Publikuar me : 28.08.2011 Ne :
Kulture - 93 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Florian Agalliu gjatë interpretimit të "Metrazh"
Jorida Pasku
Çfarë ndodhi me ata të 11-të që studiuan në vitet 2005-2009 në klasën e aktrimit të Akademisë së Arteve? Sa u angazhuan? Sa kanë bërë zgjedhje alternative? Ku humbën të tjerët?
Vihet re një vetëdije e qartë për njohjen e aftësive, kufijve, për problematikat që vërtiten rreth ambientit mbytës dhe mungesës së politikave për teatrin.
Filluan studimet në vitin 2005 në klasën e pedagogëve Altin Basha dhe Mario Ashikut, pedagog prej 46 vitesh, që e kishte brezin e fundit që e çonte në diplomim. Dy vitet e fundit e provuan veten në skenë, ku realizuan “Qyteti” i
Jevgenyij Griskovec-it, “Metranpazh” i Aleksandr Vampilov-it nën udhëheqjen e Ashikut dhe “Në t’mirë të atdheut” me regji të Bashës, me autore Timberlake Wertenbaker-in. Shfaqjet u realizuan në dy semestre të vitit të tretë, më 2008-ën dhe vitin e fundit provuan edhe me Brehtin.
U provua puna në ansambël dhe ia dolën. Çfarë ndodhi në Akademi? Po më pas? Ku shkuan Florian Agalliu dhe Besmir Bitraku? Xhejni Fama, po Xheni Hallulli? Po Arjola Demiri si e sheh të ardhmen, ende pa u futur në një skenë teatri të vërtetë?
Tre ishin rrugët që ndoqën: puna me kontrata të përkohshme në Teatrin e Metropolit (ku u angazhuan gati shumica: Florian Agalliu, Xheni Hallulli, Xhejni Fama, Esela Pysqyli, Ermira Hysaj, Flonja Kaba, Ledio Janushi, që punon me fëmijët). Arjola Demiri ishte angazhuar vetëm në shkollë. Antela Hodo, kishte zgjedhur edhe rrugën e televizionit. Po nga grupi i parë shkuan edhe nëpër spektakle të humorit, si “Portokallia”, apo në seriale televizive si “Komuna e Parisit”, “Radio-Radio” etj.
Katër “kampionët” që kemi marrë nuk garantojnë njohjen e thellë të problematikave që hasin aktorët e rinj pas përfundimit të shkollës, por na njohin me probleme individuale si pakënaqësia me pagesat, problemet financiare, mungesa e motivimit, që hapin shtigje për njohjen e thelbit të problemeve.
Si kanë ardhur në Akademi?
Një fakt është i pakundërshtueshëm. Nuk ishin të përgatitur për të bërë atë zgjedhje. Besmir Bitraku asokohe “nuk merrte vesh çfarë bëhej aty”. Konkurroi sepse i pëlqente respekti që kanë njerëzit për aktorët. E kishte një aktor në shtëpi, të atin, Marko Bitrakun, që e “respektonte gjithë Korça, të gjithë flisnin mirë për të”.
Akademia i dukej e huaj fillimisht dhe me kohën paqartësitë shtresëzoheshin. Aktori i ri nuk e kuptonte procesin deri në fund dhe “shumë gjëra bëheshin në mënyrë mekanike”.
Florian Agalliu, një ndër aktorët që duket se i ka prirë fati, bie në sy angazhimi i tij në shfaqjet e Metropolit, por edhe në Akademinë e Arteve me projekte, ka marrë pjesë në shfaqjen “Hotel Ballkan” në Teatrin Kombëtar dhe mbeti aty. Pastaj sikur i hyri në gjak ky profesion. Filluan t’i përlqenin kafet pas provave, diskutimet me aktorët për shfaqjen. E pastaj fama, që të gjithë do të donin ta njihnin, e ta kishin afër për ca kohë. Më vonë, Floriani e pa që kishte një “hendek” shumë të madh midis përvojës që ai imagjinonte se do kishte në teatër dhe realitetit që preku. Hodhi sytë rreth e rrotull, mori pjesë në një audicion për një emision televiziv, që ai vetë nuk ra dakord, ishte në kastën e aktorëve të filmit “Maya” me regji të Pluton Vasit dhe gati në të gjitha shfaqjet e dy viteve të fundit në Teatrin e Metropolit. Megjithëse profesorët u kishin thënë që “nuk do bëheni të pasur me këtë profesion”, nuk i kishin paralajmëruar që mund të mbeteshin edhe pa punë. E sa mund të jenë premisat që një aktor i ri të futet në teatër, ku çdo vit dalin nga shkolla minimumi 10 aktorë të rinj, kur çdo sezon Teatri Kombëtar shfaqen 4-5 premiera? Kur do interpretojnë ata 200 (pa marrë parasysh prurjet nga jashtë vendit) që janë diplomuar këto 20 vitet e fundit dhe sa hapësirë mbetet për të tjerët?
Më keq akoma ishte ambientimi i Arjola Demirit. Krijimi i familjes së re, tani është nëna e dy fëmijëve, nuk e lejoi të diplomohej në kohën e duhur (në vitin 2007). Të tjera probleme mbarteshin nga e kaluara e jetës në Tropojë, ku mungonin teatrot, ku ekzistonte vetëm një Pallat Kulture, edhe ai për aktivitetet folklorike. Të paktën Arjola e kishte të qartë, që “performancat në familje” nuk thoshin asgjë për pasionin e saj, ai do të lindte në auditoret e klasës së aktrimit, me profesorët dhe kolegët. A duhet parë ky profesion thjesht si pasion? Ndërsa të tjerët shtrojnë problematikat, Elvis Pupa, që i ka dhënë lëndën e “Fjalës Artistike” këtij grupi studentësh, e jep përgjigjen fillimisht përmes retorikës: “Do të rrimë të bëjmë art, pavarësisht kostove të jetesës dhe do zgjedhim ato produkte artistike që ne na mbushin profesionalisht, por ekonomikisht nuk të japin gjë, apo do përshtatemi me produktin që ofron tregu? Mirë është që aktori të përshtatet me tregun, me situatën. Mjafton të bëjë mirë çdo gjë që merr përsipër”. Kujtojmë që Elvisi është i një brezi edhe më të hershëm-ka mbaruar studimet në vitin 2000-kështu që problematika i ka rrënjët më thellë. Pupa e krahason me selektimin natyror të specieve me këtë luftë, ku dihet që më i forti do të rezistojë.
Me “tregun” e ka fjalën për angazhimin në prodhimet filmike, ato pak që janë, me shfaqjet në Teatrin Kombëtar dhe jokombëtar, por edhe nëpër seriale televizive, emisione, dublime. Edhe nga përvoja e tij-e kujtojmë në teatër me monodramën “Zotëria Malusjen” të Daniel Penakut, (emri i vërtetë është Daniel Pennacchioni).
Tjetër fat nga kursi i përmendur më sipër pati Pupa, i cili u angazhua në disa prodhime të kompanisë private “Oaz”, por për arsye ekonomike, si të gjitha kompanitë teatrore që lulëzuan asokohe me vetfinancim, shteroi dhe ajo. Pra në njërën anë qendron përkushtimi dhe përgjegjësia për profesionin, që disa nga aktorët e shohin si primar. Nuk e mohojnë asnjëherë që ndoshta duhet të ishin më syhapët për kontaktet me njerëz të teatrit, më të përgjegjshëm, më të interesuar për të kapërcyer murin e njohjes, duke lexuar pa fund literaturë dhe duke kalitur syrin me shfaqje që dëshmojnë metodat teatrore.
Hamë dot bukë?
Arjola nuk ka probleme financiare, është dikush në familje që mendon për gjithçka. Ndryshe qendron puna me Besmirin, që “fillimisht ka tentuar të hajë ‘bukë’, ka tentuar të marrë edhe ca sipërmarrje të tjera”, por që i braktisi se kuptoi shpejt se nuk do t’ja dilte mbanë. “Kush do të më justifikojë mua nëse unë vetë nuk arrij?”, thotë Bitraku, që zgjidhjen e sheh te puna me projekte. Le të bëhen 30 projekte në vit, nga 30 regjisorë dhe atëherë çdokush le të bëjë bilancet me veten. Aktori nuk mendon të kthejë pas asnjë rol, do pranonte të punonte edhe në vendin e lindjes në Korçën e tij. Ky vit për Besmirin ka qenë jo pak angazhues. Mori pjesë në shfaqjet “Romeo dhe Zhuljeta”, “Një dyzinë me trëndafila”, ishte i pranishëm në Kosovë për rishfaqjen e “Në t’mirë të atdheut”, por do donte ndonjëherë të mos kishte pushim fare. Jo 2 muaj punë dhe 3 muaj pushim. Kështu do të ishte i qetë edhe me financat.
Një rrogë mujore në Teatrin Kombëtar jo vetëm që duket e paarritshme për këta të rinj, por do na rikthente te starti, te kultivimi i këtyre aktorëve me frymën e “të ndenjurit kot, vetëm të hedhnin një firmë në bordero”. Në Teatrin e Metropolit, po prapë çdonjeri duhet të angazhohet pothuajse në të gjithë projektet, për të siguruar një pagesë, që e ndarë në muaj, mund të përballojë shpenzimet më të domosdoshme. Me një llogaritje të shpejtë, duke hamendësuar se me një rol arrijnë të shpërblehen 50.000 mijë lekë, duke hamendësuar edhe që janë fatlumë dhe arrijnë të pranohen në 3 shfaqje brenda vitit, a arrihen të përballohen shpenzimet me 150.000 lekë në vit?
Po a nuk është Festivali Teatror i të Rinjve, një mënyrë për të hyrë nga dera e pasme e teatrit? Përse hezitojnë të trokasin të rinjtë? Arjola është duke pritur atë mundësi, edhe pse e di që e ka të vështirë pasi ka humbur kontaktet. Regjisorët nuk e shohin në ambientin teatror, nuk e shohin nëpër shfaqje, frikë është edhe që nuk e njohin as pedagogët regjisorë që e kanë parë te “Medea” e Euripidit, apo te shfaqja që “La Mamma” një kompani teatrore që hulumton në teatrin eksperimental, realizoi me këta të rinj.
Besmirin ende nuk e kanë kërkuar, plus mendon se organizimi mund të kishte qenë edhe më i mirë. Të njëjtin problem ka edhe Agalliu, që nuk ka pasur asnjë lloj propozimi nga regjisorët që janë shpallur fitues. Prandaj, ai dhe të tjerët e shohin të largët skenën e TK-së, por më tepër mundësinë e rishikimit të politikave dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Në fund mbeten mundësi si spektaklet televizive, që kanë thithur shumë të rinj me të mbaruar Akademinë, por ata nuk e kanë parë si jetëgjatë për t’u mbajtur gjallë profesionalisht.
Elvis Pupa na flet nga përvoja disavjeçare në spektaklin “Portokalli”, që në kohën kur u fut aty, ai dhe të tjerë e panë si shpëtim për problemet ekonomike, por edhe si një rrugë të shkurtër dhe e shpejtë për t’u njohur nga publiku. Frika mbetet te konsumimi, që ai është përpjekur ta shmangë, duke dalë në skenë vetëm atëherë kur është ndjerë i plotësuar artistikisht, kur ka shpërfaqur një personazh krejt ndryshe nga ai i fillimit, ose duke marrë një tjetër rol. “Kur jemi në Portokalli bëjmë Portokalli, nuk mund të bëjmë teatër në Portokalli se stonojmë dhe e anasjellta, nuk mund të bëjmë kabaret në teatër”, thotë Pupa, që tani artin e ka edhe biznes. Dy vitet e jetës në Miçigan, pas largimit nga “Portokallia” e kanë ndihmuar për të realizuar një projekt, të cilin e prezanton në muajin shtator.
Shpesh prezantimi i problemeve, që mëton ta fusë diskutimin në hullit. bën të kundërtën. Bën të mundur që problemet të të vënë përposh dhe mjegullojnë mundësitë. Janë shumë zëra që i trajtojnë sipas mënyrës së tyre problemet dhe ato thjesht e bëjnë më të gjatë rrugën për te zgjidhja. Pedagogu Mario Ashiku, i cili i ka njohur për katër vjet këta studentë, vë në pah problematikat, të cilat kanë vite që përsëriten dhe për to bien shpesh këmbanat-duke sugjeruar një mendim të çlirët, që vjen “jashtë grupeve të interesit”
Arjola Demiri: Je aty, por nuk e prek dot
Si Teatrin e Metropolit, ashtu edhe Festivalin Teatror të të Rinjve që zhvillohet në Teatrin Kombëtar, i shoh si hapësira shumë të mira për të vazhduar, por më kanë munguar kontaktet. Skena e Teatrit Kombëtar shihet e largët, sepse luajnë aktorët e vjetër, që i duhen skenës pa dyshim. Vetëm 2 vitet e fundit unë shoh të angazhuar të rinj në grup. E shoh të largët dhe shpesh pyes veten: “Kur do vijë koha të ngjitem aty?”.
Kam mbaruar për aktrim dhe ulem në karrigen e spektatorit. Je aty, por nuk e prek dot atë skenë. Duhet të shohin edhe të rinj për atë skenë.
Besmir Bitraku
Fillimisht tentova të ha bukë, të marr edhe ca sipërmarrje të tjera, por e kuptova që nuk bënin për mua. Megjithatë, kush do të më justifikojë nëse unë vetë nuk arrij të siguroj financat?
Elvis Pupa
Kushtet janë të mjerueshme. Shumë persona kanë ide që i konsumojnë nëpër tavolina. Kur vjen puna për t’i vënë në jetë nuk i realizojnë, qoftë për mundësitë fizike,
psikologjike, po më kryesorja është financimi.
Florian Agalliu
Kur nuk ke një punë stabël në teatër, do shohësh edhe variante të tjera, si regjinë mbrapa pultit, dublimet, përderisa ka ende interes për filmat e animuar. Edhe pse kjo punë nuk shpërblehet sa duhet, prapë arrihen të shlyen disa fatura.