Publikuar me : 29.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
E. Senja
Invalidët dhe të verbrit do të kenë disa përfitime financiare shtesë për shkak të statusit të tyre, gjatë vitit të ardhshëm. Ekzekutivi ndërmori disa ndryshime dje në ligjet për “Statusin e të Verbrit” dhe ligjin për “Statusin e Invalidit Paraplegjik dhe Tetraplegjik” duke parashikuar fillimisht ofrimin e një kompensimi për shërbimin e transportit për ta, por edhe shoqëruesit e tyre. Për masën e subvencionit do të vendosë qeveria në momentin që ndryshimet ligjore do të hyjnë në fuqi. Pjesë e ndryshimeve është edhe subvencionimi i faturës së energjisë elektrike dhe asaj të telefonisë fikse për këto dy kategori. Edhe masa e kompensimit për këto të fundit do të vendoset pas hyrjes së ligjit në fuqi. “Të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët kanë përfituar statusin, përfitojnë kompensim të faturës së energjisë elektrike dhe të faturës së telefonisë fikse. Masa, kriteret dhe procedura e përfitimit të këtij kompensimi financiar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”,- përcaktohet në ndryshimet ligjore të qeverisë.
Të verbrit dhe paraplegjikët përfitojnë edhe nga disa përjashtime të tjera për sa i përket taksave. Ata përjashtohen nga detyrimi për pagesën e Taksës së Televizorit si dhe kanë të drejtë të importojnë një autoveturë për përdorim vetjak pa iu nënshtruar pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Shteti gjithashtu përjashton të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë nga pagesat për kontributet shëndetësore dhe u jep të drejtën e përfitimit falas të barnave.
Buxheti subvencionon edhe me 800 mln lekë ISSH-në
Buxheti i shtetit do të subvencionojë edhe me 800 milionë lekë të tjera skemën e Sigurimeve Shoqërore. Qeveria miratoi dje, në mbledhjen e fundit të këtij viti, kalimin në llogari të Institutit të Sigurimeve Shoqërore edhe të 800 milionë lekëve, të cilat i bashkëngjiten 38.2 miliardë lekëve të parashikuara në formë subvencioni për vitin 2012. Shuma e marrë nga Fondi i Kontigjencës është kaluar fillimisht në llogari të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, nën varësinë e të cilës është ISSH-ja.
Skema has prej kohësh mungesa të theksuara në realizimin e të ardhurave duke bërë që çdo vit e më tepër, buxheti i shtetit t’a subvencionojë me para nga taksat e qytetarëve. Shuma e subvencionit është rritur së tepërmi kryesisht gjatë këtyre viteve të fundit, ku vetëm për 2012 parashikohet të shpenzohen rreth 380 milionë dollarë vetëm për të mbajtur skemën në këmbë.
Amnistia shtyhet deri në mars 2012
Bizneset dhe individët do të kenë mundësi që të përfitojnë deri në 31 mars nga lehtësitë që ofron ligji i faljes fiskale i miratuar në prill të këtij viti. Afati i ligjit përfundonte më datë 31 dhjetor 2011, por me anë të një vendimi të miratuar dje, qeveria shtyu aplikimin e tij deri në mars 2012. Deri më tani, ligjin e kanë shfrytëzuar më së shumti individët dhe kryesisht për rivlerësimin e pasurive, kurse bizneset kanë qenë më indiferente për shkak të paqartësive që ka shoqëruar këtë proces. Disa ditë më parë, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se nisma nuk kishte realizuar qëllimin e pritur nga qeveria për shkak të keqmarketimit që iu bë ligjit.
Licenca 3G, tenderi i tretë fillon nga 12.5 mln euro
AKEP pritet të shpallë së shpejti tenderin për shitjen e licencës së tretë për shërbimin 3G në Shqipëri. Ashtu si edhe në dy tenderët e parë, gara fillon nga një çmim minimal prej 12.5 milionë euro, ndërsa Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë lajmëron se rregullat do të jenë të njëjta për kompanitë ashtu si edhe në tenderët e parë. Dy licencat e para janë fituar nga “Vodafone” kundrejt një shumë prej 31.4 milionë euro në nëntor 2010 dhe “AMC” kundrejt shumës 15.1 milionë euro në tetor të këtij viti. Tashmë janë vetëm dy kompani që nuk ofrojnë ende shërbimin 3G në Shqipëri, “Eagle Mobile” dhe “Plus”, për të cilat zhvillohet edhe tenderi. Që prej tenderit të parë, kompanitë kanë kërkuar liberalizimin e tregut të 3G në vend duke marrë parasysh specifikat e tij për t’i dhënë mundësi të gjithë t’a ofrojnë si shërbim. Shqipëria është një treg i vogël dhe shitja në këtë vlerë e licencës sipas kompanive përbën kosto të lartë. Të dyja kompanitë e mbetura e kanë të instaluar teknologjinë 3G dhe nëse ndonjëra do të marrë pjesë në tender dhe do të fitojë, shërbimi pritet të ofrohet shumë shpejt.
Administrata, 415 të punësuar sezonal në 2012
Asnjë i punësuari i ri nuk do të merret në administratën publike gjatë vitit të ardhshëm, përveç atyre që do të rekrutohen në punë me kontratë të përkohshme. Qeveria miratoi dje numrin e punonjësve të kontratë të përkohshme për secilin institucion të qeverisjes qendrore që do të rekrutohen gjatë vitit të ardhshëm. Janë 415 persona që do të punësohen për 3, 6, 9 apo 12 muaj në institucionet e qeverisjes qendrore gjatë gjithë 2012-s. Punonjësit në fjalë merren kryesisht për mirëmbajtjen e institucioneve apo shërbime dytësore, për të cilat nuk nevojitet punësimi me kohë të plotë i individëve. Punë të tilla janë edhe mirëmbajtja e vilave qeveritare apo lulishteve të tyre në qytete të ndryshme të vendit, për të cilat punësohen zakonisht kopshtar, elektricist, roje, etj.
Krahas kësaj, qeveria ka lejuar disa institucione të tjerë që nuk kanë të bëjnë me qeverisjen qendrore që të bëjnë rekrutime punonjësish me kontratë të përkohshme për nevojat e tyre. Një ndër ta është Instituti i Statistikave, i cili do të mund të punësojë anketues të përkohshëm për veprimtarinë e tij. ALUIZNI gjithashtu do të punësojë 15 persona. Shërbimi Informativ i Shtetit gjithashtu do të punësojë 20 punonjës të rinj gjatë vitit të ardhshëm. Punonjës të rinj do të rekrutohen edhe nga Ministria e Bujqësisë.