Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Kontrabanda Shqiperi-Kosove, nacionalizem dhe pragmatizem

Publikuar me : 18.12.2011 Ne : Kronike - 82 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Flamur VEZAJ

 

TIRANË – Bllokimi i kalimit kufitar në kufirin verior me Serbinë prej shumë muajsh po forcon midis Kosovës dhe Shqipërisë disa lidhje tregtare të paligjshme, të cilat frymëzohen nga nacionalizmi dhe sidomos pragmatizmi ekonomik. Niveli i kontrabandës midis dy anëve të pikës kufitare të Morinës njeh rritje të vazhdueshme, kjo edhe falë mosndërhyrjes energjike të policive të dy vendeve. “Uroj që të mbyllet përgjithmonë kufiri me Serbinë, që të rritet import-eksporti midis Shqipërisë dhe Kosovës. Jemi një gjak dhe një komb, prandaj midis nesh duhet të ketë më tepër shkëmbim të mallrave, edhe pse pa doganë. Të fuqizohemi ekonomikisht, sepse kemi mbetur prapa si rajon”, – thotë pa pranuar të identifikohet një pronar lokali në anën shqiptare të kufirit. Disi më praktikë janë tregtarët kosovarë, të cilët janë thjesht të detyruar të kalojnë mallra pa doganë nga Shqipëria për mungesë zgjedhjeje dhe për arsye se duhet të fitojnë pa e rritur shumë çmimin e mallit deri te konsumatori kosovar. Pijet freskuese të gjigantit “Coca-Cola”, “Schweppes” dhe “Ice-Tea”-t e ndryshme nuk prodhohen në Kosovë dhe megjithëse këto pije janë të destinuara vetëm për tregun e brendshëm të prodhuesve shqiptarë, ato e kalojnë përditë kufirin në mënyrë të paligjshme nëpër automjete e furgonë. Edhe prodhime të ndryshme greke futen në Kosovë nga Shqipëria me të njëjtat skema e mjete, duke habitur edhe vetë konsumatorët kosovarë përballë mbishkrimeve “Made in Greece”.

Pijet dhe mallrat e tjera të kontrabanduara kalojnë fillimisht kufirin dhe më pas grumbullohen në magazina apo lokale të caktuara në fshatin e Vërmicës, Shkozës apo edhe në qytetin e Prizrenit. Që aty fillon shpërndarja nëpër lokale dhe dyqane me pakicë. “Shumë pije të njohura me gaz nuk prodhohen tek ne, prandaj i blejmë në Shqipëri. Ato i kalojmë kontrabandë, sepse nuk na e mban xhepi të paguajmë doganë. Këto pije janë shumë të kërkuara në Kosovë, por është rritur me një euro për 6-she me Coca-Cola, prandaj duhet të fitojmë diku”, – tregon Adil Memaj, pronar dyqani në fshatin Zhur.

E.S., nga Shqipëria, një transportues 45-vjeçar në timonin e një fugoni “Mercedes” blu, rrëfen se kalimin e mallrave kontrabandë midis dy vendeve e bën prej vitesh, duke nxjerrë edhe jetesën e familjes së tij me rreth 450 USD ose më shumë në muaj, në varësi të rrugëve që bën dhe të herëve që shpëton pa iu kapur malli. Një tjetër transportues, N.K., nga Kosova, e përdor furgonin e tij të bardhë për të kontrabanduar pije drejt Kosovës dhe miell, vaj e ushqime për kafshët drejt Shqipërisë. Ai është i vetëdijshëm, që rrezikon burgun nëse do të kapet nga policia, por shpjegon se me pak lek dhe me të njohur ka kaluar pa probleme deri tani. Ai shton se nuk ka zgjedhje tjetër, pasi shteti nuk e ndihmon të gjejë një punë të ligjshme. Njëlloj si ai mendojnë dhe veprojnë të gjithë transportuesit e tjerë shqiptarë e kosovarë, që përfitojnë nga mangësitë e sistemit policor e doganor në Morinë për të mbuluar me ofertën e tyre të gjitha kërkesat në tregun kosovar.

 

 

 

Serbia bën sërish “të fortin” ndaj Kosovës

 

Lulëzimi i trafiqeve dhe kontrabandës në pikën kufitare të Morinës midis Kosovës dhe Shqipërisë vjen si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve tregtare “ngriva-shkriva” midis Prishtinës dhe Beogradit si pasojë e bllokimit të kufijve nga ana e Serbisë. Siç konfirmohet edhe nga autoritetet doganore kosovare, vetëm gjatë periudhës së bllokadës serbe dhe masave të reciprocitetit vendosur nga republika e re, shkëmbimet tregtare të regjistruara midis Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur me të paktën 30 për qind. Në mënyrë të ligjshme, kufirin nga Kukësi në Vërmicë e kanë kaluar më shumë lëndë hidrokarburesh, materiale ndërtimi, prodhimet bujqësore dhe mobiliet. Doganat kosovare deklarojnë, se vetëm për periudhën janar-shtator 2011 Shqipëria ka eksportuar drejt vendit fqinjë mallra me një vlerë 65 milionë euro, ndërsa ka importuar nga Kosova prodhime me një vlerë 21 milionë euro. “Ka patur edhe 26 raste të kalimit kontrabandë, por kjo nuk përbën shqetësim, sepse bëhej fjalë për kapjen e mallrave me vlera të ulëta”, shprehen zyrtarë të doganave në Kosovë.

E njëjta situatë tregtare e pafavorshme për shtetin kosovar është bërë e detyrueshme edhe në kufirin me Serbinë. Sipas së përditshmes kosovare “Koha Ditore”, raporti tregtar mes Kosovës dhe Serbisë gjatë muajve të vjeshtës ka qenë 100 me 1 në favor të Serbisë. Megjithëse Prishtina vendosi për heqjen e masave të reciprocitetit më 16 shtator pas marrëveshjes për vulat doganore të sigluar më 2 shtator në Bruksel, përsëri autoritetet serbe vazhdojnë t’i pengojnë eksportet kosovare drejt shtetit të tyre, ndërsa nuk ndodh e njëjta gjë me eksportet serbe përtej kufirit të tyre jugperëndimor. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, pohoi se “deri më tani kemi regjistruar mbi 70 maune, që kanë eksportuar mall në Serbi që nga heqja e masave të reciprocitetit. Për sa i përket importit nga Serbia, deri më tani janë afro 3.000 ngarkesa kryesisht me material ndërtimor dhe ushqime”. Nga të dhënat zyrtare të shtetit kosovar rezulton, se nga Serbia hyjnë çdo ditë mesatarisht 150 maune me mallra drejt Kosovës. Vlera financiare mesatare e çdo maune serbe përllogaritet në rreth 10 mijë euro, prandaj prodhuesit e Serbisë fitojnë 1.5 milionë euro çdo ditë, apo thuajse 500 milionë euro çdo vit. Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, gjatë një prononcimi për media, patë thënë se kosovarët kanë produkte të mjaftueshme për të eksportuar në Serbi, vetëm se ato hasin vështirësi shitjeje në tregun serb. Ai rrëfen se eksporti me Serbinë është në nivelin më të vogël të mundshëm, në krahasim me mundësitë, për shkak se konsumatori serb nuk e dëshiron produktin e shkruar në gjuhën shqipe apo të markës “Made in Kosovo”. “Specat nuk kanë mbishkrim se nga vijnë, prandaj arrijmë t’i eksportojmë në Serbi. Çdo gjë tjetër është e pamundur të shitet atje. Prodhuesit kosovarë e kanë të vështirë të gjejnë treg në Serbi. Konsumatorët atje kanë një vetëdije më të lartë nacionaliste dhe vështirë të binden për konsumimin e prodhimeve kosovare”, shtoi Shahini. Nga ana e tyre, serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë të favorizohen nga aktivitetet e paligjshme të kontrabandës. Milan Ivanoviç, nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se, pavarësisht bllokimit të rrugëve me barrikada nga serbët në veri të Kosovës dhe mosfunksionimit normal të të dyja vendkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në zonat e banuara nga pakicat serbe nuk ka ndonjë mungesë të mallrave të konsumit të përditshëm apo çrregullim të furnizimit me to. Ky shkrim u realizua edhe me ndihmën e Agjencisë Daneze për investigimin, “SCOOP”.

 

Si bëhet kontrabanda

TIRANË – Një shofer furgoni ngjyrë të bardhë e me targa të vjetra shqiptare shpjegon skemën e kalimit të paligjshëm të kufirit me mallra kontrabandë: “Me mbylljen e kufirit me Serbinë është rritur shumë puna për ne shqiptarët. Me pak fat, sot bëj edhe katër rrugë në ditë, ndërsa dikur vetëm një. Unë transportoj mall kontrabandë për një firmë private, që furnizon tregun e Kosovës me pije të ndryshme freskuese. Pronari i firmës kosovare më jep porosinë. Unë blej mallin në Shqipëri, mbush furgonin dhe kaloj kufirin. Nëse në doganën shqiptare apo kosovare më hapin ndonjë problem, unë njoftoj pronarin dhe menjëherë më lejojnë të kaloj, sepse e zgjidh pronari me telefon. Pasi dorëzoj mallin, marr edhe shpërblimin e caktuar”.

Llojet e mallrave kontrabandë

Sipas gazetës kosovare “Koha Ditore”, që citon burime zyrtare të doganës së Morinës, shkëmbimet e paligjshme tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës përfshijnë materialet e ndërtimit, pijet freskuese, lëngjet e frutave kryesisht greke, si edhe miellin apo ushqimin për bagëtinë. Zyrtarët e doganës së Morinës shpjegojnë gjithashtu, se kontrabandistët në të dy anët e kufirit e kishin gati skemën e kalimit të paligjshëm të kufirit që përpara 25 korrikut, datës së vendosjes së masave të reciprocitetit. Përpara asaj date, në Shqipëri futeshin kontrabandë nga Kosova mallra si mielli dhe misri kokërr si ushqim për blegtorinë, që ishin produkte serbe. Për këtë ishin të interesuar vetë biznesmenët e mëdhenj të miellit në Shqipëri. Me mbylljen e kufirit kosovaro-serb, furgonët e Kukësit mbetën pa punë dhe u detyruan të transportojnë pije freskuese të prodhuara në Shqipëri dhe lëngje frutash “Made in Greece” drejt Kosovës. Në të dyja rastet, kontrollet doganore në të dy anët e kufirit në Morinë nuk kanë qenë shumë të rrepta. F. Vezaj

 

Edhe armë e municione kontrabandë mes Shqipërisë dhe Kosovës

Në javën e dytë të dhjetorit, autoritetet kosovare në pikën kufitare të Vërmicës zbuluan 7572 fishekë të kalibrit 7,62 mm për armën AK-47 (Kallashnikovi), që ishin fshehur në bagazhin e një makine të drejtuar nga dy shtetas kosovarë. Ky aksion vërteton dyshimet e autoriteteve policore të të dy vendeve, sipas të cilave pika kufitare e Vërmicës nuk përdoret vetëm për kontrabandën e ushqimeve dhe mallrave të konsumit, por edhe për armët, municionet dhe lëndët narkotike. E gjithë kjo situatë është krijuar pikërisht për shkak të mangësive në kontrollin e hyrje-daljeve kufitare nga ana e autoriteteve policore e doganore në të dy vendet. Vetëm për vitin 2011, policia kufitare e Kosovës konfirmon kapjen e sasive të vogla të hashashit, municioneve të ndryshme (në 24 raste të ndryshme), armëve të gjahut, pistoletave, automatikëve. Ky institucion pohon edhe disa raste të kontrabandës së ilaçeve, cigareve, orëve të dorës, vajit e mallrave ushqimore.

 

 

Ditët e bukura të reciprocitetit

40-ditëshi i embargos ndaj prodhimeve serbe mund të mbetet vetëm një kujtim i mirë për prodhuesit kosovarë, nëse nuk merren masa për mbrojtjen e prodhimeve vendore. Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, i druhet gjasave se Serbia nuk do të furnizohet më nga tregu kosovar. “Prodhuesit kosovarë kanë pasur një rritje të prodhimit dhe të shitjes gjatë kësaj periudhe. Ama, për 40 ditë nuk mund të fitohet asnjë treg. Frika jonë është se edhe kjo rritje e prodhuesve vendorë mund të bjerë, nëse ne nuk krijojmë politika antidumping. Prodhuesit serbë mund të kthehen në tregun kosovar me çmime shumë më të ulëta, vetëm e vetëm për ta rimarrë tregun. Kjo do të dëmtonte të gjithë prodhuesit në Kosovë”, – deklaron Rukiqi. Mbrojtje nga prodhuesit serbë, që po ripushtojnë tregun kosovar të favorizuar nga politikat e Serbisë, kërkojnë edhe vetë prodhuesit. Bashkim Osmani, pronar i fabrikës së lëngjeve të frutave “Dona”, shprehet për disa informacione, sipas të cilave qeveria serbe i ka premtuar eksportuesve serbë në Kosovë, se do t’u japë subvencione. Kjo do t’i lejonte tregtarëve serbë, që të ofronin çmime disa herë më të ulëta për konsumatorin kosovar, gjë që, sipas Osmanit, do të binte ndesh edhe me parimet e konkurrencës së ndershme. Ai nuk pret që qeveria e Kosovës të subvencionojë atë dhe prodhuesit e tjerë kosovarë, por kërkon të paktën një ndërhyrje të Prishtinës me politika të reja të lehtësimit fiskal.

 

 

Doganieri: Kontrabanda nuk është ndalur ndonjëherë

“Kontrabanda e pijeve është prej kohësh një problem i pazgjidhshëm, që vijon edhe pse organet e rendit në dy anët e kufirit punojnë për ta parandaluar. Kontrabandistët janë persona të zonës, të cilët me ndihmën e disa furgonëve të mbyllur ose të hapur i kalojnë pijet freskuese pa problem nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Doganierët e Kosovës marrin para nën dorë ose i kanë të njohur, prandaj nuk i kontrollojnë. Gjithashtu, policia kufitare e Shqipërisë nga muaji qershor 2011 nuk i kontrollon më makinat që hyjnë në Kosovë, por vetëm ato që hyjnë nga Kosova në Shqipëri. Bizneset e Prizrenit janë aktorët më të interesuar për vijimin e kësaj situate, për shkak se arrijnë të mbulojnë kërkesën e tregut të tyre rajonal me mallrat, që prodhohen vetëm në Shqipëri.”

 

 

Kosovarët, drejt tregut shqiptar pas masave të reciprocitetit me Serbinë

“Ne jemi të detyruar, që të marrim mall në Shqipëri, pasi në Kosovë nuk prodhohet ky lloj malli. Deri para disa muajsh pijet dhe të tjerat vinin nga Serbia, ndërsa tani shkojmë edhe vetë në Shqipëri, duke kaluar një herë në tre ditë me makinë”, – thotë B.Kurtaj, administrator i një restoranti pranë pikës së kalimit kufitar të Vermicës. Edhe N.Sulaj, pronar i një tjetër restoranti buzë liqenit brenda kufirit kosovar, rrëfen se “ne furnizohemi në Shqipëri me pije, pasi ka mangësi të mëdha në Kosovë. Mallrat i kalojmë dhe i marrim vetë pa e paguar doganën, duke transportuar shpesh sasi të vogla disa herë radhazi”.

 

 

Tatimet: Rriten të ardhurat e bizneseve në Prizren

Drejtori i Tatim-Taksave për Prizrenin, Shaqir Totaj, deklaron: “Për sa i përket masave të reciprocitetit Kosovë-Serbi dhe ndikimit të tyre në ndryshimin e të hyrave buxhetore, mendimi im profesional dhe jo zyrtar është, se kjo situatë ka ndikuar më shumë në strukturën dhe origjinën e importeve se drejtpërdrejt në të hyra. Importet e rritura mund të jenë importe nga bizneset importuese, të cilat nuk janë të gjitha të regjistruara dhe veprojnë në rajonin e Prizrenit por pa ndikuar tek tatimet në nivel rajonal. Bëhet fjalë vetëm për biznese të vogla, që përfitojnë nga situata duke përdorur Shqipërinë, meqë kanë mbetur pa furnizim”.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Anetaret e Shtepise se Verdhe kunder hetimeve, hyjne ne greve urie

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kronike - Lexuar : 26 here.
Anetaret e Shtepise se Verdhe kunder hetimeve, hyjne ne greve urieShtëpia e Verdhë, foto arkiv Anëtarët e familjes Katuçi në Gurrë të Matit kanë hyrë në grevë urie kundër hetimit për akuzat e ish-senatorit, Dik Marty për transplant organesh njerëzore në “Shtëpinë e Verdhë”. Kryetari i komunës Gurrë, Mustafa Celami konfirmoi lajmin, teksa shton se ka negociuar me ta për të shmangur grevën, pasi janë përfshirë të 15 anëtarët e çdo moshe. Të nxitur nga ky veprim ekstrem i familjes Katuçi, në kërkim të të drejtave të...Lexo te gjithe artikullin »


» Durres, kapen ne port dy te shpallur ne kerkim
» Ndalohen dy persona te shpallur ne kerkim ne portin e Durresit
» Arrestohet 22-vjecari, u vidhte njerezve vareset nga qafa
» Tragjedia e Himares, dy studente dergohen ne Austri
» Shkoder, pezullohen ekskursionet
» Mal i Zi, vdes ne aksident shqiptari
» Tragjedia e Himares, Policia Shkak shpejtesia
» Greqi, kapen 112 kanabis, vinte nga Shqiperia
» Kunati i ministres Bregu ne gjyq per lotarite pa licence
» Alarm i rreme per bombe tek ish-parku “Rinia”

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit