Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Politike - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Në dokumentet e gjendjes civile shqiptare nuk do të shënohet më termi “kombësi”. Vendimi është marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka publikuar dje arsyetimin e zbardhur të një prej çështjeve më të diskutuara kohët e fundit. Shumica e anëtarëve të Kushtetueses ka vendosur që të cilësojë si të papajtueshëm fjalën “kombësi” në ligjin “Për gjendjen civile”. Gjykata është vënë në lëvizje nga tre gjykatat e Rrethit Gjyqësor Sarandë, Përmet dhe Shkodër pas shtimit të rasteve kur individë të ndryshëm kërkonin përmes rrugës gjyqësore ndryshimin e kombësi nga shqiptare në greke.
Gjykatat të cilat janë bërë nismëtare të kësaj çështje pretendojnë se identiteti etnik i një individi duhet të konsiderohet si një e dhënë që i përket jetës së tij private. Sipas tyre, mbrojtja e jetës private dhe familjare, në Kushtetutë, bëhet përmes disa dispozitave, veçanërisht nga neni 35 (mbrojtja e të dhënave personale), neni 36 (liria dhe fshehtësia e korrespondencës), neni 37 (paprekshmëria e banesës), neni 53 (mbrojtja e martesës dhe familjes), etj. Parimi i ruajtjes së të dhënave personale, si një aspekt i jetës private, garantohet nga neni 35 i Kushtetutës. Ky nen parashikon, ndër të tjera, në paragrafin e parë se: “askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij”. Nisur nga ky përkufizim, Gjykata Kushtetuese arrin në konkluzionin se, “dispozitat e ligjit për gjendjen civile, objekt i këtij kontrolli kushtetues, duke vendosur detyrimin për regjistrimin e të dhënave mbi ‘kombësinë’ në regjistrat e gjendjes civile, ndërhyjnë në sferën e jetës private të individit, në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës”.
Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e Gjykatës, shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mosdetyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale “sensitive”, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës. Në lidhje me këtë çështje, Kushtetuesja sjell në vëmendje se mbrojtja e të dhënave “sensitive”, si një nga komponentët e së drejtës për respektimin e jetës private, garantohet nëpërmjet shprehjes së lirë të vullnetit për të bërë publike ose jo këto lloj të dhënash, në përputhje me nenin 35 të Kushtetutës.
“Bazuar në çka më sipër, Gjykata çmon se rregullimet e ligjit për gjendjen civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, Gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi“kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për gjendjen civile, cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës”, -- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas botimit të arsyetimit në fletoren zyrtare.
Gjykata e Sarandës: 200 vendime për ndryshim kombësie në 10 vjet
Mbi 200 vendime për ndërrim kombësie janë marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë gjatë 10 viteve të fundit. Kancelar i kësaj gjykate, Xhevahir Guga, pohon se shumica e vendimeve të dhëna kanë qenë për shtetas shqiptarë që kanë kërkuar kombësinë greke. “Ndërrimi i kombësisë ndodh në ato raste kur fëmija në moshë madhore, me një prind me kombësi të ndryshme, kërkon të marrë kombësinë e tij, ndërsa nuk ndodh të bëhet ndryshim kombësie, nga shqiptare në greke, në rastet kur të dy prindërit janë me kombësi shqiptare, sipas ligjit të Gjendjes Civile të vitit 2002”, -- deklaroi kohë më parë Guga.
Gjirokastër, 1600 vendimeve gjyqësore për ndryshime kombësie
Në rrethin e Përmetit, ashtu si dhe në rrethet e tjera të rajonit jugor në Gjirokastër, Sarandë dhe Delvinë ka pasur një fluks të ndryshimeve të kombësisë fillimisht në rrugë administrative dhe më vonë në rrugë gjyqësore, shumë shtetas shqiptarë kanë ndryshuar kombësinë nga shqiptare në greke. Sipas shifrave të bëra publike nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë më shumë se 1600 vendimeve gjyqësore për ndryshime kombësie vetëm në Gjykatën e Gjirokastrës, pa përfshirë këtu rastet e ndryshimit të kombësisë të bëra në rrugë administrative nga zyrat e shërbimit të gjendjes civile para daljes së ligjt.
Gjykata e Rrethit të Përmetit, 469 vendime për ndryshim kombësie
Në Përmet 469 shtetas kanë ndryshuar kombësinë.. Për gjyqtarët e Përmetit ajo që është e paqartë dhe që kërkon interpretim të Kushtetueses në ligjin “Për gjendjen civile” janë nenet ku përdoret termi “kombësi”. Me anë të një kërkese zyrtare, gjyqtarët e Përmetit i drejtohen gjykatës që ka legjitimitetin e shprehjes për raste të kësaj natyre, që të shpallë si të papajtueshëm me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Shqipërisë rastet e përdorimit të termit “kombësia” të përcaktuara në këtë ligj. Në letrën që Gjykata e Përmetit i ka çuar në Gjykatën Kushtetuese thuhet se ky ligj i ka hapur rrugën ndryshimit të pamotivuar të kombësisë shqiptare me atë greke për shumë qytetarëve, prandaj për momentin për këtë arsye, kjo gjykatë ka vendosur që të pezullojë shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin e kombësisë.
Korçë, 192 kërkesa të regjistruara në dy vite për ndryshimin e kombësisë
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka deklaruar kohë më parë nga qyteti i Korçës se çështja e kombësisë nuk duhet të trajtohet në bazë të interesave materiale apo politike që cenojnë integritetin dhe se askush nuk mund ta imponojë zgjedhjen e kombësisë. “Kam pasur, kam dhe do të kem bindjen se ndryshimi i kombësisë mund të bëhet vetëm me vendim gjykate të formës së prerë, por ai nuk mund të vijë as si pasojë e një pazari politik dhe as të një pazari monetar. Është e turpshme për një qytetar shqiptar të ketë turp për origjinën e vetë, ndërkohë që duhet të jetë krenar për të”, është shprehur Spahiu. Në bazë të të dhënave statistikore janë të paktën 192 kërkesa të regjistruara në dy vite për ndryshimin e kombësisë në Korçë.
Çfarë hiqet nga ligji “Për gjendjen civile”
Neni 6/ Përbërësit dhe veçoritë e gjendjes civile të shtetasve
1. Përbërësit e gjendjes civile janë: emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, gjinia, shtetësia, raportet e atësisë e amësisë, gjendja civile, kombësia, vdekja, shpallja i/e zhdukur, vendbanimi, vendqëndrimi dhe fakte të tjera, të parashikuara me ligj.
Neni 8/ Veçoritë e disa përbërësve të gjendjes civile
Lindja, gjinia, emri e mbiemri, raportet e atësisë, amësisë, kombësia dhe shtetësia njihen e mund të hiqen, të shuhen, të ndryshojnë ose t’u kalojnë të tjerëve vetëm në rastet e në mënyrën e përcaktuar shprehimisht në këtë ligj apo në çdo ligj tjetër të veçantë.
Neni 42/ Akti i lindjes
2. Akti i lindjes është procesverbali, që mbahet për çdo të lindur, i nënshkruar nga nëpunësi i gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake/komunë dhe deklaruesi.
Ai përmban:
e)kombësinë, në përputhje me kombësinë e prindërve;
Neni 58/ Kombësia (hiqet i gjithi)
Spahiu: Censusi të shpallet pjesërisht i pavlefshëm
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka shpjeguar dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si një fitore për të gjitha gjykatat dhe për Aleancën Kuqezi. Sipas Spahiut, tashmë edhe censusi i qeverisë duhet të shpallet pjesërisht i pavlefshëm.
Zoti Spahiu, si mund të përkthehet në një gjuhë të thjeshtë vendimi i Gjykatës Kushtetuese?
Gjykata përcaktoi heqjen e konceptit të kombësisë nëpërmjet një rregullimi të veçantë ligjor që parashikonte ndryshimin e saj me vendim gjykate. Sot dhe mot, ai që do të jetojë në Shqipëri duhet të jetojë si shqiptar, ashtu si gjermanët dhe francezët.
Po me censusin çfarë duhet të ndodhe?
Censusi duhet të shpallet pjesërisht i pavlefshëm
Po me ndryshimin e kombësisë në gjykatë?
Nga këtej e tutje askush nuk mund ti drejtohet gjykatës për ndryshim kombësie sepse dispozitat e ligjit për ndryshim me gjyq janë antikushtetuese.
Në kuadrin e Aleancës Kuqezi, si mund të cilësohet ky vendim?
Në kuadrin e Aleancës është fitore. Denoncimi i më shumë se 5000 vendime në të cila është lënë kombësia shqiptare dhe është marrë një e huaj, kryesisht greke, provohet se është bërë mbi një legjislacion në të cilën parlamenti kishte shkelur kushtetutën. Reagimi i të gjithë gjyqtarëve nga Saranda deri në Shkodër për t’iu kundërvënë këtij legjislacioni rezultoi që kishim të bënim me një vendim haptazi antikushtetues dhe në dëm të interesave shqiptare. Ligji i 2003, por dhe ligji i 2009 për gjendjen civile dhe ndryshimin e kombësisë kanë cenuar rëndë identitetin kombëtar. Është detyrim i çdo qeverie e parlamenti të zhbëjë dëmin që i ka sjellë çështjes shqiptare dhe identitetit kombëtar. Serioziteti i tyre do të shikohet nëse do të pranojnë deklarimin e pavlefshëm të asaj pjese të formularëve të regjistrimit të popullsisë, të censusit, ku njerëzit pyeten për kombësinë.