Publikuar me : 28.09.2011 Ne :
Kulture - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Historia e përjetuar shkruhet, ndërsa historia e shkruar përjetohet”, kështu e nisi avokati Spartak Ngjela fjalën e mbajtur në promovimin e librit “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”, në hollin e Universitetit Europian të Tiranës ndërsa
u drejtohej të pranishmëve si politikanë, intelektualë, gazetarë e akademikë. I bindur se historia shqiptare kishte një segment bosh, Spartak Ngjela ishte i pari që hodhi idetë e tij në përpjekje për ta mbushur këtë boshllëk të historisë, duke i bashkëngjitur fakteve historike edhe kujtimet e tij, mendimet dhe këndvështrimet e tij për kohën, ngjarjet, datat, njerëzit, pushtetarët, viktimat e kohës.
Në librin e tij rrëfehet për “komunistë, ballistë, legalistë, sigurimsa, spiunë burgjesh e trotuaresh, të pushkatuar, mendimtarë, njerëz të shquar që nuk u dihet emri sepse kanë vdekur në izolim, jetë njerëzore të shuara për të vetmin faj se nuk kanë dashur regjimin komunist në Shqipëri. Pastaj ministra, gjeneralë e politikanë të lartë të regjimit komunist që kishin luftuar dhe kishin instaluar diktaturën më të egër në botë, e mandej, po ata vetë, viktima nëpër burgje, teksa në më të shumtën e herëve, as që e kuptonin dot se çfarë u kishte ndodhur, por që në pjesën dërrmuese të tyre ishin ende komunistë, kishin ende mendimin se lufta e klasave, domethënë terrori i ushtruar në Shqipëri, ishte pjesë pozitive e historisë tonë”.
“Në libër jam munduar të trajtoj që ne kemi përjetuar jo një tirani, por një terror shtetëror, i cili ka filluar me një frymë anti-intelektuale në ’47”, tha Ngjela. Ky vëllim i parë, që mban brenda vetes dy libra, i botuar nga shtëpia botuese “UET Press” rrëfen kujtimet e përjetuara nga vetë Ngjela dhe analizën që ai i bën periudhë prej 30 vjetësh, nga 1953- 1975. Kujtimet- ashtu sicc shprehet ai vetë në faqet e librit kalojnë shtigjet që kanë përjetuar shqiptarët mbushur me propagandë, terror e varfëri. Është koha kur në shoqërinë shqiptare ndodh një përmbysje e madhe dhe diktatura e re e ardhur në pushtet, sipas modelit rus, kishte marrë karakter botëror.
Ndërsa vëllimi i dytë që pritet të dalë- i cili përmban edhe ai dy libra- e nis rrëfimin më 1976-ën dhe përfundon në vitin 2010. Nga burgu politik shqiptar, në vitin 1991, kur sistemi rrëzohet. Por pa anashkaluar edhe trajtimin e periudhës së mëpasme deri në vitin 2010 të cilën Ngjela e sheh si vijim të tatëpjetës së tiranisë shqiptare të pasluftës së Dytë Botërore. “Ngjela është i mirënjohur në të dyja epokat. Është i njohur për publikun politikën, për mediat, për studentatin dhe jo më kot një shtëpi botuese universitare bëhet botuesi i këtyre refleksioneve politike të Ngjelës të cilat kanë një rëndësi të dyfishtë, për specifikën e personazhit të Ngjelës. Aksioni i tij politik ka qenë një refleksion dhe refleksioni i tij personal është shndërruar vazhdimisht në aksion politik ose publik”, shprehet botuesi i UET Press, Henri Çili.
Në faqet e këtij vëllimi të parë gjendet rrëfimi mbi arrestimin e të atit, biseda e fundme atë e bir, kujtimet e fëmijërisë së hershme, deri tek ngjarjet si vdekja e Stalinit, shkëputja e madhe, afrimi me Kinën, Revolucioni kulturor në Pekin e Tirane, revolucioni kinez në Shqipëri, dalja nga traktati i Varshavës, etj. E gjithë kjo histori, që nis në vitin 1953 dhe mbaron në vitin 2010 është parë si tirani e si kohë tiranike nga Spartak Ngjela. “Është shumë e rëndësishme të reflektojmë për tiraninë, për historinë tonë politike dhe ky libër, ky personazh si rasti i Ngjelës, është ndoshta nga ilustrimet më të mira, nga autorët më të mirë për këtë refleksion mbi politikën, mbi Shqipërinë, mbi të kaluarën e mbi të ardhmen”, u shpreh z.Çili në promovimin e librit.
Nga autorët më të mirë për këtë refleksion mbi politikën
Ngjela është i mirënjohur në të dyja epokat. Është i njohur për publikun, politikën, për mediat, për studentatin dhe jo më kot një shtëpi botuese universitare bëhet botuesi i këtyre refleksioneve politike të Ngjelës të cilat kanë një rëndësi të dyfishtë, për specifikën e personazhit të Ngjelës. Aksioni i tij politik ka qenë një refleksion dhe refleksioni i tij personal është shndërruar vazhdimisht në aksion politik ose publik. Kjo për një periudhë të pandërprerë, të paktën që nga vitet ’70 e deri sot.
Unë jam një nga personat që e ka lexuar librin dhe do të thoja vetëm një batutë siç e ka zakon avokati ta sintentizojë opinionin e tij publik . “Përkulja dhe rënia e tiranisë”. Tirania ka rënë. Ne e botuam librin lirshëm. Nuk na u desh fare ta çonim në ndonjë zyrë censure. Megjithatë është shumë e rëndësishme të reflektojmë për tiraninë, për historinë tonë politike dhe ky libër, ky personazh si rasti i Ngjelës, është ndoshta nga ilustrimet më të mira, nga autorët më të mirë për këtë refleksion mbi politikën, mbi Shqipërinë, mbi të kaluarën e mbi të ardhmen.
Pse e kam shkruar…
Historia e përjetuar shkruhet, ndërsa historia e shkruar përjetohet. Ky është thelbi i historicizmit dhe këtë kam dashur të jap dhe unë në librin tim. Domethënë kam përjetuar një histori, e kam analizuar një periudhë prej 30 vjetësh dhe e kam shkruar. Pse e kam shkruar ? E kam shkruar se kam përshtypjen se ne kemi një segment bosh në histori. Historia është kontinuitet prandaj ndihet. Dhe fakti që duhet mbushur ky boshllëk, unë hodha i pari idetë e mia. Të cilat natyrisht nuk kam pse zgjatem se keni librin, por ajo që është specifike, në gjithë këtë periudhë që kam shkruar unë që nga ’57 deri në 2010-ën është një frymë anti-intelektualiste në Shqipëri që po bllokon demokracinë, jetën dhe njeriun autonom. Pse e them këtë?
Në libër jam munduar të trajtoj që ne kemi përjetuar jo një tirani, por një terror shtetëror, i cili ka filluar me një frymë anti-intelektuale në ’47. Por në rast se në ’47 kishte një alibi, e cila thoshte se e gjithë kjo botë intelektuale është kundër doktrinës sonë, kundër sistemit tonë, është borgjezi, janë shfrytëzues, ka pasur një alibi normale dhe bëri një luftë anti-intelektuale për shfarosjen e intelektualëve. Dhe kjo është kaq e vërtetë sa edhe pasi mbaroi luftën jashtë vetes, akumuloi pushtet politik të fortë dhe filluan spastrimet intelektuale dhe brenda. Çfarë ndodhi? Shqipëria ra në qetësi deri në ’57 , në vitin ’56-57, ky regjim vetë-krijoi intelektualë që erdhën nga Varshava, nga Praga, nga Shën Peterburgu, nga Moska.
Krijoi Universitetin e vet dhe prisnin me ankth që të intelektualizonin partinë e tyre. Çfarë u ndodhi? Gjithë lindja kaloi drejt një intelektualizimi të ri në ’56-57 , këtu vazhdonte lufta kundër intelektualizmit. Megjithatë histeria nuk ka qenë kaq e madhe. Vazhdoi përsëri të akumuloheshin dhe në ’67, pas 20 vjetësh Shqipëria e kishte krijuar potencën e vet intelektuale dhe të gjithë prisnin se do vinin si elita në pushtet. Jo! Nxorri artificin tjetër që i erdhi nga Kina dhe morën alibinë se duhet të drejtojnë punëtorët. Dhe filloi lufta më e tmerrshme antiintelektualiste në Shqipëri… ky është libri im.
E kam shkruar mirë, s’e kam shkruar mirë, ajo është e drejta juaj ta mendoni. Unë do ta mbyll me atë që e hapa, se historia e përjetuar shkruhet dhe historia e shkruar përjetohet. Nëqoftëse e përjetoni kam shkruar histori, nëse nuk e përjetoni atëherë lexojeni si roman.