Publikuar me : 09.12.2011 Ne :
Politike - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

(I përditësuar)- Kreu i delegacionit për vendet e Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian Eduard Kukan në konferencën për shtyp pas takimit të delegacioneve parlamentare Shqipi-BE ka sqaruar të vërtetën mbi deklaratën e Jozef Daul për kreun e opozitës Edi Rama.
Kukan, i cili deputeti i grupit të Partive Popullore Evropian në PE ka theksuar se ajo që është pasqyruar në mediat shqiptare lidhur me komentin e Daul – që është kryetari i grupit të Partive Popullore Evropian në PE – nuk është aspak e vërtet.
Kukan tha se për këtë ishte interesuar dhe kishte konstatuar se në fjalën e Daul në Samitin e PPE-së nuk është përdorur një gjuhë e tillë.
“Është e vështirë të besoj që ai ka thënë ndonjë gjë si ajo. Nuk i kam ato deklarata, m’i ka dhënë një mik i pranishëm në takimin e Marsejës, që më tha që Daul nuk ka thënë ndonjë gjë të tillë, kështu që jam i sigurtë që e vërteta do të dalë së shpejti dhe korrigjimi apo çfarë është e nevojshme do të gjendet e do të jetë e kënaqshme për personin që është përmendur në këtë deklaratë”, u shpreh Kukan.
* * *
Është mbyllur me miratimin e rezolutës së përbashkët takimi Shqipëri- BE. Për rezolutën kanë rënë dakord dhe opozita me mazhorancën. Thelbi i rezolutës, së nënshkruar me konsensus të plotë mes palëve, është bashkëpunim mes forcave politike me një qëllim të përbashkët për integrimin e vendit në BE.
Eurodeputetët përshëndetën konsensusin politik mes partive politike shqiptare dhe theksuan domosdoshmërinë e ndërmarrjes së reformave për të mos humbur trenin e radhës për në BE. Sipas eurodeputetëve, konsensusi mes palëve është një sinjal i mirë për vendin. Në mbyllje të takimit është diskutuar se takimi i radhës do të jetë pas gjashtë muajsh, në Bruksel.

Viktor Boshtinaru
Boshtinaru: S` është faji ynë kur ju akuzoni Presidentin e vendit për grusht shteti
Eurodeputeti rumun Viktor Boshtinaru gjatë fjalës së tij në takimin me politikanët shqiptarë u është përgjigjur akuzave që i janë bërë më parë për pengim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Boshtinaro theksoi se eurodeputetët që janë të angazhuar në procesin e integrimit janë miq të shqiptarëve dhe kanë punuar vetëm për të lehtësuar reformat dhe dialogun politik.
“Jam një mik i sinqertë i popullit shqiptar. Të gjithë ne kemi punuar për integrimin e vendit tuaj. Vendi dhe besueshmëria e institucioneve vihet në rrezik kur akuzohen Presidenti dhe Prokurorja e Përgjithshme se kanë marrë pjesë në grusht shteti”, tha Boshtinaru duke ju referuar deklaratave që janë bërë pas ngjarjeve të 21 janarit të këtij viti.
Ai ka vënë theksin në një sërë reformash që duhen bërë në vend. Boshtinaru u shpreh se Bashkimi Evropian pritet të marrë vendime të rëndësishme dhe klasa politike duhet të tregojë se e do integrimin e vendit.
*********

Tanja Fajon
Fajon: Kriza e brendshme në Shqipëri, se pengon BE-në të shikoj progresin
Gjatë takimit të sotëm eurodeputetja Tanja Fajon deklaroi se problemet e brendshme nuk do ta pengojnë BE-në të njohë progresin e Shqipërisë. Fajon theksoi se vendi ynë ka bërë progres në hapat drejt BE-së duke shtuar se shpreson që sot liderët në Bruksel pavarësisht krizës të dërgojnë mesazhe të mira për Shqipërinë.
“Jemi duke diskutuar çdo ditë mekanizmin e ri, të propozuar nga PE për pezullimin e përkohshëm të vizave. Shumë gjëra janë në rrezik, si marrëveshja Shengen dhe mbështetja për regjimin e vizave në vendet e treta. Situata është kritike që kërkon angazhim nga ana jonë, gjithashtu nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos pengohen të udhëtojnë në BE. Zgjerimi po bëhet i ndërlikuar” deklaroi Fajon.
Eurodeputetja theksoi se liria e medias është një nga çështjet kryesore që politika duhet të shikojë pasi sipas saj ajo është shtylla kryesore që monitoron punën e institucioneve.
Leskaj: PS po bashkëpunon, reforma zgjedhore mbetet nga kushtet kryesore

Valentina Leskaj
Opozita është e gatshme të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj në mënyrë që vendi të integrohet në BE. Kështu është shprehur deputetja e PS-së Valentina Leskaj në takimin e katërt ndërkombëtar për stabilizim-asocimin mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Ne kemi kemi qënë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të mbështesim procesin e integrimit të vendit. Raporti i KE-së dhe 12 kriteret e kërkuar mbeten dokumente të rëndësishme. Nisur nga kjo ne propozuam paktin me 10 pika. E rëndësishme është që nga 12 prioritet e KE, 4 që lidhen me opozitën janë adresuar”, theksoi Leksaj.
Sipas saj opozita ka luajtur një rol nxitës dhe inkurajues si për reformën zgjedhore, ashtu dhe për Avokatin e Popullit dhe reformën parlamentare.
“Opozita ka dhënë votat e saj për miratimin e 4 ligjeve që kërkonin 3/5 e votave. Kemi kërkuar një proces serioz për përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare në reformën zgjedhore. Problemi me këtë reformë është me kohën, sepse ajo duhet të jetë në kohë për zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Leskaj.
Leskaj u shpreh se problem i madh në Shqipëri mbetet edhe moszbatimi i ligjit dhe korrupsioni, për të cilin vendi ynë zbriti 8 vende në raportin e Transparency International ndërsa shtoi se për këto probleme duhet punuar fort.
**********

Eduard Kukan
Kukan: Shqipëria duhet të kapë trenin e radhës për në BE
Progresi në bashkëpunimin mes palëve politike në vend është domosdoshmëri për të arritur trenin për në BE. Kështu është shprehur kreu i delegacionit të Parlamentit Europian gjatë takimit të katërt ndërparlamentar për Stabilizim Asocimin mes Shqipërisë dhe BE.
“Është e nevojshme për Shqipërinë që të kapë trenin tjetër që shkon për në BE. Takimi i sotëm duhet parë si një përpjekje e PE-së për të ndihmuar vendin tuaj”, tha Kukan.
“Na është dashur një vit e gjysmë për të parë një situatë të re që do të ndërtojë hapa më pozitive. Sot fillojmë një punë të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin politik që duhet të jetë konstruktiv. Ka shumë gjëra për të diskutuar dhe për të rënë dakord, por mendoj se tani është e mundur”, u shpreh Kukan.
* * *

Majlinda Bregu
Bregu: Bojkoti i opozitës bllokoi reformat
Fjalën e hapjes në takimin për Stabilizim – Asociimin e mbajti ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Ajo bëri një përmbledhje të gjithë punës së bërë gjatë një vitit, duke theksuar se vendi ka shënuar progres. Bregu solli në vëmendje faktin se bojkoti i opozitës nuk krijoië mundësinë për vazhdimin e reformave.
“12 rekomandimet mazhoranca nuk mund t`i miratonte vet pa ndihmën e opozitës. Shpresojmë që vitin e ardhshme të marrim statusin e vendit kandidat”, tha Bregu.
*************

Sot në Tiranë po zhvillohet takimi i katërt ndërparlamentar për stabilizim-asociimin mes Shqipërisë dhe BE-së. Takimi po organizohet në hotel “Rogner”. Pas kësaj përballjeje mes politikanëve shqiptare dhe atyre të BE-së pritet që të dilet me një rezolutë të përbashkët.
Në tre takimet e mëparshme, nuk janë miratuar marrëveshjet, të cilat në vetvete ishin një angazhim i palëve në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë.
Dje, gjashtë eurodeputetët, që përfaqësojnë delegacionin parlamentarë të BE-së u takuan me kreun e shtetit Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e PS-së Edi Rama dhe ministrin e drejtësisë Eduard Halimi.