Publikuar me : 12.09.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Java ka nisur me një ditë të vështirë për bursat europiane. Në bursat e zonës euro është shënuar rënie, e cila është thelluar sidomos pas incidentit në impiantin bërthamor në Francë. Bursat italiane janë hapur me një rënie prej rreth -3.8 perqind (FTSE Milano) dhe efekti zinxhir është shtrirë në të gjitha bursat kryesore të Europës. Gjithashtu, rënie e ndjeshme është shënuar edhe në bursat amerikane (Dow Jones me rënie 1 perqind).
Ndërkohë, kriza ekonomike e ka shtyrë Bashkimin Europian të paralajmërojë vendet që gjenden në vështirësi të bëjnë kujdes. Ndërsa qeveria greke pohon se ka likuiditet të mjaftueshëm për të financuar aktivitetet shtetërore deri në tetor.
“Kemi kohë për të manovruar deri në tetor. Po punojmë që shteti të jetë në gjendje të operojë pa probleme”, ka thënë zëvendësministri i Ekonomisë, Filippos Sachinidis, duke lënë të kuptohet se paratë për të paguar rrogat e punonjësve të administratës publike dhe pensionet do të mjaftojnë vetëm për një muaj. Një ditë më parë, Athina lajmëroi për një taksë të re mbi pronat e patundshme (4 euro për metër katror), me të cilën synon t’i mundësojë qeverisë arritjen e objektivave për borxhin e këtij viti.
Megjithatë, gjithçka varet nga Europa dhe në mënyrë të veçantë nga Gjermania, e cila duket gjithnë e më dyshuese në mbështetjen ndaj Greqisë. “Pas analizës së fundit nuk përjashtohet mundësia që Greqia mund ose do të detyrohet të lërë eurozonën”, ka deklaruar Kristian Lindner, sekretari i përgjithshëm i Partisë Liberaldemokratike gjermane, e cila është pjesë e koalicionit në qeverinë “Merkel”.