Publikuar me : 09.12.2011 Ne :
Politike - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

( I përditësuar)- Opozita është e gatshme të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj në mënyrë që vendi të integrohet në BE. Kështu është shprehur deputetja e PS-së Valentina Leskaj në takimin e katërt ndërkombëtar për stabilizim-asocimin mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Ne kemi kemi qënë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të mbështesim procesin e integrimit të vendit. Raporti i KE-së dhe 12 kriteret e kërkuar mbeten dokumente të rëndësishme. Nisur nga kjo ne propozuam paktin me 10 pika. E rëndësishme është që nga 12 prioritet e KE, 4 që lidhen me opozitën janë adresuar”, theksoi Leksaj.
Sipas saj opozita ka luajtur një rol nxitës dhe inkurajues si për reformën zgjedhore, ashtu dhe për Avokatin e Popullit dhe reformën parlamentare.
“Opozita ka dhënë votat e saj për miratimin e 4 ligjeve që kërkonin 3/5 e votave. Kemi kërkuar një proces serioz për përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare në reformën zgjedhore. Problemi me këtë reformë është me kohën, sepse ajo duhet të jetë në kohë për zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Leskaj.
Leskaj u shpreh se problem i madh në Shqipëri mbetet edhe moszbatimi i ligjit dhe korrupsioni, për të cilin vendi ynë zbriti 8 vende në raportin e Transparency International ndërsa shtoi se për këto probleme duhet punuar fort.
**********
Kukan: Shqipëria duhet të kapë trenin e radhës për në BE
Progresi në bashkëpunimin mes palëve politike në vend është domosdoshmëri për të arritur trenin për në BE. Kështu është shprehur kreu i delegacionit të Parlamentit Europian gjatë takimit të katërt ndërparlamentar për Stabilizim Asocimin mes Shqipërisë dhe BE.
“Është e nevojshme për Shqipërinë që të kapë trenin tjetër që shkon për në BE. Takimi i sotëm duhet parë si një përpjekje e PE-së për të ndihmuar vendin tuaj”, tha Kukan.
“Na është dashur një vit e gjysmë për të parë një situatë të re që do të ndërtojë hapa më pozitive. Sot fillojmë një punë të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin politik që duhet të jetë konstruktiv. Ka shumë gjëra për të diskutuar dhe për të rënë dakord, por mendoj se tani është e mundur”, u shpreh Kukan.
* * *
Bregu: Bojkoti i opozitës bllokoi reformat
Fjalën e hapjes në takimin për Stabilizim – Asociimin e mbajti ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Ajo bëri një përmbledhje të gjithë punës së bërë gjatë një vitit, duke theksuar se vendi ka shënuar progres. Bregu solli në vëmendje faktin se bojkoti i opozitës nuk krijoië mundësinë për vazhdimin e reformave.
“12 rekomandimet mazhoranca nuk mund t`i miratonte vet pa ndihmën e opozitës. Shpresojmë që vitin e ardhshme të marrim statusin e vendit kandidat”, tha Bregu.
*************
Sot në Tiranë po zhvillohet takimi i katërt ndërparlamentar për stabilizim-asociimin mes Shqipërisë dhe BE-së. Takimi po organizohet në hotel “Rogner”. Pas kësaj përballjeje mes politikanëve shqiptare dhe atyre të BE-së pritet që të dilet me një rezolutë të përbashkët.
Në tre takimet e mëparshme, nuk janë miratuar marrëveshjet, të cilat në vetvete ishin një angazhim i palëve në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë.
Dje, gjashtë eurodeputetët, që përfaqësojnë delegacionin parlamentarë të BE-së u takuan me kreun e shtetit Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e PS-së Edi Rama dhe ministrin e drejtësisë Eduard Halimi.