Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Ku ta di une?

Publikuar me : 21.12.2011 Ne : Kulture - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Është autobiografia e Millos Formanit (1932) që mban këtë titull, e shkruar në bazë të rrëfimit në dy net përballë dokumentaristit Jan Novak. “Ku ta di unë” u botua më 1993. Piro Milkani e ka përkthyer në shqip, dhe pritet të hidhet në qarkullim në fillim të vitit 2012 me tjetër titull. Ka një hendek në mes të botimeve të kësaj fushe tek ne. Me përjashtim të një autobiografie të Marlon Brandos, një librushke për Greta Garbon zor ta njomë gjë tjetër thatësirën e kulturimit kinematografik përmes librit shqip.

Piro Milkani na prezanton për herë të parë një fragment nga libri.

 

Libri është gati?

Po rishikohet dhe redaktohet. Dhe natyrisht po kërkoj financim për botimin. Ambasada Amerikane ka ndihmuar, ndërsa Ambasada Çeke mund të jetë e gatshme nëse realizohet ëndrra ime, që në vitin e ardhshëm, kur Millos Forman mbush 80 vjeç, të vijë në Festivalin Ballkanik të Pogradecit, në fund të gushtit. Edhe pse i fortë fizikisht, ai ka frikë nga avionët. Forman është për mua modeli i regjisorit që me përpjekje të mëdha, pa i shkelur këmbën askujt, ka arritur majat më të larta.

 

Pse mendoni që titulli duhet ndryshuar?

Sepse jam dakord me botuesin që duhet të jetë pak më intrigues, për shembull: Gjeniu që pushtoi Hollivudin. Duke lexuar jetën e tij çdo njeri e ka të qartë se në çfarë fazash kaloi historia dhe kultura çeke para luftës së dytë botërore, gjatë luftës, komunizmi, emigracioni, vështirësitë e një emigranti politik dhe suksesi.

 

Titulli me gjeni mund t’i shkojë kujtdo. Është e nevojshme të intrigohet lexuesi drejt Formanit? Sa e pranishme ka qenë kinemaja e tij në mjediset shqiptare?

Për fat të mirë është e njohur. Mjafton t’iu përmend “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” “Flokët” apo “Amadeus”, këta pas nëntëdhjetës.

Dikur jemi befasuar me “Dashuritë e një biondeje”, i nominuar për Oskar në vitin 1966-’67, që e bëri të njohur regjisorin në botë. Në atë kohë, Film Eksporti çekosllovak, dërgonte në Kinostudio prodhimet e veta. Ne kishim privilegjin që ato filma t’i viziononim, natyrisht në një sallë të mbyllur, vetëm për regjisorë dhe operatorë. E pastaj me një letër falënderimi i dërgohej Film Eksportit çekosllovak që këto filma nuk shfaqen në Shqipëri.

 

Quheshin gjakprishurit e bllokut komunist, artistët e përfshirë në lëvizjet e ’68-ës?

Absolutisht asnjë film lindor nga viti ‘72 e këtej nuk erdhi më në kinema. Aq më tepër pas plenumit IV kur u vu theksi mbi luftën kundër revizionizmit, më kollaj mund të shihje një film anglez, italian, francez me temë sociale, por filmat e vendeve lindore, përfundimisht nuk patëm mundësi t’i shihnim as për vizion. Sigurisht që përmes kanaleve italiane dhe Jugosllavisë pamë dhe filma të tjerë çekë, polakë, hungarezë, dhe mbajtëm një lloj kontakti me atë botë. Kështu pra, ai film është lidhja ime e parë me Formanin.

 

Në rend kohor, një vit më vonë Forman gëzon tjetër sukses ndërkombëtar me një komedi…

“Zjarr po bie kukulla ime” gjithashtu ishte kandidat për Oskar. Në libër, në fragmentin që po ju jap për botim, ai përshkruan ankthin dhe dëshpërimin që ka në atë sallë. Pastaj vjen pushtimi i Çekosllovakisë dhe ai me dhimbje largohet nga vendlindja, duke lënë familjen, djemtë. Jeton në Nju Jork për tre vjet me 1 dollar në ditë, si një emigrant. Amerika siç e shkruan ai, është e dashur po dhe e egër. Krejt rastësisht në atë hotelin e tij që e ka si një vend të dashur, i vjen një libër të cilin të gjithë kineastët e refuzonin. Një libër mbi një spital psikiatrik “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes”.

 

Vepra që e nxjerr nga statusi i emigrantit apo jo?

Ka pasur vështirësi të gjejë fondet, bëhet fjalë për 2-3 milionë dollarë dhe njëkohësisht i mbylleshin dyert e klinikave që nuk pranonin të xhirohej aty. Arriti ta realizojë atë vepër që të gjithë e kishin refuzuar duke e parë në planin komercial se çfarë do të japë një film me të sëmurë psikikë. Xhek Nikolson pranoi. Është e jashtëzakonshme se si e përshkruan ai atmosferën e shfaqjes së parë, kritikat e para të vakëta në shtypin amerikan, shfaqja e parë në Nju Jork, seanca e parë me 16 spektatorë, seanca e dytë me 30, në mbrëmje me 300 dhe nga dita në ditë filloi të rritej. Mjeshtrit e marketingut thanë që filmi do t’i nxjerrë paratë, mbas një jave do t’i dyfishojë, përfundimisht filmi doli me një fitim 30 e ca milionë dollarë. Ky ishte prodhim i një kompanie serioze amerikane por jo hollivudiane.

 

Dikush kishte besuar me kohë tek ai. Çfarë tregon Forman për shtysën e familjes së aktorëve Dagllas?

Kërk Dagllas kishte blerë të drejtën e autorit të librit dhe e mbante prej 20 vjetësh sepse nuk gjente producentë. Atëherë i biri, Majkëll Dagllas me Saul Zaentz, një hebre që kishte një shtëpi diskografike, ia ofrojnë Formanit. E bukura në këtë histori është që mbasi filmi futet në rrugë të mbarë, regjisorit i vjen rasti të takohet me Kërkun. Fjala e parë që i thotë aktori është: Millosh Forman, e di që je një bir kurve? Kur të dërgova këtë libër as që e çave kokën, e tani po entuziazmohesh.

Në vitin 1966 Kërk Dagllas, ky aktor legjendë e filmit amerikan gjatë një vizite në Çekosllovaki – i kishte parë filmat e Formanit – i premton t’i nisë romanin e Ken Kesey-t. Po libri nuk erdhi kurrë. Duket se sigurimi, doganat komuniste e bllokuan atë. Duke e kuptuar këtë gjë, Forman i jep të njëjtën përgjigje: “E dini që edhe unë të njëjtën gjë kam menduar për juve?”

 

Si e komenton shkëputjen dhjetëvjeçare nga vendlindja?

Forman ishte ndër regjisorët çek më të mirë. Është e vërtetë që Jirzhi Menzëli me filmin “Trenat e survejuar rreptësisht” kishte fituar Oskar, e vërtetë ishte që ky grup kineastësh çekosllovakë bënë atë që quhet Vala e re në atë Pranverë të Pragës në vitet 1962-’68. Por emri i tij ishte i njohur tashmë në vende si Franca, Suedia, apo Zvicra ku Forman kishte fituar me “Petrin e zi” çmimin e filmit më të mirë në Lokarno duke konkurruar me të madhin Antonioni dhe Zhan Lyk Godarin. Tre vjet u përpëlit me dëshirën për të gjetur rrugën dhe kur i hapen dyert me “Dikush fluturoi në folenë e qyqes”, mbytet nga ofertat dhe atij i mbetet vetëm të zgjedhë.

 

Pse na sugjeruat për botim pjesën “Ajo që nuk të vret”?

Sepse mendoj që është goditëse. Menjëherë pas saj ai fillon me fëmijërinë, se si shikon filmin e parë 4-vjeçar, se si sapunët me figurinat që prodhoheshin në gjithë botën nga momenti kur ai magjepset nga “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”, i mbledh në një kuti dhe dha urdhër në familje që askush nuk do të lahet me këto. Dhe se si gradualisht pëson tragjedi të rënda. Nëna i vdes në kamp përqendrimi, babai i vdes në burg dhe del nga lufta jetim. Fati, kushtet e një vendi si Çekosllovakia dhe vullneti i tij e shtyjnë që të studiojë, të bëhet një njeri normal me të mirat dhe të këqijat të cilat i pranon dhe vetë, të mbarojë një shkollë dhe të studiojë kinema.

Për mua është një manual mbi magjinë dhe sakrificën që bëhet për të arritur në një vepër të përkryer artistike. Mjafton kapitulli i “Amadeusit”. Mendoni që kur u realizua në vitin 1984, në kohën e një krijimtarie të bollshme të filmit amerikan, nominohet për të 11 kategoritë dhe rast i rrallë kur të dy aktorët e filmit, si Amadeusi si Salieri janë kandidatë për aktorin më të mirë.

 

Çfarë zbulohet nga jeta e tij private?

Babai i Formanit ishte një mësues sportiv, nëna ishte shumë energjike. Ai tregon se vëllai i madh lindi katër muaj pas martese, vëllai i dytë pas dy vjetësh dhe Milloshi pas 12 vjetësh. I ngelet enigmë pse kaq larg. Kur bëhet i famshëm me “Petrin e zi” i vjen një letër me vulë nga qyteti Kutna Hora por pa adresën e dërguesit. Është një grua e moshuar që i shkruan: “Unë kam qenë në kamp me mamanë tënde. Në momente të vështira ajo më ka thënë: Në rast se ti jeton, ke një amanet. Do t’i tregosh Milloshit që babai i tij nuk është Formani, por është dikush tjetër, është arkitekti i shtëpisë.” Kjo letër e tronditi. Atëherë kujton se kur mamaja dhe babai ndërtonin një holet buzë një liqeni, aty vërtet ishte një arkitekt që punonte, i cili ishte hebre i cili u zhduk më 1939. Forman e gjeti adresën e tij, kishte përfunduar në Argjentinë. I shkruan letër. Dhe njëherë burri i përgjigjet: Po jam shëndosh e mirë, jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Pra Forman zbulon në moshën 34 vjeçare që ka baba tjetër. Megjithatë konkluzioni i tij është: Unë jam dhe mbetem Forman, jam hebre.

 

Ky është libri i dytë i rëndësishëm pas Hrabalit që përktheni nga çekishtja…

Për mua përkthimi është kënaqësi. Nga leximi i parë që i kam bërë autobiografisë kam kuptuar që e kam ruajtur stilin e të rrëfyerit të tij dhe mënyrën e shprehjes të vetë Formanit që është çik specifik.

 

 

Fragment nga autobiografia

Ajo që nuk të vret

Milos Forman

Më 25 qershor 1985 isha ulur në rreshtat e parë të pavijonit të Dorothy Chandlerit në Los Anxheles, kisha veshur smoking dhe këpucë llustrafinë dhe rreth meje vezullonin veshje, disa prej te cilave kishin kushtuar më shumë se një automobil.

Më kishin nominuar për çmimin Oskar për regjinë e filmit “Amadeus”, adoptimit filmik të pjesës teatrale të Peter Shaferit, e cila trajton raportet e zilisë të habitshme të kompozitorit të oborrit perandorak të Habzburgëve, Salierit ndaj Wolfang Amadeus Mozartit. “Amadeusi” ishte filmi im i nëntë. Më parë kisha bërë regjinë e katër filmave në Çekosllovaki dhe katër filmave në SHBA. Amadeusi, njëlloj i gjysmuar si unë, është film amerikan i xhiruar në Çekosllovaki. Për mua do të thoshte bilete avioni për Pragë pas emigrimit dhjetëvjeçar.

Në Çekosllovaki në ato kohë ishte një regjim i fortë totalitar, i cili, mua emigrantin, më konsideronte si një tradhtar të vendit. Komunistët qëndruan në pushtet më shumë se dyzetë vjet dhe ndikuan pa masë në jetën time. Të mos ishin ata, vështirë se do kapërceja oqeanin. Besoja se një ditë komunizmi do të bjerë, por as më shkonte në mendje, se një ditë do ta shikoja këtë për së gjalli.

Prindërit e mi ishin atdhetarë dhe pak a shumë edhe për këtë edhe vdiqën. Diçka nga ky kushtrim i të parëve u ngulit edhe te unë, dhe kur një ditë u gjenda larg vendit tim, kulturës dhe familjes sime, që qëndroi në Pragë, vazhdimisht kjo gjë më kthente mbrapsht. Jam kaq shumë sentimental, sa nuk mund të jem vetvetja, kur çdo gjë më shkëput nga vendi i fëmijërisë time dhe unë s’mund të verifikoj kujtimet që i dhanë kuptim jetës time. Ndihesha çuditërisht i paplotë, kur humba kontaktin me vendet, ku bëra golin e parë apo dhashë puthjen e parë, ku mësova të gatuaj gulash, ku u deha për herë të parë dhe ku për herë të parë thërrita: “Stop”. Lidhja u ndërpre dhe unë ndjeva një vakuum të çuditshëm.

U përpoqa gjatë që të kthehesha në Pragë, qoftë dhe për pak ditë, në një vizitë të shkurtër, kalimthi t’i përqafoja ata, të sigurohesha, se vërtet akoma ekzistojnë, por veç pas dhjetë vjetësh më doli ky plan me “Amadeusin”. Erdha këtë herë si qytetar amerikan, që do xhirojë film amerikan, nga i cili qeveria komuniste do fitonte para amerikane. Pikërisht dollarët ishin arsyeja kryesore, pse më lejuan ta vizitoj vendin. Edhe pse gjatë gjithë kohës vazhdimisht më survejonin, të paktën pata mundësi për pak të jem në shtëpi. Dhe kështu, më përpara se “Amadeusi” të xhirohej, dhe para gjithë atyre nominimeve, ia vlejti që e bëra atë film.

Natyrisht që ia vlejti edhe financiarisht. U krijua nga një produksion i pavarur në bazë të një marrëveshjeje thellësisht të pazakontë midis autorit Peter Shafer, producentit Saul Zaentz dhe meje. Shaferi depozitoi në bankë pjesën teatrale dhe skenarin e tij, unë dy vite të jetës time dhe Zaentzi të gjithë kapitalin bazë. Dhe pronësia e filmit, që ende nuk ekzistonte, u nda në tre pjesë. Gjithë këtë transaksion e mendoi agjenti im Robi Lanz. Ishin vetëm dy faqe të një letre te zakonshme dhe ligjërisht vlente po aq sa dhënia e dy duarve.

Oskari të sjell fitime milionëshe, kështu që konkurrenca ishte e jashtëzakonshme. Me “Amadeusin” kisha përballë vetes tre regjisorë të shkëlqyer: Robert Bentonin, Roland Xhafenën dhe Vudi Alenin dhe sikur kjo të mos mjaftonte, kishte dhe një legjendë të vërtetë të artit të kinemasë. Në vitin 1984 krijoi Dejvid Lin një adaptim të përsosur të romanit klasik të E.M. Forsterit “Udhëtim në Indi”. Ishte shtatëdhjetë e dy vjeçar dhe për arsye thjesht sentimentale duhej që mjeshtri i moshuar të ishte ai që Akademia do të duhej ta zgjidhte.

Megjithatë shpresoja në fitore, por me kaq sekret, që as vetes nuk do t’ia thoja. Vërtet që pak më parë fitova çmimin e shoqatës së regjisorëve amerikanë, i cili, me përjashtim të dy viteve, pararendte Oskarin për gjithë ato vite që këto dy çmime ekzistonin pranë njëri-tjetrit. Veçse unë këtë statistikë historike e shpjegoja me dy fjalë: le të ndodhe, ç’të ndodhi. Fshihja duart e djersitura në mëndafshin e butë të mbështetëseve të kolltukut dhe sa herë që në podium nuk ndodhte asgjë, me mendje dërdëllisja fjalimin që me mundim mezi e ndërtoja.

Këtë tiganisje në yndyrën time e kisha bërë për të disatën herë në Pavijonin e Dorothy Chandlerit. Në vitet gjashtëdhjetë dy herë pa sukses, kur filmat “Dashuritë e një biondeje” dhe “Zjarr po bie kukulla ime” nuk e fituan Oskarin për filmin më të mirë të huaj (jo anglishtfolës). Po këtu gjithashtu kisha fituar: në vitin 1976, filmi “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” fitoi Oskarin për regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë të vitit.

Nga ajo mbrëmje e paharruar, në kokë më ka ngelur një gulash i çuditshëm mendimesh dhe ndjenjash. Atëherë ishin ulur pranë meje dy djemtë e mi, binjakët Peter dhe Mateu, të cilët kishin fluturuar nga Praga dhe gati gjithë ngjarjet i fjetën. Ishin dymbëdhjetëvjeçarë dhe unë i pashë për herë të parë pas gjashtë vjetësh, kështu që as që i njihja. Dhe për shkak se përsëri fillova të njihesha me ta, kujtimet e Oskarit tim të parë ngjyrosën me ndjenja krejt të tjera, më të thella. Dhe kur atëherë erdhi ai nominim i tetëdhjetë e katrës, vendosa, që këtë here rolin tim në këtë lojë të madhe të Oskarit, ta shijoja sa më shumë.

Në jetë kam bërë gjithçka që të fitoj. Vullneti për fitore bën pjesë në atë forcë shtytëse të cilën e kam parë te të tjerët. Kur, ndoshta sportisti më i madh i të gjithë kohërave Majkëll Xhordan, arriti ta çojë ekipin e tij në majat më të larta, qau nga gëzimi. Por sipas meje, kjo e qarë nuk shprehte njëlloj gëzimi të pastër, nga i cili njeriu fryhet si tullumbace që ngjitet drejt qiellit. Më shumë, pashë te ai njeri i lumtur e ambicioz, që më në fund arriti atë që deshi, dhe çlirimin që vjen nga fakti që këtij mundi po i vjen fundi por njëkohësisht është ndjenja se fitorja e ardhshme do kërkojë rraskapitje akoma më të  madhe. Ishte kjo një lumturi e autsajderit, që shtrydhi nga vetvetja gjithçka që kishte dhe për këtë u shpërblye.

Ndoshta këtu po fut më shumë se duhet ndjenjat e mija dhe ambicien time ja vesh dikujt tjetër. Por te unë parimi ka qenë se fitorja është njëlloj e rëndë sa dhe humbja, dhe se mundësi tjetër nuk ekziston.

Asnjëherë nuk e kam duruar disfatën. Me këtë nuk dua të them se nuk kam njohur dëshpërimin, kur njeriu qëndron diku dhe pret te groposet, se dorëzohet në tokë. Të tilla kam pasur me bollëk dhe e di si shkon kjo punë. Vëmendja humbet dhe jeta vazhdon. Veçse të punosh gjatë në një punë, të japësh gjithçka që ka njeriu, të magjepsesh, të përpiqesh, të manipulosh të tjerët, që te vijnë dhe ata me ty, dhe ti bindesh që ta besojnë këtë gjë, te rraskapitesh pas makinës se shkrimit dhe pastaj befas të dëgjosh se si përmes telefonit një zë fajtori, i vetëquajturi censor dhe gënjeshtar, përmes përkthyesit apo buzëqeshjes së shtirur të të thotë “ndërprite, nuk ja vlen” – kjo gjë më shpie në një gjumë dimëror. Befas nuk kam fuqi të çohem nga shtrati, drita e ditës më djeg sytë si sapun dhe  nuk shqitem dot. Kur çohem nga krevati, gjunjët me dridhen si të isha i dehur dhe unë gremisem prapë në shtrat – por pas pak trupin ma pushton një ndjenjë lumturie, që s’ka krahasim as me ovacionet e të afërmve, as me kurorat me dafina, shkurt s’krahasohet me asgjë.

Atë mbrëmje “Amadeusi” po shkonte shumë mirë. Peter Shafferi e kish mare Oskarin për skenarin më të mirë sipas adaptimit teatral, F. Murray Abraham mori çmimin për rolin kryesor mashkullor dhe Oskarët e tjerë i morëm për rekuizitën, kostumet, zërin dhe grimin.

Më në fund në podium hipi Stive Spielbergu, njeriu që po e prisja me padurim, dhe në dorë kishte zarfin. E ndjeva si po më ngrihet tensioni – doja që në atë zarf të ishte emri im – por njëkohësisht po pregatitesha për deziluzionin tim. Fytyrën ma goditën projektorët dhe unë montova në fytyrë buzëqeshjen e humbjes e ndërkohë e përqendrova shikimin në atë copë letre, të cilën Spielbergu e tërhoqi nga zarfi.

“Dhe Oskarin për regji e fiton…” Bëri një pauzë dramatike, gjatë së cilës vendosa, që në fakt atë Oskarin as që e dua, sepse në këtë moment e ndjeva se si po me sulmojnë miliona sy njerëzorë, gjithë planeti po më shikonte mua dhe unë, i tmerruar nga blicet e fotografëve, shikimet e admiruesve dhe akademikëve, i pushtuar nga paniku, kisha ngrirë. Më në fund Spielbergu e hodhi shikimin drejt meje dhe më ftoi në podium. Në këtë moment rryma e emocioneve u ndërpre dhe unë ndjeva një pllakosje lumturie, një shok elektrik te mrekullueshëm, që më bëri të kërcej nga kolltuku dhe shkova drejt podiumit kur rreth meje u pleksën lloj-lloj ndjesish, një sallë e pavërtetë e Spielbergu si një hije e sfokuar që tund dorën, e pastaj rrasjen në dorë të Oskarit të rëndë, garancisë së  pavarësisë, filmave të tjerë, që do t’i bëj sipas dëshirës, siguria për një jetë akoma më të lirë.

Pak a shumë thashë ato që kisha pregatitur, por gjatë fjalimit mendimi ma turbulloi trurin. Pse unë? Pse përsëri unë? Pse unë duhet të kem kaq fat? Prej shumë vitesh më torturon mendimi, që gjithë kjo lumturi e pafund, gjithë këto çmime dhe nderime nuk i meritoj dhe se në këtë konto të çuditshme lumturie po vjedh dikë tjetër dhe punën e tij.

E vetmja përgjigje gjysmake, e cila më shkon në mendje në këto momente, është fjalia që diku dikush e tha dhe tingëllon: “Ajo që nuk të vret, ty të jep forcë.”

Ndoshta këtu është arsyeja. Ndoshta prandaj pikërisht unë.

Dhe për shkak se për fitoren gjithmonë robtohem shumë, gjëja e dytë që më vjen në mendje, tingëllon afërsisht kështu: Fitova pra, mrekulli. Po me këtë merr fund. Lumturia kurrë nuk zgjat shumë. E në këtë moment, një sekondë më parë se akrepi i depresionit të prekë mesnatën, më shkon në mend një barsoletë e vjetër çeke. Burri kthehet papritmas në shtëpi. Gruaja në çastin e fundit arrin ta fshehë dashnorin në dollap. Në dy orë që pret aty, është i rrethuar nga parfume plot aroma, vajra trëndafili, esence orkideje, koncentrat jasemini, pudra fëmijësh e kremra erëmirë. Më në fund gruaja ja del ta largojë burrin nga shtëpia dhe dashnori del nga dollapi dhe i thërret: “Të lutem, shpejt! Mos të ndodhet këtu ndonjë copë muti?”

 

Biografi shkurt

Milos Forman doli nga lufta pa prindër. Studioi regji në Shkollën e Kinemasë në Pragë. Në Çekosllovaki realizon “Petri i zi” (1964), Dashuritë e një biondeje (1965) dhe “Zjarr po bie kukulla ime” (1967) ai krijoi stilin e tij në gjininë e komedisë. Me pushtimin e Pragës për të ndërprerë Pranverën e lëvizjeve demokratike, ai largohet nga Evropa për në SHBA. Me gjithë vështirësitë ai realizon “Dikush fluturoi në folenë e qyqes” (1975) përshtatje e romanit të Ken Kesey-it, fitues i pesë çmimeve Oskar. Filma të tjerë të rëndësishëm janë muzikali “Flokët” (1979) dhe sigurisht “Amadeus” (1984), fitues i tetë Oskarve. Së fundi edhe “Fantazmat e Gojës”.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit