Publikuar me : 05.12.2011 Ne :
Politike - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Teksa partitë politike shqiptare janë mbledhur për të diskutuar reformën zgjedhore dhe ndryshimet në Kodin Elektoral, Komisioni i Venecias ka përgatitur një raport, i cili prej një jave ndodhet në duart e krerëve të dy partive. “Shekulli” ka siguruar një kopje të këtij raporti ku ekspertët e Komisionit të Venecias shprehin shqetësimin për zgjedhjet e zhvilluara në vendin tonë duke kërkuar përmirësimin e legjislacionit. Sipas ekspertëve, përvoja e zgjedhjeve të fundit lokale të 8 majit tregoi se zgjedhjet nuk u zhvilluara në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE dhe Këshillit të Evropës. Mungesa e vullnetit të mirë mes aktorëve kyç zgjedhorë për të zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme dhe të drejtë, është shkaku kryesor sipas Komisionit të Venecias i problematikave të shfaqura në zgjedhjet e fundit.
Kolegji Zgjedhor
Komisioni i Venecias shpreh dyshime për formën e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Sipas saj, përcaktimi se vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë, rrezikon që kjo pikë e Kodit të bjerë ndesh me Kushtetutën që për nga hierarkia e burimeve të së drejtës, ka përparësi. “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Asnjë ankesë mund të bëhet kundër tij. Kjo dispozitë mund të ngrejë shqetësime kushtetutshmërinë”, thuhet në opinion. Ekspertët kërkojnë një sqarim më të mirë të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Kolegjit, veçanërisht të refuzimit të gjyqtarëve nga subjektet politike në momentin e hedhjes së shortit. Mungesa arsyes së përjashtimeve të gjyqtarëve, sipas opinionit rrit mungesën e transparencës dhe rrezikun e arbitraritetit. Ekspertët shkojnë edhe më tej, duke deklaruar se kjo praktikë shkon deri në ndikim politik në përbërjen e Kolegjit Zgjedhor dhe është e papajtueshme me parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Komisioni i Venecias dhe OSBE / ODIHR rekomandon rishqyrtimin e mundësisë për partitë parlamentare për të refuzuar një gjyqtar për Kolegjin Zgjedhor pa asnjë motivim.
KQZ
Drafti thekson se zgjedhjet lokale të 8 majit u karakterizuan nga polarizimi i madh dhe mungesa e besimit në mesin e dy partive kryesore politike. Kjo është edhe një nga sugjerimet e ekspertëve, të cilët kërkojnë ndryshimin e qëndrimit dhe praktikave të ndjekura deri tani nga grupimet kryesore politike dhe liderët e tyre duke cilësuar me rëndësi jetike paanshmërinë e administratës zgjedhore. Ndonëse jo në një të ardhme të afërt, ekspertët kërkojnë rishikimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të komisioneve të dyta dhe të treta, duke shmangur përbërjen politike dhe përfshirjen në propozimin e anëtarëve të institucioneve të tjera që gëzojnë një shkallë të caktuar të besimit në mesin e qytetarëve, me kusht arritjen e një konsensusi të gjerë. “Komisioni i Venecias dhe OSBE / ODIHR rekomandon rishqyrtimin e sistemit aktual të formimit të komisioneve zgjedhore, në mënyrë për të ngushtuar fushën e partiake e mundur dhe politizimi i administratës zgjedhore që i vë interesat partiake mbi interesat e votuesve. Dominimi i rolit të përfaqësuesve të partive politike në komisionet zgjedhore në të gjitha nivelet, mund të plotësohet duke emëruar, përveç përfaqësuesve të partive, zyrtarët e zgjedhur nga radhët e përfaqësuesve të gjyqësorit, shoqërisë civile apo të administratorëve profesionale të zgjedhjeve, pa përkatësi partiake”, theksohet në draft opinion. Ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen skeptikë për mundësinë e realizimit të kësaj reforme për shkak të “situatës jashtëzakonisht të vështirë për të identifikuar individë apo organe që konsiderohen të paanshëm dhe të cilëve mund t’ju besohet detyra e emërimit të anëtarëve ‘neutralë’ të KQZ-së. Një tjetër sugjerim i Komisionit të Venecias lidhet me emërimin e anëtarëve të qendrave të votimit, ku në shumë raste janë tërhequr nga partitë politike në momentin e fundit.
Mund të lejohet votimi i emigrantëve
Një pikë tjetër lidhet me listat zgjedhore, ku Venecia sugjerimin qartësimin e së drejtës së votimit, duke tërhequr vëmendjen për një tendencë në rritje për të zgjeruar të drejtën për të votuar në zgjedhjet lokale të qytetarëve, të cilët kanë qenë banorë vetëm për një periudhë të caktuar. Në opinionin e saj, Komisioni i Venecias kërkon përfshirjen e votimit jashtë vendit, një zgjedhje politike që sipas tyre nuk është kundër standardeve ndërkombëtare apo Evropiane. Por, edhe në këtë pikë, për shkak të politizimit tepër të madh, kërkohet kujdes për shkak të rreziqeve që mund të vijnë.
Financimet e partive të jenë online
Komisioni i Venecias kërkon deklarimin paraprak të fondeve që partitë politike do të përdorin për zgjedhje. Sipas ekspertëve, është e domosdoshme që subjektet të regjistrojnë në një regjistër të gjithë të ardhurat e tyre nga fondet jopublike dhe publikimin e tyre online në faqen e KQZ-së. “Komisioni i Venecias dhe OSBE / ODIHR rekomandon përfshirjen në dispozitat e Kodit zgjedhor, detyrimin e garuesve të publikojnë (për shembull, në faqen e tyre ose nëpërmjet KQZ) shpenzimet e tyre javore në periudhën e fushatës. Kjo do të çojë në kontrollin publik dhe nga media mbi shpenzimet”,- thuhet në pikën 88 të opinionit. Problematike, sipas raportit është edhe financimi me fonde publike të partive, të cilat janë parlamente. Kjo formë trajtimi, sipas Venecias cenon garën e barabartë. Për këtë kërkohen ndryshime në Kod për një balancim më të mirë të mënyrës së financimit nga fondet publike.
Si do numërohen votat “e gabuara”
Një vend të rëndësishëm në opinionin e Venecias zë edhe procesi i numërimit të fletëve të votimit si dhe i fletëve të kontestuara. Komisioni i Venecias dhe OSBE / ODIHR rekomandon që Kodi të adresojë saktësisht problemin e votave të hedhura në kutinë e gabuar. Ekspertët kërkojnë një procedure më të qartë për përfshirjen e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara. “Për shembull, fletët e votimit të tilla mund të vendoset në një grumbull të veçantë në tavolinë e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të gjitha kutitë e votimit nga një qendër votimi”,- rekomandon Venecia. Komisioni rekomandon vlerësimin e të gjitha votave të kontestuara tërësisht dhe ndryshimin e Kodit për të garantuar se vetëm këto vota, që janë objektivisht të qarta, nuk konsiderohen si të pavlefshme. Opinioni kërkon shkurtimin e kohës së publikimit të rezultatit, edhe pse e sheh të pamundur nëse nuk rritet numri i grupeve të numërimit të votave.
Sugjerimet e Opinionit të Komisionit të Venecias:
Rregullat e sigurimit të emërimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore në kohën e duhur dhe parandalimin e largimit të tyre përveç kur është e motivuar siç duhet, si dhe refuzimin e një gjyqtari për Kolegjin Zgjedhor pa asnjë motivim;
Ndryshimi dhe qartësimi i procedurave të numërimit të votave, sidomos në lidhje me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara;
Financimi i fushatës, si dhe veçoritë e zgjedhjeve në Tiranë;
Ndërhyrja në dispozita që kanë të bëjnë me eksesin në media gjatë fushatës
Eliminimi i boshllëqeve të tjera dhe paqartësive, për shembull lidhur me zbatimin e pragut zgjedhor në zgjedhjet lokale, kërkesat gjinore, ankimet dhe apelimet.