Publikuar me : 25.10.2011 Ne :
Politike - 92 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ktheu mbrapsht dje ndryshimet e paraqitura nga qeveria në ligjin për shoqëritë tregtare duke i cilësuar si të paplota. Me një vendim unanim, anëtarët e komisionit vendosën që t’i kërkojnë Ministrisë së Ekonomisë që të rishohë ligjin për ta bërë të zbatueshëm. Thelbi i refuzimit nga ana e Kuvendit ishin paqartësitë e ligjit me procedurat e falimentit të një shoqërie tregtare dhe mënyra e likuidimit të punonjësve pas falimentimit.
Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë propozuan rritjen me 1.5 milion lekë kapitalin fillestar për shoqëritë aksionare me ofertë private. Subjektet ekzistuese do të jenë të detyruara të përfundojnë procedurat për regjistrimin e kapitalit brenda një vit nga hyrja në fuqi e ligjit. Në rast se nuk do të përmbushet kërkesa për rritjen e kapitalit fillestar në 3,5 milion lekë, nga 2 milion që thotë ligji aktual, firma ekzistuese do të ç’regjistrohet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit pas përfundimit të procesit të likuidimit.
Por, kjo pikë që përcakton likuidimin dhe çregjistrimin kundërshtohet nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilët e shohin atë në kundërshtim edhe me rekomandimet e Bashkimit Europian. Nëse firma nuk do të arrinte që të rriste kapitalin saj, administratorët e shoqërisë tregtare si rregull duhet të fillojnë likuidimin. Praktika e deritanishme ka treguar se asnjë prej administratorëve nuk do të dëshironte që të niste likuidimin. E vetmja mundësi do të ishte ndërhyrja e shtetit, por ligji e parashikon vetëm në rastin e falimentit. Mungesën e zbatimit në praktikë të ligjit e konfirmoi edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, sipas të cilit, shumë nga kompanitë nuk kanë zbatuar as ligjin e mëparshëm për kapitalin dhe ndryshimet në statut. “Në terma praktikë kjo është duke ndodhur. Pjesa më e madhe e shoqërive nuk e kanë përshtatur statutin me ligjin për shoqëritë tregtare. Është një pjesë e madhe e shoqërive tregtare që nuk e kanë përshtatur ende edhe në bazë të ligjit aktual ku parashikohet një afat prej tre vjetësh për ta përshtatur”,- tha ai.
Edhe vetë deputetët demokratë dolën kundër ligjit duke e cilësuar si të mangët. “Nuk përcaktohet se cili do të jetë statusi. Do të prishet shoqëria, por shoqëria nuk pushon së funksionuari. Kompania duhet të futet në likuidim. Po kush e fut në likuidim? E dyta me çfarë arsye shteti futet në një marrëdhënie. ‘De fakto’ neni 230 i shoqërive tregtare sot është i pazbatueshëm”, tha deputeti Viktor Gumi. Kritik ndaj Ministrisë së Ekonomisë u tregua kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali sipas të cilit, ky institucion i ka paraqitur Kuvendit një ligj të pazbatueshëm. “Ne sapo dëgjuam ekspertin e Ministrisë së Ekonomisë që tha nuk është realizuar dhe me shumë gjasa nuk ka për tu realizuar. Në qoftë se jemi para kësaj situate është plotësisht ajo e drejtë që tha sheh se Ministrisë së Ekonomisë i duhet tërhequr vëmendja se po na sjell një projektligj që nuk ka për tu realizuar. Gjithsesi neve përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për ne sot. Ne s’mund të ribëjmë ligjin”, theksoi Rusmali.
Debatet e djeshme
Viktor Gumi: Në terma praktikë a do më thoni e çfarë ndodh për një shoqëri që ka 100 punëtorë, 100 aksionerë por që nuk arrin kapitalizmin limit?
Përf. Ekonomisë: Në terma praktikë kjo është duke ndodhur. Pjesa më e madhe e shoqërive nuk e kanë përshtatur statutin me ligjin për shoqëritë tregtare. Është një pjesë e madhe e shoqërive tregtare që nuk e kanë përshtatur ende edhe në bazë të ligjit aktual ku parashikohet një afat prej 3 vjetësh për ta përshtatur.
Viktor Gumi: Nuk përcaktohet se cili do të jetë statusi. Do të prishet shoqëria, por shoqëria nuk pushon së funksionuari. Kompania duhet të futet në likuidim. Po kush e fut në likuidim? E dyta me çfarë arsye shteti futet në një marrëdhënie. ‘De fakto’ neni 230 i shoqërive tregtare sot është i pazbatueshëm
Tritan Shehu: Problemi është këtu: Nëse ne e gjejmë të themi të parealizueshme apo jo në përputhje me realitetin, ia dërgojmë ministrisë përkatëse dhe të na vijë prapë herë tjetër. Por si nen është i qartë. Automatikisht futet në likuidim
Pandeli Majko: Unë kam një miqësi të gjatë me zotin Shehu dhe besoj se s’do më keqkuptojë. Nëse do të kishim një diskutim për shëndetësinë, midis jush dhe zotit Gumi do ju dëgjoja juve.
Komisioni i Venecias lë Topin jashtë reformës zgjedhore
Ndryshimet kushtetuese të tre viteve më parë që i hoqën të drejtën Presidentit të Republikës që të marrë pjesë në reformën zgjedhore duket se janë kuptuar edhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias. Ata kanë ardhur dje në Tiranë për të diskutuar këtë fakt dhe nuk kanë planifikuar asnjë takim me presidentin Topi. Në axhendën e delegacionit thuhet se do të qëndrojnë në Tiranë më 24 dhe 25 tetor 2011 për të shkëmbyer pikëpamjet me autoritetet kombëtare për legjislacionin shqiptar dhe praktikën e deritanishme zgjedhore. Gjatë këtyre dy ditëve të vizitës në vendin tonë , delegacioni do të takohet me Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministri i Punëve të Jashtme, përfaqësues të partive politike, autoritete të tjera kombëtare dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri. Burime të presidencës bënë të ditur se nuk ka asnjë kërkesë nga Komisioni i Venecias për takim. Në orën 11.00 presidenti do të takohet me përfaqësues të Programit të Lidershipit të 11 vendeve të rajonit. Një orë më vonë do të takohet me kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Musliu dhe Kryetarin e Komunës se Preshevës, Mustafa. L. T
Ekspertët e Venecias dhe OSBE nisin mbledhjen e të dhënave
Delegacioni i Komisionit të Venecias dhe i të OSBE/ODIHR në kuadër të vizitës dyditore në Shqipëri kanë takuar dje ministrin e Punëve të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, kryeministrin Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Fillimisht, përfaqësuesit e dy institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare kanë qenë të pranishëm në Ministrinë e Jashtme, ku kanë biseduar për disa minuta me drejtuesin e kësaj ministrie. Më pas, delegacioni i është drejtuar kryeministrisë, ku është zhvilluar një takim me kryeministrin Berisha. Në këtë takim, anëtarët e delegacionit siguruan se do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre për reformën e ardhshme, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira teknike që shohin drejt të ardhmes, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndërsa pasditen e djeshme, zyrtarët e Venecias dhe të OSBE janë takuar me kryetarin e PS-së, në ambientet e selisë rozë.
Markert: Opinioni jonë do të jepet më 16-17 dhjetor
Sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert, sqaroi dje për mediat se qëllimi i vizitës në Tiranë është hartimi i një opinioni të përbashkët për përmirësimet që mund t’i bëhen ligjit elektoral dhe praktikave zgjedhore. “Komisioni i Venecias është këtu sepse kemi marrë një detyrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës për të parë çfarë përmirësimesh mund të bëhen në Kodin Zgjedhor në të ardhmen për të shmangur krizat politike. Ne do të kemi shumë takime. Opinioni formal i Venecias do të jepet më 16-17 dhjetor dhe ne do të ftojmë përfaqësuesit e Shqipërisë në këtë sesion. Por është e rëndësishme për të pasur këtë dialog për të vazhduar më pas”, – deklaroi mesditën e djeshme Markert.