Publikuar me : 13.07.2011 Ne :
Kulture - 181 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“Amnistia”, film dramatik nga Bujar Alimani (Shqipëri/Greqi/ Francë, 2011, ‘83 min.) prej 6 korrikut po shfaqet në Francë. Arizona Films Distribution, producenti francez i filmit, mbulon shpërndarjen për 4 salla kinemaje në Ruen dhe Paris. Shtypi i përditshëm (Le Monde, Le Nouvel Observateur) dhe revista kushtuar kinemasë e TV (Télérama) kanë shkruar mbi filmin nga Shqipëria. Kritikat që nëpër rreshta shprehin pretendime për të ardhmen e regjisorit të ri shqiptar, e vlerësojnë “Aministinë” për ndjeshmërinë dhe vërtetësinë, si një vepër që ngjall kuriozitet joturistik, që dallon nga shumë mallra ekzotikë të vendeve kulturalisht të largëta nga Evropa.
Franca është vendi i dytë pas Shqipërisë (kupto Tiranën) ku filmi po shfaqet për publikun e gjerë. Ka festivale në Francë të cilët përfshijnë në programet e tyre filma gati për një qarkullim në kinematë e vendit.
Si ky është Festivali Ndërkombëtar i Vernonit (Vernon ndodhet ndërmjet Parisit dhe Ruenit), i organizuar më 30 qershor – 3 korrik, që kishte zgjedhur “Amnistinë” ndër 8 filmat për konkurrim ndërkombëtar. Pothuajse të gjitha prodhimet në program kanë nga një producent francez. Përbën një tipar teknik në dukje të festivalit.
Juria e programit kryesor, vetëm nga artiste femra, aktore, regjisore, Margot Abascal, Caroline Pochon, Louise de Prémonville, Fabrice Simon, me presidente Évelyne Dress, vlerësoi “La Fée” si Filmi më i mirë, me Bruno Romy, Dominique Abel dhe Fiona Gordon; Rachid Youcef – aktori më i mirë për interpretimin në “Fleurs du Mal” dhe Luli Bitrit i dha Çmimin për interpretimin më të mirë femëror. Këto janë çmimet kryesore. “Un Jour Chez Moi” i ofron një gjerdan si çmim aktores më të mirë të Vernonit.
Dy ditë pas çmimit, në kritikat e shtypit francez personazhi i aktores shqiptare përshkruhet, herë vetëm, “një madonë e lodhur me dy fëmijë dhe vjehrrin në shtëpi”, e herë bashkë me protagonistin tjetër, Shpëtimin (Karafil Shena), si “dy aktorë të mrekullueshëm”.
Loja e Luli Bitrit ka disa elementë thelbësorë. Regjisori ka ideuar një personazh kryesor, me një dramë jo të fjalëpërfjalshme. Është një heroinë që nuk e humbasim nga sytë nga hapja në finalen e historisë. Elsa është motori i veprimit, që udhëheq drejt dy qendrash veprimi. Njëra e jashtme që i përket sferës sociale, familjare, ku gruaja nuk është e vetvetes po e të tjerëve, e raporteve dhe e detyrave të ritualit shoqëror. Tjetra qendër e veprimit është e brendshme. Me principin
një grua do të thotë një njeri, autori ka krijuar portretin më të qartë femëror e njerëzor në kinemanë shqiptare të re dhe asaj të traditës.
Një rast: Në festivalin e 12-të të filmit shqiptar, 2006, aktorja më e mirë u vlerësua Luiza Xhuvani për rolin e mësueses te “Slogans” i Gjergj Xhuvanit. Në historinë e shkruar të kinemasë sonë kjo figurë kinematografike nuk është më shumë se ky çmim. Jo për shkak të lojës së Xhuvanit e cila nuk shihet dot ndaraz me personazhin që kanë krijuar autorët. Është për shkak të gërryerjes dhe sheshimit që i bëjnë Xhuvanët botës së brendshme njerëzore, për mungesën e vëmendjes ndaj botës femërore, në veçanti: do të ishte sikur t’i besosh sot një përfytyrimi arkaik e bestyt si i njerëzve të vjetër, që e mendonin botën gjë të rrafshët në kurriz të tre demave.
Figura e Luli Bitrit është një përjashtim në kinemanë shqiptare ku figura femërore është shfaqur gjithnjë në plan të dytë, pas burrit, pritëse, tek fshin duart në aneks, tek nuk thotë asgjë, përveç njëfarë shqetësimi në ballin e saj prej motre, gruaje, nëne, gjysheje apo ndjenja të tjera të vetëkuptueshme.
Një grua është një njeri. Luli Bitri është trupi dhe zemra e kësaj ideje, pa të cilën nuk do ishte e sigurt nëse Alimani do ta përmbushte logjikën e personazhit dhe e anasjella, pa këtë logjikë, nuk do të ishte e sigurt nëse Luli Bitri do ta jepte me gjithsej repertorin e saj emocional, psikologjik, plastik. Me personazhin e Elsës ajo ka dhënë një lojë personale, e pangjashme qoftë dhe në fragmente me ndonjë copë karakteri joprotagonist nga loja e saj e mëparshme (vejusha te “Gjoleka, djali i Abazit” Dh. Anagnosti, vajza me makinë të kuqe te “Gjallë” A. Minarolli).
“Aministinë” e kanë identifikuar tashmë me një histori dashurie me fund tragjik. Pohime si ky i ngjajnë deklaratave të policisë e cila vetëvrasjet i shpall aksione të freskëta nga një depresion me gjasë, e sikur këto aksione nuk i bëjnë njerëzit e një jete reale por dublantët në sheshin e xhirimit. Këto peizazhe dëshpërimi i riprodhon media, ashtu si media në këtë rast ka riprodhuar një lexim të thjeshtë të dramës së “Amnistisë”.
Dashuria (prania apo mungesa e saj) nuk është motiv i vetëm, sidomos për një tragjedi. Ajo e çon njeriun deri në një pikë të kthesës së pashmangshme, në një gjendje egërsie ku shqyhen mes tyre ndjenja të pashpjegueshme, ku sapo thirret një rreze arsye, ankthi e ka përqafuar ndërkaq nevojën për izolim, për ikje nga ndjenjat e njohura familjare kacavjerrëse e ngushëlluese për shpëtim.
Një grua do të thotë një njeri, është kuptimi dhe përkushtimi që jep
gjendja e egër në lojën e Luli Bitrit.
Kritika
Filmi hapet, megjithatë, me një vizion befasues, pothuajse alegorik: punëtorë të pushuar, në pritje për të marrë dëmshpërblimet e tyre. Një varg i pafund njerëzish: imazhi i një vendi në pezull në mes shpresës dhe tragjedisë.
Cécile Mury/Télérama
Elsa përballet e vetme me të gjitha sëmundjet e Shqipërisë, trashëgimia e stalinizmit, të këqijat e globalizimit, ringjallja e kulturës patriarkale. Është shumë për një grua, për një film dhe për një spektator të vetëm.
Thomas Sotinel/Le Monde
Elsa Demo