Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 49 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Pyjet në të gjithë vendin do të lejohen të priten në rastet kur bëhet fjalë për mbjelljen e arrorëve, zgjerimin e qyteteve, hapjen e minierave të reja, puseve të naftës, ndërtimin e hoteleve për turizëm, etj. Qeveria miratoi dy ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me tokat, pyjet dhe kullotat në Shqipëri, të cilave mund t’i ndryshojë destinacioni me vendim të ministrit apo të Këshillit të Ministrave në rastet kur mbi to parashikohen të bëhen investime për zgjerim të qendrave të banuara apo edhe kur kërkohet të zhvillohen aktivitet privat, siç është mbjellja me arrorëve. “Pjesë të fondit pyjor kombëtar kthehen në kategorinë e resursit të tokës bujqësore, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionet e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar. Ndryshimi i formës së përdorimit të fondit pyjor në kategorinë e resursit të tokës bujqësore, pavarësisht madhësisë së sipërfaqes, bëhet fjalë vetëm për mbjelljen e këtyre sipërfaqeve me kultura të drurëve, cilët janë pjesë e programeve dhe politikave prioritare shtetërore afatgjata”, – përcaktohet në ndryshimet e miratuara nga qeveria në ligjin “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”.
Ligji i dytë, i ngjashëm më të parin, ka të bëjë me ndërrimin e kategorisë së kullotave, nga të tilla në tokë të shfrytëzueshme në rastet kur pronari kërkon përsëri të investojë në mbjelljen e arrorëve, shegëve apo ullinjve, të cilat janë prioritet i qeverisë. “Kalimi i resursit të tokës së pafrytshme bujqësore, që është në pronësi private apo të organeve të qeverisje vendore, në fond pyjor, (pyll), dhe regjistrimi në Kadastrën Kombëtare të Pyjeve, bëhet me kërkesë të pronarit apo organit të qeverisjes vendore. Kërkesa paraqitet pranë ministrisë veprimtaria e se cilës mbulon pyjet, dhe miratohet nga ministri përkatës”, – vijon ligji.
Me të njëjtin argument janë arsyetuar edhe ndryshimet e miratuara në ligjin “Për fondin kullosor” të vitit 2007. Më konkretisht, ligjet e miratuara dje nga qeveria, do të lejojnë të gjithë pronarët e hapësirave të mbuluara me pyje apo kullota që t’i presin ato nëse duan që të mbjellin arra, lajthi, gështenja, shegë, ullinj, etj., fruta të cilat janë shpallur prioritet nga qeveria gjatë këtyre muajve të fundit.
Në lidhje me pyjet, mjafton që pronari t’i dërgojë një kërkesë Komunës apo Bashkisë, e cila administron zonë në fjalë dhe kjo e fundit ia dërgon Ministrisë së Bujqësisë. Në rastet kur bëhet fjalë për hapësira deri në një hektarë, leja ndryshimin e kategorisë jepet nga ministri, për hapësira nga 1.1 deri në 100 hektarë nevojitet miratimi i Këshillit të Ministrave dhe për hapësira më të mëdha se kjo, kërkesa duhet të kalojë nga Kuvendi.
E njëjta gjë vlen edhe për sipërfaqet, të cilat janë regjistruar në fondi kullosor të Shqipërisë. Në rastet kur pronari i një sipërfaqe të caktuar mendon t’a mbjellë atë me arra apo lajthi, mund t’i drejtohet komunës apo bashkisë me një kërkesë, ku të shpjegojë se arsyeja se përse kërkon të ndërrojë kategorinë nga kullotë në tokë bujqësorë është mbjellja e arrorëve. Kërkesa më pas kalon në qark dhe më pas në ministri.
Si ndryshohet kategoria e tokës
Qeveria i ka përmbyllur ndryshimet ligjore për ndryshimin e kategorisë së pyjeve dhe kullotave në tokë bujqësore me përcaktimin e procedurave dhe institucioneve përgjegjëse. Pas dërgesës së kërkesës në bashki apo komuna nga ana e pronarit, organi i qeverisjes vendore ngre një komision të posaçëm për trajtimin e saj. Komisioni kryesohet nga kryetari i komunës apo bashkisë dhe përbëhet nga përfaqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë; përfaqësuesi i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor; përfaqësues nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe juristi i bashkisë apo komunës. Kërkesa duhet të shqyrtohet brenda 30 ditëve nga momenti i paraqitjes së saj. Ligji parashikon lehtësira të mëdha për ata që kërkojnë të mbjellin arrorë edhe duke ndryshuar destinacionin e tokës nga pyll në tokë bujqësore. Në rastet ku komisioni nuk e shqyrton kërkesën apo e rrëzon atë, kërkuesi mund t’a dërgojë direkt në ministri duke i anashkaluar këto instanca.
Ligji ndërkohë parashikon edhe ndryshimin e kategorisë së tokës nga tokë bujqësore në pyll apo kullotë, e cila mund të bëhet vetëm me kërkesë të pronarit të saj. Për sipërfaqe deri në 5 hektarë, vendimi jepet nga ministri i Bujqësisë, ndërsa për hapësira më të mëdha kalohet nëpërmjet Këshillit të Ministrave. E njëjta gjë vlen edhe për tokat e pafrytshme.