithë fajin për mosmarrjen e statusit kandidat, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian tek opozita, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrimin është shprehur se vetëm 5 nga 12 prioritetet kanë të bëjnë me ligjet dhe reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
Ajo u shpreh se 6 prioritet kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me zbatueshmërinë e vendimeve nga institucionet qeveritare dhe dikasterit që ajo drejton. ”6 rekomandime nga 12 të vendosura janë përgjegjësi direkt e ministrisë që unë drejtoj”, tha ajo. Deklarata në këtë formë vjen në një kohë kur pritet që këto prioritete të realizohen dhe Bregu po kërkon të marrë meritat.
Partia Socialiste kundërshtoi këtë mënyrë të “ndarjeve” të përgjegjësive duke kërkuar që analiza të bëhet në total dhe jo ndarazi në bazë të përgjegjësive. “Shumë gjëra na ndajnë, por na bashkon integrimi”, tha deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Në mbledhjen e sotme të komisionit ishte i pranishëm dhe kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui. Ai përshëndeti frymën konstruktive të diskutimit dhe theksoi se kjo është tregues i perspektivës evropiane që ka Shqipëria. Por nga ana tjetër ai theksoi dhe rëndësinë e plotësimit të 12 kushteve pasi nga kjo gjë varet edhe procesi i integrimit.
Tre ditë më parë u firmos në Tiranë marrëveshja e përbashkët e delegacionit të parlamentit shqiptar dhe delegacionit të Parlamentit Evropian për bashkëpunimin dhe për përmbushjen e 12 prioriteteve të BE, gjë e cila u arrit për herë të parë që prej vitit 2009.