Publikuar me : 07.09.2011 Ne :
Politike - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Në një kabllogram që mban datën 11 shtator 2009, Ambasada Amerikane tregon për disa biseda të gjata me Berishën dhe Topin lidhur me pavarësinë e institucioneve dhe ligjet berishiane që tentojnë të prekin SHISH-in, Prokurorinë dhe Median. Siç kuptohet lehtë, Berisha bën rolin e kones së bindur në Ambasadë madje është i gatshëm tu ofrojë kopje të plota të ligjit (të cilat nuk ia ka dorëzuar as Presidentit). Më poshtë, pjesë nga ky kabllogram i zbardhur nga Wikileaks:
Titulli: Presidenti shpreh shqetësimet në takimin me ambasadorin
Datë 11 shtator 2009
Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë
Merr Departamenti Amerikan i Shtetit
Firmosur: Ambasadori Xhon Uidhers
Klasifikuar si Material konfidencial, deklasifikohet me 09/10/2018
(fillim kabllogrami) “Në takime të ndara gjatë datave 4 dhe 5 shtator, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi diskutuan me ambasadorin Uidhers për pranimin në NATO, ligjin për median, SHISH-in dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Kryeministri Berisha filloi
menjëherë të tërhiqej dhe të pranonte sugjerimet e ambasadorit pas parashtrimit të pakënaqësive nga ana e tij në lidhje me ligjin për Prokurorinë. Presidenti Topi shpalosi pakënaqësi të mëdha në lidhje me përpjekjet e vazh dueshme të Berishës për cenimin e pavarësisë
së institucioneve, veçanërisht të Prokurorisë së Përgjithshme. Ambasadori Uidhers e hapi takimin me Berishën duke e informuar për ratifikimin nga ana e Kongresit të dokumentit për zgjerimin e NATO-s.
Më pas, ambasadori paraqiti shqetësimet mbi ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme duke i thënë Berishës se ligji jo vetëm që ishte konfuz dhe i paqartë, por ishte hartuar posaçërisht në atë formë për të imponuar më shumë kontroll politik në punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo nuk ishte hera e parë që ambasadori ishte angazhuar direkt me qeverinë shqiptare për ligjin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në takimet me ministrin e Drejtësisë ambasadori kishte kundërshtuar fuqishëm dispozita të shumta të këtij drafti. Ministri me siguri duhet t’i ketë raportuar këto vërejtje tek Berisha, dhe kjo është bërë faktor që ai të marrë një qëndrim më të pranueshëm në takimet me ambasadorin. Ambasadori kërkoi që drafti i plotë t’i jepet për shqyrtim një grupi të posaçëm për një rishikim të plotë. Berisha pranoi që hartimi i draftit ishte konfuz dhe pranoi të ofronte një kopje të plotë të tij menjëherë. Kryeministri siguroi ambasadorin në përfundim, që drafti do të jetë “konform standardeve” ndërkombëtare.
Berisha i tha ambasadorit që ai do ta nxiste edhe Parlamentin që të hiqte imunitetin për të gjithë zyrtarët dhe jo vetëm për Prokuroren e Përgjithshme. Berisha pranoi sugjerimin e ambasadorit për të hequr një pikë të draftit që parashikonte vendosjen e një përfaqësuesi të përhershëm të Ministrisë së Drejtësisë në Këshillin e Prokurorisë. Grupi i kontrollit beson se prania e këtij përfaqësuesi do të rriste kontrollin e qeverisë në Këshill. Berisha gjithashtu hoqi dorë nga propozimi për të hequr përfaqësuesin e Presidencës në Këshill. Ambasadori e zhvendosi më pas temën e diskutimit mbi reformën në SHISH. Ai i tha Berishës se ishte “shumë i shqetësuar” nga drafti që ambasada kishte parë. Berisha filloi të tërhiqej menjëherë duke i thënë ambasadorit se ai nuk ishte në dijeni të një drafti të tillë. Berisha tha se e vetmja gjë që ai kishte kërkuar ishte krijimi i një zyre të vogël nën varësinë e Kryeministrit…
Kurse lidhur me ligjin për median, Berisha tha se përgjegjëse për hartimin e tij ishte Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Kryeministri siguroi ambasadorin se është i gatshëm të miratojë një draft të ri për mediat “pavarësisht propozuesit”. Berisha shtoi se s’ka asnjë qëllim për t’i bërë presion medias.
Biseda me Topin
Ambasadori i tha presidentit Topi se SHBA-të mbeten të shqetësuara për një seri zhvillimesh të brendshme, përfshirë shqetësimet për lirinë e medias dhe ligjin për median si dhe ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme. Ambasadori i tha Topit që sa më shumë Shqipëria i afrohet NATOs, aq më shumë rriten pritshmëritë për Shqipërinë. Topi pranoi që disa punë të qeverisë janë bërë në mënyrë jo transparente. Ai kritikoi përpjekjet e qeverisë për politizimin e TVSH-së dhe shtoi se opozita kishte dështuar për të kritikuar këtë politizim. Topi ndau me ambasadorin shqetësimet në lidhje me Prokurorinë duke thënë se edhe në zyrën e tij nuk i është dërguar një draft i plotë i ligjit. Topi u ankua se ligji synon të reduktojë influencën e Presidencës në Këshillin e Prokurorëve duke rritur në të njëjtën
kohë rolin e Ministrisë së Drejtësisë (duke hequr të drejtën e votës së përfaqësuesit të Presidencës në Këshill dhe shtimin e një përfaqësuesi të Ministrisë së Drejtësisë).
Përfundime
Pas përplasjeve të përsëritura me Ambasadën mbi ligjin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SHISH-in, Berisha duket si i dorëzuar, të paktën për tani për tani. Mbetet për t’u parë sa do ta mbajë Berisha fjalën, por u bind menjëherë gjatë takimit më ambasadorin. Megjithatë, ka një besim të përgjithshëm në Tiranë ndërmjet vëzhguesve të jashtëm dhe vendas që Berisha do të vazhdojë të kërkojë të rrisë kontrollin mbi median, Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH-in me qëllim mbajtjen nën kontroll të hetimeve mbi Gërdecin dhe
vendosjen e PD-së në një pozicion të favorshëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Diferenca e vetme është që tani për tani Berisha duket se ka braktisur sulmin frontal mbi institucionet e pavarura, por në shërbim të një qasje indirekte”.