Publikuar me : 22.12.2011 Ne :
Politike - 82 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Igli Totozani
(I përditësuar)- Kuvendi ka miratuar Igli Totozanin, si Avokat të Popullit me 127 vota pro. Në votimin e fshehtë për Totozanin kishte vetëm 2 vota kundër dhe 3 të tjera abstenim. Pas miratimit të kandidaturës Totozani bëri edhe betimin para marrjes së detyrës.
Totozani u përzgjodh nga një komision i posaçëm i Partisë Socialiste, ku morën pjesë 33 kandidatë të cilët në mënyrë vullnetare paraqitën aspiratën për këtë pozicion.
Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Stefan Fule ka përshëndetur miratimin që Kuvendi bërë për kandidaturën e Igli Totozanit. Një gjë të tillë ka bërë edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart.
Në seancën e fundit të Kuvendit për vitin 2011, mazhoranca ka rrëzuar propozimin e Partisë Socialiste për uljen e TVSH-së për disa produkte bazë. Dy nismat e PS-së për ndryshimin e ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të ndryshuar’ u rrëzua me 71 vota kundër dhe 63 pro.
Në momentin e votimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u ka kujtuar deputetëve të PD-së që të votojnë kundër kësaj nisme. “Janë nisma të PS-së, pra e keni të qartë”, tha Topalli pak sekonda para hapjes së votimit.
Gjithashtu në këtë seancë të fundit për këtë vit u diskuar edhe përfaqësimi i mazhorancës dhe opozitës në delegacionin parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. PS kërkoi një përfaqësim sa më të barabartë duke qenë se aktualisht PD ka më shumë anëtarë. Kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi që një gjë e tillë të hidhet në votim dhe të konsiderohet si një provim për mazhoracën.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli e lidhi këtë kërkesë me çregjistrimin e deputetit Kastriot Islami nga grupi parlamentar i PS-së, i cili është përfaqësues i këtij delegacioni që prej vitit 2005 dhe është raportues për Gjeorgjinë.
“Ajo që kërkojmë ne nuk ka të bëjë me Islamin dhe ju lutem mos abuzoni me emrin e zotit Islami. Ju keni 3 anëtarë ne kemi vetëm 1, ndërsa ju keni 1 zëvendësues dhe ne kemi 3”, tha zv.kryetari i Kuvendit, Namik Dokle.
Kreu i delegacionit të Shqipërisë në APKE, Ilir Rusmaili reagoi duke thënë se kjo çështje është shqyrtuar njëherë në fillim të vitit 2011.
“Asambleja e KE-së bëri raport për kredencialet e delegacionit shqiptar dhe kanë thënë – është dokument zyrtar – përfaqësimi i PS-së me 3 anëtar 1 përfaqësues dhe dy zëvendësues është përfaqësim proporcional”, tha Rusmaili.
Më pas mazhoranca e rrëzoi edhe me votim një kërkesë të tillë.
* * *
Komisioni i Ligjeve miraton kandidaturën e Igli Totozanit për Avokat të Popullit
Komisioni i Ligjeve ka miratuar kandidaturën e Partisë Socialiste për postin e Avokatit të Popullit. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm dhe kandidati i PS-së, Igli Totozani, i cili raportoi rreth eksperiencës së tij personale përpara deputetëve.
Anëtarët e këtij komisioni kanë dëgjuar vizionin e Totozanit për drejtimin dhe strategjinë e punës së këtij institucioni. Ndër të tjera, ai theksoi se do të punojë për një institucion të pavarur.
Kandidatura e tij u konsiderua politike nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe deputetë të tjerë të mazhorancës. Ndërkohë deputetët e opozitës kanë reaguar duke theksuar se Totozani nuk ka qënë për asnjë ditë në strukturat e Partisë Socialiste.
Kandidatura e Totozanit pritet të votohet në seancën e ardhshme plenare. Për miratimin e tij si Avokat i Popullit nevojitet 84 vota.
**********
Komisioni ad-hoc zgjedh Igli Totozanin për Avokat i Popullit
Igli Totozani, lindur në Tiranë në 1973 është djalë i një familje mjekësh të njohur në kryeqytet. Nëna e tij Drita Osmanlliu, e familjes së vjetër tiranase të Osmanlinjve, është profesore e Anatomisë prej gati 50 vjetësh. Babai, Dragush Totozani, doktor i shkencave është mjek psikiatër, një nga themeluesit e katedrës së psikiatrisë në Shqipëri.
Denis Dedej
Partia Socialiste do t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë Igli Totozanin si kandidat për pozicionin e Avokatit të Popullit. Juristi dhe publicisti i njohur është përzgjedhur nga komisioni ad-hoc i ngritur në selinë rozë, i cili ka vlerësuar kandidaturat e ardhura për një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. “Fitues publik dhe i deklaruar i garës është Igli Totozani, ka një CV të pasur, të shoqëruar me tregues domethënës të aktivitetit shoqëror, shkencor, akademik. Është po ashtu një qytetar aktiv në jetën dhe debatet publike”,- tha dje komisioni ad-hoc në lidhje me emrin e kandidatit për Avokat të Popullit.
Pas një procesi që ka zgjatur për disa ditë dhe i ndarë në disa faza, ashtu siç ishte parashikuar, në orën 15:30 të ditës së djeshme komisioni ka shpallur emrin e kandidatit. Për këtë proces janë paraqitur 33 kandidatura, nga të cilët 12 u përzgjodhën për dëgjesën publike dhe në fund u vendos që emri i Igli Totozanit t’i propozohet për miratim Kryesisë së PS dhe më pas grupit parlamentar socialist. Mbledhja e këtij forumi, një prej më të rëndësishme në selinë rozë, është përcaktuar për paraditen e sotme në orën 11:00. Pas zyrtarizimit të kandidaturës, grupi i PS do të firmosë të martën propozimin për ta dërguar në Kuvend.
Për kandidaturën finale procesi është ndarë në seleksionim, nga 33 në fillim, 12 që u dëgjuan, më pas 6 dhe pastaj mbetën 3 kandidatura. “Në fund, me shprehjen e konsideratës më të lartë për të 12 kandidaturat e dëgjuara publikisht, Komisioni Përzgjedhës vendosi t’i përcjellë Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Grupit Parlamentar Socialist kandidaturën e zotit Igli Totozani.”,- bëri të ditur vendimin e komisionit, Eglantina Gjermeni.
Komisioni: Pse zgjodhëm Totozanin
“Gjykojmë se z.Totozani ka formim të plotë intelektual dhe aftësi të spikatura qytetare për të mbajtur me dinjitet pozicionin e Avokatit të Popullit, cilësitë e nevojshme të personalitetit që të luajë me profesionalizëm e me dinjitet rolin e mbrojtësit të lirive dhe të të drejtave të qytetarit, përmes ushtrimit me kompetencë të të gjithë përgjegjësive dhe prerogativave që ka përcaktuar Kushtetuta e Shqipërisë”,- thuhet në raportin e komisionit ad-hoc prej 7 anwtarwsh. Nw raport theksohet se “formimi profesional dhe ndjeshmëria sociale e vënë re qartazi në prezantimin e tij treguan se kandidati ka perceptim të plotë dhe vizion të qartë për misionin e Avokatit të Popullit, për pozicionin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij institucioni”. “Niveli i lartë i shkollimit të vazhduar akademik, universitar dhe postuniversitar, si dhe angazhimet e shumta qoftë në administratën shtetërore, në gjirin e shoqërisë civile apo në rrethet e botës akademike si mësimdhënës, së bashku me qëndrime të spikatura publike sidomos për çështje të demokracisë, lirive e të drejtave, janë mjaft bindëse për faktin se Igli Totozani është në lartësinë e detyrës së Avokatit të Popullit”, – vijon më tej raporti i komisionit ad-hoc. Grupi përzgjedhës ka shprehur mendimin se Igli Totozani ka gjithashtu një figurë të mirë morale. Sipas tyre, ky është element me shumë rëndësi, që forcon besimin se ai i ka të gjitha mundësitë të çojë përpara ndërtimin e sistemit të vlerave humane dhe përgjegjësisë qytetare që duhet të ketë Institucioni i Avokatit të Popullit.
Më tej, komisioni vlerëson se “daljet e tij publike në një vijimësi tw mjaftueshme kohore si qytetar e intelektual i pavarur, si edhe analizat dhe interpretimi i problemeve të jetës politike e sociale, janë një kornizë që e bëri të plotë bindjen e krijuar gjatë prezantimit mbresëlënës tw z.totozani në dëgjesën publike”.
“Vizioni i tij për misionin, funksionimin, strukturën dhe përmirësimet eventuale që duhen bërë për ta bërë institucionin e Avokatit të Popullit sa më aktiv, dinamik dhe performues, tregojnë se ambicia e Igli Totozanit për këtë detyrë është një synim i madh qytetar dhe publik për të bërë një punë me vlerë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, duke e afruar këtë institucion më pranë qytetarit po edhe standardeve europiane”, – nënvizojë anëtarët e komisionit në vlerësimin e tyre.
Në përfundim të vendimit thuhet se “kandidatura e Igli Totozani rezultoi fituese në të gjithë etapat e procesit të përzgjedhjes si kandidatura më e përshtatshme ndër kandidaturat shumë të mira që konkurruan për ta kryer me nder këtë funksion të rëndësishëm kushtetues”. Vendimi i komisionit ad-hoc sëbashku me vlerësimin për fituesin e konkurrimit publik për Avokatin e Popullit do t’i dorëzohet Kryesisë së PS.
OSBE: Shpresojmë një vendim të shpejtë të Kuvendit
OSBE ka përshëndetur zgjedhjen e kandidatit të Partisë Socialiste për pozicionin e Avokatit të Popullit. Në një komunikim për mediat, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka shprehur dje vlerësimin e tij për këtë proces. “I përshëndes hapat që janë hedhur kohët e fundit, si dhe procesin e Partisë Socialiste për kandidatin për postin e Avokatit të Popullit. Ky është një hap kyç për plotësimin, më në fund, të këtij institucioni, pas mbetjes bosh që në fillim të vitit 2010, në mënyrë që zyra e Avokatit të Popullit të funksionojë sërish me efikasitet të plotë”, – deklaroi ambasadori i OSBE-së.
“Shpresoj që Kuvendi të marrë një vendim të shpejtë, në lidhje me emërimin e Avokatit të ri të Popullit, i cili do të kontribuojë efektivisht në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve në marrëdhënie me administratën publike”, – apeloi ambasadori Volfarth.
Rama: Avokat për Popullin jo për pushtetin
Pak minuta pas publikimit nga komisioni të fituesit të garës për Avokatin e Popullit, edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përshëndetur procesin e zhvilluar. “Shqiptarët sapo panë një provë se PS është gati për një administrim publik europian. Avokat për Popullin jo për pushtetin sot apo nesër!”, – deklaroi Rama në një komunikim në rrjetin social “Twitter”.
12 kandidatët e fundit
Kesnofon Krisafi
Besnik Dervishi
Përparim Kabo
Qirjako Qirko
Bilal Kola
Igli Totozani
Blerta Kraja
Elisabeta Imeraj
Artur Lazebeu
Dëshira Subashi
Ermir Dobjani
Sokol Hazizaj
Komisioni përzgjedhës
Astrit Beci
Besnik Baraj
Eglantina Gjermeni
Gëzim Tushi
Mimoza Hafizi
Luan Omari
Vangjel Kosta