Publikuar me : 10.09.2011 Ne :
Sport - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ka qenë një mbërritje në Tiranë pa bujë dhe mbi të gjitha kokëulur, kjo e përfaqësueses kuqezi menjëherë pas humbjes së turpshme me Luksemburgun. Ishte ora 3 e mëngjesit të së mërkurës kur ka mbërritur çarteri i përfaqësueses sonë, të përgjysmuar e pa rreth 9 lojtarë që janë kthyer në kryeqytet. I pari ka qenë trajneri Kuzhe që ka dalë nga aeroporti, me një qeshje të sforcuar kur na pa, megjithatë mundohet të japë një shpjegim për atë paraqitje shumë të dobët, siç e pamë vetë, por ashtu si e tregon edhe ai.
“Një ditë e pafat për ne, bëmë disa gabime dhe nuk luajtëm mirë, për më tepër pësuam gol. Për pjesën e dytë kishim një plan të mirë sipas mendimit tim, por ai karton i kuq e prishi planin tonë. Gjithsesi, ne e humbëm ndeshjen dhe ky ishte një rezultat i keq, shume i keq për ne, në mënyrë të veçantë për imazhin tonë. Për mendimin tim Shqipëria duhet të mësojë nga kjo ndeshje”.
Në tërësi, por në veçanti në pjesën e dytë, lojtarët tanë thjesht “ecnin” në fushë e nuk kishin më energji për të vrapuar. Sigurisht që një përfaqësuese me një mesatare lojtarësh në formacion mbi 30 vjeç, nuk mund të përballojë 2 ndeshje brenda 4 ditëve. Padyshim që ndeshja me Francën ishte një sforcim i madh, ndoshta i kotë pasi ne nuk kemi kundërshtar “gjelat” dhe nuk besonim se mund të fitonim, por me Luksemburgun, ishte i padiskutueshëm objektivi për fitoren.
“Lodhja ishte nje problem më vete, gjendja e lojtarëve tanë nuk ishte e mirë. Në pjesën e dytë lojtarët tanë nuk kishin mundësi të vraponin. Por e përsëris edhe një herë që na duhet të mësojmë nga gjithcka që pati kjo ndeshje. Në mënyrë të menjëherëshme duhet të fillojmë nga fillimi” shprehet Kuzhe.
Në të vërtetë “nga fillimi” duhej filluar që kur nisi ky edicion eliminatoresh, por nuk u bë. Në momentet e vështira iu kërkua sërish ndihma Lalës, Skelës e Duros, edhe pse kondicioni i tyre në disa ndeshje nuk ishte për të luajtur. Gjithsesi zëvendësimi i shumë përfolur nuk u bë dhe për këtë Kuzhe nuk ka përgjigje. Tashmë që ka mbërritur gjithçka në fund, trajneri kroat ngre zërin për rinovim të skuadrës. “E thashë edhe më sipër, Shqipëria ka nevojë të fillojë menjëherë nga e para, duke ngritur një skuadër të re, të grumbullojmë lojtarë të rinj. Na duhet të provojmë gjëra të reja që mund të na japin diçka më shumë në këto eliminatore, kjo është e ardhmja për Shqipërinë. Duhet të mësojmë të ndryshojmë shumë gjëra.”
Një humbje e tillë me Luksemburgun na jep shenjën e një sezoni që po mbyllet me turp e shumë larg objektivave. Asgjë nuk ka ndryshuar nga momenti i parë kur Kuzhe mori drejtimin e kuqezinjve. Për rezultate të tilla u largua Ari Han. Edhe Oto Bariç dy edicione më parë që pati kurajon të largohej, ndërkohë që Kuzhe nuk beson se është ai fajtori i gjithë kësaj që po ndodh me përfaqësuesen, e sigurisht nuk mendon se mund të japë dorëheqjen. “Deri tani nuk kam menduar për pozicionin tim. Dua të mbyll këto ndeshje, pasi na mbeten edhe dy takime të tjera. Nuk e mendoj shumë këtë gjë. Sigurisht, Shqipëria është e ngulitur thellë në mendjen time, por do të shohim, të shohim…”