Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Politike - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Lista e kandidaturave për pozicionin e Avokatit të Popullit përfshin emra të panjohur për publikun e gjerë, por edhe shumë të njohur. Këto dy profile të kundërta mund t’i gjesh në listën prej 33 emrash që ka publikuar dhe Partia Socialiste. Për këtë shkak shumëllojshmëria e profileve që janë ofruar për këtë post, Partia Socialiste do të zhvillojë një seleksionim të dytë duke ngushtuar rrethin e kandidaturave. Po kush janë kandidatët që do të garojnë për një prej posteve më të diskutuara të ditëve të fundit.
***
Në listën e kandidatëve ndodhen emrat e disa personave që gjatë viteve të fundit kanë pasur lidhje me institucionin e Avokatit të Popullit. I pari në këtë listë renditet Ermir Dobjani, ish-Avokati të cilit i mbaroi mandatit. Ai kërkon mbështetjen e PS-së për një mandat të dytë. Por edhe shefi i kabinetit të Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu ka konkurruar për të marrë postin e shefit të tij. Një tjetër punonjës i Avokatit të popullit, i cili ka kandiduar për të marrë postin e shefit është Sotiraq Nushi. Ai është ndihmëskomisioner i Avokatit të Popullit dhe më parë ka kandiduar për komisioner. I fudnit është Agron Çaushi. Ai është zgjedhur në vitin 2000 nga parlamenti si Komisioner i Avokatit të Popullit, mandati i tij ka zgjatur deri në vitin 2003.
***
Për postin e Avokatit të Popullit kanëdidojnë edhe dy persona që kanë lidhje me të përndjekurit. I pari është Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni ndërsa i dyti është Bilal Kola, djali i Kurt Kolës.
***
Në listën e kandidatëve janë disa ish-figura të njohura të Partisë Socialiste. Për këtë garë ka aplikuar Besnik Dervishi, ish-deputet i PS, si edhe ish-ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në qeverinë e Fatos Nanos. Përveç tij, në garë ka hyrë edhe Sokol Hazizaj, ish-zv/ministër i Drejtësisë, ish-deputet i PS-së, anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve në PS dhe pedagog në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Një prej personave shumë të njohur në fushën juridike, Dëshira Subashi, e cila aktualisht mban postin e nënkryetares e KQZ, ka aplikuar për vendin vakant në Avokatin e Popullit. Në KQZ Subashi është vendosur nga Partia Socialiste.
***
Shoqëria civile është përfaqësuar në garën për postin e Avokatit të Popullit me disa emra jo pak të njohur. Në listë spikat dhe Igli Totozani, jurist, publicist, aktivist në fushën e të drejtave të njeriut dhe drejtues i Institutit Europian të Tiranës. Totozani ka kryer disa studime në fushën e të drejtave të njeriut, sidomos në sistemin e burgjeve dhe në paraburgim. Konstitucionalisti Gent Ibrahimi ka kandiduar për postin e Avokatit të Popullit. Ibrahimi njihet si anëtar i disa shoqatave dhe organizatave me karakter juridik. Më pas vjen Genci Tërpo, jurist në Zyrën e të Drejtave të Njeriut.
***
Nga emrat e pakët të aplikuesve femra për këtë detyrë është dhe kandidatura e Elisabeta Imerajt, e cila ka përfunduar magjistraturën, master dhe doktoraturë në fushën e drejtësisë. Aktualisht ajo është prokurore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Një tjetër kandidate është dhe Eni Çobani, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, aktualisht pedagoge në Fakultetin Juridik.
Procedura, si do të zgjidhet Avokati i Popullit
Komisioni Përzgjedhës në Partinë Socialiste ka publikuar dje listën e kandidaturave që do të garojnë për pozicionin e Avokatit të Popullit. Ndryshe nga sa është lajmëruar më parë, numri i kandidatëve arrin në 33 persona, nga 31 që u njoftua dy ditë më parë. Komisioni ad-hoc sqaron se ky shtim i kandidatëve ka ardhur për shkak se gjatë mbrëmjes së 5 dhjetorit kanë mbërritur me postë edhe dy aplikime të nisura brenda afatit. Nga këto aplikime bien në sy emrat të njohur si Igli Totozani, Dëshira Subashi, Gent Ibrahimi apo Besnik Dervishi.
“Duke shprehur kënaqësinë më të madhe për numrin e konsiderueshëm të aplikimeve, komisioni garanton çdo kandidat dhe kandidate për një proces rigoroz e transparent përzgjedhjeje të ndarë në dy faza. Faza e parë që do të mbyllet të enjten në mbrëmje datë 8. 12. 2011, fazë e cila do të zhvillohet mbi bazën e shqyrtimit të dosjeve të paraqitura nga secili prej aplikantëve. Në fund të shqyrtimit, do të përzgjidhet një numër më i vogël kandidaturash që do të ftohen në dëgjesën publike të së hënës date 12 dhjetor 2011”,- thuhet në njoftimin e komisioni përzgjedhës.
Emrat që do të përzgjidhen për të kaluar në fazën tjetër të konkurrimit do të shpallen pasditen e sotme, pas mbledhjes që do të zhvillojnë shtatë anëtarët e komisionit. Më pas, çdo kandidat apo kandidate do të dëgjohet për 15 minuta, gjatë të cilave do të paraqesë vizionin e vet për detyrën e Avokatit të Popullit. Në ndihmë të shpalosjes së këtij vizioni, kandidatët do të mund të shfaqin sipas dëshirës edhe materiale përmes programit “poëer point”. Pas kësaj, për 10 minuta të tjera kandidati do të pyetet ana e komisionit, në funksion të shtjellimit të vizionit të paraqitur apo shpjegimeve të ndryshme që me gjasë do të nevojiten për procesin e përzgjedhjes. Renditja e kandidaturave për dëgjesën publike do të bëhet me short, i cili do të hidhet në prani të të gjithë të përzgjedhurve të hënën e ardhshme në ora 9:30, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Tiranës ku edhe do të zhvillohet dëgjesa publike duke nisur nga ora 10:00. Dëgjesa do të jetë e hapur për median.
“Me vlerësimin dhe kujdesin më të madh për garantimin e këtij procesi që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë nga një parti politike, si edhe me bindjen se suksesi i tij do të përbëjë një gur të rëndësishëm themeli në rrugën e ndërtimit të një modeli të ri qasjeje të politikës ndaj institucioneve të shtetit, ne u urojmë sukses të gjithë të interesuarve dhe e sigurojmë publikun shqiptar në vullnetin tonë për transformimin demokratik të jetës së vendit”, – përfundon sqarimi i komisionit ad-hoc për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Kandidatët
1. Adrian Kasapi, i njohur vetëm si avokati i Sokol Koçiut
2. Agron Çaushi i panjohur për publikun e gjerë. Në vitin 2000 është zgjedhur nga Parlamenti si Komisioner i Avokatit të Popullit
3. Agim Shima është marrë me arsimin në Shkodër, ka kandiduar për postin e kryetarit të PS-së së Shkodrës
4. Anton Lleshaj, i panjohur për publikun e gjerë. Emri i tij figuron në disa publikime gjermane.
5. Arben Spaho, i panjohur për publikun e gjerë.
6. Artur Lazebeu, aktualisht mban postin e Drejtorit të Kabinetit të Avokatit të Popullit
7. Artur Çobani, i panjohur për publikun e gjerë
8. Besim Ndregjoni, ish- i përndjekur politik. Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë
9. Besnik Dervishi, ish-deputet i PS dhe ish-ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në qeverinë e Fatos Nanos
10. Bilal Kola, ish- Drejtor Juridik i Aeroportit, djali i Kurt Kolës
11. Blerta Kraja, avokate ka mbrojtur fillimisht familjarët e viktimave të Gërdecit
12. Darjel Sina, i panjohur për publikun e gjerë. Doktorant në lëndët juridike
13. Dëshira Subashi, aktualisht mban postin e nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
14. Elidon Habilaj, i panjohur për publikun e gjerë, (nuk e njeh as google)
15. Elisabeta Imeraj, ka përfunduar magjistraturën, master dhe doktoraturë në fushën e drejtësisë. Aktualisht prokurore në Prokurorinë për Krimet e Rënda
16. Eni Çobani, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, pedagoge në Fakultetin Juridik
17. Ermir Dobjani, ish- Avokati i Popullit
18. Ermir Hajdini, i panjohur për publikun e gjerë.
19. Genci Terpo, jurist në Zyrën e të Drejtave të Njeriut
20. Gent Ibrahimi, figurë e njohur në fushën e drejtësisë i angazhuar në disa shoqata të ndryshme, konstitucionalit, (kunati i anëtares së kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli)
21. Gjet Kola, avokat i panjohur për publikun e gjerë
22. Kastriot Frashëri, drejtues i Institutit të Çështjeve Kombëtare, publicist
23. Ksenofon Krisafi, diplomuar si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës në vitin 1969. Deri para pak ditësh mbante postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë
24. Igli Totozani, jurist, publicist, aktivist në fushën e të drejtave të njeriut, drejtues i Institutit Europian të Tiranës
25.Irvin Faniko, i panjohur për publikun e gjerë. Ka një studio ligjore, shërbime legale dhe civile
26.Mikel Gega, i panjohur për publikun e gjerë
27.Nuredin Salati, i panjohur për publikun e gjerë, (kushëri i avokatit të PS-së, Arjan Salati)
28. Përparim Kabo, publicist
29. Qirjako Qirko, diplomat, ish-drejtues i seksionit të të Drejtave Njerëzore dhe Minoriteteve në Ministrinë e Jashtme, ish- ambasador në Holandë
30. Rovena Voda, avokate Dhoma e Tregtisë
31. Sokol Hazizaj, ish-zv/ministër i Drejtësisë, ish-deputet i PS-së, anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve në PS, pedagog në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës
32. Sotiraq Nushi, ndihmëskomisioner i Avokatit të Popullit, ka kandiduar më parë për komisioner
33. Sherif Hoxha, i panjohur për publikun e gjerë