Publikuar me : 02.02.2012 Ne :
Kuriozitete - 41 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Gazmend Kapllani*
Personalisht nuk kam asnjë lloj farefisnie politike me autorin. Dhe nuk do isha këtu të flisja për librin në se nuk do më pëlqente me të vërtetë.
Shumica prej jush që jeni në këtë sallë nuk keni nevojë që unë t’ju flas mirë për librin dhe për autorin sepse kam përshtypjen, duke parë gjestet tuaja, që mendoni mirë për autorin edhe pa e lexuar librin. Do mendonit shumë mirë për të edhe sikur ai mos t’a kishte shkruajtur librin. Kështu që unë do ju them që ju keni të drejtë të mendoni mirë për të por do ju them gjithashtu që ja vlen t’a lexoni librin.
Kur unë them që më pëlqeu libri nuk nënkuptoj që kalova mirë duke e lexuar. Diku qesha, diku u hidhërova, diku pyeta vehten në se është kështu, diku thashë që nuk mund të bëhen për dhjetë vjetë gjëra që duhen breza për t’u bërë.
Në radhë të parë më pëlqeu libri si shkrimtar. Për shkak të gjuhës me të cilën është shkruar. Nuk më ndodh shpesh të lexoj libra në shqip që kanë një gjuhë kaq të qartë e kaq të pasur dhe po ashtu të strukturuar. Virtyti i librit është që në pjesën më të madhe edhe pse flet për shumë gjëra dhe ka shumë fjalë, personazhe e fakte arrin të mos bëhet llafazan.
U gëzova për gjuhën e librit sepse një nga gjërat që kam vënë re sa herë kthehem pas në Shqipëri është deformimi i gjuhës që i ngjan shpesh deformimit të qyteteve dhe qytezave në Shqipëri. Në kohën e komunizmit gjuha shqipe u varfërua shumë, u militarizuau, u gurtësua si fytyra e Sekratarëve të Partisë, u budalleps nga parrullat idiote dhe ksenofobe që kultivonte regjimi. Pas rënies së komunizmit gjuha sikur u shqep e u shqye por duke ruajtur dhunën e kohës së komunizmit. E sheh këtë shpesh në fjalët e politikanëve Shqiptarë dhe atyre që udhëheqin sot e kësaj dite Shqipërinë.
Gjuha e librit të Edi Ramës, gjuha e një ditari dhe programi personal politik, më bëri përshtypje sepse është e pasionuar por nuk është gjuhë dhune. Eshtë gjuhë e ashpër, e një ballafaqimi ideologjik dhe vlerash, por asnjëherë denigruese në nivelin përsonal kundër kundërshtarëve të tij politikë.
Arsyeja e dytë që e lexova me kureshtje të madhe librin është sepse nuk kam jetuar kurrë në Tiranë. Unë kam lindur dhe jam rritur në një qytet provincial në Shqipëri, Lushnje dhe kam jetuar gjithashtu pak vite në Shkodër si student. Në Tiranë kam shumicën e miqve sot por nuk jetuar aty më shumë se dy muaj rresht. Identiteti im urban dhe qytetar është sajuar në një qytet tjetër ballkanik, në Athinë, për historinë e të cilës kam leuxar shumë gjëra.
Kështu që e lexova librin dhe sidosmos pjesën që i takon Tiranës me kureshtjen e një njeriu që ka privilegjin e të qënit emigrant dhe ‘i huaj’. Shpesh, duke e lexuar, më vinin ndërmend krahasime mes Tianës dhe Athinës, edhe pse janë dy qytete që ndryshojnë mjaft për nga historia dhe struktura. Në të njëjtën kohë janë dy qytete që kanë ngjashmëri. Në radhë të parë sepse janë qytete të cilat morrën formën e sotme prej emigracionit të brendshëm. Në Athinë emigracioni i brendshëm nisi pas luftës civile greke që i ndau keqas Grekët. Emigrimi në Athinë nuk ishte vetëm një zgjidhje ekonomike për njerëzit por edhe një përpjekje për të ikur nga fshatrat ku mbizotëronte urrejtja që kishte lënë pas lufta civile. Grekët, sidomos të rinjtë, emigronin në Athinë edhe për të humbur dhe për t’u harruar në anonimitetin dhe dritat e qytetit të madh. Emigracioni i brendshëm në Tiranë filloi pas rënies së komunizmit dhe vazhdon sot e kësaj dite dhe do të vazhdoj edhe në vitet që vijnë.
Athina është një qytet që grumbulloi gjysmën e qytetarëve të Greqisë, Pireu dhe Athina u bashkuan dhe qyteti u shtri drejt malit duke e mbushur edhe atë me beton. Nuk e di se si do bëhet në Shqipëri, në se Durrësi dhe Tirana do bashkohen dhe në çfarë mënyre.
Athina dhe Tirana ndajnë me njëra-tjetrën disa karakteristika të tjera ballkanike. Janë qytete ku bashkëjetojnë elemente heterogjenë, diku duken si Karaçi dhe diku si Milano, ku bashkëjetojnë të gjitha epokat, nga trashëgimnia otomane deri tek shekulli i 21. Kjo bashkëjetesë e të gjitha epokave nuk i lë këto qyete të fitojnë një fjalorin e tyre të qartë siç ndodh me qyetetet e Europës Perëndimore dhe qëndrore. I bën qytete shumë kontradikotre pikërisht sepse nuk janë qytete që kishin privilegjin të mbyllnin ciklet e tyre historike por duhet të rendnin dhe të kalonin nga një epokë tek tjetra në mënyrë të ngutur dhe shpesh kaotike. Por kjo bashkëekzistencë e epokave u jep këtyre qyteteve një energji dhe magji të rallë. I takon politikës dhe urbanistikës t’a nxjerrin në pah diçka të tillë.
Një krahasim tjetër mes Athinës dhe Tiranës është se Athina është një qytet viktimë e ndërtimit abuziv. Askush megjithatë , asnjë kryetar bashkie dhe në asnjë epokë nuk guxoi t’i shembte ndërtimet abuzive në Athinë.
Lexova me shumë interes në libër pjesët dhe shpjegimet për hapësirën publike të Tiranës. Se si Bashkia u mundua të krijojë këtë ndërgjegjie të hapësirës publike dhe të një fati të përbashkët qytetar tek banorët e Tiranës. Duke udhëtuar si gazetar në qyetete shumë të ftohta të Europës kur banorët dalin rrallë nga shtëpitë e tyre kam pyetur vehten: përse në këto qytete kaq të ftohta, ku nuk kanë shumë nevojë për hapësirën publike, për sheshe e parqe mbuluar nga ngrica dhe bora kujdesen aq shumë për to. Ndërsa tek ne në Mesdhe, në Tiranë dhe në Athinë i keqpërdorim, jemi indiferentë për to, i bëjmë pis, i thyejmë, i mbushim edhe ato me beton.
Në Athinë paaftësia e qytetarëve të ndajnë hapësirën publike është sot një nga shkaqet kryesore të krizës së rëndë urbane – kolapsi ekonomik thjesht e nxorri në shesh këtë paaftësi. Kriza e tanishme tregoi se një pjesë e madhe e qytetarëve të Athinës sikur ndjehen të huaj në qytetin ku jetojnë. Dhe në fakt shumica e tyre nuk votojnë asfare në Athinë, votojnë ende në fshatrat e braktisura nga erdhën. Kjo gjë jo thjesht për arsye të një nostalgjie të sëmurë por sepse sistemi politik klientalist e nxiste diçka të tillë. Me pak fjalë, nuk i la banorët e Athinë të ktheheshin në qytetarë të saj.
Nga faqet e librit të Edi Ramës del e qartë se platforma e tij për Tiranën dhe për Shqipërinë është të kalohet nga koncepti ‘banoj në Shqipëri’ në konceptin ‘jetoj në Shqipëri’. Jetoj hapësirën publike, në të gjitha kuptimet e saj do të thotë që të kalosh nga folja ‘zaptoj’ tek folja ‘ndaj’. Ndaj sheshin e lagjes deri tek detyrimet dhe të drejtat. Fatkeqësisht në Shqipëri sot mbizotëron mentaliteti i zaptimit: nga zaptimi i tokës deri tek zaptimi i pushtetit.
Deri këtu bëra paralelizime mes Shqipërisë dhe Greqisë, Tiranës dhe Athinës. Krahasimet nuk vlejnë më kur lexon në libër për botën meskine të politikës Shqiptare. Aq meskine sa të kall datën. Greqia me sistemin e vet klientalist ngjan parajsë para Shqipërisë, sistemi politik i të cilës nuk ngrihet dot as në nivelin e fjalës ‘politikë’.
Këtu dua të ndalem në një pikë për të cilën personalisht jam pozicionuar në shtypin Shqiptar dhe të cilën Edi Rama e prek shpesh në librin e tij. Jo sepse jam përkrahës i Edi Ramës dhe ai e di mirë që nuk jam por sepse vjen një ditë që duhet të zgjedhësh cfarë do mbash dhe cfarë do hedhësh. Dhe këtu e kam fjalën për sulmet denigruese personale kundër tij, sidomos vitet e fundit. Jam hidhëruar dhe çuditur me kolegë apo miq të mi të cilët kur u pozicionova pubikisht kundër këtyre sulmeve më thoshin ‘çfarë do që ngatërrohesh’, ‘ai nuk është shenjt’, ‘Shqipëri hesapi, vari hebet’. Unë nuk mbroj Edi Ramën, mbroj principet e mia. Në asnjë vend të Europës apo të Ballkanit, as kolonelët e pashkollë të juntës ushtarake greke nuk përdornin një fjalor të tillë kundër kundërshtarëve të tyre. Ky fjalor denigrues kundër Edi Ramës është vazhdues i fjalorit nazist dhe enverist, vazhdues i dosjeve të Sigurimit. Kur shoh që tolerohet dhe nuk ndëshkohet ky fjalor kuptoj pse Shqipëria trajtohet ende nga të tjerët si ‘thumb i ngulun në tru t’njerëzimit’.
Konkluzioni im në fund të leximit të librit. Një njeri nuk mund t’a ndryshoj dot një vend. Shqiptarët nuk duhet të presin shpëtimtarë. Por një politikan mund të jap kontributin e tij që të ndërtohet një rrëfim i ri për Shqipërinë. Sidomos në këto kohë të vështira ku horizonti i Europës po erret përsëri dhe fatkeqësisht Shqipëria, politikisht, ka qenë gjithmonë shumë më sensibël ndaj territ se ndaj dritës.
Ky libër krijon një memorie për Tiranën. Ajo që u mungon ndoshta Shqiptarëve është një memorie e vërtetë, transparente, sensi i vazhdimësisë. Shqipëria është një vazhdim i pandërprerë i pavazhdimësisë, i ngjan legjendës së Kalasë së Rozafatit që çfarë ndërtohet ditën shembet natën. As kurbani i gruas së Kryemjeshtrit nuk mjafton më për të mbajtur në këmbë muret. Në vend që të kërkojmë për kurban të tjerë, mirë është që ne Shqiptarët të mundohemi të gjejmë pse shembet edhe ajo pak e mirë që ndërtohet në atë vend.
*Shkrimtar