Publikuar me : 14.07.2011 Ne :
Kulture - 170 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Gjirokastër – Gjirokastra si qytet muze, ka një ditë feste. Është 15 korriku. Bëhen 6 që kur qyteti është njohur si trashëgimi kulturore botërore, si qyteti i parë shqiptar që mbrohet nga UNESCO. Specialistët e trashëgimisë pohojnë se gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur ndryshime pozitive, por janë bërë edhe hapa mbrapa. UNESCO ka bërë rekomandimet përkatëse për ndërtimet pa leje, për shtëpinë e Kadaresë, një muze që zvarritet e zvarritet. Olsi Lafe, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e pranon këtë lëvizje kontradiktore të qytetit, sa para pas.
6 vjet që Gjirokastra gëzon njëfarë entuziazmi të patronazhit të UNESCO. Në fakt janë bërë hapa përpara apo pas?
Në gjashtë vjet janë bërë investime të konsiderueshme në Gjirokastër, në një numër banesash e godinash, të cilat realisht janë shpëtuar nga degradimi. Por mbetet shumë për të bërë. Është një fakt që e pranojnë të gjithë specialistët e fushës. Mbështetja shtetërore në Gjirokastër edhe për shumë vjet do të jetë e nevojshme, sado që është diçka ndërgjegjësimi i qytetarëve, për ruajtjen e vlerave, duke filluar, në radhë të parë, nga banesat e tyre. Është një mision i vështirë ndërgjegjësimi i njerëzve. Të gjitha qendrat e trashëgimisë kulturore me karakteristika të përafërta si të Gjirokastrës, paraqesin thuajse të njëjtën problematikë.
Në Qendrën Historike janë aktualisht rreth 300 ndërtime pa leje. Ka ndonjë plan konkret për të ndërhyrë?
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Bashkinë e qytetit, po përgatisin një plan për të gjetur një zgjidhje. Kur themi ndërtime të paligjshme, kemi parasysh si atë shtesën e vogël prapa një shtëpie Monument Kulture, shkeljet e integritetit të zonës së mbrojtur, si shtesa katesh apo volume të mëdha, që të gjitha klasifikohen ndërtime pa leje.
Përse zvarritet rikonstruksioni i shtëpisë së Kadaresë?
Kam dijeni për pengesat që i janë bërë projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Tani është ngarkuar Instituti i Monumenteve të Kulturës për të ndjekur të gjitha praktikat për ta realizuar dhe finalizuar projektin.
Entela Bani