Publikuar me : 23.06.2011 Ne :
Kulture - 211 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Elsa Demo
“Arkipelagu i Ballkanit” nisi në Milano sipas idesë së kuratores Claudia Zanfi për një udhërrëfyes
alternativ për rajonin. Edi Muka, kuratori shqiptar që prezanton në fundjavë pjesën e parë të rezultatit të projektit, sqaron se guidat zyrtare që janë guidat turistike, tregojnë për vendet e bukura, kurse harta që sjell projekti tregon kryesisht për jetën kulturore, për atë çka haset në territor. Nga këtu lindi ideja e “Alternative Tirana” që nisi rastësisht nga artistët e “Alterazioni Video”. Kontakti i parë ka qenë Matteo Erenbourg. Ai ka marrë pjesë në Bienalen e Tiranës më 2009, në pjesën kushtuar arkitekturës. Që të përfitohej sa më shumë nga terreni, një nga artistët e “Alterazioni Video”, Andrea Masu, udhëtoi nga Kroacia, në Mali të Zi, përshkoi Shqipërinë e përfundoi në Greqi me motor. Gjatë këtij udhëtimi janë bërë shumica e imazheve dixhitale që janë hedhur në formatin nostalgjik polaroid. Paralel me Andrean, Matteo Erenbourg, bënte një udhëtim virtual nëpër rrjetet shqiptare facebook duke vjelë aty imazhet që sjellin njerëzit nga Shqipëria. Matteo pohon në intervistë se imazhi që kanë hasur më shumë si gjatë udhëtimit real edhe gjatë virtualit, ka qenë lavazhi. Ai del kudo. Mbi këtë element ata do të ngrenë performancën e instalacionin e së shtunës, në orën 11.00-14.00 në Sheshin Italia (Para Stadiumit “Qemal Stafa”). “Alterazioni Video”, të pesë djemtë Paololuca Barbieri Marchi, Alberto Caffarelli, Matteo Erenbourg, Andrea Masu dhe Giacomo Porfiri, që kanë ardhur nga Nju Jork, Milano e Berlini ku jetojnë jetojnë, do t’iu lajnë makinat qytetarëve të Tiranës.
Edi Muka thotë se ka disa nënshtresa zgjedhja e Sheshit “Italia”: influenca e vjetër koloniale e Italisë, influenca e re e koloniale nëpërmjet emigrantëve që jetojnë në atë vend, gjithashtu makinat. Ndërsa gjesti i larjes në performancën “Lavazh Special Parti”, sipas Mukës ka një nënshtresë që lidhet me ngjarjet politike të kohëve të fundit, me idenë e Shqipërisë së pastër që ka nevojë për të larë politikën dhe mënyrën e të bërit të gjërave. E gjithë kjo situatë është pa mëdyshje një tregues edhe për vetë situatën në Itali, për mënyrën dhe politikën berluskoniane të qeverisjes së vendit.
Është në natyrën e punës së “Alterazioni Video” të punojnë në dy plane të realitetit, virtualin dhe realin, ta përfshijnë artin e tyre si aksion në hapësirën publike.
Si ka nisur kjo punë Mateo?
Prezantojmë dy punë në Tiranë. “Tirana Alternative” është realizuar e gjitha në internet. Kaluam dhjetë ditë në rrjetet on line të shqiptarëve gjatë verës 2010 për 10 ditë. Krijuam kontakte, mblodhëm dhe krijuam më shumë se 600 imazhe që i kemi kërkuar në rrjetet facebook të shqiptarëve kudo që janë, në Shqipëri dhe nëpër botë.
Cili ishte qëllimi?
Për të treguar një portret të vendit parë nga sytë e shqiptarëve.
Një portret virtual?
Po, por që në njëfarë mënyre është një portret që ekziston në qindra foto portrete, peizazhe, fotomontazhe. Shumë nga këto imazhe nuk i kuptojmë, e ndoshta jemi magjepsur edhe prej kësaj.
Nëse nuk e kuptoni realitetin, çfarë vlen për ju atëherë?
Është një udhëtim në Shqipërinë reale nëpërmjet një udhëtimi virtual. Do ta krahasoja me imazhin që kanë pasur dhe kanë shqiptarët për Italinë nëpërmjet televizionit. Krijohet një magjepsje ndaj një vendi pa kuptuar mirë se për çfarë bëhet fjalë. E me siguri që këtu gabohet.
Një qëndrim ka: është ironik.
Është ironia dhe kreativiteti i përditshmërisë. Një nga aspektet që kemi vënë në dukje janë lavazhet, aq shumë të përhapur nëpër Shqipëri. E ndoshta te kjo do të përqendrohemi.
Pse çfarë ka përtej?
Ne mendojmë që i korrespondon kultit të makinës që ekziston në Shqipëri. Sigurisht që ka të bëjë me gjendjen e urbanistikës me rrugët e pista që ndotin makinat e prej kësaj lind nevoja e lavazheve. Për ne është dhe një akt simbolik i pastërtisë. Në Itali ndodhemi në një situatë politike “të pistë” kështu që ka nevojë për një higjienë. Në ekspozitën e të shtunës do të prezantojmë një koleksion të këtij arkivi dhe dokumentacionin e performancës “Lavazh Special Parti” që do të bëjmë të shtunën.
Si i keni siguruar fotot?
Për të tërhequr këto foto kemi kontaktuar përdoruesit e facebookut, nga udhëtimi nëpër Shqipëri, nga bregdeti në mal. Bëhet fjalë për foto gjatë vitit 2009-2010. Përdoruesit e internetit janë rritur afro 300 për qind. Gati 80 përqind e popullsisë është on line. Ka ndodhur një zhvendosje e madh në facebook në vitin e fundit dhe janë afro 1 milionë e 600 mijë përdorues shqiptarë të këtij mediumi e që kanë krijuar këtë imazh të Shqipërisë ndoshta dhe në mënyrë të pavullnetshme. Janë të shumëllojshme prurjet e tyre.
Grupi ynë, dy jetojnë në Itali, dy në Gjermani e një në Nju Jork, punon gjithmonë në rrjet on line. E për dhjetë ditë ishim në Shqipëri nëpërmjet internetit. Ishte një udhëtim mes shqiptarësh duke përdorur edhe gjuhën e tyre falë google translate.
Dhe ju duket realiste kjo metodë?
Histori e Shqipërisë virtuale dhe reale që ne tregojmë mua më duket shumë realiste. Kur erdha këtu pashë shumë gjëra që i kisha parë në rrjet. Për mua Shqipëria reale ishte një déjà vu, një portret shumë realist. Kemi përdorur një teknikë të veçantë dhe jemi të kënaqur nga rezultati.
Andrea Masu:
“Bashkë me të fejuarën, udhëtova me motoçikletë në gusht 2010 nga Kroacia në Greqi. Mbaja lidhje me Mateon që pushonte i mbyllur në shtëpi para internetit. Mateo më jepte informacion dhe unë mbërrija në vend me motor, unë e sinjalizoja për vendet dhe ai kërkonte në internet. Unë në rrugë me njerëzit, ai në rrjetet sociale on line. Kështu që kemi eksploruar dy plane të ndryshme të realitetit njëri virtual e tjetrit real, i përditshëm. Rezultati? Nuk ka shumë ndryshim nga njëri plan në tjetrin.
Udhëtimi im ndodhi në gusht, plasnim nga vapa. Erdha nga kufiri malazez drejt Tiranës, duke kaluar në gropa të çdo lloji e duke pasur parasysh një peizazh ku perceptohet dinamika e ndryshimit. Për ta treguar këtë më ka mjaftuar një
iphone.
Jetoj në Milano. Aplikoj fotografinë, videon, edhe pikturën. Martohem muajin e ardhshëm.”
Premiera nga “Alterazioni Video”
Më 25 qershor ora 19.00 në Galerinë Zeta, ekspozita “Tirana Alternative”, personale e grupit “Alterazioni Video”. Qëndron hapur deri më 20 korrik. “Alterazioni Video” lindi në Milano më 2003. Pesë artistët e grupit Paololuca Barbieri Marchi, Alberto Caffarelli, Matteo Erenbourg, Andrea Masu dhe Giacomo Porfiri, jetojnë në Nju Jork, Milano e Berlin. Të gjithë pjesëtarët kanë një aktivitet personal dhe aplikojnë secilën nga mediumet e artit vizual, fotografi, video instilacion, pikturë. Së bashku kanë marrë pjesë në aktivitete si Bienalja e 52 e Venecias, Manifesta 7 (Rovereto), Performa 09 (Nju Jork), Palazzo Rosso (Gjenovë), Moderna Galerija (Ljubljanë). Së fundi në ekspozitën “Don’t eat the yellow snob” në Berlin.
Përtej së bukurës dhe turistikes
Nga Edi Muka
Finalja e prezantimit të Alternazione Video, është publikimi i një guide alternative. Si fillim shpjegohet se çfarë është alternativa fillimisht si koncept gjuhësor e më pas në një kontekst shqiptar. Përfundimet dalin nga një sondazh me 10 të rinj shqiptarë deri në moshën 40 vjeç, të profesioneve të ndryshme, të cilët duhet t’i përgjigjen një testi mbi çfarë është alternativa dhe çfarë është alternativa për ta në Shqipëri.
Të gjitha këto bashkë, i lidh ideja e zbulimit të një konteksti të vërtetë që nuk është i përfshirë në guidat zyrtare ku synimi është turisti dhe turisti është një individ që kalon në mënyrë sipërfaqësore në një territor. Kjo është e pranishme dhe në fotot e “Alternazione Video” ku sheh situata ekzotike, por prezantimi është ndërtuar në mënyrë ironike dhe kritike ndaj qëndrimit të sipërfaqshëm prej turisti. Projekti zbulon karakteristikat e një territori i cili do të përfundojë në këtë guidë alternative që të jep më shumë informacion se çfarë qëndron përtej bukurisë, përtej bregdetit dhe turizmit shqiptar.