Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Gëzim Tushi
Jo vetëm vetëvrasjet janë shtuar në shoqërinë tonë, por kohët e fundit janë bërë të shpeshta bisedat, shkrimet në gazeta, interpretimet fetare dhe përjetimet shekullare për problemin e vdekjes si dukuri. Nuk e di pse është kthyer kaq bujshëm diskutimi rreth kësaj cështjeje, e cila në jetën e njeriut është shoqërisht e rëndësishme, por nuk është nga ato tema me të cilat duhet të filozofojmë më shumë se duhet. Padyshim në cdo kohë kanë qënë dhe janë të rëndësishme raportet e njeriut me vdekjen. Kjo nuk mund të mohohet. Në këtë kontekst gjithnjë më është dukur me vlerë optimiste teza e vjetër e filozofëve të antikitetit, e rimarë në një platformë të re nga iluministët e shekullit të 18-të, të sipas të cilëve njeriu dhe vdekja janë afër, por ato ecin në rrugë të ndryshme dhe realisht nuk takohen kurrë me njëra tjetrën. Sepse kur është njeriu vdekja nuk eksziston, dhe kur vjen vdekja njeriu nuk është aty. Spinoza shkruante se “Njeriu i lirë për asgjë nuk mendon më pak sesa për vdekjen; dhe dija e tij është jo meditim për vdekjen, po për jetën”.
Frika nga vdekja nuk është gjë që i shërben as njeriut as shoqërisë. Përkundrazi, sipas mendimit tim frika nga frika e vdekjes është paralizuese, penguese për njeriun në rrugën për të realizuar detyrat dhe objektivat e jetës njerëzore. Në shoqërinë tonë kohët e fundit janë shtuar njerëzit që artificialisht e përshpejtojnë vdekjen e tyre. Me ose pa shkaqe të vërteta, kjo është tërsisht e papranueshme nga jeta, feja, zoti, morali e gjithcka tjetër që e ndalon këtë akt. Që në cdo rast së pari dhe mbi të gjitha është vetëm dobësi e turpshme personale. Vetëm njerëzit e dobët, të paorientuar, që nuk kanë motive të vërteta jete, mund të mendojnë për vdekjen e shpejtë, të parakohshme. Sepse ata duke qënë të papërgatitur, të dobët, të pamësuar me sfidat dhe turbulencat e vështira të jetës, gjejnë vdekjen si “rrugën më të shkurër”, si mënyrë për të shpëtuar nga vështirësitë dhe andrrallat e saj të pafundme.
Duhet t’i mësojmë njerëzit të jetojnë ndryshe duke i përshtatur ata me të vërtetat e jetës reale. Që nuk është dhe aq e lehtë dhe e lumtur sa duket, apo sa e ëndërrojnë njerëzit dembelë dhe vanitozë. Ajo është më komplekse. Nëse njerëzit i mësojmë që ta kuptojnë jetën si rrjedhje të lehtë biologjike dhe nuk i përgatisim për komplikimet, vështirësitë dhe sfidat e saj, atëherë nuk kemi përgatitur njeriun e duhur që të mësojë të ecë vëtë në rrugët e vështira të jetës, pa patur frikë nga vështirësitë dhe komplikimet e natyrshme apo artificial të saj. Kjo është pjesa më e madhe e shkaqeve që shumë njerëz që bëjnë vetëvrasje dhe që i marrin padrejtësisht jetën vetes. Njerëzit që dorëzohen para vështirësive kalimtare dhe në vend që të mendojmë dhe të gjejnë rrugët për të dalë prej saj, zgjedhin në mënyrë paradoksale dhe kriminale rrugën e vdekjes së vullnetshme, që sipas tyre është rruga për të shpëtuar prej sikleteve të saj.
Është fatkeqësi e madhe shoqërore për njerëzit që ikin nga kjo botë nëpërmjet vdekjes së vullnetshme. Vetëvrasjet e shumta që kanë ndodhur në Shqipëri na detyrojnë që të mendojmë që të ndihmojmë njerëzit tanë për të rregulluar gjërat e tyre, si kusht që të bëjë një jetë më të mirë dhe jo të luftojë për të bërë vdekje të shpejtë, duke i marrë vetes jetën. Koha kërkon njerëz që të jenë të kthjellët, me vullnet për të përballuar jetën.
Ndërkaq, besoj se duhet ridimensionuar koncepti i ekzagjeruar i “njeriut të suksesshëm”, që është bërë sindromë sociale patologjike për shumë njerëz që në jetë kërkojnë gjithnjë, në cdo rast dhe gjithkund të jenë vetëm fitimtarë. Jeta është kjo, në të cilën njeriu edhe fiton dhe humbet, është i suksesshëm por dhe bën gabime që kanë kosto sociale dhe individuale. Sepse jo të gjitha në cdo kohë janë vetëm në dorën e njeriut. Në dorën tonë është padyshim shumica e gjërave që realizon dhe që të sjellin sukses personal, por kjo nuk mund të na bëjë të mohojmë të vërtetën që në cdo kohë krahas me përpjekjen tonë është edhe “fati që bën lojën e vet”. Edhe ai duhet pranuar si “lojtar” që na shoqëron vazhdimisht dhe që duhet llogaritur për ndikimet që ka në jetën tonë. Nuk është normale që njerëzit të bëjnë analiza të mbrapshta për kuptimin e jetës, e cila nganjeherë i con në konkluzione disfatise dhe perceptime fataliste të realitetit të jetës së vërtetë, duke qënë larg realitetit të vërtetë dhe vlerave që ka “bota e jetës”. Asnjëherë njeriu që ka kuptimin e duhur për jetën për vlerën dhe utilitetin e saj, nuk mund të mendojë dhe ca më pak të shtrojë vetes pyetjen: A vlen të jetosh ? Kjo pyetje është boshe, pa kuptim ekzistencial. Filozofët, sociologët por dhe fetarët optimist thonë, “…se është pyetje që i përshtatet një qënieje në embrion dhe jo një njeriu”.
A ka kritere për të zgjedhur midis jetës dhe vdekjes ? Kjo pyetje është pa alternativë. Ajo ka vetëm një zgjidhje, t’i mësojmë njerzit tanë, t’i përgatisim të rinjtë për të përballuar jetën dhe sfidat e saj të vërteta. I vetmi kriter është përpjekja me cdo kusht, me të gjithë forcat për ta jetuar jetën deri në fund të saj, për të marrë gjithcka na duhet dhe na takon. Kudo dhe kurdoherë ka zgjidhje që janë “përtej vdekjes” së vullnetshme. Mjafton që njeriu të mendojë pozitivisht, të bëjë përpjkekjet e duhura për të ushtruar funksionet dhe realizuar detyrat si “qënie që ekziston”, duke e jetuar si duhet jetën personale. Vetëm kështu mund të zbusim plagët që na ka hapur vdekja e vullnetshme në shoqërinë tonë duke u bërë fenomen social shqetësues.
Ndaj në vend që të lëmë hapësira diskutimi publik, privat dhe mediatik për të filozofuar rreth “kuptimit të vdekjes”, do të ishte e udhës të hapim debate dhe të zgjerojmë rubrikat optimiste që i nxisin njerëzit tanë, vecanërisht të rinjtë që të gjejnë kuptimin e jetës së tyre. E cila sido që të jetë individualisht, e vlen të jetohet. Qoftë edhe pa cilësinë e duhur, në raport me pakthyeshmërinë fatale të vdekjes së vullnetshme. Të ndryshojmë optikën sociale. Në vend që të merremi më problemet morboze e nekrofile të njerëzve të vecantë, që nuk kanë derjtëpeshim ekzistencial dhe stabilitet personal, më mirë t’i mësojmë që të marrin rrugën e duhur për të gjetur kuptimin e jetës. Është më mirë të merremi me kuptimin e jetës, sepse duke e bërë atë ashtu sic duhet, duke e jetuar me të gjithë parametrat ka mundësi që edhe vdekjes si proces natyror t’i japim kuptimin e duhur.
Në këtë jetë moderne njeri i mirë është vetëm ai që urren dhe ka antipati personale të shfaqur dhe mban qëndrim të papajtueshëm me vdekjen. Vetëm kështu do të bëjmë njerëzit tanë të mos kenë frikë prej saj, të dashurohen dhe të bëhen biofilë të jetës së vërtetë. Të rinjtë dhe njerëzit e tjerë që kanë iluzione për vlerën e jetës duhet t’u mësojmë “arin e të jetuarit” dhe kjo do të thotë që të bëjmë gjithcka që secili të kuptojë se jo nënështrimi ndaj vdekjes, por sulmi drejt jetës për të gjetur kuptimin e personalizuar dhe vlerën sociale, është ajo që na duhet, që na shërben për jetën tone, që nuk na lë në të biem tragjikisht në krahet e zeza të vdekjes. Sepse “Nuk mund të arrihet dicka falë vdekjes, duke e pranuar atë, duke e përdorur, duke e përkëdhelur, as lavdia në këtë botë as jeta amëshuar në atë tjetrën. Jetojmë në kohë moderne dhe në një farë mënyre sic theksojnë filozofët dhe sociologët e modernitetit, “ajo që duhet të na interesojë nuk është në se ka jetë pas vdekjes, por të këtë jetë përpara”… (F.Savater, “Bisedë me tim bir”, f 151)