Publikuar me : 15.09.2011 Ne :
Politike - 91 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve votoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8-majit. KQZ-ja, nisi mbledhjen e sotme, me debate, kur edhe anëtarët e PS-së kanë braktisur mbledhjen. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka kërkuar që të respektohet fjala e partive politike për të diskutuar.
“Nuk mund t`i ndërpresësh fjalën përfaqësuesit të opozitës. Do ju kërkoja ose të ndërprisni seancën e të rikthehemi, ose jepini fjalën përfaqësuesve të PS-së. Shumë keqardhje për këtë komunikim sepse kryetari me ligj nuk mund t`ia ndërpresë fjalën nënkryetaren.
Ndodhem në mënyrë të papritur në këtë mbledhje të kësaj problematike. Nuk mund të ndodhte ndryshe nga i gjithë procesi zgjedhor, këtë pasqyroi edhe kjo mbledhje e fundit e thirrur nga ju për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Kuptova shumë mirë që ju nuk dëshironi që ne të themi fjalën për atë që ka ndodhur në procesin zgjedhor. Akti që kemi është një vendimarrje që do të marrë vëmendjen time siç kam bërë në çdo raund zgjedhjesh që janë bërë në Shqipëri”, u shpreh Subashi.
Nga ana tjetër, kryetari i KQZ-së, Ristani theksoi se debatet për zgjedhjet kanë mbaruar dhe ato nuk janë në rend të ditës. Sipas tij në rend të ditës është diskutimi në parim për aktin që është diskutuar. “Kam thirrur mbledhjen me rend të ditës shpalljen e rezultatit përfunditmar që do të votohet në dy faza. Ju lutem diskutime për parime, nëse do të diskutoni jashtë rendit të ditës do ju ndërpres fjalën”, u shpreh Ristani.
Pas 4 muajsh, KQZ nxjerr sot rezultatin e zgjedhjeve vendore
Luis Tanushi
Më shumë se katër muaj pas 8 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se do ti japë fund “telenovelës” së zgjedhjeve vendore duke miratuar rezultatin përfundimtar për të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë. Në projektvendimin e hartuar nga administrate e institucionit dhe që do të diskutohet sot është përpiluar tabela me rezultatin e votimit për kandidatët për kryetar bashkie dhe komune, të cilët janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore përkatëse. Projektvendimi përmban edhe numrin e votave të fituara nga secili subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në rezultatin e votave të fituara nga çdo subjektet zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se pesë ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Por mbledhja duket se nuk do të jetë e qetë pasi priten debate të forta ndërmjet anëtarëve të KQZ-së, të cilët kanë treguar se kanë qenë të përçarë në vendimmarrjen e tyre gjatë zgjedhjeve vendore. Për më tepër për miratimin e vendimit për rezultatin përfundimtar nevojiten pesë vota. Nëse tre anëtarët e majtë të këtij komisioni nuk do të japin konsensusin e tyre, do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që të do detyrohet të mblidhet sërish për tu shprehur.
Në projektvendim është bërë një histori e zgjedhjeve, por duke anashkaluar pjesën e Kolegjit Zgjedhor duke mos u thelluar në problematikën e shfaqur si ndryshimi i rezultatit në tavolinë apo edhe procesi katër mujor i përfundimit të proceseve ankimore në gjykatë.
“KQZ dispononte rezultatin e votimit për 375 kandidatë për kryetar njësie dhe rezultatin e votimit për 381 këshilla vendorë. Në përfundim të procesit të ankimit në rrugë administrative në KQZ dhe ankimit në rrugë gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor, KQZ vendosi të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në 10 njësi zgjedhore me datë 31.07.2011. Në 2 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve si për kryetarin dhe për këshillin, në 7 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve vetëm për kryetarin dhe në 1 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve vetëm për këshillin”, citohet në projektvendim.