Publikuar me : 27.12.2011 Ne :
Kulture - 23 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Natasha Lako
Në bilancin e një viti është mirë që të flitet edhe për letërsinë. Të dimë të paktën sa romane janë shkruar këtë vit, sa autorë kanë botuar për herë të parë. Do të ishte një kuriozitet i bukur, aq më tepër që shqiptarët, përveç bujqve të pasionuar, nuk para kanë ndonjë prodhimtari të madhe. Ne nuk e dimë se cilat janë të korrat tona letrare, po të mos vijë një panair libri. Por çmimet kombëtare ku ndërhyn prestigji i shtetit, sigurisht kanë një vlerë të madhe për dinjitetin jo vetëm të letërsisë, por edhe të vet shoqërisë.
Në Shqipëri askush nuk e ka të qartë se si fitohet një çmim letrar. Papritur marrim vesh nga ndonjë lajm në gazetë se cilat janë veprat e vlerësuara të një viti. Mungon një rrjet social kulturor mes njerëzve të interesuar ose komunikimi mes tyre. Ata që marrin përsipër të shajnë atë që ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve, nuk e kuptojnë se ka dhjetëra e dhjetëra rrugë komunikimi, njëra prej të cilave është edhe një apo disa shoqata shkrimtarësh. Në qytetin e Korçës funksionon mirë një prej tyre.
Kam rastin të gjendem në një qytet shumë larg Shqipërisë ku të gjithë, jo vetëm krijues e dinë se ekziston një qendër shkrimtarësh, ku korrentet qarkulluese të informacioneve janë të hapura për të gjithë.
Jo se do të jenë në rastin e çmimeve vetëm shkrimtarët ata që do të vendosin për rangun e veprave të tyre vjetore. Është fjala për transparencën e famshme të nevojshme për gjithçka. Unë nuk mendoj se fjala transparencë është e nevojshme të përdoret në një shoqëri ku nuk ka rrjet të fuqishëm social-kulturor të vet shkrimtarëve.
Shqiptarët sigurisht kënaqen me të parët e fiseve të tyre në të gjitha drejtimet dhe kjo ka më rëndësi se sa gjithçka tjetër.
Ndërsa shkrimtarë të rinj të talentuar kanë vepra të cilat kanë rrezik që të mbeten të papërfillura.
Publiku sigurisht gjen më shpejt te dikush magjinë tërheqëse, por është tjetër kritika dhe tjetër të jesh i deleguar në përcaktimin e çmimeve, e këta të fundit qerthojnë me dëshirën për të mbetur anonimë, megjithëse ka ikur edhe koha e frikës nga qejfmbetjet. Aq të pakomunikueshme janë me njëri-tjetrin të gjithë.
E vërteta është se çmimet deri tani nuk kanë fituar ndonjë vlerë, as e ngrenë dhe as e ulin prestigjin real të autorit. Janë çmime që nuk jetojnë, jo se u janë dhënë njerëzve që nuk e kanë merituar, por se këto çmime nuk kanë krijuar jetën e vet. Ne e dimë fare mirë çdo të thotë të marrësh një Pulitzer dhe mund të fitojmë përvojë nga rruga që ndiqet për dhënien e një Pulitzer-i.
Çmimet e dhëna për letërsinë apo për studimet shqiptare duken të dhëna në gjysmë fshehtësi apo
underground.
Kam dëgjuar se po flitet edhe për juri të përhershme, më keq se KQZ-ja.
Nuk e di kush e ka të qartë në atdheun tim si dorëzohen a kush i dorëzon veprat që meritojnë konkurrimin dhe si kalon gjithçka në sitën e parë, pasi është shumë e vështirë që një mendje botuesish, të arrijë t’i vardiset të mirës së plotë.
Për të gjitha këto nuk ka përse të shkruhet në gazeta, por drejtoria e librit e Ministrisë së gjerë kulturore turistike, ka mundësi të bëjë njoftime dhe faqe të hapura, njësoj si bën Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Kur nuk ka shoqata shkrimtarësh, mungojnë edhe buletinet e thjeshta të komunikimit.
Ka mundësi që gjithçka në konkurrimin vjetor të librit të jetë më e thjeshtë dhe më e lehtë.
Nga rubrikat e gazetës mora vesh se çfarë libra sponsorizon Ministria e Kulturës.
Ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte se mendohet vetëm për tregun e mbyllur. Nuk kishte asnjë mbështetje për përkthim në gjuhë të huaj për ta bërë të njohur letërsinë, thua se ajo nuk ekziston.
Duket sikur diçka tjetër nderohet për sponsorizim, që nuk i takon kësaj bote dhe diçka tjetër është e detyrueshme të nderohet me çmim për letërsinë e sotme. Instancat zyrtare po krijojnë dy botë të ndryshme, të ndara nga njëra-tjetra. Por përpara se të vijmë të çmimet te cilat janë një kurorëzim, duhet të flasim shumë e më shumë për kontaktin e vazhdueshëm të lexuesit me veprat, njohjen e tyre, qarkullimin e vërtetë, sipas një politike kulturore. Mendoj se shumica e bibliotekave janë me veprimtari të vdekur për krijimtarinë e gjallë.