Publikuar me : 01.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Preç Zogaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë qeveritë, ambasadat, misionet respektive dhe një mori institucionesh e shoqatash të tjera politike, ekonomike, shkencore, kulturore, shoqërore, e tjerë, që punojnë në unison, si orkestra të mëdha, për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Si vend i vogël ballkanik, pa kushërinj dhe pa shumë histori në Europë, Shqipëria ka nevojë për aleancën me SHBA-në më shumë se sa SHBA-ja e madhe për Shqipërinë. Por edhe interesat amerikane kanë peshën e tyre të konsiderueshme në këtë lidhje. Sidoqoftë, mendoj se shpjegimi i miqësisë së veçantë midis Shqipërisë dhe SHBA mund të përmblidhet në dy fjalë kyçe. Njëra fjalë është parimësia amerikane. Tjetra fjalë është mirënjohja shqiptare. Mirënjohja si shprehje falënderimi për atë që SHBA ka bërë për Shqipërinë dhe njëherësh si përpjekje e vazhdueshme e shqiptarëve për të ecur në rrugën e demokracisë. Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi asete për të tërhequr vëmendjen e superfuqisë më të madhe të botës. Tingëllon paradoksale ta themi, por “pasuria” që na vuri një ditë në rrezen e mbulimit amerikan ka qenë tragjedia jonë: shtypja komuniste e Shqipërisë, shtypja serbe e Kosovës, padrejtësitë e realpolitikës së vjetër në kurriz të tërësisë territoriale të kombit shqiptar. Amerika e vlerave u përball pa kompromis në këto troje me produktin e armiqësive shekullore ndaj Lirisë dhe Demokracisë. Ne kemi pasur fatin e madh ta jetojmë këtë histori. Interesi amerikan primar në Shqipëri ka qenë dhe është demokracia shqiptare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar e punojnë falas për Shqipërinë. Sa më demokratike është Shqipëria, aq më të forta janë lidhjet e saj me SHBA. Ndërkaq, sa më shumë e dredh apo dështon qeveria e radhës në Tiranë në lidhje me standardet demokratike, aq më e distancuar dhe kritike është me të qeveria e SHBA-së. Kjo është në vija të përgjithshme tabloja e marrëdhënieve në dy dekadat e fundit.
Duke thënë këto, vetvetiu vjen pyetja: Çfarë janë atëherë këto kompanitë amerikane të lobingut, që paguhen nga qeveria shqiptare dhe taksapaguesit shqiptarë për “forcimin e marrëdhënieve midis dy qeverive” apo për shërbime të tjera të rrumbullakosura, siç i shohim të shkruhen rëndom në kontratat respektive? Kemi pasur së paku tri kontrata të tilla gjatë katër vjetëve të fundit. Një në vitin 2007 me kompaninë “Ridge Clobal” për të lobuar hyrjen e Shqipërisë në NATO, një tjetër me kompaninë “Patton Boggs” dy vjet më vonë për të lobuar përfshirjen e Shqipërisë në nismën e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe një të tretë këtë vit, ekzaktësisht më 4 prill 2011, me kompaninë “Podesta Group” për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy qeverive. Duket se ka shumë kompani të tilla në SHBA. Ma merr mendja se kanë si qëllim kryesor të lobojnë nisma dhe rregullime ligjore në sferat e biznesit dhe në sfera të tjera të jetës shoqërore amerikane brenda dhe jashtë vendit të tyre. Nga konsultimi me literaturën politike shtetformuese amerikane, përfshirë dy librat e fundit të Presidentit Obama, nuk më rezulton që legalisht kompanitë lobuese përmbushin detyra që dublojnë apo u mbivendosen ambasadave dhe institucioneve shtetërore që prodhojnë diplomacinë dhe marrëdhëniet me jashtë të qeverisë së SHBA-së. Gjithsesi, kjo është një çështje që nuk më përket mua ta trajtoj.
Nisur nga natyra e marrëdhënieve të shkëlqyera midis SHBA-së dhe Shqipërisë, është e natyrshme që një qytetar shqiptar të kërkojë të dijë përse duhet të paguajmë ca kompani private, kur kemi realisht statusin e kombit të privilegjuar nga shteti dhe taksapaguesit amerikanë? Mos vallë nuk është i mjaftueshëm komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel qeverish? Mos nuk e përçojnë ashtu siç duhet zërin e Shqipërisë ambasada e SHBA-së në Shqipëri dhe ambasada e Shqipërisë në SHBA? Mos e kemi të paaftë dhe të pakët në numër personelin e ambasadës sonë në Uashington? Mos nuk kemi konsuj nderi në SHBA, siç kemi në shumë vend të tjera të Europës? Mos nuk mjaftojnë institucionet, organizatat dhe qendrat e tjera të larmishme të informimit në linjën Shqipëri-SHBA dhe anasjelltas? Mos ka nevojë për një shtytje tjetër, mos ka nevojë për një fjalë në vesh, siç e themi në të folurën tonë, që dyert e zyrave të larta dhe zemrat e burrave dhe grave të shtetit amerikan të hapen edhe më shumë, edhe më bujarisht për Shqipërinë e vogël?
Për gjithë këtë zinxhir pyetjesh, më përjashtim ndoshta të asaj për numrin e diplomatëve tanë në Uashington, unë kam një “jo”. Po të ishte Shqipëria në pozicionin e vendit që po lufton me mish e me shpirt për të fituar simpatinë e SHBA-së apo për të marrë, fjala vjen, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Uashingtoni, përdorimi i lobingut me kongresmenë, senatorë, intelektualë, zyrtarë dhe personalitete të tjerë me ndikim në institucionet vendimmarrësve amerikane do të ishte më së i përligjur. Mirëpo e vërteta është se SHBA-të e duan vendin tonë. Ato kanë bërë e bëjnë me shumë se ne për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sikurse kanë bërë më shumë se ne për anëtarësimin tonë në NATO.
Nga ky këndvështrim është e pakuptueshme se përse duhen përdorur kompanitë e lobingut në një marrëdhënie ndërshtetërore, ku principialiteti dhe miqësia amerikane kanë punuar e punojnë për ne falas, me kushtin e vetëm që vendi të zhvillojë demokracinë dhe frymën euroatlantike. E kupton kushdo se nuk është fjala këtu për të vajtuar një milion dollarët që ka harxhuar qeveria shqiptare për kompanitë e lobingut në fjalë. Kjo shifër- një milion dollarë – është vërtetë e papërfillshme në raport me çfarë ka përfituar kombi shqiptar nga mbështetja amerikane. Por kjo mbështetje as është çmuar, as është realizuar me para. Kanë qenë dhe është një mbështetje që lidhet me kursin e ri të historisë. Para dhe mjete ndikimi kanë më shumë armiqtë e Shqipërisë, por nuk u kanë vlejtur e nuk u vlejnë gjë për të kthyer pas këtë kurs.
Qeveria e Tiranës nuk ka nevojë të paguajë për të forcuar lidhjet e Shqipërisë me SHBA-në, për të qenë pjesë e Sfidës së Mijëvjeçarit, kandidate dhe anëtare e BE-së. I mjafton të zbatojë parimet e demokracisë në qeverisje dhe në zgjedhje. Por duket qartë se është pikërisht vetëdija e cenimit të këtyre parimeve që e shtyn qeverinë shqiptarë të kërkojë në tokën amerikane ndërmjetës dhe fjalëmirë të paguar për të “rregulluar imazhin e saj”, në të vërtetë për të grimuar e mbuluar njollat e dhunimit të demokracisë dhe zgjedhjeve. Berisha e di se nuk e merr dot medaljen e demokratit në Uashington dhe as mërzitet fort për këtë gjë. Në tërësi ai lobon për konsum të brendshëm, për t’u dukur para publikut të tij sikur ka mbështetjen amerikane, për të ushqyer legjendën sikur amerikanët nuk kanë gjetur ende një më të mirë se ai ku të mbështeten. Por lobon edhe për të kaluar situata konkrete të rënda, siç janë vrasjet e 21 janarit apo manipulimet zgjedhore të 8 majit në Tiranë. Vënia në një plan e vrasjes së katër demonstruesve me gjuajtjen e policëve me gurë, për shembull, është një “dhuratë” që nuk ka të paguar për një qeveri që përdor armët e zjarrit kundër opozitës. Kush e ka bërë këtë në një moment paqartësie duhet të pendohet, ndërsa kush e ka bërë për interesa personale duhet ta dijë se mban në shpirt barrën e një poshtërsie, ndërsa sheh se hetimi për zbardhjen e atyre vrasjeve shtyhet gjithnjë e me shumë në kalendra, sepse, siç deklaroi para disa ditësh Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nuk bashkëpunon qeveria. Merret me mend lehtë se nëse ka sukses, lobingu për zbardhur qeverinë, duke terratisur paudhësitë apo dhe krimet e saj i kushton vendit shumë-shumë më shtrenjtë se ato një milion dollarët që humbim kot.
Ne nuk mund të dimë me saktësi deri ku shkojnë kompanitë amerikane të lobimit politik në favor të qeverive të vendeve të ndryshme. E vërteta është se nganjëherë bëjnë mjaft dëme, duke mbrojtur deri në fund, kundrejt shpërblimeve të marra, kauza të padrejta dhe diktatorë të makiuar. Të dy palët në këtë marrëdhënie matrapazësh, edhe ata që paguajnë, edhe ata që paguhen, përfaqësojnë një tallje dhe një fyerje të rëndë për principet, teksa bëjnë një gjë që në thelb synon korruptimin e principeve. Por besoj se nuk mund të shkojnë kurrë larg dhe lart. Pavarësisht ndikimit të përkohshëm apo të pjesshëm te disa zyrtarë të administratës amerikane, ata, lobistët, në analizë të fundit, nuk mund të ndryshojnë thelbësisht kursin e vlerësimeve dhe qëndrimeve zyrtare të SHBA-së. Kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë edhe me ngjarjet shqiptare. SHBA nuk mund të pajtohet kurrsesi me dështimin e hetimeve për vrasjet e 21 janarit, ku katër demonstrues të pafajshëm u goditën për vdekje nga Garda e Republikës.