Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Liber politikani i shkruar nga artisti

Publikuar me : 06.12.2011 Ne : Kuriozitete - 74 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Salajdin SALIHI




 

Ka politikanë, në qenien e të cilëve gjallon artisti, që sado i ngulfatur, herët a vonë, rebelohet ndaj qenies vepruese dhe rrëfen bukur historinë subjektive për lexuesit e paktë, që e duan një tjetër botë – me më shumë dashuri njerëzore dhe pa buzëqeshjet artificiale që nuk janë veçse kamë. Vjen çasti, kur artisti, si mësuesi mëkatar i ëndërrimtarëve, klith: “Froni im është në qiell”…  Kështu ndodh, herë pas here, me Edi Ramën. Në disa pjesë të librit Kurban artisti triumfon mbi politikanin. Ndjenja mbi mendimin dhe hekurosjen e fjalëve. Shpirtbutësia mbi kalkulimet e njeriut të veprimit dhe detyrës.

Vjen një çast, siç ka ndodhur edhe me Edi Ramën, kur artisti ndjen sëmbimin e përbrendshëm për të bukurën dhe si Moisi i zhgënjyer sfidon, “rrethimin antiestetik, ajrin e kushtëzuar të përditshmërisë (…) në jetën politike” . Pikërisht, në këtë çast, artisti flet jo me gjuhërenë e politikës, zhveshur prej figurash, por me gjuhën e harruar të artistit e mendimtarit, duke krijuar të tjera struktura gjuhësore dhe, siç thotë Llotmani, i organizon në mënyrë të veçantë.

Edi Rama, ky mendjetjetërs në jetë e politikë, flet shpesh si artist, ashtu sikurse flet edhe ndryshe, teksa i referohet veprimit të tij politik.

Përse? Janë shumë përse?

Përse autori dëshiron një komunikim nëpërmjet librit si medium? Mos është dëshira për të dëshmuar se ka lënë pas një kujtim të mirë (siç e kishte mësuar i ati)? Mos është një përligje e punës si njeri veprimi? Mos është dëshirë për komunikim më të thellë me publikun? Mos është qëllimi kryesor shpalimi i një vizioni për vendin që pretendon një ditë ta udhëheqë si kryeministër?  Shumë pyetje të kësaj natyre mund të na lindin kur lexojmë libër nga një njeri me profil publik, që gjendet në epiqendrën e zhvillimeve politike e shoqërore.

Kemi të drejtën e pamohueshme prej lexuesi që të dyshojmë, sepse dyshimi është privilegji i të menduarit kritik. Kemi të drejtë që të dyshojmë në shumëçka shkruhet në këtë libër, që shpalon një mesazh: të njohim të kaluarën e afërt, që ta ndryshojmë të tashmen dhe të krijojmë vizion për të ardhme. Kemi këtë të drejtë, sepse çdo tekst gjeneron lexime dhe interpretime të pafundme, kurse lexim i një libri është lexim kreativ, që nuk e duron pasivitetin.  Këtë na sugjeron dhe autori, sipas të cilit ky libër paraqet këndvështrimin e tij për historinë që e ka parë, kuptuar dhe jetuar brenda zemberekut të saj, i bindur se të vërtetat e tij nuk kanë përparësi mbi të vërtetat e atyre që gjërat i kanë parë nga jashtë. Por s’e themi dot se Edi Rama nuk shkruan bukur.

Rama e ka diskursin e duhur për meditime mbi misteret e qenies njerëzore dhe për të shprehur mendime të qelibarta për problemet socio-kulturore apo politike…

Le të fokusohemi te disa tema kryesore. Le të nisim nga raporti i njeriut me qytetin.

Qyteti është një nga toposet më të rëndësishëm letrar, i pranishëm dendur në letërsinë e shekullit 20, që njerëz të letrave, i janë qasur me sensibilitete të ndryshme. Disa janë joshur nga ambienti urban, ambienti vlerësues dhe atmosfera kulturore aty. Të tjerë preferuan vende më të qeta, larg zhurmës dhe rrëmujës urbane.

Qyteti, sipas Bodlerit, barasvlerësohej me tmerrin dhe refuzimin, por edhe me krijimin e “bukurisë” së tmerrshme. Rembo preferoi ikjen. Majakovski e pa qytetin si vendin ideal të triumfit të së resë. Gijom Apollineri si vend ndodhish të përhershme. Te libri Kurban i Edi Ramës nuk shprehet vetëm imazhi subjektiv mbi qytetin, por edhe imazhi empirik i jetës urbane. Kurban është libër dhe mbi njeriun që ka humbur dhe pastaj e ka gjetur qytetin, por që rrezikon ta humb sërishmi. Një klithje kundër katrahurës urbane. Një projekt që hap shtigje të reja komunikimi ndërmjet njeriut dhe qytetit, si hapësirë e përbashkët, që i shpëton humbjes vetëm në sajë të një perceptimi të ri qytetar. Qyteti për autorin është mundësi jete të përbashkët dhe refuzimi kundër aventurave shkatërruese përvetësimesh të hapësirave publike… E dimë se si imagjinata e artistit, influencoi në veprimin e politikanit Rama, kur nëpërmjet koloritit, aq të përfolur, iu kundërvu uniformizmit arkitektonik soc-realist. Sepse Edi Rama besoi, me të drejtë, se ndryshimi estetik i qytetit krijon jo vetëm siguri psikologjike, shpresë, vetiniciativë, por edhe dekurajon krimin dhe sjelljen jocivile ndaj mjedisit urban. Se e bukura vepron kundër krimit më shumë se sa ndëshkimi dhe moralizimet bajate. Ose sikurse shprehet figurativisht: “ujqit e uritur shtangen pranë vashës së bukur”.

Rama beson në “rolin e mjeteve të estetikës e të artit në shërimin e plagëve sociale dhe ekonomike të një qyteti a komuniteti në zhvillim” ; se mjedisi mund ta bëjë njeriun të butë ose agresiv; se izolimi nga shërbimet komunitare “rrit fëmijët e palumtur të urrejtjes politike për njëri tjetrin”.

Arti, thotë Dostojevski, nuk e ndryshon botën, por e bën më të bukur. Rama e vuri krijuesin, që e bën botën më të bukur, në funksion të njeriut të veprimit, që e ndryshon po këtë botë.

Ngjashëm si Kadare, teksa shkruante për krijimtarinë e Migjenit, autori i librit Kurban, mendon se shqiptarët nuk janë as më të mirë dhe as më të këqij se të tjerët, por është sistemi që degjeneron dhe njeriun më të fisëm. “Nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit”, thotë Rama dhe vazhdon: “Nëpunësit shqiptarë s’janë më të korruptueshëm se sa nëpunësit gjermanë apo francezë për shkak të ndonjë defekti a formimi të caktuar gjenetik, por është sistemi primitiv, që s’përputhet as me vizionin demokratik as me nevojat e qytetarëve apo kompanive për shërbime…”.

Argumenton se sekush ka dëshirën për ta parë mjedisin e vet të bukur, por janë mekanizmat e ndryshkur të sistemit që pengojnë zbukurimin e tij, duke lejuar pushtimin e trishtë, pa kriter, të hapësirave publike. Se pikërisht brenda sistemit mungon ndjenja për jetën e përbashkët, ndjenja për pronën publike e cila, sikurse dihet, është e askujt personalisht, por e gjithkujt njëkohësisht, sikurse e kanë thënë shumë herë mendimtarët shqiptarë, që në vitet e 30-ta, si: Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani e shumë të tjerë.

Në konceptim e Ramës, si mendimtar, politika nuk duhet të jetë lufta për pushtet, por parimi i organizimit të hapësirës dhe sferës publike.

Edi Rama, që e njeh mirë Shqipërinë, e shikon jo vetëm nga afër, por edhe nga qielli. Imazhi i parë nga pozita e albatrosit dallon nga imazhi i paraqitur me diskurs politik kapitenësh të një anije të lëkundur nëpër dallgë rastësie. Prej së larti shihet qartësisht se si Hyu nuk qe i kursyer me vendin e shqiponjave për t’i dhënë bukuri natyre dhe marrëzi njerëzore. Prej së larti sheh shfytyrimin e trishtë të njërit prej vendeve më të bukur të Evropës, ku ethet e fitimit të atypëratyshëm në kurriz të natyrës, kanë triumfuar mbi dashurinë e njeriut për vendin e vet, ku natyra nuk është më “në funksion të jetës urbane”, nuk është as “thesar kombëtar”,  por uzurpohet dhe shndërrohet në pasuri private.

Rama flet për një atdhe të tanishëm ku “jeton një popull njerëzish pa komunitet, të ndarë me gardhe mesjetare e të panjohur për njëri-tjetrin”, njëkohësisht projekton një atdhe siç duhet të jetë, ku kokat e njerëzve nuk do të përplasen nëpër muret kufizuese që i ndajnë nga një botë tjetër, e ndryshme, fuqiepërme.

Kemi në këtë libër meditime mbi jetën dhe vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen, të fismen dhe të egrën, miqësinë dhe mosmirënjohjen, intimen dhe familjen. Por edhe për demokracinë që secilit duhet t’i krijojë mundësinë e të qenit mendjetjetërs. Për ekonominë e lirë që e zhvillon shoqërinë. Për inteligjencien partiake, të depersonalizuar që s’e mbron por e shkatërron sistemin e vlerave, si pasojë e mosfunksionimit të ligjeve. Inteligjencia që mendon me mendime të gatshme, e uniformizuar dhe e ketmanizuar, siç thoshte Çesllav Milloshi, nuk mund të jetë “ajka por hira e shoqërisë”.  Ajo i hap rrugën inteligjencies pa intelekt, të aftë që t’i shërbejë çdo autoriteti politik.  E pandjeshme kur historia ka plasaritje. Barazuese e së mirës dhe së keqes. Larg misionit që i atribuohet, që sikurse thotë Vlladimir Tismaneau, është artikulimi i idesë për të mirën publike dhe sugjeruese shtigjesh për ta përvetësuar atë; për ta “plotësuar princin dhe kur e lyp nevoja ta qortojnë ashpër; të nxis diskutime mbi të drejtat e njeriut dhe të jetë kundër çdo force obskurantiste”. Se vetëm kështu, “qytetarët e thjeshtë do të bëjnë dallimin themelor midis veprimeve të mira dhe atyre të këqija”. Pra, Rama shkruan për ketmanizimin e shoqërisë, për hyrjen në dimensionin e hipokrizisë, për “shtetin ofendues” të Konradit, që kërkon jo heshtjen intelektuale, por lavdet e pamerituara.

Rama shkruan për kundërshtarët ideologjik, vizaton profilet e tyre sipas mënyrës së tij, por kundërshtari politik “nuk është njeriu, po vizioni, argumentet, sjelljet e veprimet politike që janë të kundërta, të ndryshme” .

Rama shkruan për nëpërkëmbjen e dinjitetit të njeriut, për paranë, abuzimin me pushtetin, për sistemet represive. Është kundër kultit të individit. Çmon bashkëjetesën fetare.

Rama shkruan për sistemin arsimor plot defekte; për shëndetësinë që nuk shëron plagët; për median, që kontrukton realitetin; për hakmarrjen – këtë dukuri që triumfon sa herë shoqëria humb imunitetin e saj. Shkruan shkarazi për estradën enveriane “e kthyer gjysmë në mejhane e gjysmë në skenë vajtuese gaztorësh të realizmit socialist”, që sot, në të tjera forma, po bëhet referencë kryesore në botën artistike.

Shkruan, gjithashtu, për profesionalizmin e domosdoshëm të administratës. Për autonominë e domosdoshme të sferave në një shoqëri normale, por që ngulfatet nga militantizmi frymëzënës i institucioneve.

Edi Rama, nëpërmjet këtij libri, dëshmon se i ka mbetur besnik porosisë së gjyshes së urtë: të mos jetë i mërzitshëm. Kjo na shtyn ta lexojmë librin Kurban, i cili informon lexuesin me të ndodhurën dhe njëkohësisht tenton ta bind për të vlerësuar objektin e përshkruar.

Kurban është libër i një politikani, i shkruar nga pena e një artisti. E lexojmë me kënaqësi edhe kur s’pajtohemi me gjithçka thotë.

Dëshiroj që Edi Rama, në veprimin politik, të mos ketë përplasje me qëndrimet e tij si mendimtar.  Të ketë sukses në misionin që i ka vënë vetes: pajtimin e njeriut me shoqërinë, si esencë e politikës. Dëshiroj të lexoj libra të tjerë nga ai.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 55 here.
Fatos Mahmutaj Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës të vrarit më 21 janar, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje, pasi akuzoi publikisht kryeministrin Sali Berisha, se i kishte dërguar njerëz në shtëpi me foton e vrasësit të vëllait. Kushti ishte që të pranonin Berishën në shtëpi. Më kot u mundua Berisha të blinte gjakun e dibranit fisnik Hekuran Deda duke trokitur ditën e mortit në shtëpinë e tij. Madje jo ditën sipas traditës së mirë shqiptare, por natën...Lexo te gjithe artikullin »


» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit