Publikuar me : 02.07.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 142 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja

Ashtu si edhe në licencën e parë 3G, tenderi fillon me një shumë minimale prej 12.5 milionë euro. Kjo shumë ishte cilësuar tepër e shtrenjtë nga kompanitë celulare për vetë kushtet e tregut në Shqipëri duke shprehur rezerva në lidhje edhe me rikthimin e investimit. Nëse ky pretendim ishte për licencën e parë, ku qeveria këmbëngulte se do të ofronte vetëm një të tillë, a ekzistojnë ende mundësitë që kompanitë të dalin me fitim duke shpenzuar një shuma të tillë edhe pse tashmë në treg ekziston një tjetër operator që ofron këtë shërbim? Në tenderin e parë, kompania fituese “Vodafone Albania” u fut në garë me ketë çmim fillestar duke marrë parasysh se do të kishte ekskluzivitetin e këtij shërbimi, por kjo nuk zgjati as 10 muaj dhe në treg do të futet një tjetër operator. Krahas dëmit që i bëhet kompanitë në këtë rast, e cila ofroi jo pak, por 31.4 milionë euro ajo që bën kompanitë e tjera të mendohet ka të bëjë me vlerën fillestar me të cilën hapet tenderi për licencën e dytë, plot 12.5 milionë euro. “Nëse tenderi për licencën e parë filloi me 12.5 milionë euro nuk është e logjikshme që edhe tenderi për licencën e dytë të fillojë po me këtë vlerë, nuk është i njëjti treg dhe do të jenë dy kompani që do të ndajnë tregun, si mund të jetë e njëjta vlerë?”, -shpjegon përfaqësuesi i njerës prej kompanive celulare në vend. Ashtu si edhe herën e parë, edhe tani kompanitë këmbëngulin në liberalizimin e këtij tregu, një mesazh tepër i qartë duke lenë të hapur edhe mundësinë e mospjesëmarrjes në tender, ashtu siç ndodhi edhe herën e kaluar ku “AMC” dhe “Plus” nuk dhanë fare oferta. Marrja ose jo pjesë të tre kompanive të tjera në tenderin e kësaj here mbetet një vendim që publikohet në momentet e fundit për shkak edhe të konfidencialitetit, por fakt është se shuma 12.5 milionë euro vetëm për licencën 3G është thuajse dyfishi i çmimit që operatori “Plus” për shembull pagoi për të marrë licencën për të qenë kompania e katërt të tregun e telefonisë së lëvizshme në vend.
Por cila është arsyeja që qeveria ndërroi mendje duke hequr dorë nga vendimi fillestar për një licencë të vetme 3G në treg? Presioni i kompanive por edhe ai i Komisionit Evropian janë dy prej tyre, por ka edhe shpjegime të cilat lidhen kryesisht me nevojë për më shumë para në buxhetin e shtetit. Kjo bëhet duke shfrytëzuar konkurrencën midis kompanive në treg, aq më tepër kur ka filluar edhe shërbimi i bartjes së numrit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një zgjidhje momentale për të gjeneruar të ardhura. Shuma 12.5 milionë euro konsiderohet tepër e lartë nga kompanitë dhe në rast fitimi të tenderit ato do të duhet të bënin një shpenzim të konsiderueshëm. Në mbyllje të bilancit, kjo shumë e shpenzuar do të ulte fitimin vjetor të kompanive dhe buxheti i shtetit nuk do të përfitonte nga vjelja e tatimit mbi fitimin.