Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Kosova e Havelit, pas 12 vjetesh

Publikuar me : 20.12.2011 Ne : Kuriozitete - 60 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ardian Vehbiu

Rasti e deshi që, kur u njoftua këto ditë vdekja e Václav Havelit, këtij shtetari të madh të Europës post-komuniste, të isha duke lexuar një artikull të filozofit Slavoj Zhizhek, i cili polemizonte me qëndrimin e të ndjerit ndaj çështjes së ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, qëndrim që Haveli e kishte formuluar gjatë një fjalimi të mbajtur në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Kanadasë më 29 prill të vitit 1999, ose gjashtë javë pas fillimit të bombardimeve.

Ndryshe nga shumë qytetarë çekë dhe gjetiu në Europën Lindore, madje edhe kolegë të tijtë si kryeministri çek Milosh Zeman që e kish krahasuar konfliktin për Kosovën me një skenë ku “shpellarë gjuajnë me gurë”, Haveli po e shprehte haptazi mbështetjen e vet për NATO-n dhe thoshte se ndihej i “turpëruar” nga kundërshtimi i kësaj ndërhyrjeje, prej bashkatdhetarëve të vet.

Me fjalën e tij në parlamentin kanadez, ai i shpjegoi botës mbarë se pse ndërhyrja e Aleancës Atlantike në Jugosllavi përbënte një moment kyç në evolucionin e marrëdhënieve ndërkombëtare; dhe pse ai vetë, Haveli, e përkrahte atë ndërhyrje pa rezerva.

Lufta e NATO-s në Kosovë dhe bombardimi i Jugosllavisë, vërejti Presidenti i Çekisë, ishin ndoshta e para luftë që nuk u ndërmor në emër të “interesave” kombëtare, por në emër të parimeve dhe të vlerave – ishte pra luftë e nisur për arsye etike.

Kjo sepse, gjithnjë sipas Havelit, kishte ikur tashmë koha e lavdisë së shtetit-komb dhe të primatit të tij në marrëdhëniet ndërkombëtare – së bashku me privilegjin e këtij shteti për të vrarë ose për t’u kërkuar qytetarëve të vdesin në emër të tij.

Qeniet njerëzore ishin më të rëndësishme se shteti.

Madje, edhe dashuria e verbër për atdheun, një dashuri që nuk njeh asgjë tjetër veç vetes dhe që refuzon gjithçka tjetër ngaqë është e ndryshme, ishte bërë tashmë “një anakronizëm i rrezikshëm, një burim konflikti dhe, në raste të skajshme, i vuajtjeve njerëzore të jashtëzakonshme.”

Haveli e shihte ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si preludin e një epoke të re, kur shtetet do të fillojnë të ndryshojnë, të ripërmasohen dhe të stabilizohen si njësi administrative racionale; me ç’rast edhe ideja e mosndërhyrjes duhej braktisur njëherë e përgjithmonë.

Edhe pse nuk kërkonte doemos shpërbërjen ose zhdukjen e shteteve-komb, Haveli theksoi se ka diçka që ka vlerë më të madhe se shteti – dhe kjo diçka është të qenët njeri, humaniteti. Çka do të thotë se “të drejtat e njeriut janë superiore ndaj të drejtave të shteteve; dhe liritë njerëzore përfaqësojnë një vlerë më të lartë se sovraniteti shtetëror.” Që këtej rridhte se “Ligji ndërkombëtar që mbron qenien njerëzore unike ka përparësi ndaj ligjit ndërkombëtar që mbron shtetin.”

[Fjala e Havelit, me titull “Kosovo and the End of the Nation-State” është botuar nga The New York Review of Books, 10 qershor 1999.]

Në fjalën e vet, Haveli bëri thirrje që vendet e veçanta të fillonin të braktisin kategorinë e “interesave kombëtarë” që deri më sot ka përcaktuar mendimin e tyre politik; meqë interesat kombëtarë ka më shumë të ngjarë të na ndajnë, si njerëz, sesa të na bashkojnë. Edhe pse ka interesa kombëtarë që janë të ligjshëm dhe duhen mbrojtur, tha presidenti çek, ne duhet të pranojmë se përtej këtyre interesave ekzistojnë parimet, dhe se janë parimet që përcaktojnë nëse interesat janë legjitime apo jo; dhe parimet nuk mund të identifikohen me interesat e këtij apo të atij shteti – por në vetvete.

Vëmendja e admirueshme e Havelit për të drejtat e njeriut ishte përgjigje adekuate ndaj argumenteve të sjella nga Milosheviçi dhe mbrojtësit e integritetit të Jugosllavisë, anembanë botës, kundër ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë. Megjithatë, nuk mund të mos shohësh ironinë e situatës së krijuar dhjetë vjet më pas, kur lufta e djeshme në Kosovë na ka lënë trashëgim, në Ballkan dhe më gjerë në botë, çështjen e njohjes së shtetit të Kosovës, si shtet i pavarur.

Dhe ironia ka të bëjë pikërisht me faktin që, në parashtresën e vet, Haveli e lidhi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë me nevojën për të hequr dorë nga primati i shtetit-komb, në emër të respektit absolut për të drejtat e njeriut.

Duke ndikuar që shteti i ri në Kosovë të përftohet si multietnik dhe multikulturor, tutorët dhe kumbarët ndërkombëtarë u munduan të mishërojnë, në themelet e tij, frymën humanitare të burrave të shtetit si Haveli, të cilët luftën e atëhershme e përkrahën dhe e përligjën me argumente filozofike dhe etike, jo thjesht historike dhe politike.

Ajo ishte një luftë kundër të drejtave të një shteti sovran, Serbisë së Milosheviçit, për të vepruar sipas interesave të vet, brenda territorit të vet; prandaj edhe argumenti i Havelit është se, “ndërsa shteti është një krijim i njeriut, qeniet njerëzore janë krijim i Zotit,” dhe se “shtetet ekzistojnë për t’u shërbyer njerëzve”, jo e kundërta. Ky argument është i vështirë për t’u kundërshtuar, madje edhe nga ateistët; pa çka se është përdorur, tani vonë, edhe për të përligjur ndërhyrje të tjera të Perëndimit, si kjo e fundit kundër Kadafit në Libi; por se shumë ujë ka rrjedhur në këto dhjetë vjet e kusur, që nga Lufta e Kosovës, dhe autoriteti i Perëndimit, i NATO-s dhe i ShBA në botë nuk është më ai i vitit 1999; dhe kjo rënie, madje rrëgjim i autoritetit Perëndimor, ka ndikuar edhe në mënyrë prapavajtëse, duke i bërë shumë njerëz të rivlerësojnë qëndrimin e tyre ndaj bombardimit të dikurshëm të Serbisë.

Filozofi Slavoj Zhizhek, në një artikull të botuar pas pak muajsh në London Review of Books (28 tetor 1999), e kritikoi qëndrimin e Havelit në favor edhe të ndërhyrjes së NATO-s, edhe të së drejtave të njeriut që aq shpesh nëpërkëmben prej shteteve-kombe në emër të nacionalizmit dhe të “popullit”. Argumentin e presidentit të Republikës Çeke se “qeniet njerëzore janë krijim i Zotit” Zhizheku e pa si shprehje të fundamentalizmit fetar dhe qëndrimin e Havelit, të nyjëtuar në fjalën e mësipërme, si manifestim të çka e kanë quajtur “humanizëm militarist”, ose edhe “pacifizëm militarist.”

Sipas Zhizhekut, paradoksi i bombardimit të NATO-s kundër Serbisë kishte lidhje me ideologjinë e viktimizimit: kur NATO-ja ndërhyri për të mbrojtur viktimat kosovare, ajo u sigurua, në të njëjtën kohë, që këto të mbeteshin viktima, ose banorë të një vendi të shkatërruar, me një popullatë pasive; që nuk u inkurajuan të bëheshin një forcë politike-ushtarake aktive, në gjendje për të mbrojtur veten. Ky është paradoksi bazë i viktimizimit, shkroi Zhizheku: “Tjetri që duhet mbrojtur është i mirë sa kohë që mbetet viktimë (prandaj edhe na bombarduan me foto të nënave, fëmijëve dhe pleqve kosovarë të dëshpëruar, që tregonin histori prekëse për vuajtjet e tyre); momenti kur ky Tjetër nuk sillet më si viktimë, por dëshiron të reagojë vetë, ai kthehet krejt papritur në terrorist, fundamentalist, trafikues droge. Kjo ideologji e viktimizimit global, identifikimi i subjektit njerëzor si ‘diçka që mund të dhunohet’, i shkon për bukuri kapitalizmit të sotëm global, pa çka se mbetet e padukshme për syrin publik më të shumtën e kohës.”

Natyrisht, Zhizheku nuk e formuloi qartë, në këtë kritikë ndaj Havelit, qëndrimin e vet ndaj bombardimeve dhe ndërhyrjes së armatosur të NATO-s; në një kohë që Haveli, teksa e shpjegoi haptazi idenë e vet për ripërmasimin e rolit ndërkombëtar të shtetit-komb, nuk tha asgjë për të ardhmen e kombeve vetë, në një botë futuristike të sunduar nga organizma mbikombëtarë si OKB-ja në nivelin global dhe institucionet e shoqërisë civile në nivelin lokal.

Fakti është që Kosova vërtet mund të jetë ideuar, si shtet multikultural, nga njerëz të ndriçuar, që u frymëzuan prej ideve të lavdërueshme të Havelit; por sa më shumë që kalon koha, aq më shumë po dalin në pah, në politikën e atjeshme, pikërisht ato “interesa kombëtarë” kundër të cilave ishte shprehur, fare haptazi, presidenti çek; dhe çështja e Kosovës sot në Ballkan nuk mund të ndahet nga çështja kombëtare shqiptare, e cila për shumë kombas shqiptarë është ende e pazgjidhur dhe nuk mund të zgjidhet veçse nëpërmjet bashkimit të trojeve të banuara nga shqiptarë në një shtet të vetëm.

Edhe një herë – ironia e historisë, në këtë rast, ka të bëjë me atë që lufta e NATO-s kundër Serbisë u themelua mbi një filozofi të së drejtave të njeriut, që e shpërfillte në thelb sovranitetin e shteteve-komb dhe primatin e shtetit ndaj qytetarëve të vet dhe individit njerëzor në përgjithësi; mirëpo rezultati i sotëm, i saj lufte, është gjallërimi në Ballkan i një konflikti dhe i një lëvizjeje politike, sado difuze dhe folklorike, që synon përftimin e një shteti-komb të përbashkët të shqiptarëve; lëvizje që nuk do të ishte bërë e mundshme, pa u shkëputur më parë Kosova prej sovranitetit serb.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 55 here.
Fatos Mahmutaj Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës të vrarit më 21 janar, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje, pasi akuzoi publikisht kryeministrin Sali Berisha, se i kishte dërguar njerëz në shtëpi me foton e vrasësit të vëllait. Kushti ishte që të pranonin Berishën në shtëpi. Më kot u mundua Berisha të blinte gjakun e dibranit fisnik Hekuran Deda duke trokitur ditën e mortit në shtëpinë e tij. Madje jo ditën sipas traditës së mirë shqiptare, por natën...Lexo te gjithe artikullin »


» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit